Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | STUDIME | Memorja, leximi dhe libri

Memorja, leximi dhe libri

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Memorja, leximi dhe libri

Dr Fatmir Terziu

 

Ndërsa hidhja shtat, vogëlush i përkëdhelur nga duar që kishin lënë shenja mbi vepra anembanë Atdheut, madje dhe Ballkanit, sidomos Selanikut, Sofies e më tutje dhe Stambollit, provoja edhe shijen e rrëfenjave të ndryshme. Humori shpotitës, kallëzimet ngacmuese, tregimet pickuese, karshillëqet therëse, e mjaft të tjera që vonë arrita ti kuptoj, më bënë që gjithnjë të shënojë memorjes, kalimtaret, ikanaket, vrapmendjet dhe hamendjet të lidhnin një kontratë me lapsin, letrën dhe jetën. Gjyshi me një gjuhë të thjeshtë, por tepër të sinqertë më thoshte se “Jeta është një përvojë e mrekullueshme dhe librat dhe shkolla, besimi dhe feja na ndihmojnë të kuptojmë, pse jeta aq shpesh na bën të ndihemi të vegjël”. Dhe bisedat shkonin teje e tej. Bisedat ngulnin memorje duke më treguar se pse jemi më të vegjël, se pse jemi dhe ndryshe, pse kemi një ndjesi për të qenë të veçantë, për t’u zgjedhur, dhe se si librat na ndihmojnë duke na treguar atë që kemi zgjedhur dhe çfarë bëjmë për të. Dhe bashkë me rrëfenjat e stukuara si të çimentuara në memorje, ngadalë me shtathedhjen time lindnin dhe pyetjet, shtoheshin kuriozitetet. Asgjë e re? e gjitha sikurse kishte qenë, vetëm formatet dhe prezantimet bëheshin më të arsyeshme? Apo dhe e kundërta?

            Ideja e gjërave, e atyre gjërave që rriten bashkë me njeriun, është një lloj depozite. Një depozitë që varet nga ena, materiali, nga mënyra se si gatuhet tek ajo enë, nga mjaft gjëra të tjera, që librat i sjellin si natyrë e qetë mes shkrimit, duke na ndihmuar të rithemi se një libër i mirë është më shumë se thjesht, një histori e shkruar mirë. Një libër i mirë është një thesar i thesarit të njerëzimit, kështu që pavarësisht sa shpesh hapim një faqe dhe fillojmë të lexojmë, ka ende diçka të re për t’u zbuluar. Një libër i mirë është letërsi e madhe. Por natyrisht tek termi “letërsi e madhe” ka shumë gjëra që bëjnë një libër të mirë. Kërkojmë për përmbajtjen. Diçka që na bën të mësojmë, nga një diçka. Nuk ka rëndësi autori, ose nëse përmbajtja është e “lumtur” apo e “mirë”, për ta bërë atë një libër të mirë, na duhet vetvetja, na duhet memorja e ardhur bashkë me shtatin që hedh penë dhe letër në shtratin letrar. Thjesht, kjo për mua, nëse libri e rrëmben interesin tim, më bën të mendoj, ose më ndihmon të mësoj diçka, atëherë është një libër i mirë. A mjafton kaq? Jo sigurisht.

Një libër i mirë është ai që e bën lexuesin të ndihet mirë. Një libër i tillë e merr lexuesin në një udhëtim bindës. Thirrja e një libri “të mirë” është një mendim që mund të zbatohet në çdo libër. Unë besoj se një libër mund të konsiderohet i mirë nëse është një histori e madhe me shkrim mesatar. Një histori e madhe me shumë beteja dhe suksesi përfundimtar mund të thuhet edhe kur shkrimi është mesatar. Disa rrëfime nuk janë bindëse, por ato janë aq të shkruara, saqë njerëzit do t'i rekomandojnë ato. Kriteret që përdor për të vlerësuar nëse një libër është me vlerë leximi kanë të bëjnë me lëndën, zhanrin dhe autorin. Megjithatë, mund të lexoj jashtë këtyre kritereve nëse dikush më bind. Për shembull, “The Glass Castle” (Kalaja  Glass) më ishte rekomanduar fuqimisht nga një koleg dhe mik, edhe pse nuk isha i sigurt se do të doja subjektin (varfërinë / alkoolizmin) ose zhanrin (një memoar) nga një autor që kurrë nuk kisha lexuar gjë prej saj (Jeannette Walls). Më pëlqeu dhe ia rekomandova dhe disa të tjerëve. Pra  me këtë shkova larg në shtathedhjen time, me historitë e gjyshit, që më bënë të ritheksoja se nëse një libër është shkruar mirë dhe tregon një histori të mrekullueshme, ka më shumë shanse për të bërë një ndryshim në jetën e njerëzve. Megjithatë, një libër duhet të jetë i mirë për lexuesin, kur leximi i tij ndikon për të bërë një ndryshim në jetën e tij.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1