Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | STUDIME | Letërsia për fëmijë: nga shtrati nisës tek karakteristikat e saj, në skalitjen tipologjike të akademikut Bedri Dedja

Letërsia për fëmijë: nga shtrati nisës tek karakteristikat e saj, në skalitjen tipologjike të akademikut Bedri Dedja

Font size: Decrease font Enlarge font
image Bedri Dedja

Letërsia për fëmijë: nga shtrati nisës tek karakteristakt e saj, në skalitjen tipologjike të akademikut Bedri Dedja

Nga Fatmir Terziu

Në vend të hyrjes

Shkrimtari dhe studiuesi i mirrënjohur shqiptar, Bedri Dedja, është më i vëmendshmi i hershëm ndaj traditës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare në fushën e letërsisë për fëmijë. Është një vëmendje thuajse e vetme në një këndvështrim akademik, të detajuar dhe profesional. Një studim i tillë i qartë, i paraqitur në Nëntorin e vitit 1975, natyrshëm mund të shihet në dy këndvështrime. Këndvështrimi i parë rreket me kohën në të cilën ai shkroi, madje e paraqiti këtë studim tepër domethënës dhe së dyti me kohën që ai trajton në këtë hapësirë një temë kaq të rrëndësishme edhe sot. Në këtë mënyrë studimi i hershëm i Dedjas, na bën të mos themi vetëm se Bedri Dedja, Akademik dhe profesor në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, ka qenë një personalitet shumëplanësh në krijimtarinë letrare shqiptare për të vegjëlit dhe atë shkencore për të rriturit: poet e prozator, përrallëtar e dramaturg, tregimtar e publicist, novelist e romancier, përkthyes, gazetar e kritik, studiues i psikologjisë, pedagogjisë e historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, studiues e teoricien i historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë, por edhe një akademik i veçantë në trajtimin e temave me efikasitet e jetëgjatësi në fushën e kulturës letrare shqiptare. Më tej duke ditur se figura e tij akademike e bën të lartësuar, ai si titues i shumë çmimeve letrare, “Qytetar Nderi” i Beratit, mbajtës i “Çmimit të Republikës”, “Urdhërit Naim Frashëri” dhe titullit “Mjeshtër i Madh”, Bedri Deja është vlerësuar gjithashtu nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë vend në Vëllimin e XVI të biografive si autor i shquar i shekullit XX, udhëton në memorjen kulturore shqiptare edhe si një figurë e nderuar nga të gjithë brezat. Duke mirëkuptuar tematikën në trajtesë, se Rilindja Kombëtare Shqiptare, ashtu si në të gjitha fushat e jetës shpirtërore dhe materiale, edhe në fushën e letrësisë në përgjithësi na ka lënë një traditë të pasur, duhet të themi se studimi i Bedri Dedjas mbi traditën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në fushën e letrësisë për fëmijë mbetet unik dhe i vëmendshëm. Në këtë ese analizë, natyrshëm trajtesa merr një formë më të gjerë, ndaj duam ta pikëvështrojmë në disa kënde. Studimi i Dedjas i dha dimensionin e saktë që kjo periudhë në trajtesë i dha meritës që krijoi tradita e fillimeve të letërsisë artistike për fëmijë në gjuhën shqipe. Procesi i krijimit të kësaj letërsie ka rrjedhur natyrshëm në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit të gjithë letërsisë sonë kombëtare të Rilindjes, dhe këtë sipas Dedjas e shohim me frymë të thellë patriotike edukative.

Aspektualitet i kujdesshëm brenda bindjeve ekstra-narrative

Për ta ridimensionuar studimin e Bedri Dedjas, natyrshëm duhet të ndjekim udhën me të cilën ai paraqiti këtë arritje, në udhën zanafillëse me periudhën, që i parapriu Rilindjes në lëmin e shkrimeve për të vegjël dhe që shërbeu për ta pregatitur atë. Bedri Dedja si një studiues i mirëfiltë, i lindur në Korçë më 20.11.1930 dhe me një gjeografi në jetën e tij edukative, ku shkollën fillore e kreu në Shkodër, ndërsa gjimnazin e përfundoi në qytetin e Durrësit dhe më pas studioi në Universitetin e Moskës ku u diplomua shkelqyeshëm në vitin 1953 në disiplinat e pedagogjisë, psikologjisë dhe njëkohësisht të letërsisë për fëmijë, natyrisht ishte një penë që dinte rendin e fjalës në lidhje me tematikën e letrësisë për fëmijë ndër ato vite. Edhe më tej ai pas përfundimit të studimeve universitare, për 40 vjet ka qenë lektor dhe Profesor titullar i lendeve të psikologjise dhe pedagogjisë në Universitetin e Tiranës dhe për një periudhë 5 vjeçare (1975-1980) edhe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit. Nga viti 1972 e deri sa u nda nga jeta më 13 prill 2004, ka qenë Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Paralelisht me veprimtarinë pedagogjike, deri në vitin 1975 ai ka ushtruar edhe funksione drejtuese publike si Drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik Tiranë, Kryeredaktor i Revistës "Fatosi" dhe Gazetës "Mësuesi", Drejtor i Drejtorisë së Botimeve Shkollore e Drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike në Ministrinë e Arsimit, Zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës si dhe Sekretar i Përgjithshëm Shkencor i Akademisë së Shkencave. Bedri Dedja ka qenë për shumë vjet anëtar i Shoqatës Botërore të Psikologëve, Kryetar i Shoqatë Kombëtare të Psikologëve si dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Shkrimtarëve për fëmijë. Bedri Dedja gjithashtu ka qenë anëtar i Redaksisë së përgjithshme për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) si dhe bashkëautor dhe redaktor përgjegjës i botimit të Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë së Arsimit, Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar Vol. I (2003). Shume vepra të tij janë përkthyer e botuar jashtë Shqipërisë si në Maqedoni, Kosovë, Greqi, Rumani, Kinë e Zvicër. Kështu një figurë e tillë, që iu përkushtua me zell traditës së letrësisë për fëmijë, ka dhe natyrshëm vlerërendet në hapësirën studimore shkencore shqiptare. Këtë e ka vlerësuar mes një arti tipik prezantues edhe pena e merituar e Astrit Bishqemit, tek Historia e Letërsisë Shqiptare për Fëmijë, (Universiteti “A.Xhuvani" Elbasan, Botimet Sejko - 2001, fq. 287-289), dhe është plotësuar vetëm me të dhënat e reja dhe botimet pas vitit 2001. Kështu ai mbetet natyrshëm dhe në mënyrë adekuate akademiku që mbajti gjallë dhe ndjeshëm në mesin e letrave tërë gamën hulumtuese dhe studiuese të letëRsisë për fëmijë. Ai solli mes shkrimeve të tij një gamë të re të traditës së shkrimeve.

Tradita e shkrimeve të posaçme didaktike për të vegjël, sipas studimit të Dedjas, nis kështu jo me një datë të saktësuar, por me një periudhë kohore që është aty nga fundi i shekullit të XVI. Por më tej në brendësi të shkrimeve të tij, mësojmë se gjer nga fillimi i shekullit të XIX nuk ka patur ndonjë letrësi të mirëfilltë artistike shqiptare për fëmijë, apo edhe për mosha të tjera të quajtura e të kategorizuara si të vegjël. Kështu pos kësaj mungese edhe trajtesa ndër vite, edhe kritika e studimet thuajse nuk kanë qenë dhe nuk kanë ekzistuar. Gjejmë shkitazi trajtesa fjalë-fjalëshe, apo citime spontane nga Stefan Shundi, Karl Gurakuqi, Ibrahim Hasnaji, Sotir Pase, Selahydin Toto, Izet Bebeziqi, Mitrush Kuteli, Qazim Shehu, Vedat Kokona (Hekuran Lumi) aty mes viteve 1939-1942 si cekje nëpër botime periodike e gazetarske të kohës që botuan, por jo në formën e një studimi të mirëfilltë shkencor, të cilin vetëm Bedri Dedja e konsideroi si të arsyeshëm dhe me interes të veçantë. Shumë autorë e pedagogë të tjerë u morrën me libra didaktike e shkollore gjer te Naum Veqilharxhi, por asnjë nga këto vepra nuk dha ndonjë shkëndijë të qartë në fushën e krijimtarisë artistike të subjektit që Bedri Dedja konsideroi për studimin e tij shkencor. Qindvjeçari i lavdishëm i një emri të madh, Rilindja Kombëtare Shqiptare, i dha rrëndësi letrave shqipe dhe për nga përmasat përfaqësuesit e saj më të shquar e ngritën në një shkallë më të lartë dhe kështu themeluan edhe letërsinë për fëmijë, duke e shndërruar nga një letërsi tërësisht me karakter fetar, në një letërsi me karakter didaktik e me karakter kombëtar. Merita këtu sipas Dedjas i takon të gjithë rilindasve duke nisur që nga Veqilharxhi e Kristoforidhi e gjer tek më i fundit dhe më i vonshmi, i tyre, Milto Sotir Gurra, i cili në krijimin e tij mbeti vetvetja një rilindas, vazhdues i veprës së paraardhësve të vet të mëdhenj.

Bedri Dedja ka formuar kështu një mit të përqëndrimit të tekstit të hulumtuar, një mit letrar të gjallë nëpër tekstin e tij, ku letërsia imagjinative e asaj periudhe shqiptare ishte një fushë e konsiderueshme me autorë të ndryshëm, dhe kështu çështja shkon më tej për të trajtuar dhe shkuar përtej njohjes, sugjerim ky që i bën studiuesit e sotëm dhe madje të ndjejnë shijen aestetike të Dedjas në tekstin e tij të shtruar të hulumtimit.

Idealizmi letrar, që është parë si i tepruar, është i mjaftueshëm për mua për të pranuar (ndonjëherë ) më lehtë se unë mund të rilexojë letërsinë për fëmijë të kësaj periudhe në diskutim pa ndonjë shqetësim e sforcim mes studimit të Dedjas. Dedja e filloi kështu studimin e tij jo si një rebel kundër shkollave formaliste të kritikave që dominuan kohën e tij, apo edhe më parë, por shkoi më tej të rrekej në skuta të largëta ku dilte dritë nga errësira dhe myku shekullor. Dedja na jep një aspektualitet që çdokush duhet të mësojë se në trajtesën e temës duhet të jetë i kujdesshëm brenda bindjeve ekstra-narrative, veçanërisht ato që janë themeluar hershëm modernizmin e tyre mbi një vend të cekët refuzimi të vetë kontekstit të shtruar nga letërsia për fëmijë në një periudhë delikate shqiptare.

Prodhimi letrar artistik i rilindasve, në syrin e Dedjas, është parë pa dyshim, me karakteristikat e veta. Sipas tij ‘pjesa më e madhe e krijimeve, vjersha, tregime, fabula, përralla, copa letrare-shkencore janë shkruar posaçërisht për t’u futur në tekstet elementare për shkollat shqipe’. Duke hulumtuar ai solli në vëmendjen krijime të tila të asaj periudhe si të gjitha shkrimet për fëmijë të Naim Frashërit Ime përjashtim të “Vjersha për Mësonjëtore të para”), të Kristoforidhit, Samiut, Papa Kristo Negovanit, Luigj Gurakuqit etj. shkrimi i tij studimor i trajtoi tërë këto prurje si një aspektualitet i kujdesshëm brenda bindjeve ekstra-narrative ku ai e dinte mirë se ka patur edhe krijime posaçërisht të shkruara për leximin e fëmijëve jashtë kuadrit të teksteve mësimore, si të thuash për mësimin e gjuhës shqipe edhe jashtë dyerve të shkollës. Në këtë aspektualitet extra-narrativ ai përmend vëllimin e vjershave për të vegjël të Naimit, përkthimet dhe përshtatjet e njëqind e dymbëdhjetë fabulave të Ezopit dhe të fabulistëve të tjerë nga ana e Anton Santorit, novela “I vogli Donat Argjëndi” të Papa Kristo Negovanit etj. duhet theksuar se njëqind e dymbëdhjetë fabulave të Ezopit nën përkthimin e Santorit erdhën vetëm në shekullin e njëzetë, në fillimet e tij në mjedisin letrar shqiptar. Edhe “Gjahu i Malësorëve” i Kristoforishit, është parë i papërfshirë në tekstet shkollore, ai si një tregim artistik ai ishte shkruar nga autori për nevoja mësimore në shkollë, pikërisht në kohën që ai u kthye nga Stambolli dhe u vendos në Elbasan ku ua lexonte këtë tregim djemve në klasë.

Kështu me një vëzhgim adekuat të aspektualitetit të kujdesshëm brenda bindjeve ekstra-narrative themi me plotë gojën se studimi i Dedjas, mbetet arsyeja konkrete të mbijetojë për shkak se ajo si tematikë stimore e tij është serioze, shpirtërore, dhe gjithëpërfshirëse, por jo për shkak se ajo është sistematike ose një manifestim i gjeniut, por i një vlere të dalë për ti shërbyer gjeniut të letrave, vetë lexuesit, studiuesit, arsyes e mbi të gjitha kulturës së memorjes letrare shqiptare. Nëse studimi në fjalë i autorit Dedja fillon të duket një pjesë periudhë, kështu që ai me këtë periudhë ndërton pjesën e vet murale në kështjellën e letrave shqipe. Dedja sqaroi më së miri pse ndodhi edhe shkëputja e letrësisë artistike për fëmijë nga tekstet shkollore, abetaret dhe librat e këndimit. Ai e sheh atë me daljen e revistës “Vatra e Rinisë”, që nisi botimin në vitin 1933. Kjo ishte tribuna e parë ku u botuan shkrimet e autorëve për të vegjël Milto Sotir Gurra, Vasil Xhaçka, Ilo Mitkë Qafëzezi etj. atëherë mes shkrimit dhe hulumtimit të Dedjas si mund të përcaktohen disa karakteristika të traditës së letërsisë për fëmijë në këtë periudhë?

Shkrimi studimor i Dedjas dhe karakteristika të traditës së letërsisë për fëmijë

Mes shkrimit tipologjik, studimor të Bedri Dedjas, natyrisht del parësore skematika dhe semantika e trajtesës, aestetika dhe forma me të cilën ana studimore pikëtakohet me karakteristikat e kësaj letrësise shqiptare për fëmijë në atë periudhë. Ky studim përbëhet nga pika dhe tematia në kuptimin origjinal të fjalës hulumtuese apo qartëson përpjekje të plota, mbi mundësinë e një pamjeje sinoptike të fushës, teoria, parimet dhe teknikat e formës letrare të saktësuar për fëmijë në periudhën në fjalë. Qëllimi kryesor i studimit është për të dhënë arsyet e qarta për të besuar në një pamje të tillë sinoptike, qëllimi tjëtër i mesëm është që të sigurojë qartësinë profesionale mbi një kohëperiudhë të paqartë, ku versioni i saj është jo thjesht për të bindur lexuesit por për ta bërë elementin artistik të krijuar në fillesë në një kënd që të jetë sa më i arritshëm. Boshllëqet e vëna re mundësojnë kështu të kuptohet se së pari, letrësia për fëmijë e periudhës së Rilindjes shënoi një hap cilësor, sepse u zhvillua si letërsi artistike kryesisht me gjini të shkurtra, ajo nuk doli, me pak përjashtime, nga kuadri i librave dhe teksteve shkollore. Si rrjedhim nuk mundi të fitojë tiparet e një dege të pavarur në trungun e përgjithshëm të letrësisë së asaj periudhe. Në studimin e Bedri dedjas kuptohet se kjo letrësi edhe si e tillë u zhvillua si letrsi në funksion të shkollës shqipe. Kjo është edhe arsyeja që e bën atë karakteristike të dallohet për lëminë e saj të përrallave, tregimeve, fabulave etj.


Vazhdon...


LEXO ME SHUME KETU

Comments (3 posted):

Vangjush Ziko on 08/02/2014 14:40:15
avatar
Jo vetem veprimtaria dhe krijimtaria akademike e Bedri Dedes, por edhe krijimtaria e tij artistike ne fushen e letersise per femije mbetet nje fjale e re e bukur me te cilen u edukuan me te bukuren dhe te moralshmen gjithe ato breza te femijve shqiptare, ai shkroi nje faqe te re edhe ne kete fushe.
Aleko Likaj on 08/02/2014 18:10:32
avatar
Urime, miku im i vjeter, Fatmir Terziu. Nje veshtrim e studim teper interesant per nje figure si Bedriu i cili jo vetem per mua , ka qene dhe mbetet nje nga korifejte e mendimit pedagogjik ne edukimin e femijve, por edhe njeriu qe vuri ne "shtrat" krijimtarine artistike per keto mosha. Kontriburi i tij eshte i gjithanshem e me nje spekter teper te gjere edhe ne fushen e psikologjise. ndjehem i privilegjuar qe e kam patur profesor dhe mik ne jeten e perditeshme per disa vite aty ne Elbasan. Ishim ne nje koorespodence te rregullt bashke deri ne momentin e fundit qe e mori vdekja. Kam hedhur para disa vitesh disa shenime dhe kujtime per profesor bedriun te cilat jane botuar edhe ne nje liber qe eshte botuar per ate e vepren e tij ne Tirane gati kater vite me pare. Studimi juaj me duket vertet serioz per nje figure gati te haruar ne keto vite pluralizem. Ai mbetet nje gjigand per te gjithe brezat, vepra e te cilit do te rezatoje ne historikun e shqiperise se re.
Musa Jupolli on 08/02/2014 18:11:15
avatar
I vyeshmi Bedri Dedja një thesar ar(t)i në letrat shqipe! Rrënjë e cila dha gjithë degët e lulëzimet e më të ndieshmës në krijimtari ajo për fëmijë, pra një Penë e ndritshme e letrave shqipe! Respekt mik i nderuar Fatmir Terziu !

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
3.29
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1