Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ESSAY | SINONIMET E DHIMBJES SË NJË POETI

SINONIMET E DHIMBJES SË NJË POETI

Font size: Decrease font Enlarge font
image Hamdi Skeja në librin “Ekstremume”

 

    (Hamdi Skeja në librin “Ekstremume”)

   Të shkruash për librin e parë të një një autori, do të thotë ta rivendosësh atë në një mendim vlerësues me të tjerët. Por, është e vështirë të vlerësosh atë nga ana e jashtme: kopertinë, cilësi, titull, emër, që është si ballina e një ndërtese. Ndikimi i parë, dashuria për të fillon kur e shfleton. Dhe është kënaqësi kur lexon një libër të mrekullueshëm si ky i Hamdi Skejës, duke zbuluar pak nga pak vlerat e tij shpirtërore dhe poetike.

   Janë disa fakte që e bëjnë më të këndshme leximin e vëllimit poetik “Ekstremume”, të Hamdi Skejës.

 -Përputhja midis ndjenjës dhe arsyes, për të krijuar një realitet të besueshëm poetik. Arsyeja dhe ndjenja që e dëmshpërblejnë njëra tjetrën, ku shpesh atë që le mangët  apo nuk e rrok arsyeja si koncept logjik e mbush ndjenja, emocioni, pasioni e vrulli shpirtëror. “Shpesh herë- thotë Xhefersoni - zemra ka arsye që arsyeja nuk i njeh“ Kjo nuk ndodh me vëllimin në fjalë.

   -Vëzhgimi zhbirues, intim i një realiteti jetësor, që çdo sy i zakonshëm mund të rrok. Zhbirimi poetik i mjedisit vjen natyrshëm nëpërmjet një njohje, një imtësie të elemeteve të natyrës, dhe kthehen në vargje frymëzuese përmes një sinqeriteti krijues intim.

   -Pamja e dashurisë, që është mbizotërues në vëllimin poetik  “Ekstremume” mbeshtetet në një mori e koklavitur përpjekjesh e pasionesh, ku i pari shërben si ndriçim i të dytit, e i dyti shërben si ushqim për të parën.

   Por, të tre këto motive realizohen jo vetëm nëpërmjet një gjetje të qelibartë poetike, edhe në mendimin real, intim e simbolik të mjedisit jetësor. Ajo që e dallon poetin Hamdi Skeja është edhe një tjetër veçori, guximi për të rrokur tema, problematika e fenomene të vogla në dukje, por që në fakt janë oksigjen që ushqejnë jetën. Duke shfletuar në detaje vëllimin poetik “Ekstremume”, të Hamdi Skejës takohemi artistikisht në një mozaik shpirtëror, i cili është rrethuar nga mistere ndjenjash që kërkojnë një çelës për t’i zbërthyer. Çdo krijim i tij flet për një emocion, për një enigmë, por, edhe një mbështjellje shpirtërore. Autori zbulon përmes figurës, idesë, mendimit, e muzikalitetit të vargut, shpirtin dhe botën e vet. Imtësitë jetësohen e herë përthithen nëpërmjet një figuracioni dhe lartësohen të sëndërtuara ndjenjërisht, duke lidhur të ndërsjellë arsyen e shëndoshë. Por ato herë kanë një masë të caktuar mendimi dhe herë një limit të tillë të kapërcyer gjithashtu. Edhe kur poeti duket sikur bën lojë fjalësh, ai prap nuk i largohet ndjesisë dhe rregullit poetik.

     Nga pesë ciklet e ndara të vëllimit poetik, “Ekstremume” të Hamdi Skejës, ai për dashurinë është më i ndjeshmi, më i arriri artistikisht, që të bën ta duash jetën në çdo qelizë të saj. Për autorin ndjenja e dashurisë është zbukurimi i shpirtit, që në shekuj ka ‘‘mposhtur’’ njerëzimin. Përmes një gërshetimi të fuqishëm, ku gjithmonë urëlidhëse është ndjenja dhe arsyeja poetike, autori mundohet të përputh ekstremitetet e të lartësojë portretin e dashurisë së vërtetë: “Dashuroj Dashurinë e dashurisë/Përjetoj përjetimin e përjetësisë”.  Është kjo dashuri jetike, e domosdoshme për vazhdimësi e arritje fitoresh, se ndryshe “Vdes vdekjes së vdeksisë” e nuk mund të “Ringjallesh prej ringjalljes së dashurisë!”. Burimi i ngadhënjimit e i mposhtjes së gjithçkaje të keqe në jetë, është vetëm një, dashuria, sepse siç thotë dhe poeti kur ai është “Plakur prej dhimbjes” së plagëve të jetës, përsëri është rinuar dhjetëfish nga puthja dashurore. Poeti braktis çdo pengesë, çdo vështërsi e përshtirosje për të shijuar deri në fund bukurinë e jetës, dhe “prangat e dashurisë” i duron “sepse ato nuk e lenë të jetë rob i vetmisë”.

    Në ciklin tjetër me një titull mjaft të gjetur “Rrugë kotësie”, poeti thekson se në labirintet e jetës gjen edhe trishtim, pakënaqësi, urrejtje, mosrealizime, që nuk është e lehtë për t’i përballuar. Me mendje dhe zemër, me këmbë dhe me shpirt, poeti ecën në “rrugë kotësie”pushon pak “në lëndinën e fatit të zi” përballet me “ zhgënjime të rënda të jetës” dhe trishtohet përsëri kur nuk arrin të shoh dritë në shpirt. Poeti shtjellon praninë e mendimit, se është kotësia një element i kësaj bote, që herë të çmend me mendësitë e kulluara, herë të mbyt me prapësi budallallëqesh. Ndaj dyshues poeti pyet “Çdreq bote është krijuar me kështjella padrejtesie?” retorikë kjo që të kujton dyshimin hamletian “që të rrosh apo të mos rrosh, kjo është çeshtja”, në “këtë botë të çthurur e pa moral”. Edhe kur ndonjëherë atë e mbulon pesimizmi, ai shpejt ngrihet mbi ndjenjat dhe nostalgjitë, mbledh forcat për ta shijuar jetën gjer në fund në çdo grimcë të saj. Jeta shpeshherë nuk është ashtu siç shkruhet, por ashtu si merr frymë, ashtu si bie ose lartësohesh, ashtu si qan ose si qesh. Janë pikërisht, të pashkruarat e jetës që të bëjnë të mendosh, të vuash, apo të gëzohesh. Sepse ndodh që gjatë përplasjes me dallgët e realitetit “shembet çatia e ëndrrave”,  i humbet disi filli i udhëtimit për ku është nisur, dhe bie në një plogështi, por ai as vet nuk do ta pranojë kur deklaron “si eca kështu, pa zbuluar kush jam, çfarë kam në shpirt”. Poeti endet në rrugët bardhë e zi të jetës, të kuqe e të gjelbër, dhe kërkon të kap të bardhën e të braktisë të zezën, megjithatë fati e katandis në honin gri“e kuqja e shpirti e gjakosur dhe gri dhimbja e prarosur” – shkruan ai…

    Mbas ciklit të dytë “Rrugë kotësie” poeti dikur e mbledh veten, mposht dhimbjen dhe trishtimin, hallet e paudhësitë, e pasi është rrëzuar “kalldrëmeve të dhembjes” shfaqet në një horizont plot dritë, e thërret i ngazëllyer “mbijetova” duke gdhendur si një diçiturë të një ardhmërie plot shpresë vargjet: “Kur u ktheva në fillin e shpresës /për jetën u shërova …/Mbijetova!”. Natyrisht kjo poezi dhe të tjera i ngrenë hymne shpresës. Ato janë edhe refleksionet e mozaikut të ndenjave. Thërrmijat e tyre janë mbështjellë edhe me mllef ndaj padrejtësive të kohës. Tek poeti ndjehet ky zhgënjim për kohën që po jetojmë, e cila shmang vazhdimisht njerëzoren, dhe është e parapanushme si bota e “baltëzimit”siç e quan ai. Sipas poetit, baltëzimin se duron as gëzimi as mjerimi, as vdekja, as mashtrimi. Thirrja e poetit është e thjeshtë dhe e sinqertë; “Mos baltëzo!”. Ndaj ai përherë ngre një piedestal shqetësimi kujdestar: “I baltëzuari baltëzon, gëzimin dhe mjerimin përballë njerëzimit”.

    Në ciklin “Rrënjët e mija”autori bën jo vetëm një përgjithësim të një jete që iku, por dhe jep idenë e vazhdimësisë së traditave edhe ripërtëritjen e brezave. Diku gjen vargje të dobëta, prozaizëm pa figuracion, por ka dhe vargje që të frymëzojnë, të ngjallin nostalgji e njerëzillëk, kur shkruan: “Tek molla s’vijnë më burrat e vjetër/ të ulen këmbëkryq si dikur/ trishtueshëm erdhi një kohë tjetër/ në vend të mollës është vënë një gur”.  Autori, duke u shkrirë në rrëfimet poetike, që i ka bërë pjesë të vetvetes, tregon lidhjen me vendlindjen, hyn dhe bisedon me të, e “shtëpinë, më se gjej si atëherë”, por shton idenë se familja është gjëja më e shtrenjtë në jetë dhe çel lulet e rëndësishme të shoqërisë.“Ti ëndrra, qënia, shpirti im /falë teje jetës i vura emrin gëzim”.Më mirë se kaq nuk mund të përshkruhet lidhja midis brezave e traditave, përkushtimi familjar, lufta e vazhdueshme për të mbajur ndezur prushin e tyre.

     Para se ta mbyllim këtë zbërthim të shkurtër për vëllimin poetik“Ekstremume”, mund të përmendim disa të meta, që nuk ja zbehin vlerat poezive të Hamdi Skejës. Së pari, poeti mund t’i shmangej deri diku rënies në një pesimizëm e fatalizëm të pajustifikuar, në disa raste si : “eca me ç’fat …”, “fati im është pa fat…”, etj. Së dyti, në mjaf raste ka përsëritje mendimi, ndjenjash e ide në të njëjtat poezi, ku fare mirë mund të vendosej në libër vetëm njëra nga ato. P.sh mendimi i të shprehurit tek “Pesha e natës” është përsëritur edhe tek poezia “Zhgënjimi” ashtu siç ndodh në anologjinë midis poezive të tjera. “Rrugë e trishtuar” dhe  “Ma thoni”. Ka ndonjë poezi të varfër artistikisht si “Mall mërgimtari” ku poeti ndoshta, duke mos e njohur në intimitet kalvarin e kurbetit, që nuk po i ndahet edhe sot shqiptarëve, bie në prozaizëm e folklorizëm, kur shkruan vargjet si : “Mërgimi më ka drobitur/ as gjumi i natës s’më zë”. Por në përgjithësi poezitë kanë një figuracion original, e të mbushur me krahasime djaloshare, që të mbeten në mendje. Mbisundon vargu koçiz, me idenë kryesore që përshkon, se kjo jetë ka nisur e do vazhdojë midis ekstremiteteve dhe vazhdimsisë së brezave, gërshetimit të madh të vjetrës me modernen, dhe se të jetosh nuk është thjeshtë luftë, por dhe fat.

     Figurshmëria e kësaj poezie befasuese, është një përpjekje për të ndërtuar sinonimi realitetesh, e për të vështruar më thellë, dhe më gjërë, të vërtetat e padukshme dhe të prekshmen njerëzore. Rruga e zbërthimit të tyre natyrisht është një qëllim në vetvete, i përmasave të shpirtit, dhe një moto për autorin në të ardhmen.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
4.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1