Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | STUDIME | Sojëria e artit: konventat letrare: e shkuara, e sotmja, e ardhmja

Sojëria e artit: konventat letrare: e shkuara, e sotmja, e ardhmja

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Sojëria e artit: konventat letrare: e shkuara, e sotmja, e ardhmja

Dr Fatmir Terziu

 

Hyrje

Gjithnjë duket se flasim për gjërat e njerëzit që kanë jetuar në të shkuarën. E shkuara është ajo që na udhëheq në rrugëtimin tonë. E shkuara është ajo që na frymëzon. E shkuara është ajo që na shtron me mjaft enigma, për të sotmen, për të nesërmen. E shkuara është dhe në letërsi, po aq sa një enigmë dhe në filozofi. Një pyetje filozofike gjithmonë ka munduar dhe tunduar botën. A ekziston e kaluara? Nuk është shumë e çuditshme që në mësimet shpirtërore të mohojnë ekzistencën e së kaluarës. Për mësimet shpirtërore ka vetëm ‘tani’. Por a ka filozofë që gjithashtu mohuan ekzistencën e së kaluarës? Më duhet ta them se edhe teoritë më empirike do t’i mohonin gjithashtu, sepse e ardhmja nuk mund të përjetohet. A i mohojnë ato filozofët e tjerë, veç filozofit Hume, apo janë të vetmit që mendojnë se ekzistojnë disa idealistë si Platoni? Dhe kjo është në përgjithësi e aplikuar edhe jashtë filozofisë, pra tek të vjetrit ose tek të ashtuquajturit ‘modëvjetërit’, sikurse quhen shpesh, sikurse i quajnë më të rinjtë, ose vetëquhen ndonjëherë edhe ata vetë. Ata, që në fakt bëjnë të njëjtën gjë, por me mënyra të cilësuara “bashkëkohore” ose me forma të marra nga “sojëria e artit”.

Jetojmë me të shkuarën

Por, në fakt, ne të gjithë jetojmë në të shkuarën, sepse tashmë nuk është asgjë tjetër të jetosh në të sotmen. Shkrimtari anglez, Gilbert Keith Chelerston ka parathënë me kohë se “të jetosh në të sotmen është sikur je ulur në një kokë gjilpëre” (Chelerston; 1939: 374). Ndërsa Donald H. Brown në kujtimet e tij shkruan se “Nuk ka hapësirë të mjaftueshme dhe vend për të jetuar mbi kokën e një gjilpëre. Ne vazhdojmë kësisoj papandehur rrëshqitjet në të kaluarën, ndaj ne mund të mbesim paksa në të tashmen vetëm me një dhuratë nga memorja” (Brown; 2011:xi). Dhe kështu pa memorjen e sotmja, e tashmja nuk duket se ka funksionuar, funksionon dhe do të funksionojë. Dhe kjo më së shumti në letërsi. Ajo është shumë e shpejtë, jo aq shpejt brenda jetës sa vetë brenda kapakëve të librave, ajo është shumë e lehtë pa një mbështetje të duhur, dhe natyrisht në majën e një gjilpëre ajo është vetëm pasthirmë e ndukur, britmë pa shestim të plotë kënd-gjithëpërfshirës. Ajo është shumë e pakëndshme në prurje, dhe kjo është nevoja e ndjekur menjëherë nga përvoja krejtësisht të ndryshme, të ngjashme me ato të të kërcyerit me një britmë (kujto se mjaft krijime të kohëve të fundit, përfshirë dhe vlerat nga “Vrima” janë bërë në një sitë të tillë, ku flet e shkuara, përvoja e ashtuquajtur me një britmë njerëzore të strukur ose të korrektuar nga postulati “demokratik” i konventave).

Të jetosh në të ardhmen është kontradiktore që në terminologji. E ardhmja nuk është e gjallë. Dhe kjo shpjegohet me ndjeshmërinë më të përsosur, e cila është vetë jo e gjallë. Ajo s’ka natyrë, s’ka formë, s’ka tipare, s’ka karakterë të qartë të ndonjë lloji, përjashto ato që zgjedhim ne të projektojmë rreth saj nga e shkuara. Njerëzit e fushës së artit, e sidomos ato të artit të mbetur të fjalës së sotme të bukur shqipe, flasin akoma për të vdekurit e së shkuarës, por e kaluara nuk është aspak e vdekur, në ndjesinë që e ardhmja është e vdekur. E shkuara mund të lëvizë dhe të na lëvizë nga pozitat dhe pozicionet, dhe madje të na nxehë, alarmojë, pra e kaluara mund të jetë e dashur, plór dashurish të mbjedha e të pakorrura, mund të jetë për tu dashur, edhe për tu urryer, mund të jetë e zverdhur, apo dhe me një shirit të ndryshkur, mund të jetë dhe… fare mund të mos jetë në perceptimin tonë, apo dhe në memorjen tonë.

E shkuara sikurse e kemi lexuar tek ato lexime të detyruara të së shkuarës, tek ato me formën e “mikut” dhe tek ato traditoret, është e mbushur gjerësisht me jetë që mund të konsiderohen në tërë misionin e vet nga kënde e gjykime të ndryshme, kjo është e gjitha, fjalë për fjalë në plotësinë e jetës. E shkuara flet me gojën e Tjetrit, e shkuara është memecëria e pas-mrekullueshme e gojës së mbushur sipas këndvështrimit të Tjetrit (Kujto shprehjen e goditur: “Memecit i erdhi goja”). E shkuara…?! Ja pra pse duket sikur nuk ka letërsi të shëndoshë. Ja pra pse nuk ka letërsi të mirëfilltë! Mungojnë konventat në letërsinë e sotme shqiptare duke mbetur tek këndi me të shkuarat?! Të shkuara të harruara?! Po arti duhet të çlirohet nga moraliteti i ngurtë?

E shkuara dhe konventat

Ka kohë që fjala shkon tek fjala rreth problemit, se kur arti i fjalës duhet të shkarkojë ‘vetveten’ nga moraliteti, i cili është quajtur si baza e një arti letrar. Ndoshta ka qenë një ‘liri’e kohës së tranzicionit demokratik, e asaj që në fakt është liri, por kur kjo ‘liri’ në gjendjen e artit të fjalës, nuk ka bërë ndonjë hap-ligjor, apo të ketë një konventë të vetën institucionale, kur vetë arti duhet të shkatërrojë e flakë tutje muret e konventës së moralit (Kupto, jo të prop-real-socializmit, apo ato të diktura nga rrjedha e rrethana të ngjashme). Dhe në këtë rast ntyrisht nuk është thjesht një konventë, por mjaft konventa, ligjësi, që kanë në thelb mjaft arsye për të qenë të tilla. Por ajo që unë kam parë mes leximit, mes krijimtarisë, po aq dhe asaj që krijoj vetë, arti modern ka kohë që ka injoruar ‘moralitetin’, pa hequr konventat për këtë gjë. Konventat janë karakteristikat sipërfaqësore e të shkruarit - mekanikës, përdorimit, dhe formimit të fjalive, sipas një rregulli të caktuar (jo shkolla kopjace të ardhura nga të katër anët e të shkopsitura mes asaj që sot quhet ‘vlerë dhe vlerësim, e asaj që sot është pushtuar nga një kastë e re e mediave politike, e ekraneve publike, e vetë politikës që kërkon të zhysë edhe penën në damarët e letrave shqipe). Konventat janë një mirësjellje për lexuesin, duke e bërë një shkrim, apo një krijim më të lehtë për të lexuar duke e vënë atë, në një formë që lexuesi e pret dhe është i kënaqur me të. Unë kam vënë re, se shumë konventa të tilla dhe të etiketuara si “turpshëm”, mbetje të stileve tepër të brishta dhe artificiale të shkrimit, ende arrijnë të kenë forcë për të drejtuar krah për krah me licencë të plotë apo me mendimin e tjetërsuar të shthurjes për gjëra shumë më të rëndësishme në krijimtarinë letrare, tashmë të shtrirë në një fushë pa kontroll. Duket sikur njerëzit e fushës krijuese mund të heqin qafe diskretën e urdhërimeve, por jo atë që u përket disa konventave.

Dihet se askush nuk di ndonjë gjë për jetën në të ardhmen, sikurse e thamë më lart, përjashto ato që ai zgjedh dhe përzgjedh mes imagjinatës së tij, atë që ka mbetur në memorjen e tij nga e shkuara dhe atë që ai dëshiron në të tashmen, por ai lë për të ardhmen mes një rrugëkrijimtarie të bazuar tek e shkuara atë që ai kërkon ta bëjë jetëgjatë. Kjo është dhe mbetet parësore në një konventë të tillë, ku letrat marrin jetë dhe bëhen më jetëgjata. Gjithkush mes kësaj rruge, qoftë edhe më herët mes utopisë, pruri në letrat shqipe, sikurse në mjediset e tjera letrare, një ngushticë letrare  të së shkuarës, ndoshta mes një konvente të tillë solli Foqion Postoli romanin e tij “Lulja e kujtimit”, në të cilin përshkruhen ngjarjet që i përkasin periudhës së përpjekjeve për t’u çliruar nga zgjedha turke dhe influencës greke, që ishte një pengesë serioze për lëvizjen kombëtare. Në këtë roman gërshetohen konfliktet personale me ato shoqërore e politike, ku epërsinë e marrin kurdoherë këto të fundit, sikurse në këtë format patën shkruar herët shkrimtarët e kohës së Ëilliam Morris, që e morën nga pjesëjeta, apo dhe nga memorja. Një fakt është rasti kur letërsia trajtohet në një kënd të ndaluar nga koha për babain shkrimtar dhe vazhdon nga koha tjetër për të bijën shkrimtare. Është fjala për letërsinë e shkrimtarit Mehmet Myftiu, që ashtu si vetë autori duhej të bënte jetë “ilegale” që të pasohej nga krijimtaria e të bijës, Besa Myftiu që solli për lexuesin romanin “Dashuri në kohën e komunizmit” botuar nga Fayard. Kështu sikurse dje që gjërat mereshin nga shekujt e kaluar, sikurse në letrat shqipe vinin shkrimet për të shkuarën nën Otomanët, apo dhe një lloj perde nga grekët, edhe sot rrugët mbesin të tilla. Disa kanë pasur ndonjë sukses dhe ndonjë besim të shkojnë tek Futurizmi, kjo lëvizje që mori jetë në fillimet e shekullit të njëzetë, pra të gërmojnë në më të largëtën e së kaluarës, duke synuar të parashtrojnë mes mitit dhe strukjeve faktorë të tjerë kritikues dhe për komunizmin. Kështu komunistët na tregonin se komunizmi mbizotëronte në një periudhë parahistorike, dhe shumë pacifistë mbështesin idealin e tyre nga një teori se lufta ishte një shtesë e vonë dhe artificiale për historinë e hershme të njeriut. Kjo, si e para nga shkrimtarët nën komunizëm, dhe ata që u ndanë më dysh në atë kohë, të ndaluarit me pasoja dhe me kritika, po ashtu dhe nga të dytët, pacifistët e dy kohërave të pas Luftës së Dytë Botërore dhe atyre që vazhduan për inerci pas viteve nëntëdhjetë, ndoshta dhe disa të rrugënisur në këtë periudhë kanë prurë në skenë dhe në debat një pikë të rrëndësishme për tu korrektuar. Ndoshta, një nevojë reale e korrigjimit, është të korrigjojmë këtë: ajo që e propozuam si kthimin e këtyre antikuarëve që enden praparrugthi nga e kaluara e largët për të kaluarën e afërt, paqthi dhe mes konventave më të përparuara të letrave, të cilat janë tashmë krijuar, por janë infektuar nga uzurpimet komerciale, panairet, dhe janë ‘vrarë’ nga shtëpitë botuese pa kriter, mungesat institucionale dhe sponsorizuese të shkrimtarëve.

Konventat përtej “letrarësisë së sotëshmet”

Që letërsia të shkojë në shtratin e saj duhet konventa kryesore, të dihet se çfarë ndodhi me baballarët, dhe për më shumë tek gjyshërit e stërgjyshërit, të cilët i bëmë dhe i lexuam mes letrave, edhe pse derdhën gjakun për Iliri, Arbëri, Shqipëri të lirë, dhe i njollosëm mes injorancës së letrave, si “jabanxhinj?!”. Kam lexuar së fundi një roman nga koha e stërgjyshërve tanë, “Gruaja me të bardha” i shkruar në vitin 1859 me autor Wilkie Collins, ku Sir Percival Glyde diku thotë: “Të huajt e juaj janë të gjithë të ngjashëm”, dhe ne kujtoj se të tillë të huaj kemi bërë me kohë, si në të shkuarën, në të tashmen dhe jemi të gatshëm ti bëjmë dhe në të ardhmen… Të huaj në dheun e të parëve të tu?! Të huaj në letrat e tua?! Pastaj le të mendojmë si krijues e jo thjesht si “patriotë”, duke filluar të lavdërojmë e të kritikojmë dhe dheun që na lindi!

Rastësisht këto ditë lexova një shënim personal të një miku për mikun e tij, (sigurisht mes letrave të “letrarësisë së sotëshmet”, do të thoshte shkrimtari ynë F. Myrtaj) dhe në brendësi të shënimit lexova afërsisht: “një herë dëgjova nga persona të tipit ‘ftohës’ të kulturës, vërejtjen se njerëzit e thjeshtë nuk e pëlqejnë bukurinë e vendit”. Ky është një gabim i rrënjosur në krenarinë intelektuale e mediokritetit. Madje është një nga shembujt e shumtë ku e vërteta në ide pikëtakon ekstremin e “letrarësisë së sotëshmet” (nënkupto: letërsisë së sotme). Le ta themi shkurt. “Të thjeshtit” apo “të thjeshtët”, supozohet të jenë lexuesit tanë, apo dhe moslexuesit e sotëm. Por ama janë “të thjeshtët”, kështu, të vlerësojmë virtytet e tyre, se nuk janë thjesht “të thjeshtët e turmës”, se nuk është e thënë se duhet të jemi në një nivel me të (sikurse unë s’jam) ose të jemi shumë të lartë deri në pakapshmëri të “letrarësisë së sotëshmet”, si shenjtorë (gjë që vërtet nuk jam e mjaft miq të mi nu kjanë, përfshirë dhe F.M.). Kjo është thuajse shtresërim (për të mos thënë rrënim apo sheshim) i “çatisë” letrare. Kjo është pothuajse e njëjtë me jo-estetikën, zhargon dhe këputje kot, e vrazhdë që mund të lëshohet pa një shije e (pa)vërtetë letrare, nga një shije thjesht të dhënë pas librave, numrit aritmetik të tyre, duke bërë kështu majanë e vërtetë të “letrarësisë së sotëshmet”. Dhe kur këto zhargone të kultivuara thonë se kohërat e diktura nuk flasim me forcën e Natyrës, në atë mënyrë që të vlerësojmë vetë Natyrën, ata, pra zhargonet, me të vërtetë do të thotë se flasin ashtu sikurse dinë ata, nuk do të flasin në një mënyrë të dhënë prej librave, por të thënë pas librave.

Duke përfunduar

Sojëria e artit është tendenca e lëkundshme që konsiston tek pikëpamja se ekziston vetëm e tashmja. Mes kësaj sojërie, jashtë konventave letrare, ku normëzohet e shkuara, e sotmja, e ardhmja, argumentuam se ne nuk mund të flasim për gjërat që ekzistojnë në të kaluarën apo në të ardhmen, pa pasur një hapësirë të gjerë njohurish filozofike për ekzistencën. Pra, që diçka të ekzistojë me përkufizim do të thotë se duhet të ekzistojë në të tashmen. Për shembull, mund të themi se është e vërtetë që ekziston kultura shqiptare e formës gojore, kanë ekzistuar në të kaluarën të gjitha format folklorike, vetëm për shkak se ekzistojnë sot nga gjendja aktuale (këngët, përrallat, rrëfimet, etj.), ekziston shkrimi, letërsia e domosdoshme, që është e gjurmueshme për ekzistencën e vlerave. Në mënyrë të ngjashme, deklarata “do të vdes një ditë” është e vërtetë për shkak të faktit aktual se jemi një qenie biologjike, jo nga vlera e vërtetë e ngjarjes së ardhshme në vetvete. Kjo në letrat shqipe, natyrisht frymëzuar edhe nga sojëria e artit, ku bazë janë konventat letrare të derivuara tek e shkuara, e sotmja, e ardhmja, kërkon një vëmendje më të madhe, që në auditore, që në formën e marrjes së leksioneve, për të shkuar më tej tek vetë libri, botimi dhe skenografia e stiluar “alla-komercialitet” e panaireve.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1