Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | STUDIME | Ps(e)matheja e rërës si mirëfill poetik i lirikës moderne

Ps(e)matheja e rërës si mirëfill poetik i lirikës moderne

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Ps(e)matheja e rërës si mirëfill poetik i lirikës moderne

Dr Fatmir Terziu

 

Lulet e së keqes’’ e poetit francez Sharl Bodler, lëshuan stigmën dalluese të f(t)illimeve që kërkohen si grimca “rëre” në lirikën e sotme moderne evropiane. Shekulli që lamë pas me mashën e tij të gjatë kritike-letrare lëshoi jo pak herë xixa arsyesh mes kësaj dallese didakte ku kërkohen natyrshëm lirikat moderne, për të balancuar atë që ishte shkruar si vepra më e mirë e shkruar ndonjëherë në traditën e lirikës dhe atyre që nisën të ndjekin këtë shkollë lirike më tej. Dhe shkolla me rëndësinë e saj kaloi në shtigjet e Artur Rembos, për të rishtjelluar arsyet e saj mes krijimtarisë së Stefan Malarmes, pikërisht aty ku modelet dhe lloji i lirikës së tyre do të ndiqej nga shumë poetë të Evropës dhe kontinenteve të tjera. Ajo shkollë në ndikimet e para solli modelin, më pas dallesën dhe rizgjoi për të gjetur atë që ka dhe mund të ketë të përbashkët një poezi a një vëllim i tërë. Kjo lirikë moderne që vlerësohej dhe vlerësohet ende si një thyerje e traditës poetike, natyrisht mes rrugëtimit të saj të lirë ka marë forma dhe struktura të ndryshme. Mendësisht kjo sitohet me sitën e hollë letrare, pasi poezitë e tilla ndoshta përgjajnë vetëm tek konfigurimi sipërfaqësor, ndoshta tek struktura, por mjaft pak tek dimensioni filozofik i tyre. Ashtu siç ndodh në rrugëtimin letrar, thyerjet, sado të mëdha të jenë, asnjëherë nuk shkëputen plotësisht nga tradita. Kjo ndodh sepse kjo lloj poezie vazhdoi gjatë dhe ende është në atë rrugëtim, të mbështetjes në arritjet poetike të kësaj tradite të gjatë e të njohur, veçanërisht në poezinë greke e atë latine, në psalmet e Biblës dhe sidomos në poezinë Kënga mbi këngët, ku ndikimi u shtua me poezinë Kançoniera të Françesko Petrarkës.

            E ndërsa pikënisja rreket e zë gjallësinë e udhës tek Bodleri, e gjalla ndërlidhëse mes poezisë së shkruar nga poetja Armela Hysi, tek vëllimi i saj më i ri, shugurohet mes rërës si një kokrizë e shtrenjtë memorjesh dhe ujdhesës ndjesore ku janë mijëra arsye të tregohen “personazhet e përrallës”, ata personazhe që ndjekin udhën e Korrespondimet të  “Lulet e së keqes’’ së Bodlerit. Në krijimtarinë e Hysit, “ujdhesa e përrallave bulon kurthe të papritur /për shqisat e vegimta të mendimit të magmët.”, në atë ujdhesë ku vetë ajo shtjellon se “në përrallën tënde kam qindra role/(i luaj shkëlqyshëm /të mos i kesh kuptuar ende)/e s'do të kishte përrallë /pa lotët e mi shekspirjan dhe pa puthjet.”, ndërsa tek Korrespondimet “natyra është tempull që nga shtylla të gjalla/nxjerr ngandonjëherë fjalë të pakuptueshme/ti kalon aty n’male simbolesh t’afrueshme...”, për të na shpënë tek Armela Hysi përsëri që gjen arsyen tek “Ty”, pikërisht me një derivat konfigurues të lirikës së saj: “ty të mjafton një tirani/e lexueshme me duar dhe një heshtje/i trembesh instiktivisht siamezëve filozofik/ngjitur në trupin tim flurues/kultivuar të vuaj dilemash/pasioneve të mija të befta/levathianë biblik që s'më lejojnë të tretem.” Mes këtij konfigurimi perceptiv, tek njëri leximi i kahershëm dhe memorja dhe tek tjetri i prekshëm nën siglën e “Milosao”-s së “Mjeshtrit të Madh”, poetit Agim Mato, natyrisht hyn edhe rëra filozofike që kërkon Psamathen e rërës së plazheve, Perëndeshën e mitit të lashtë.

Psamathe (Shqipëruar mendësisht “Psematheja”) ishte perëndeshë nimfë deti e rërës së plazheve. Emri i saj do të thotë “Perëndeshë e Rërës” nga “psalmos”, rërë dhe “theia”, perëndeshë. Psamathe ishte gruaja e Proteus. Ajo i lindi atij një bir të vdekshëm dhe një vajzë nimfë deti. Dihet nga mitologjia se Perëndesha është joshur edhe nga mbreti Aeginetan Aiakos (Aeacus) i cili e kapi atë në plazh dhe kështu rëra ishte dhe mbeti mishërimi ku miti fshehu dhe ngjizi një jetësim tjetërsues. Ndoshta nga ky ndikim kulturash, apo se edhe gjatë leximit ndikimi më yshte në largësi leximesh të hershme mitike, gjeta forcën dhe absurdin e dyzimit mental mes poezisë së Hysit “po të mos ishte rëra”, pikërisht “po të mos ishte rëra mbretëresha /nuk do të humbte. /kërkonim kuturu./flokët e derdhur që sollën natën/i mbuluan nga pas gjurmët./pishtarët na kishin djegur gjymtyrët/vazhdonim të shkërmoqnim dunat/tallaz i nxehtë fshikullonte fytyrat dhe shpresën tonë./u kthyem me horizontin të palosur ndër duar/mbreti u ngashërye mbi të/para se ta ndrynte në sëndukun e saj të vjetër/në kullën me gjërat e humbura.”

Duke u ndalur tek kjo poezi e lartcituar, apo dhe tek të tjera si “gurëzim mitik”; “pasazh i përjetshëm”; “dashuruar me Poradecin”; “tani ajo po ikën”; “për duartrokitjen mekanike”; “surreale”; “ndoshta po të”; etj., duket qartë se tematika e lirikës moderne, sado që është ushqyer nga rrugëtimi modern, loja dhe absurdi i kolonës zanore në lexim, po aq sa dhe loja e fjalëve shkon tek synimi për të prodhuar filozofi të qartë, sado të kamufluar nga figurat e pasuara letrare dhe gjuha e bukurpërdorur. Poezitë e Armela Hysit, përmbajnë në brendësi të kësaj filozofie, shenjat e mitit dhe paradoksin midis kërkesës, që nuk arrin të shprehet, dhe synimit për të përfshirë gjithçka brenda saj: “harkimet e mallkuara të shigjetave zemërake/hyjtë binjakë në ekstazë të Latonës/i ndalin kurmeve të njomë/katërmbëdhjetë ëndrrave të nënës krenare./amfora të boshuara të bijtë– lëngëderdhura/dritëtretura territ të vdekjes/nëntë ditë pa prehje jetët e pajetura./hapin krahët der në Olimp klithmat/Niobea e Tanalit lebetitet shpresë shkërmoqur./kob i lëngët i retinës së zhuritur/rrjedh tentakulave të vijëzuara të fatit/deri sa s’mbetet më asnjë impuls/në trupin e mëmës së mundur.” (“gurëzim mitik”).

Mes tërë atmosferës lirike që pasojnë këto poezi të pjekura, të mirëfillta, mjaft të arritura të poetes Armela Hysi, rikuptojmë se lirika moderne ende është me një mundësi kultivimi për të bërë akoma më tutje, edhe pse vjen si “kryqëzim” kulturash, madje ajo me talentin e Hysit, natyrisht nuk ka si të qëmtohet ndryshe edhe larg disa llojeve të poezisë tradicionale. Vargu i saj i matur, ose më saktë përdorimi i disa llojeve të vargjeve, shkruhet dhe lexohet me ambicje të mirëfilltë poetike. Poezia e saj, poezia e Armela Hysit është vërtet meritore në tërë sintaksën e morfologjinë e saj poetike. Ps(e)matheja e rërës e bën atë një kënd të ndjeshëm diamanti në poezinë e sotme me varg të lirë lirik, jo thjesht nga konfigurimi, por nga mjaft elementë të cilët e bëjnë atë të jetë vërtet vetvetja, e lexueshmja dhe e mirëfillta në ndjesinë e f(t)illimeve të rrugëtimit të lirikës moderne mes Bodlerit e të tjerëve që pasojnë, si Uiliam Blake, apo dhe në letërsinë shqiptare me S. Hamitin, M. Ahmetin etj.  Lirizmi dhe subjektivizmi, lidhjet mentale dhe hamendësitë e tjera mes mesazhit dhe filozofisë së mendimit, tensioni dhe qetësia e bëjnë këtë lloj poezie një arsye më shumë të ndalet lexuesi i të gjithë arsyeve, por më së shumti ai që e ndjen se poezia është art i fjalës së bukur. 

Comments (3 posted):

vilhelme vrana haxhiraj on 10/01/2016 10:11:27
avatar
Urime të sinqrta poetes brilante, që më pëlqen shumë. Nuk dija se ishte Armela që më ka përshëndetur disa herë me emrin A.Hysi. Ju falenderoj, edhe ju përgëzoj për krijimtarinë cilësore! Vilhelme Vrana
Vlorë- 10-01-2016
Armela Hysi on 10/01/2016 11:53:11
avatar
Dr. Terziu ju përshëndes! Është kënaqësi e veçantë dhe një ngritje cilësore – artistike, për çdo lexues të shkrimeve tuaja, sepse gjithmonë jepni leksione estetike, shkencore, elokuence dhe profesionalizmi me anë të tyre, qoftë dhe me një lexim të thjshtë, me mendimet e dijet tuaja kaq të kompletuara. Është ngritje atdhetare – intelektuale të përsiatemi në faqet e revistës suaj, ku keni mbledhur me anë të veprës suaj të palodhur, të pakrahasueshme, personalitetit tuaj dhe hulumuntimit të vazhdueshëm, të gjithë krijuesve shqiptarë kudo që ndodhen, paraqitjen e vlerave të tyre më të larta, një ajkë mendimtarije e merite.
Atëhere ç'mund të them vërtetë sa e nderuar dhe e prekur ndjehem personalisht, kur një nga këto shkrime i drejtohet poezisë që shkruaj unë dhe mbart sensin e ndjesitë shpirtërore të vibruara në artin dhe fjalët tuaja.Dihet mirë që poezia shqiptare sot sjell pak, ose aspak fitime ekonomike. Aq më tepër për intelektualët e larguar nga atdheu, nuk bëhet fjalë as për përfitim të mirfilltë moral, a shoqëror. Kështu që mbetet vetëm përkushtimi tek pasioni dhe dëshira për të lëvruar gjuhën dhe ndjenjën e bukur të artit, prandaj ju falenderojmë familjarisht nga zemra për këtë mbështetje mbreslënëse dhe të vyer. Po kështu poetin dhe botuesin Z. Agim Mato, Mjeshtrin e Madh, e shtëpinë e tij botuese, plotë mikpritje “Milosao”, poetin dhe mikun e “vjetër” të poezisë sime z. Stefan Martiko, apo dhe krijuesit me një sërë titujsh e vyrtytesh që kanë qenë gjithmonë pranë krijimtarisë time, si z. Nase Jani apo Robert Goro në Athinë, Z. Kujtim Dashi, Pjetër Jaku, e gjithë krijuesit e letrave Lezhiane, që sado emra të përmend gjithmonë do lë dikë jashtë, prandaj po mjaftohem me një falenderim të madh.
“po të mos ishte rëra” është një projekt të ri që po e punoj që prej vitit 2007 dhe përfshin një ide qendrore-skeletike për të gjithë librin, që nuk e trajtoj si një poemë, pasi çdo pjesë e boshtit përbën një poezi më vete, me idenë e vet dhe “fabulën” autonome, por gërshetuar gjithashtu me një prizëm të ri të idesë kryesore. Është vërtetë e rëndësishme, që e patë si një kultivim për të bërë më tutje, e gjithë poezija. Ju faleminderit!

Dr. Terziu, ju uroj të keni shëndet e mbarësi, në të gjitha drejtimet e jetës suaj, sepse jeni një hallkë reale, e ditës së sotme, nga zinxhirët bazë që i nevojiten kulturës së një kombi, për t'u ngritur lart.
Me respekt!
Armela Hysi
Armela Hysi on 11/01/2016 08:34:37
avatar
E nderuara znj. Vrana!
Zonjë e letrave shqipe, ju falenderoj nga zemra për urimet tuaja dhe për mesazhin prekës.
Përgjithësisht jam një njeri që entuziasmohem me personat që kanë talente e cilësi të vyera dhe i kultivojnë ato, por nderoj dhe vlerësoj pa masë gjithë ata që kanë përgjegjësi për ç’thonë e shkruajn duke përdorur talentin e tyre me vlera të vërteta në qëllimet e larta, që kanë dritë në mendje dhe këmbëngulje në shpirtin atdhetar. Këto kam parë tek pena juaj dhe ju kam përshëndetur me mirnjohjen që shpreh lexuesi për ushqimin shpirtëror që merr, madje - po ju a them si sekret, kam shënuar adresën tuaj elektronike, nga Fjala e Lirë që t'ju shkruaja, por gjithmonë ngurroja duke qenë se nuk njiheshim personalisht. Tani e tutje do t' ju shkruaj! Qofshi gjithmonë mirë, e mirë u lexofshim!
Me respekt
Armela Hysi

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1