Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | STUDIME | Honestera e një kënge.

Honestera e një kënge.

Font size: Decrease font Enlarge font
image Timo Merkuri

Honestera e një kënge.

Nga Timo Merkuri

Gjithnjë kam qënë i bindur se dalja e një kënge popullore i ngjan shpërthimit të një burimi të ri nga një honesterë e tejëmbushur.. Honesterat, dmth stera në hone, ku sterë quhet vendmbedhësi, natyror ose i punuar në/me shkëmb ku mblidhet uji i shiut ( e kundërta e fjalës stere që do të thotë breg) dhe hone quhen greminat, pra honesterat janë vendet ku mblidhet uji në brendësi të malit. Ujrat e shirave apo të shkrirjes së dëborës depërtojnë në brendësi të tokës dhe aty, në ndonjë hon shkëmbor grumbullohen në stera e filtrohen dhe  natyrshëm kërkojnë ndonjë shteg daljeje në sipërfaqe. Niveli u ujrave sa vjen e rritet nga prurjet e përditëshme, por për të dalë në sipërfaqe, fillimisht  është dashur ndonjë lëkundje sizmike e tokës, e cila krijon të çara nëpër shkëmbinj. Nëpër këto të çara shkëmbore rrjedh ujët e honesterave dhe del në sipërfaqe të tokës në formën e një burimi. Ne shohim dhe vlerësojmë burimin, tek i cili shuajmë etjen dhe pak kush e vret mëndjen për honesterën e padukëshme.

Kështu ndodh edhe me këngën popullore. Në njohim këngëtarin autor, atë që e këndon i pari dhe nuk na shkon mëndja se ai është thjeshtë “gryka e burimit”, shkëmbi që u ça nga dhimbja a nga malli dhe nëpër të “çarën e shpirtit” të të cilit buroi kënga. Edhe kënga himarjote “Gushtovjeshta më të rirë” kësaj ligjësie i nënshtrohet.  Autori i saj është  Taso Ninin nga Kudhësi, por ky është vetëm “shkëmbi” që u ça dhe nëpër të cilin buroi kënga. Tërmeti që çau këtë shkëmb ishte revolta e himarjotëve dhe përleshja e grave himarjote me xhandarmërinë e qeverisë së Fan Nolit të komanduar nga Azis Çami, komandant i xhandarmërisë dhe Qazim Koculi, prefekti i Vlorës, në 1 Shtator 1924.

 Por çfarë ndodhi realisht në Himarë atë ditë të hënë më 1 Shtator 1924?

Pavarësisht se himarjotët u shprehën pro qeverisë shqiptare qysh në 1912, ata vijuan të mbanin  disa elementë të venomeve tradicionale të autonomisë lokale, të fituara me luftën antiturke qysh në kohën e sulltan Bajazitit II. Kështu psh, ata refuzonin pagimin e taksave qeverisë shqiptare me argumentimin se mospagimi i taksave, ishte pjesë e të drejtave të fituara në marveshjen e autono-misë. Argumentimi i atdhetarëve demokratë si Halim Xhelo me shokë se autonomia dhe venomet kishin vlerë vetëm brenda suazës të pushtetit turk dhe se nuk kishin fuqi vepruese në shtetin shqiptar, pjesë e të cilës ishte edhe Himara,  nuk i bindte himarjotët.

Por me këtë rast duhet të theksojmë faktin se, në rastet kur është tentuar heqja e venomeve nga pushtuesi turk, himarjotët i  janë përgjigjur me kryengritje të armatosur tentativës turke (psh kryengritjet e viteve 1908, 1910 etj), ndërsa në asnjë rast të ovratjes së shtetit shqiptar për vjeljen e taksave në Himarë, nuk kemi shpërthim kryengritje të armatosur. Revolta më e spikatur në periudhën e shtetit shqiptar është ajo e 1 shtatorit 1924, ku forcat e xhandarmërisë shqiptare të komanduara nga Azis Çami u përplasën me gratë e Himarës. Ngjarjen e ka pasqyruar në kujtimet e tij Kosta Dede nga Dhërmiu prej nga e ka marë edhe Priamo Bollano për librin e tij “Kryetari Himarës Jeorji Bollano” fq 9-11, (me të cilat jemi konsultuar) dhe për të cilën bën fjalë kënga që po analizojmë. Ngjarja ka këtë rrjedhë:

Me afrimin e kohës së vjeljes së rrushit, qeveria nxorri një kujtesë mbi vjeljen e taksave dhe në Himarë. Mirëpo kjo kujtesë administrative mënjanonte në thelb paragrafin e mospagimit të taksave nga himarjotët, paragraf i fiksuar në  venomet e Himarës në pikën nr 8 të saj. Kujtesa kërkonte nga nëpunësit lokalë evidentimin e prodhimit dhe përllogaritja e detyrimit fiskal (të dhjetat), ndërsa tatimi i pijeve alkolike do rregullohej me vulosjen e kazanëve të prodhimit të rakisë dhe çvulosjen e tyre në momentin e prodhimit të rakisë, pasi të ishte paguar më parë taksa.

Në pamje të parë, kjo ishte një kujtesë e zakonëshme administrative për vjeljen e taksave, por që në Himarë mori përmasat e një ultimatumi për arsye se Himara nuk kishte paguar taksa më parë.

 Duke parashikuar kundërveprimin himarjot, për zbatimin e kësaj detyre, me urdhër të prefektit Qazim Koculi futet në lojë xhandarmëria si ekzekutuese dhe jo si forcë vëzhguese, e pranishme, siç duhet të ishte në fakt.

Në korrik 1924 thiren në Komandaturën e xhandarmërisë në Himarë kryepleqtë e fshatrave dhe të zgjedhurit e krahinës, të cilëve ju kërkua me forcë nënshkrimi i një dokumenti ku pranonin anullimin e venomeve. Ndoshta kërkohej vetëm anullimi i pjesës së mospagimit të taksave në korpusin  e venomeve, por vetëm fakti se kërkohej nënshkrimi i një dokumenti për shfuqizimin e të drejtave të fituara me gjak në luftë me pushtuesit turq u interpretua si ofendues nga himarjotët, të cilët refuzuan kategorikisht jo vetëm firmosjen por edhe vazhdimin e bisedimeve.

Komandatura e xhandarmërisë, si kundërpërgjigje i areston të gjithë përfaqsuesit e krahinës dhe i dërgon të shoqëruar  në Vlorë. Duke qënë se nga Tirana u ripërsërit urdhëri për pagimin e detyri-meve , nga Vlora u nisën drejt Himarës forca të shumta xhandarmërie, në mbështetje të forcave që ishin në Himarë. Forcat e armatosura u shpër-ndanë në gjithë fshatrat e Himarës dhe zunë shtigjet që të shpinin nëpër vreshta dhe kryqëzimet e rrugëve.

Në këto kushte, si kundërpërgjigje ndaj masave të qeverisë u muar vendimi popullor të fillojë vjelja e rrushit, qoftë edhe me konkflikt me xhandarmërinë.

Por duhet të pranojmë faktin se propaganda e demokratëve përparimtarë për papajtueshmërinë e venomeve (si produkt i rezistencës antiturke të himarjotëve) me egzistencën e shtetit shqiptar,  nuk kishte kaluar pa lënë gjurmë te himarjotët. Shteti shqiptar ishte dhe shteti i tyre dhe vjelja e taksave ishte domosdoshmëri e egzistencës së këtij shteti. Prandaj edhe konflikti më shumë se një përplasje forcash, ishte një gjasme përplasje. Himarjotët, duke u justifikuar me faktin se vjelja e rrushit ishte më së shumti një punë që kryhej nga gratë, lanë gratë në “vijën e parë” të konfliktit. Gratë himarjote nuk u paisën me armë por mbushën përparëset me hi të përzier me piper. Qysh nga ky fakt të krijohet përshtypja se po pregatiteshin për një “lojë luftash” dhe jo përleshje serioze.

Pasi volën një sasi të vogël rrushi, grupet e organizuara prej dhjetë- pesëmbëdhjetë grash, duke mbajtur koshat në shpinë dhe bastunet në duar morën rrugën e kthimit për në Himarë. Pranë zyrave të Komandaturës, forcat e xhandarmërisë përpiqen të pengojnë kalimin e tyre. Gratë përdorën “armët”, hirin e përzier me piper  duke ua hedhur në fytyrë xhandarëve dhe duke i shtyrë. Furia e grave i detyroi forcat e xhandarmërisë të struken në oborin e komandaturës. Tentativës së grave për tu futur edhe në ndërtesën e komandaturës, xhandarmëria ju përgjigj me zjarrin e armëve, duke vrarë dy gra dhe plagosur tre të tjera. U vranë  Athina Dhimojani dhe Ollga Papa, u plagosën Eleni Kallushi, Eleni Bollano dhe Aleksandra Bollano si dhe u plagosën dy xhandarë e një oficer Gjëndja ishte duke dalur jashtë kontrollit pasi gratë e revoltuara rrëmby-en kosa, sëpata e sfurqe.

Falë faktit që në krye të revoltës ishin vendosur gratë më të moshuara e me përvojë të gjërë jetë-sore, të cilat kishin marë udhëzime të qarta për kufirin ku do arinte revolta, bëri që të frenohej  shpërthimi i mëtejshëm i zemërimit, duke mos u shtuar pasojat e përplasjes.

Jehona e kësaj revolte ishte tepër e madhe. Me kthimin nga Gjeneva, Noli dhe Gurakuqi anullo-jnë vendimin e mëparshëm te qeverisë dhe dërgojnë një komision në Himarë për të stabilizuar gjëndjen. Himarjotët paraqitën si kusht të bisedimeve me qeverinë lirimin e të arestuarve të revoltës (të dy Bollanajt i lidhë) dhe të kryepleqve  të arestuar më parë.

Si përfundim, në bisedimet  mes qeverisë dhe përfaqsuesve himarjotë u dakordua pagimi i një tatimi simbolik prej 1000 napolona shqiptare, duke u përfshirë në këtë shumë gjithë taksat për të gjitha fshatrat e Himarës.

Kjo ngjarje është pasqyrar dhe në këngën e ngritur me këtë rast, me tekst si vijon:

Gushto-vjeshta më të rirë

O shokë jalla jalla 1

Ditën e proto shtatorit

Të hënënë më saba 2

Doli Himara të vilë

Qeveria nuk i la

Qeveri, s’e bëre mirë 3

Që zure dyfek me gra

Ç’u pataksn’ e ç’u çudinë

Kush u ndodh e kush i  pa

Jorgj’ Bollani foli mirë 4

Vetë shpirton ua dha

Të dy Bollanajt i lidhë 5

Kaftuanë Llogara

Seç këndojn’ e hajn’ e pijnë 6

Fan Nolit bëjnë rixha 7

Vlora e bëri tertipnë

Qazim Koculi me ca

Thoshnë Himarën t’a digjnë,

Është gjarpër e u ha.

Duke analizuar këtë këngë nxjerrim si elementë të saj faktet e mëposhtëme:

1- Kjo këngë që në fillim tregon se nuk këndohet me grup të zakonshëm iso-polifonik por këndo-het në valle burrash, në atë që quhet vallja e rrëndë e burrave. Është pikërisht vargu i dytë…O shokë jalla jalla … që na e dëshmon këtë fakt , pasi këtë varg nuk e këndon asnjë marrës kënge në një grup. Ky varg shoqëron tundjen e shamisë  nga prijësi i valles dhe ka kuptimin e një ftese për vëmëndje dhe për shoqë-rim të tij nga pjestarët e vargut të valltarëve.

Ky fakt tregon  se përfundimi i ngjarjes është vlerësuar si një fitore e himarjotëve dhe për këtë është hedhur një valle në një shesh fshati.

Zakonisht, në sheshet e fshatrave të Bregdetit, burrat hidhnin valle të kënduar.

2-Vargu …Të hënën në saba… shërben si evidentim i datës së ngjarjes, por edhe  si saktësim momenti, pikërisht fjala…në saba…saktëson castin e nisjes së konfliktit. Por duhet të theksojmë gjithashtu se e hëna e parë e shtatorit bie data 1 shtator 1924. Në disa tekste (Minella Gjoni …se jam nga bregdeti, fq 181, Spiro Rusha, “Himara në stuhitë e shekujve”fq 123 ) gabimisht si datë e ngjarjes është shënuar data 3 shtator, por kjo datë ishte ditë e mërkurë dhe jo e hënë.

3-Qeveri se bëre mirë/Që zure dyfek me gra …qorton rapsodi qeverinë për konfliktin. Është hera e parë që për një konflikt të armatosur, ku madje pati edhe të vrarë e të plagosur, rapsodi përdor një ton të butë, të ngjashëm me qortimin që një prind i bën djalit të tij për një gabim të rëndomtë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, qeveria që qortohet është qeveria shqiptare, dhe këtë qeveri e ka njohur si të vetën edhe Himara, pavarësisht konfliktit të lindur. Konflikti lindi se Himara prete-ndonte ende për autonomi fiskale, brenda shtetit të ri shqiptar. Por autonomia tradicionale e Himarës ishte  autonomi brenda suazës së një perandorie të huaj (turke). Kjo autonomi nuk mund të egzistonte brenda shtetit të ri shqiptar, të cilin e kishte njohur dhe e kishte mbështetur edhe Himara. Prandaj edhe rapsodi tregohet i kujdesshëm në deklarimet që bën. Këtu nuk ka deklarata kategorike refuzimi pagimi taksash apo thirje për revolta të armatosura.  Më së shumti, në variante te tjera ka revokim të kujtesës historike

Petro Marko te libri  Intervistë me vetveten… në fq 91, ku tregon për protestën e banorëve të Dhërmiut në vitin 1932 kundër qeverisë së Zogut për mospagim taksash, me argumentimin e autonomisë së Himarës, këngën e mësipërme e jep në variantin… Seneja njëzet e katër/ në Himarë u bë hata,/ doli populli të vjelë, / qeveria nuk e la/. Qeveria s’bëri mirë/ që ndezi luftë me gra... Pesëqind vjet me Turqinë/ mot për mot bëjmë dava, / po Himara, sa të rrojë,/ xhelep e të dhjeta s ’ka...

4-Jorgj Bollani, personalitet i shquar i krahinës, Kryetar i Kryepleqësisë së Krahinës  së Himarës (e cila kishte atributet e një qeverie lokale) për disa vite me radhë, i vrarë në mbrëmjen e 24 Jana -rit 1944 me snaiper, në pragun e shtëpisë së tij në Himarë.

5-Dy Bollanajt që u arestuan nga forcat e xhandarmërisë si organizatorë të revoltës ishin Jorgji Bollani dhe Teo (Odhisea) Bollani, të dy tregëtare. Organizatori real i revoltës ishte Jorgji Bolla-ni. Jorgji Bollani ishte mik me Qazim Koculin, në atë kohë Prefekt i Vlorës, ish komandant i forcave shqiptare në luftën e Vlorës në 1920.

6-Miqësia që kishte Jorgji Bollani me Qazim Koculin prodhoi një trajtim komod gjatë arestimit të …dy Bollanajve

7-Ndonëse i arestuar Jorgji Bollani demostroi vlerësimin e tij për Fan Nolin, atë kohë Kryemini-stër . Ky demostrim ishte edhe falë faktit të njohjes dhe mbështetjes së popullit himarjot ndaj qeverisë shqiptare.

Pra në një këngë të zakonëshme, të kënduar me valle burrash në një shesh fshati  kemi një dëndësi  informacioni, të denjë për një tekst historie.

Por krijimi i honesterës së kësaj kënge ka hershëmri në shekuj dhe si e tillë “rezerva ujore” që ka grumbulluar është tepër e madhe, për tu shteruar me një “curil të hollë uji”, siç ishte kjo përplasje e grave himarjote me xhandarmërinë..

Krijimi i honesterës të këngëve himarjote të rezistencës në fitim dhe mbrojtje të autonomisë (venomeve), nis qysh me vdekjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut në 17 Janar 1468 dhe fillimin e rrënies së rezistencës anti turke të popullit shqiptar.

 

…vijon…

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1