Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | STUDIME | Kundërshti letrare

Kundërshti letrare

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Kundërshti letrare

Dr Fatmir Terziu

 

Le ti kthehemi shkrimtarit Samuel Beckett, jo në hisen e tij, as në thellësinë e mendimit, por në një shkurtesë frazash me një pikëpyetje të madhe vendimtare. Beckett e lë pas pikëpyetjen e tij dhe thellon në njërën anë të kundërshtisë, kur thotë shkurt dhe saktë: “S’ke provuar ndonjëherë? Ndonjëherë ke dështuar. Mos u mërzit! Provo përsëri! Dështon më mirë…” Në leximin e Beckett, ashtu si dhe në rrjedhën e një mirëkuptimi të Letërsisë Kombëtare, një term që tashmë zor se funksionon sikurse ka funksionuar, i ngushtë dhe i detyruar në brazdën e tij, kuptohet qartë dhe prerë se ne nuk duhet të bëhemi, pikërisht, ose të paktën, ajo që ne kundërshtojmë. Letërsia, ajo sidomos, pra ajo letërsi që ka dalë nga këto korniza, është vetvetiu një vend në çdo shoqëri, jo thjesht në shoqërinë e ngushtë (qoftë shqiptare), ku natyrshëm jo më brenda sekretit të kontrolluar, por brenda sekretit të kokave tona, ne mund të ndërtojmë e shkatërojmë, madje dhe të ulim e ngremë, atë ndjesi dhe ato gjëra dhe zëra që flasin gjithçka dhe për të gjithë në çdo mënyrë të mundshme.

Kjo letërsi është një arenë e madhe. E gjerë dhe mjaft komplekse. Është në thelb një kundërshti, një kundërshti e domosdoshme letrare. Mospajtim me mjaft gjëra. Është një arenë e njohur dhe e panjohur, me shtigje që hapen nga kontakti dhe zhvillesa e përditshme e teknologjisë me të cilën është lidhur pavdekshmërisht jetikja e artit. Kjo lidhje zgjon arsyen e sigurimit të vetë arenës. Dhe vetë arsyeja për të siguruar ruajtjen e arenës së privilegjuar nuk është se shkrimtarët e sotëm duan lirinë absolute për të thënë dhe për të folur hapur për çdo gjë që u pëlqen. Është arena ku kundërshtitë letrare kanë më shumë hapësira të ndjeshme, se sa ngushtica të errrëta. Ne të paktën, referuar shkrimtari Beckett, duhet të themi se po provojmë, po dështojmë parësisht, po mërzitemi, po provojmë përsëri që të kuptojmë se po dështojmë më mirë.

            Dhe që kjo të kuptohet mirë, sidomos në këtë kohë mosleximi, dhe moslexuesish, shkruesish të “lirë” dhe botimesh me sasi, nga të gjithë ne, shkrimtarë e studiuesë, lexues dhe qytetarë, gjeneralë dhe burra shteti, të papunë dhe me ndihmë ekonomike, të pashkollë dhe me diploma “kafenesh”, të graduar në majë dhe me nivele shkencore, duhet pak, të paktën një shkëndijë e vockël, një hapësirë e vogël, ku ideja dhe vlera të kapin atë që kemi lënë pas, atë që e bezdisëm me kundërshtitë letrare, me ato kundërshti të ardhura nga e ftohta e zjarrtë. Dhe ne nuk duam të shpikim ndonjë gjë të re, as ndonjë gjë më të shenjtë, por ne duam të kujtojmë dhe të thellohemi tek ajo që kemi lënë në mes, tek ajo që foli me kritikë të atillë si Krist Maloki, me trajtimet etno-historike të Eqrem Çabejt, apo dhe kritika imanente e Mitrush Kutelit e disa të tjerëve. Atyre të tjerëve që ende u jemi “borxhlinj” me kundërshtitë letrare, atyre që sollën në skenë atë që ne e braktisëm. Dhe natyrisht emrat Mehdi Frashëri, Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, Krist Maloki, Mitrush Kuteli, Ismet Toto, P. Anton Harapi, Zef Valentini, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Ndre Mjeda, Asdreni, Fan. S. Noli, Faik Konica, Stefan Morava, Jani Lili, Stefan Shundi, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Spiro Belkov, Vasfi Samimi, Namik Resuli, Kudret Kokoshi, Nonda Bulka, Selahudin Toto, Syrja Minarolli, Nikollë Dakaj, Dhimitër Shuteriqi, e shumë autorë të tjerë të nënshkruar me pseudonime, nuk janë thjesht ajo që ne harruam, por ajo që duhet të zgjojmë.

Ballkani i dehur”, i shkrimtarit Jani Lili, që përbën edhe titullin e librit në përkthimin e Panajot Barkës nga gjuha greke, nuk na jep thjesht shënime udhëtimi në Ballkanin e viteve dyzetë, por atë që shënoi botimin e tij në vitin 1946. Më saktë atë që pikërton Ilir Yzeiri “për të vërtetuar më së miri që Ballkani është grotesk, heroik e komik, tragjik e i shkretë, sepse mbushet me histori prej tre popujve që kanë gjithçka të përbashkët, por që nuk kanë asnjë gjë për t’u mirëkuptuar, sepse ngatërrohen sapo nisin të merren vesh”. E kjo ndodhte, ndodh dhe a duhet të ndodhë gjatë dhe në letra? Sot kur rruga e shkruar prej Jani Lilit, për një Ballkan të dehur, e lënë ashtu mes fletëve të zverdhura të librave të ndaluar dhe rrugëtimit të tyre të përgjysmuar, natyrisht është më shumë se një detyrim për të sforcuar “kundërshtitë letrare”.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1