Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | STUDIME | Lisat janë të ndryshëm...

Lisat janë të ndryshëm...

Font size: Decrease font Enlarge font
image Timo Mërkuri

Lisat  janë të ndryshëm...

Nga cikli “Kur flasim për Artin Jonian”.

Nga Timo Mërkuri

1-Miq e shokë, apo dhe lexues të ndryshëm, shpesh më kanë bërë një pyetje, të cilës nuk i  kam dhënë një përgjigje të prerë. Ose më saktë, përgjigja që kam dhënë, nuk më ka bindur as mua, e jo më të pretendoj për  sqarim bashkëbiseduesin apo lexuesin.

Në pamje të parë, pyetja është e thjeshtë:- Ku ndryshon kënga iso-polifonike himarjote nga kënga iso-polifonike labe?

2-Por në se pyetja është e thjeshtë, e tillë nuk është përgjigja. Dhe kjo për faktin se, në pamje të parë, të duket sikur këto  dy tipe këngësh popullore nuk kanë ndonjë ndryshim thelbësor.  Në pamje të parë, tek të dy  tipet e këngëve kemi grupin iso-polifonik me marësin, hedhësin, kthyesin, mbajtësit e iso-s apo prerësin e këngës (këtë të fundit te grupi himarjot).Të dy tipet e këngëve kanë iso-n, si një qiell, në të cilën fluturon shqiponja e tekstit.  Dallimi mund të bëhet për nivelin artistik të tekstit, për vokalitetin e marësit, për  harmonizimin e mbajtjes së iso-s me elementët e tjerë të grupit (niveli artistik i marësit, aftësia e hedhësit etj etj), por përsëri këta elementë janë dytësorë. Edhe teknika e  të kënduarit e ndryshme, ku shpesh në këngën himarjote marësi  këndon vetëm një varg dhe te vargu i dytë futet  tërë grupi, teknikë kjo që dëshmon për vjetërsi (lashtësi) të tipit të këngës , ndërsa rëndom te kënga labe marrësi këndon  gati një strofë të tërë, por gjithnjë jo më pak se dy vargje, pra edhe  teknika (nqse do biem dakort që ta quajmë  me këtë emër  mënyrën e të kënduarit) nuk është thelbësore në dallimin e këtyre dy tipe këngësh.

3-Një analizë më vete kërkon në këtë rast  roli dhe mënyra e mbajtjes së iso-s, e cila te kënga himarjote është tejet e dallueshme nga iso-ja e këngës labe. Madje deri aty sa vetëm duke dëgjuar iso-n e dallon këngën në është himarjote apo labe.. Por paraprakisht unë dua tu them se as kjo nuk është dallimi thelbësor i këtyre dy tipeve të këngës sonë iso-polifonike.

4- Po të dëgjosh këngët labe, të duket se ecën në një fushë beteje, plot gjak e të vrarë shtrirë tutje tëhu, me plagë në ballë apo në  gjoks. Të duket se sheh një  grup luftëtarësh të cilët nxitojnë për në betejë, për të vrarë e për tu vrarë, ( Janinë te rrapi falë/vijnë shtatë pashallarë/ bien një zabit të vrarë/Smail Lesko Progonanë, etj etj) për liri( Çka që qan bimbashi ynë/qan për ixhixhi hordhinë/në Bezhan ja pren’ ja grinë/o Bezhan përmbi Janinë/të vijnë gjylet zinxhirë/treqint topa një të shtirë.., për kusari…( Për një dhi a për një cjap/ u shtri Zalua (i vrarë) në  rrap), apo dashuri (Nga muri do ngjitem/ta di se do vritem/me thika të pritem/me plumb të goditem).Madje edhe ftesa për  të ardhur në takim që djali i bën vajzës, bie si trumbetë lufte: Të më vish sonte në lëmë/eja vetëm pa tët ëmë

Edhe logatjet kullojnë gjak (…Ku e ke moj tët vëlla/që ta therën porsi ka/porsi ka e porsi lopë/ja hodhën gjakun në gropë)

Gati çdo këngë është një lapidar për një të rënë, për një betejë apo për një beslidhje..

Vetkuptohet që ky tip teksti ka kushtëzime historiko-shoqërore dhe u bë mbizotërues në këto zona. Por unë nuk  mund të flas sot   në se ky tekst ka kushtëzuar melodinë  e këngës me një iso të fortë, gati standarte, me një marrës kënge që i deklaron vargjet e gjithë strofës me një tonalitet të lartë ( sikur lexon një komunikatë lufte).Unë mendoj se kjo duhet të jetë një arsye, sepse edhe melodia u motivua pikërisht nga këto kushte historiko shoqërore, ku në rradhë të parë, tejë vështirësisë së sigurimit të jetesës është edhe  okupimi turk, i cili  ra si një natë e zezë plot zezona mbi jetën shqiptare. Në këto kushte, kënga u motivua si  një mjet rezistence. Në qoftë se  popullsia ndëroi “kostumin” fetar, ajo mbajti shpirtin shqiptar. Dhe brenda këtij shpirti ishte kënga. E  revoltuar nga fatkeqësia kombëtare dhe individuale.

Melodia e këngëve labe dëshmon në çdo qelizë të saj forcën, qoftë kjo të tonalitetit muzikor të këngës apo të kolektivitetit muzikor të këngëtarëve. Me këtë këngë shkohet në luftë dhe fitohet  lavdia.

5-Po të shohësh këngën himarjote, të duket se jeton në një botë tjetër. Këngë plot finesë e delikatesë dashurie (Dil në penxhere/të të shoh një herë/ gati lutet djaloshi i dashuruar, larg çdo toni urdhërues që vajza ti vijë në lëmë pa nënën a babanë.

…. Vajz’ e valëve…këndon marrësi  një gjysëm vargu dhe  te gjysëm vargu tjetër futet i gjithë grupi…zemëra sja mban...mbi një gur anës së detit/qan e mjera,qan e shkreta, qan e zeza qan.

Po, tek kënga himarjote ka më shumë lot e dhimbje, brengë e derte, ka një botë shpirtërore  si te kjo këngë. Aty dhe natyra është aktive në jetën shpirtërore, edhe zogjtë e malit marin pjesë në dhimbjen njerëzore…Ju të bukur zogj, te ju kam një shpres’/ju që shkoni det e male/dua tju pyes

E parë në këtë kontekst, kënga himarjote mund të perifrazohet si një rënkim apo lot shpirti. Aty ka më shumë dashuri dhe dhimbje magjie, ka më shumë ëmbëlsi e vuajtje shpirtërore.

Edhe këngët e luftës nuk kanë gjak (Nëntëqint e dhjetë viti/…than Himara krye ngriti/se çu ngre myteserifi/asqer nga Preveza ngriti/Himarës seç ja vërviti/Himar e zeza Himarë/ njëmijëedyqint këmbanë/çkini këmbana pse s’bini…

E pra, në këtë kryengritje himarjote është derdhur jo pak gjak, por e vetmja gjë që thotë autori është  pyetja rënkuese për  njëmijë e dyqint këmbanat që nuk po bien, ndonëse numëri i të vrarëve është jashtëzakonisht i madh.

Këngët e dashurisë janë një magji më vete. Vajza thirret me emra lulesh…O në të marça moj manushaqe/sdua doktor e ilaçe.., me emra qingjash e kecash lozanjarë…Tundu bejk e bardhë tundu/natënë me hënë duku….Shko moj shko kuac e kuqe/se dritën hënës ja zure/ lere hënën të ndriçojë…

..O shokë vdeksha nga kënga/në këngë të kthehet vaji… thotë një këngë pilurjote, duke  dhënë jo rastësisht elementin kryesor të këngës himarjote: origjinën e saj nga vajtimi, por edhe  faktin se teknikisht kënga iso-polifonike himarjote, me gjithë novacionin e saj nëpër  shekuj, përsëri është më afër burimit të origjinës, më pranë vajit. Teksti i shkurtër i marësit flet për një tip të  lashtë  të të kënduarit,. Ndërhyrja e hedhësit të  rrënqeth  si në vajtime.

Iso-ja është mrekullia e këngës himarjote. Ajo e pazvëndësueshmja, magjika, bota vetë. Deri aty sa  që,  kur ndërpritet iso-ja, të duket se ndërpritet ajri dhe të mehet fryma. Dhe është i burim lumturie momenti kur fryma të mehet nga dashuria. Të jetosh momente në këngën himarjote do të thotë të jetosh  vite në dashuri.

Himara nuk u pushtua nga turku. Ajo qëndroi aty, në breg të detit me shikimin dhe shpirtin në Europë, madje edhe djemtë e saj që nuk shkonin ushtarë te turku, bënin karierë ushtarake (dhe civile) në Venedik. Dhe kur vinin në atdhe, sillnin me vete, jo vetëm të rejat e shkencës civile e ushtarake, por edhe modën e finesën  europiane në jetën e vendit. Kjo bëri që në këngët himarjote  të ruhej finesa dhe  elegance e të shprehurit, madje edhe kur flitej për vdekjen. Duke dëshmuar në këtë mënyrë që kjo finesë dhe aristokratizëm ka qënë pjesë organike e jetës shqiptare.

6-Por a është vetëm faktori  “pushtues turk” faktori kryesor në këtë dallim të botës së këngëve iso-polifonike të këtyre dy trevave?

Për tju përgjigjur kësaj pyetjeje, le të hidhemi te një tjetër zonë e myslimanizuar, te krahina e Çamërisë. Madje krahina e Çamërisë, për disa arsye gjeografiko-historike u konvertua në një myslimanizëm më të ashpër se bektashizmi tolerant, që u instalua në labëri. Sipas llogjikës empirike duhej që këngët çame të kishim më shumë turqizime dhe gjakësime.

Por ja që realisht nuk ka ndodhur kështu. Këngët çame janë plot finesë dhe elegancë, me një nivel të lartë artistik, sa që çuditërisht kanë afërsi me këngët himarjote dhe jo me këngët labe, qoftë për nga teksti, qoftë për nga melodia.

…Barbaro vasiliko/ dhënt e mia kush i do/ se sjam i zoti për to/ se do loz me miken-o…

Një tekst fin, që stë thotë asgjë për turkun , ndonëse është këngë e ngritur në periudhën e pushtimit turk. Një melodi e denjë për tu shndruar në një hymn feste mbarëkombëtare.

Le të këndojmë bashkë këngën…Tumankuqe moj belhollë/ma bën me si, ma bën me dorë/…Te shtëpia me dërrasa/ dil moj kaleshë se plasa…

Vetëm fjala “tumankuqe”, fjalë që tregon veshjen dhe ngjyrën ( tumane të kuqe), që dëshmon indirekt ndërimin e “kostumit fetar”, të kujton diçka  turke.  Nazet e vajzave,      ( ma bën me sy ma bën me dorë) nuk kanë asgjë  nga bota turke, përkundrazi flasin për një shoqëri të civilizuar me femra të emacipuara.

Mbani vesh e dëgjoni këngën e një djali dashuri refuzuar tek rënkon…Trëndafil i bardhë/rënjëtë lejmua/ti çe deshe tjetrin/kur më keshe mua/me fanar në dorë/gjezgjis mahallanë/as u bëre diell/të ngrohje dinjanë/po u bëre shi/lage kasabanë…

Pavarësisht nga dhimbja që ndjen nga refuzimi apo braktisja , ai përsëri flet me dashuri për vajzën, duke gdhëndur për të një portret artistik të mrekullueshëm, madje deri aty sa që dhe ne që e lexojmë, ndjejmë admirim për këtë vajzë “trëndafil të bardhë” që “lagu kasabanë” me lotët e djemve. Nuk po shohim gjëkundi vargje të tipit…besëqënia më gënbjeu/më dha besën e ma ktheu/…që këndohet në labëri.

Le të shohim një këngë lufte, madje  një këngë për luftën e Bezhanit mbi Janinë, të cilën e cituam më sipër… Rapsodi çam këndon… Janinë motra Janinë/..Taborët (këtu, vullnetarët) e Vlorës vijnë/ për Bezhan e për Janinë/doli mileti i prinë/nuk e mbanin dot gëzimnë/ dridhej vendi në Janinë/ka muzikatë që bijnë..

Në se te kënga labe e mësipërme, edhe duke e lexuar tekstin, të vjen të ulësh kokën nga frika se mos  të zë ndonjë  gjyle, te kënga çame  këndvështrimi është krej tjetër, më jetësor, më optimist, më njerëzor.

E pra, në luftën e Bezhanit nuk u vranë vetëm lebër por edhe çamër, por ja që këndvështrimi i artistit popullor është i ndryshëm.

Që të flasim për melodinë  e këngëve popullore çame, duhet të flasim vetëm me nota muzike, sepse fjalët e shkruara  janë shumë prozaike për të pasqyruar atë magji muzikore, e cila vetëm jetohet dhe humb diçka kur tregohet.

Vetë tekstet e këngëve burojnë melodi, një melodi të ëmbël dashurie që të vjen ta lëshë mënjanë pushtën e jataganin, të brofësh në  rrethin e valles së vajzave dhe ti heqësh  shaminë nga koka vajzës që do, duke shpallur kështu botërisht dashurinë tënde.

7-Atëherë rikthehemi të pyetja e fillimit, por  me një formulim të ri  dhe pikërisht:   

 -Ku e ka rrënjën ndryshimi i këngës iso-polifonike labe me atë himarjote dhe afërsia e kësaj të  dytës   me këngën popullore çame.

-Kënga labe, nëpër rrugëtimin e saj pesëshekullor mbriti te  ne me shpatë e pushke në dorë, me devizën “Jemi zot të këtij vatani”

- Kënga  çame erdhi te ne tepër fine dhe elegante, për të  pranuar që kaloi nëpër kohën myslimano-pushtuese. Kjo epokë  okupues i ka hequr shumë vlera  këngës çame, dhe kjo është e kuptueshme, por me kaqë bukuri sa erdhi te ne, na bën të mendojmë se ka qënë shumë më fine dhe më elgante, shumë më shumë aristokratike në periudhën paraturke. I ranë shumë stoli rrugës pesëshekullore, i ranë diku “florinjtë e gushës” e diku “florinjtë e ballit”, por te ne mbriti me dritën  verbuese të  syve të saj, që reflektonin “florinjtë e shpirtit”  .  Dhe duhet të themi se me aqë sa mbriti te  ne, ishte tepër e bukur.  

-Kënga popullore himarjote pati “privilegjin “ të mos  jetonte natën pesëshekullore turke. Te pragu i shtëpisë së saj vinte kjo natë, por nga dritarja hynte drita europiane. Në shpinë kishte natën por  në ballë i ndrinte  dielli.

Kështu që pati kohë të mjaftueshme për evolucion e “modernizim”.

Kënga popullore çame dhe kënga popullore himarjote kanë disa elementë të përbashkët, elementë shpirtërorë, që  janë shtylla vertebrore e tyre. Melodia  e ëmbël që buron nga çdo fjalë si mushti nga çdo kokërr rrushi, dhe lotët  e shpirtit që bien si meteorë mbi tekst e melodi. Shumë lule e pak lapidarë. Ndonëse luftën e kanë bërë  shpesh edhe më të ashpër se krahina e labërisë.

Mund të paraqesim shumë faktorë krahasues për të dëshmuar  ndryshimin apo  ngjashmërinë, por unë do ju ftoj në brigjet joniane. Dhe do tju them se edhe Himara edhe Çamëria janë krahina të brigjeve joniane. Aty është ajo që ne e quajmë “Bota Joniane”, aty lindën dhe u rritën Këngët Joniane.  Kënga himarjote dhe kënga çame janë liskëngë të Artit Jonian, në melodinë dhe tekstin e të cilave  dëgjon dhe jeton  zhaurrimën e valëve të detit dhe jetën e brigjeve detare joniane.  Ky është privilegji i tyre, që nuk e ka  Kënga labe, këngë e lindur dhe e rritur në male, që vërtitet mbi mendimet tona si një shqiponjë, duke e parë çdo gjë nga lart.

Me bindjen se …lisat janë të ndryshëm dhe llogjikën se….ndryshimi nis  nga rrënjët,  këtu duhet të fillojë analiza e arsyes dhe elementëve të ndryshimit të këtyre  këngëve iso-polifonike . Gjithashtu, te kënga popullore himarjote dhe çame (sigurisht dhe arbëreshe) duhet të fillojë dhe njohja e Artit Jonian.

 

Comments (3 posted):

Julia on 28/04/2014 18:39:33
avatar
Kur bien lisat madheshtia e tyre eshte e njejte
Julia
Nene Pashako on 15/05/2015 00:03:39
avatar
Me ty Julia-kur bien lisat madheshtia e tyre eshte e njejte- po e perseris.

Nene Pashako.
Illo on 07/02/2016 20:55:00
avatar
Nje analize e plote per te kursyer fjalen " e shkelqyer ". Tavolina e operacionit e ketij dijetari ka kaluar ne site te tere dufin e kenges te tre krahinave te rendesishme te Atdheut . Rralle kam pare analize kaq sintetike , qe I thote te tera . I. Foto

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1