Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | STUDIME | Kjo çorape…

Kjo çorape…

Font size: Decrease font Enlarge font

Kjo çorape…

Dr Fatmir Terziu

Fjalët e shqipes, ato të gjuhëve të huaja, të dëgjuarat, të shkruarat, apo dhe të dëftuarat, ose dhe ato të pretenduarat dhe të mësuarat nuk janë shkruar sikurse shkruajmë sot. Sot ne i shkruajmë në jo pak raste duke i shkoqitur fjalët e dikurshme, pra duke “i ndarë, divorcuar, mëvetësuar, stacionuar, përdorur, veçuar” njerën prej tjetrës. Dhe në jo pak raste ne jemi të dritësuar, se jo çdo fjalë formon një individualitet më vete me kufi të caktuar. Në raste të tilla fjala është shqepur dhe qepur pas shoqes që pason. Kjo e treta pas të katërtës e kështu gjersa merr fund tërë fjalia. Më saktë tërë perioda!

Kësaj mënyre të lidhur, që nuk është e rallë tek të sotshmit e letrave që shkruajnë "gjuhëra", sidomos në rrjetet sociale dhe në “krijimtari artistike”, "e dëgjuara me vesh" u ka krijuar probleme pa i kuptuar, se në fakt gjuhërat janë vetvetiu, pos të dëgjuarës me vesh, ashtu sikurse herët Profesor Kristaq Cipo (1892-1952) do të thoshte “janë bërë lesh”. Këtë me siguri nuk e kishte përcaktuar “Anonimi i Elbasanit”, i njohur si Simon tregëtari, që në dorëshkrimin e tij na dha fjalët: “hudhetei” = hidhe tej; “sekushmafali” = se kush ma fali etj., por na solli një dokument, dhe pse jo fort akademik, mjaft interesant dhe të domosdoshëm për të rishtruar rrugën e alfabetit të shkruar të Todhrit në gjysmën e parë të shekullit XIX.

Në këtë “leshje” gjuhësore ndodh herë pas here që ngjitet e tërë fjala pas shoqes që pason. Këtë e ndjeu madje herët Qemal Haxhihasani, që "transkriboi" (i ktheu në të lexueshme) dokumenta të ndryshme, dhe kuptoi se fjalës së përparme i pritet vetëm bishti, i cili ngjitet kokës së fjalës, që ka përpara.

Dhe që ta themi sot më kthjellët, jashtë metaforës nga fjala e përparme këputet rrokja fundore. Më saktë krijohet fonema fundore e kësaj rrokjeje dhe lidhet proklitikisht me kryet e fjalës që pason. Proklitikisht, që është një fjalë e lidhur ngushtë në shqiptim me fjalën e mëposhtme dhe nuk ka një theks të pavarur ose status fonologjik. E ardhur në gjuhësi nga fjala “proclīticus” në latinisht, ose me një ngasje nga “proklinein” e gjuhës  greke që bashkërisht kanë formuar modelin e “enklitik”. Kështu që të duket sikur ke përpara syve një çorape të re të arnuar gabimisht. Përshembull: “tëmarrishateraqin’ekeqe qi kaer espihet…= të marrësh atë rraqen e keqe që ka erë e s’pihet. Kjo çorape sot vazhdon të fitojë “like” (pëlqime) masive në rrjetet sociale. Fillimi, fudjasjellja e parësishme e një përralle! Përralle pa status, madje pa statusin fonologjik.

Por, ndërsa statusi fonologjik, ka shkuar tutje me pluskat e rakisë, dhe me harresën e monedhave të arit që sot nuk dëgjohen më si “fiorinto” apo “maxhar”, ka mbetur problematika e fjalëve me kuptim të panjohur: “xerdexok”; “topaç”; “të gjëshymit”, “kalatash”, apo “akshar” të kohës së Simonit, në lëngun e sotëm poetik ku elbasanasi do ta thoshte ende sot qashtër: “bana qeder, bana zarar!”. E kujt i bëhet vonë sot, që atë shprehje që përdorim ne sot: “e kam jetuar vetë këtë ngjarje” na ka ardhur e përkthyer si një fjalë e vetme nga Simoni i Elbasanit kur ai përktheu nga italishtja “rivivere” ose nga gjermanishtja “erleben”. Pra nga një fjalë e vetme! Dhe Simoni si padashje na ka falur një fjalë tjetër të vetme: “lëngoj”. Kështu thotë: “e kam lënguam”, me kuptimin “l’ho rivissuto” ose në anglisht “I relived”.

Eh, fundja ishin kohëra pa teknologji. Pa internet, pa facebook. Pa rrjete sociale. Por me gjuhë, me mund për gjuhën. Sot fjala “mjeç” nuk dihet ku shkoi. Por dihet se na la fjalët “gjer”; “deri” dhe “mjet” të Budit ose “djeri” të Buzukut. Dhe ne nuk përdorim më “mjeç që të shkoj” apo “mjeç këtu, mjeç atje”, se kemi evoluar dhe kemi bërë mirë, por kur kujton se fenomeni i aglutinacionit, që përfaqësohej vetëm me fjalën “ndui”= në ujë dhe “ndor” = në dorë, ka shkuar sërrish shekuj pas, duhet me “ndi dhimbën nën likurë”. E kush më shumë se ne?! Departamentet e përfjetura të gjuhë-letërsisë shqipe në universitetet shqiptare apo…?! Le ta themi me abecenë e Todhrit, atë bukuri që na dha me të drejtë me ndryshesën e shkronjës “xh” në “ç” në raste mjaft përdorimdrejta: “xhesme=çesme; tençere=tenxhere, që të kuptojmë se ku bie theksi i problemit.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1