| Su | Mo | Tu | We | Th | Fr | Sa |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Krahina e Plavë-Gucisë
I.
Shteti i sotëm i Malit të Zi me të gjitha strukturat e instrumentat politike, fetare, etj. po kryen edhe në këto tre dekadat e fundit shkelje të randa diskriminuese etnike, fetare e politike dhe akte të pandaluna të spastrimit etnik dhe të asimilimit ajzberig ndaj nacionalitetit etnik shqiptar mijëravjeçar (i mbetun në pakicë) në komunën e sotme të Plavë-Gucisë.
Dëshmia më e fundit është edhe “Referendumi Konsultativ” i 8 janarit 2013 për komunën e Gucisë, për shkëputjen administrative-territoriale të saj nga Plava, për t’i dhënë status plotor si komuna e 22-të e shtetit të ri të Malit të Zi.
Ky Referendum, në akte zyrtare të tij, në proçesin e proçedurat e tij referendare, ka shkelje në disa nene e praktika juridike të doktrinave, deklaratave, pakteve, kartave, konventave ndërkombëtare dhe protokolleve plotësues e raporteve shpjegues të tyre, të cilat i ka nënshkrue edhe vet Mali i Zi si: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB, 10 dhjetor 1948); Konventa Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (Romë, 1950) dhe Protokollet e saj të mëpasme; Konventa Ndërkombëtare për Eleminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racial (1969); Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike (1966); Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (1976); Konventa kuadër Europiane mbi bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet bashkësive vendore dhe autoriteteve territorial (1980); Konventën Kuadër për “Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare” (1995) dhe Raporti Shpjegues, etj
II.
Referendumi është kundërshtuar, bojkotuar dhe ankimuar në vazhdimësi, masivisht dhe aktivisht nga faktori politik, shoqëror e demografik shqiptar në Plavë-Guci dhe jashtë saj.
Ky Referendum u bojkotue në ditën e votimit të tij nga mbi 93 për qind e
shqiptarëve etnik të Plavë - Gucisë (komunë me 486 km2 dhe 14.000 banorë).
Në Guci, që duan ta kthejnë komunë mëvete, e bojkotuan votimin referendar mbi 83 për qind e shqiptarëve etnik (në 10 qëndra votimi - nga 1.628 votues shqiptarë votuan vetëm 271 prej tyre).
Në dy bajrakët etno-historik në Guci: ai i Vuthajt me popullsi tërësisht shqiptare - nga 695 votues shqiptarë votuan vetëm 43 prej tyne (6.33 për qind), ndërsa tek ai i Martinajt (bashkë me Kukaj) - nga 415 shqiptarë etnik votuan 79 prej tyre (18.9 për qind), etj.
2. Ky Referendum u kundërshtue dhe u ankimue për gjithato padrejtësi, parregullsi dhe
manipulime të rënda në të gjitha etapat e proçesit të tij (23 nëntor 2012–8 janar 2013) si në Komisionin Zgjedhor Komunal dhe në Këshillin Komunal të Plavë-Gucisë dhe në institucione e organizma të ndryshme të Malit të Zi dhe në ato ndërkombëtare:
a) Nga tri partitë politike parlamentare shqiptare si Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, Forca e Re Demokratike (në Plavë-Guci dhe në Podgoricë).
b) Nga subjekte juridike të shoqërisë civile të krahinës e të trevave të tjera shqiptare në Ballkan e në diasporë si Fondacioni Plavë-Guci në Amerikë (një nga organizmat shqiptare ma aktive në dy vitet e fundit), Shoqata “Alpet Shqiptare” në Plavë-Guci, Shoqata “Plavë-Guci” në Zvicër, etj.
c) Individualisht dhe masivisht (deri edhe në protestë popullore si ajo e 1 shkurtit 2013 në Plavë, në qendër të komunës) edhe nga personalitete, qytetarë, fshatarë në treva shqiptare të të krahinës së Plavë-Gucisë dhe nga mërgimtarë shqiptarë etnik të saj në Amerikë e në Europë.
3. Ky “Referendum Konsultativ” në Plavë-Guci nuk pati kohë të mjaftueshme dhe as
të përshtatshme për organizimin e tij, pavarësisht nga afati ligjor 45 ditor - nga shpallja më 23 nëntor 2012 deri tek votimi i 8 janarit 2013.
a) Nuk iu para-pri saktësisht me një studim të mirëfilltë fizibiliteti lidhur me përparësitë e mangësitë politike, ekonomike, kulturore, etnike, fetare të tij. Mendimi nr. 011/12-2279 i dt. 29.10.2012 për arsyeshmërinë ekonomike të komunës (të re!) të Gucisë është i paplotë, i paarsyeshëm, i ndikuem nga ajzbergu shoven e asimilues kundër shqiptarëve, të cilin duhet ta (vet)anullojnë Ministria e Brendshme e Malit të Zi.
b) U zhvillue në kohë e kushte natyrore të vështira (borë, ngrica, erëra), pasi nga 29 vendbanimet e mëdha e të vogla alpine të kësaj komune 21 prej tyre kapin lartësi mbidetare 1000–1300 m dhe fshatra si Përnjavori, Metehu, Hoti i Vendit, Vuthajt e Nokshiqi, etj. nga 1311 deri 1353 m. Malet e kësaj krahine ngjiten deri mbi 2.000 m. lartësi përgjatë luginave të saj.
c) Tradita elektorale malazeze në këto 16 vitet e fundit tregon qartë se zgjedhjet parlamentare e presidenciale dhe referendumet janë akt-krye në kohë mjaft të përzgjedhur nga shteti i Malit të Zi: 1996 më 3 nëntor, 1998 më 31 maj, 2001 më 21 prill, 2002 më 20 nëntor, 2006 më 21 maj dhe 10 shtator, 2009 më 29 mars dhe 2012 më 14 tetor.
d) Koha fizike për t’u marrë me Referendumin nuk ishte e plotë, jo vetëm se duhej të fillonte propaganda dhe përgaditja referendare përpara vendimmarrjes të 23 nëntorit 2012, por ishte edhe koha e ndrrimit të viteve: festa e Krishtlindjeve dhe e Vitit të Ri, etj..
e) Koha politike për këtë Referendum në komunën Plavë-Guci ishte e papërshtatshme, sepse shteti i Malit të Zi po merrej aktivisht me koalicionet partiake në Parlament pas zgjedhjeve të 14 tetorit 2012, kalkulonte për formimin e Qeverisë së re të Gjukanoviçit (4 dhjetor 2012), nistonte përgaditjet për zgjedhjen e Presidentit të ri (7 prill 2013).
III.
Ky Referendum Konsultativ në Plavë-Guci (për ndamjen në dy komuna) nuk ka asnjë shembull të ngjashëm në krejt ndarjen e sotme administrativo-territoriale në shtetin e vogël të Malit të Zi:
Komuna e Nikshiqit ka mbi 4 herë më e madhe në sipërfaqe (2.065 km2) dhe mbi 5
herë më e madhe në popullsi (73.000 banorë) sesa komuna e Plavë -Gucisë dhe nuk e ndajnë në dy komuna mëvete.
Kjo nuk do të ndodhin as në të ardhmen, sepse Nikshiqi: a) i ka mbi 72 për qind të popullsisë së saj të fesë ortodokse; b) mbi 64 për qind të banorëve të entisë malazeze; c) është vendlindja e Milo Gjukanoviçit – një herë president dhe gjashtë herë kryeministër i shtetit malazez.
Dyshja politike shtetqeverisëse mbi dydekadore në Mal të Zi: Gjukanoviç-Vujanoviç (ky i fundit – me një mandat kryeministror 1998-2003 dhe me të tretin mandat presidencial prej elektoriadës të 21 majit 2008) duan me çdo kusht dhe mjet të sigurojnë ndamjen në dy komuna të krahinës së Plavë-Gucisë, sepse malazezët ardhacakë në komunën e sotme janë në vend të katërt si komunitet etno-kulturor, pas boshnjakëve (pjesa ma e madhe shqiptarë të asimiluem në fe dhe etni), pas shqiptarëve etnikë mijëravjeçar dhe pas kolonëve serbë.
Komuna metropolitane e Podgoricës është tri herë ma e madhe në sipërfaqe (1.441
km2) dhe mbi 13 herë ma e madhe në popullsi (185.937 banorë) sesa komuna e sotme e Plavë-Gucisë, po tash 20 vjet nuk po e lejon shkëputjen referendare territoriale-administrative si komunë mëvete të Tuzit me 13.000 banorë, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e tyre.
Tuzi – me tokë e histori shqiptare, statusin e komunës së plotë e kërkon prej vitit 1992, veçanarisht më 1997, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit (2003), Ligjit për Kryeqytetet – nenit 55 të tij (2005), miratimit të Kushtetutës të dytë të Malit të Zi (1905, 2007), etj. dhe ende nuk i jepet ligjërisht e drejta e Referendumit, ndërsa për ndamjen e komunës së Plavë-Gucisë (vet)vepruan me emergjensi të atillë sa mos me lanë kohë, vend e mënd as me e kundërshtue paraprakisht dhe as me (mos)votue realisht.
Politika zyrtare malazeze me shfaqjen e saj ajzberige nuk e lejon për kollaj e për shpejt Tuzin komunë të plotë, sepse: a) Tuzi ia ndryshon strukturën etnike popullsisë të kryeqytetit të Malit të Zi duke dalë të parët serbët (në maj 2011 ishin 41.17 për qind) dhe të dytët malazezët (në maj 2011 ishin 42.40 për qind) dhe shqiptarët prapë mbesin të tretët. b) Tuzi – si komunë e plotë – do të kishte përqindjen më të lartë të popullsisë katolike në Mal të Zi (Aktualisht Podgorica ka mbi 8.000 katolikë – numrin më të madh në këtë shtet të vogël). c) Tuzi – si komunë e re ndodhet në kufi me Shqipërinë dhe krahashtrihet nga liqeni tek malet, etj.
Gjukanoviçi (ish-mik binjak i Millosheviçit) në elektoriadën e fundit, më 23 shtator 2012, deklaroi botënisht në Tuz se do të organizohej Referendumi Konsultativ për kalimin e Tuzit nga komunë urbane në komunë e plotë, biles u parafolë se ky vendim do të merrej pikërisht më 4 tetor 2012. Vetëm pak ditë para “Referendumit Konsultativ për Gucinë komunë”, më 3 janar 2013, një zyrtar i Partisë Demokratike të Socialistëve (PSD) të Gjukanoviçit doli papritur para mediave e rideklaroi se ky referendum “do të mbahet në vitin 2014”(!), pavarësisht faktit se kërkesa ishte dorëzue shumë kohë përpara asaj të Plavë-Gucisë (!).
Më 30 janar 2013 përfaqësues nivel lartë të PSD-së dhe të tri partive nacionale shqiptare mbajtën një takim zyrtar me mbi pesë orë bisedime gurgac, po nuk ia mbrrinë të përcaktojnë një datë-kohë për referendumin në Tuz, ndërkohë që Referendumi në Plavë-Guci u krye me frymë e akte përngutjeje antidemokratike dhe shovene të rrallë.
Nëse politika kundërshqiptare shovene e Malit të Zi, që e vetëquajnë shtetin e tyne
“Kampion i demokracisë”(!) do të arrijnë në mënyrë diktatoriale një ndarje komunale të Gucisë nga Plava, atëherë do të kemi dy komuna të vogla me sipërfaqe të përafërt me mbi 200 km2 secila, ndërkohë që të gjitha komunat kufitare të saj janë ma të mëdha: Podgorica 1.441 km2, Bijelo Polje 924 km2, Kolashini 897 km2, Berana 717 km2, Rozhaja 432 km2 dhe Andrijavica 283 km2.
Historikisht në Malin e Zi komunat me popullsi shqiptare ma të madhe po kthehen në komuna me sipërfaqe të vogël me qëllimin shoven që të jenë “kafshatë” më e lehtë për asimilimin e shqiptarëve katolikë në malazezë dhe serbë apo shqiptarët muslimanë në boshnjakë.
Ulqini me 73 për qind shqiptarë ka 255 km2. Plavë-Gucia me 19 për qind shqiptarë po të ndahet në dy komuna mëvete i bie që vetëm Gucia (mbi 200 km2) të jetë me shumicë shqiptare. Nëse Tuzi me shumicë shqiptare do të bahet komunë e plotë sipërfaqja e saj do të jetë vetëm 257 km2. Tivari bregdetar (Antivari), tokë etnike shqiptare, tashti me 7 për qind shqiptarë etnikë, është 598 km2. Rozhaja me 5 për qind shqiptarë është 432 km2. Komuna bregdetare malazeze Tivati me rreth 3 për qind shqiptarë (maj 2011) ka shtrirje në 46 km2. Komuna Budva me rreth 2 për qind shqiptarë ka 122 km2. Në 9 komuna të tjera popullsia shqiptare është nën 1 për qind.
Mali i Zi me politikat e veta po ecë në perspektiv drejt krijimit të 6 komunave të reja
në territorin e saj, po strategjia shovene e “asimilimit demokratik” të shqiptarëve duket qartë.
Ky copëtim administrativ po kryhet në projekt apo në realitet në territore etnike shqiptare mijëravjeçare, që sot janë në kufi tokësor e ujor me dy shtetet shqiptare - Shqipërinë e Kosovën: Gucia në krahinën dardane të Plavë-Gucisë; Tuzi (Malësia) dhe Gollubovci (Zeta) në Podgoricë; Sutomora në Tivar; Petnica në Beranën dardane; Petrovci në Budva (në afri të Tivarit).
Shteti i dyshes malazeze Gjukanoviç - Vujanoviç nuk ka ndonjë plan publik për ndarje të komunave të mëdha të Malit të Zi në kufijtë sllavë me Bosnje-Hercegovinën si Nikshiqi - 2.065 km2, Pljevlja - 1.346 km2, Pluzhina - 854 km2, Zhabljaku – 445 km2, Kotorri – 335 km2 dhe me Serbinë si Pljevlja, Bijelo Polje – 924 km2, Rozhaja – 432 km2.







del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment