| Su | Mo | Tu | We | Th | Fr | Sa |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
MAGNETOFONI
I pat thënë ai, asaj, (me zë fare të ulët), i qe lutur, mos bëj zhurmë, të lutem, magnetofoni po regjistron, po merr nga radioja, mos qit zë, ti e di që unë e kam merak, po regjistroj “Mbretin Artur” të Parselit, një gjë e mrekullueshme, një kryevepër. Po ajo, si për inat, ajo kërmë pa ndjenja, ec e përpiq takat lart e poshtë, vetëm e vetëm që atij t’i hipnin xhindet, pastaj ajo qëronte zërin, më tej kollitej (enkas), më pas i’a shkrepte gazit vetmëvete dhe paf e puf, ndizte bubulak shkrepset, për të bërë sa më shumë zhurmë. E ndërkaq, Parseli, Moxarti, Bahu, Palestrina, - mjeshtrit e muzikës së përkryer e qiellore, shpërdoroheshin. E bënte ajo, maskaresha, grerëza, tartabiqja, ngërçi i jetës?
Kështu nuk shtyhej dot më tej. Tani pas kaq vitesh, ai ka vënë e po dëgjon atë të shkretë shirit. Ka vënë atë bobinën me mjeshtrat, me majat, me Parselin, Moxartin, Bahun, Palestrinën?
Ajo nuk është më aty, ka ikur. Ajo e ka braktisur. Ajo e dha zgjidhjen, e la. Ai nuk e ka tani idenë se ku ka përfunduar ajo. Ja, tani, Parseli, Moxarti, Bahu, Palestrina tingëllojnë shurdhërisht e pakuptim. Të vjen për të vjellë, katrahurë, muzikantë të mallkuar? Ja - ja, ai trokthi lart e poshtë, ja kërcitja e takave, ja të qeshurat, (e dyta, sidomos!), ja krruajtja e fytit, kolla. Kjo po, kësaj i thonë. Kjo është ajo muzika qiellore. Ai ka vënë veshin dhe dëgjon. Nën dritën e abazhurit, është ulur dhe dëgjon. Si i ngurtësuar në atë kulltukun e katandisur keq e më keq, ai dëgjon. Pa lëvizur edhe muskujt më të vegjël të gjymtyrëve, ai rri me veshin ngrehur nga magnetofoni: Ja zhurmat, ja pëshpëshet e saj, ja kolla, e bërë bukur enkas. Këta tinguj të adhuruar, madhështorë. Që nuk i ka më, që nuk do t’i ketë kurrë më….







del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment