Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ESSAY | HIJA MISTIKE E REXHEP BELIT

HIJA MISTIKE E REXHEP BELIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image HIJA MISTIKE E REXHEP BELIT

HASAN SELIMI
 
                             HIJA MISTIKE E REXHEP BELIT
 
    Sa e sa herë më ka ardh në mendje të bëj diçka shkencore për Rexhep Belin! Të bëj diçka që i ka hije këtij burri. Që i rrinë mirë dhe nuk ka dilema. Duke qenë një nacionalist krahinor, më takon si shipshnjan të shkruaj, më takon si Sadi, më takon edhe për mirënjohje, e cila është pjesë e çdo njeriu nëse e praktikon. Mendoj se mirënjohja nuk është vetëm mbarësi, por detyrim biblik. Kështu fillova të jem unë penda e mirënjohjes.
Thonë se është e pamundur ta përshkruash këtë sufi, si nga ana mistike ashtu edhe nga ana njerëzore si lloj, si fjalë, si drejtim, si fshehtësi. Thonë se Rexhep Beli, qe një nga njerëzit ma të pa lexuar, jo vetëm në veprimtarinë e tij, por edhe në misionin e tij mistik. Ai qe një nga ata që veprimin dhe filozofinë e tij e ndau me vetën dhe me hyjn. Të tjerët e patën të vështirë t’i njohin praktikat e tij, të njohin fjalën e tij, të marrin nga ai, një, që thuhet shpjegim për masat. Deri atje ka shkuar qënia e tij sa, në asnjë rast nuk ka patur dalje që mund të dëshifrosh praktikën e tij mistike. Helmetizimi i veprimit dhe mos veprimit të këtij eremiti, qe një praktikë numër një për të, si e askujt tjetër nga sufit. Unë e quaj art në kuptimin praktik dhe filozofik gjendjen dhe praktikën e këtij njeriu ose më mirë mbinjeriu. Thuhet shpesh se, feja dhe njeriu, dilemat mes atyre dhe prejardhjes të dyjave bashkë edhe si materie edhe si fenomen, bile edhe prejardhjes së njeriut, janë prezente nga çasti i tyre historik e shoqëror. Mendoj se feja dhe arti janë bashkudhëtar, bile çlirues dhe shpëtimtar, në sqarimin dhe aplikimin e mendjes njerëzore në tërësi.
          Në kuptimin material Dervishi ishte trinomi i krijesës. Dallohej qenja e tij si bjeshkë. Dallohej edhe hija e tij, si e një mali në përendim të diellit. Dallohej mençuria dhe krijimtaria praktike intelektuale. Dallohej fuqia dhe energjia që çlironte. Ai rrugëtonte në heshtjen e tij dhe praktikonte epokë. Në kohën e rrugëtimit tij mistik dhe me plot gojën eremit (harabati), kushdo e kuptonte se ka në krah, ka përpara, ka mbrapa një njeri që, me fjalën e thjeshtë e përcakton tek mbinjerëzorja. Rrallëherë e gjeje këtë mbinjeri në realitetin objektiv. Në shumë raste e në të gjitha rastet, me fjalën mbinjeri, kuptojmë jo thjeshtë atë që lenë pas shpatullash të gjitha vështirësitë, por ai që ka besim në vetvete, në forcën e tij të brendshme për të duruar dhe përballuar çdo fat i shtynë pengesat deri në hiç. Nga puna, ngarkesa e tij mendore dhe vëzhguese, nga toka deri tek yjet, Atij nuk i mjaftonte koha të jetë i lirë në pjesën më të madhe të disponimit, në radhën e kohës. Të gjithë këta element i duhej t’i kryente në kohë të rregullt, element që shumëkush i kryente dhe i kryen në kohë, si të jetë. Bile ka edhe nga ata që nuk i kryejnë fare. Ai në rrugëtimin e tij misionar mbante me vete një peshë të pa konceptuar nga dikush e shpesh nga shumëkush. Këtë gjendje të tij mund ta kuptonte vetëm Shejh i tij. E kjo, deri sa Dervishi veçoi djalë e bashkëshorte, larg tij. Pas këtij veçimi me qënien e tij askushi nuk mund të futej mes mendimit si materie të Rexhep Belit dhe Hyjt. Në aspektin forcë këtë Dervish mund ta përcaktojmë saktësisht ose prerazi, mes diferencës e fenomenit, e cila vjen nga një diferencë e forcës. Tash në konceptin tim në rrugëtimin mistik ka diferenca edhe forca edhe në manifestimin e saj, bile shkohet deri atje sa, forca dhe energjia janë krijimtaria e rrugëtimit të një eremiti, fantazinë e të cilit e veshin me mjetet praktike të dritës edhe si energji, dhe të zjarr- ujit si jetë e shkatërrim. Ne e kemi të përditshëm elementin ajër, ajri, i cili na paraqitet në formën e frymës. E kjo ngop njeriun dhe gjithë gjallesat me oksigjen, që është jeta. Por në aspektin mistik këta katër element janë në dizpozicion të çdo gjallese.  Kjo në kuptimin jetësor, por në kuptimin mistik, këta katër element dhe vetëm njëri prej tyre është pjesë përbërse e një emir, që identifikon një gjallesë. Këtu hyn edhe njeriu.
          E thamë më lart se energjia dhe drita janë element të fantazisë krijuese të mistikut. Duhet të kuptohet nga të gjithë se, një mistik i rrangut si Rexhep Beli ban dritë dhe ban errësirë në mënyrë të barabartë. Kjo drita e mistikut vjen si energji e brendshme në kuptimin e realizimit porpocional me vetveten. E kemi dritën dhe zjarrin, kemi terrin dhe ujin, kemi ajrin, por nuk duhet harruar materia. Ne kemi materien gjithësi, që shpesh rëndomtë i themi shumë shkurt,- tokë. Të gjitha këto Dervishit tonë i japin një forcë ernergjie që, me plot gojën mund të bënte një central energjitik. Shumëkush e ndërton një pyetje se, si ndodh kjo që, energjia qenka e Dervishit dhe jo e të gjithëve. Unë mendoj se në rrugën nga uji i ëmbel (sherbet) deri në fund të jetës rradhës, mistiku, ose siç i thonë në gjuhën shkencore sufi, ka energji detyruese për vete edhe për të tjerët. Ka një garanci dhe këtë garanci e lidhë me vetvetën, këtë garanci e lidhë me udhërrëfyesin e vet, e lidhë me praktikat e tij, e lidhë me dorëzansit, që janë engjëjt e padukshëm, e lidhë me përkushtimin dhe koshiencën në shkrirje me hyjn. Kështu shpesh e disaherë në ditë është një me Zotin e gjithësisë. Kështu, Ai, Hyji i përgjigjet nga përkushtimi i sufis, apo mistik thuaj si të duash, por masat i thonë dervish. 
          Kalibri i Rexhep Belit vjen si armët, ose si rrufeja, në rastin ma të keq, si bubullima para e pas shiut. Ky sufi ka një kaliber si një armë e kohës moderne dhe gjithëherë që kohët kapërcejnë. Dhe teknologjia kapërcen, e kështu në çdo kohë ka mjetet e veta, ka njerëzit e vet. Në kohën e Dervishit tonë qe një kohë me mjete pune të kalibrit të lartë për atë kohë. Rexhepi qe një mjet në duart e Zotit, mjet i një kalibri të paarritshëm. Myrshydi që ndërton një dervish si Dervishin tonë ka detyrime: Të njohë Kuranin, të dijë dhe t’i japë për njohje dhe mësim përmendsh qënies dervish, duke iu dhanë edhe kuptimin gjithë emrave të zotit, që i nevojiten në cilëndo kohë, të njohë fjalën e përcaktuar nga perlat e Kuranit, këto fjalë, t’i njoh dhe t’i interpretoj, po ashtu ajetet ose paragrafet e Kuranit,  të mësoj dhe t’i shpjegoi për cilindo që i nevojiten, të dijë sure (kapituj) të Kuranit dhe t’i lexoj ato sipas nevojës njerëzore. Këto elemente janë me shifra që, brenda një kohe duhet t’i mësoi eremiti dhe t’i recitoi në nevojë. Element të tjerë që Dervishi duhej t’i kryente në kohë reale dhe të ngutshme janë edhe super ngarkesat që vijnë për shkak të përmbushjes së detyrës. Këto fjalë për cilindo janë sekret. Dervishit iu dorëzuan në vesh, në kohë nga shejh i tij natën e madhe, që e rriti dhe e ngarkoi me misionin e rrugëtimit deri sa ne nuk e kemi as të lejueshme të japim adresën e tij.
Rexhep Beli lindi në Lagjen Boshnjak të Shipshanit me datë 11. 04. 1907. Ai lindi me martesë nga Bel Salihi e Bute Pulanja. Kjo nënë e naltë, erdhi nga  Margegajt e Malësisë së Gjakovës, fshat e familje me shumë emër. Jeta e rradhës e Rexhep Belit u ndërpre në vitin 1978. Pikërisht me 02.02. Me këtë datë-vit kaloi për në amshim (arshiala). Rexhep Beli ishte një djalë i lindur dhe i rritur në Malësi të Gjakovës. Ka patur një djalëri të rregullt me kritere burrënie, e kësaj në malësi i thonë “fije burri”. Djalëria e tij qe shumë dinamike, jo vetëm në punë e oda, por edhe në gara të ndryshme të lojërave popullore, traditore të kohës. Me kalimin e kohës, figura e tij rritej me shpejtësi dhe, sikur po i kërkohej të ndahej nga realiteti objektiv, krejt natyralisht e njerëzisht, Rexhepi u martua në fshatin Shoshan. Martesa e tij qe në një familje me emër dhe me tradita të mira atdhedashurie. Vëllezërit e nuses së Rexhepit, Niman e Hysen Kadria u rradhitën në luftë për çlirimin e vendit. Gjatë luftës për rindërtimin e Shqipërisë ata morën pjesë në të gjitha aspektet e jetës shoqërore.
Në një moment të shndërrimeve nga realiteti, në atë të mbinjeriut, Rexhepi vendos të çlirohet nga ngarkesat gjakësore dhe me lejen e Shejh të tij veçon nusen dhe djalin. Këtë barrë ua ngarkon Niman e Hysen Kadrisë, si njerëzit ma të besuar për moralin e familjes dhe mire-rritjen e djalit tij, Ahmetit. Pas kësaj, Dervishi nuk qe në asnjë moment të dukshëm dhe i lire, gjendja e tij ishte përherë njësh me Hyjn.
Ne i thamë më lart detyrimet shkollore që duhej t’i kalonte për një ditë, por nuk përmendem këtu praktikat e çdo ditëshme, si detyrim i dhanë nga Shejh i tij. Detyra që zanë minimalisht për një eremit si ky, ma shumë se gjysmën e kohës së rregullt. Në këso ngjarjesh e këso paraqitjesh, ky njeri ose më mirë mbinjeri, u kthye në legjendë. Për të gjithë njerëzit u ba mit dhe mitizimi i tij arriti deri atje sa në çdo veprim, apo praktikë të formësuar nga fantazia e energjisë shpërthyese pas ritit të zakonshëm, njerëzit mendonin se, kjo do të dalë dikund. Kjo çoj në një skenë që edhe sot përmendet me nostalgji; kur ai vendosi të heq mjekrrën dhe të heq flokun e kokës, të gjithë njerëzit u mërziten se tani diçka po ndodh. Më vonë e pak, sa kaluan gjashtë muaj, u vendos ndalimi i praktikimit të besimit në tërësi.
Burri, Rexhep Beli ka patur simbolet e tij. Ato i mbante dhe gati gjithëherë i tregonte me ngut e herë të ngatërruara sa, zor kush e kuptonte. Simboli i tij qe kufiri dhe guri. Ai lidhte shumë gjana dhe ndodhi me gurin, si: “u rrëzue guri”, “u shemb shkalla e gurit”, “guri i kufirit” e të tjera. Gjithkush e mban një të preferuar, ndërsa ai kishte të preferuarin e tij, Babë Kadri Mehmetin, Dervish Sadi që kaloj një vit para lindjes së Rexhepit. Ndoshta këtu kemi të bëjme me rikthimin sa fizikisht aq edhe shpirtnisht. Në kohë e hapësirë të njëtrajtshme, me të fshehta që nuk mund të thuhen. Sufitë në kohën e kalimit reagojnë dhe krijuesi iu pranon rrebelimin me kushte të përcaktuara nga ai vet, por në të njëjtën hapësirë. 
Në disa raste më ka rënë të qëlloj aty, ku flitet për këtë njeri jo të zakonshëm. Më ka ndodh të jem aty, ku ka qenë bujtës, apo mysafir, tek të dashtunit e tij, i pranishëm dhe në reagimet në këso ambjentesh si në një ambjent me rregji. Sa orkestronin në kombinim të veglave muzikore, sa këndonin si me qenë të shkolluar në konsevator, sa bisedonin për punët e ditës, të shkollimit e punët e burrave dhe po t’i vendosnim në konkurim do të merrnin vendin dhe çmimin e parë.
Në moshë të re u pranue dervish nga Shejh Bani Plak për një natë, dervish i rrangut të parë. Flas të rrangut parë, sepse ai u betue dhe fjala iu tha në vesh ashtu siç i erdhi shejh, e kjo i erdhi për eremit (harabati). Harabatia nuk ka uniform, por është në një shkallë, apo gradë të lartë dhe ma i dashtuni i Shejh. Veprimtarinë e kreu në Malësi të Gjakovës. Aty u konfirmua si një njeri që mban me korrektësi amanetin e dhënë natën e fjalës së madhe. Në të gjithë trevën e Malësisë flitej se ky Rexhepi është i ngarkuar të ruaj shtetin dhe kufirin. 
Të gjithë njerëzit që aderojnë në rrugën e drejt ose siç thuhet tarikat, kanë një mision dhe mund të marrin edhe rrugës misione të tjera shtesë. E lidhun me konceptin mision, e pranoj se ka patur edhe si mision ndoshta atë të ruajtjes së shtetit dhe të gurit të kufirit. Unë i qëndroi konceptit se, njerëzit e tarikatit duhet t’i plotësojnë dy kushte dhe t’i kenë jo si simbole, por si gjënë e lindur me to. Këto janë sekrete dhe sakrifica. E nëse në sekretin që mbajnë sufitë, kush e dinë misionin e vertetë të Rexhep Belit. Unë mendoj se të gjithë hamendsojnë. Hamendsojnë për misionin, pasi në mendjen e Shejh ka qenë vetëm Zoti i plotfuqishëm natën e madhe për Rexhepin dhe krejt Malësinë që e gëzon dhe e vlerëson ky emër. Në shumë ngjarje individuale dhe kolektive, njerëz të rrugës drejt janë nis për tek Rexhep Beli, që të gjejnë zgjidhje dhe shërim në konceptin hyjnor. Këtë e ka vetëm Rexhepi dhe vetëm ai mund ta kryejnë thoshin dijetarët, sufi në Malësi. Është fakt i njohur botërisht se, Dervishi i Malësisë nuk ka fol kurrë dy herë për të njëjtën gjë. Ai me një praktik krejt transparente ka zgjidhur një problem sado i ndërlikuar ka qënë. Asnjëherë në jetën e tij nuk ka pranuar bakshish, ose siç thuhet në gjuhën e fesë islame, apo të kshtën (nezer, apo urat). Ai këtë e ka marrë nga njerëz të dashtun dhe të besuar, të shëndetshëm, apo të dukshëm, të zgjuar dhe të devotshëm.
Kush ishte Shejh Bani Plak. Shejh qe një ndër klerikët më me emër në tërë trevën shqip-folëse. Një mistik i devotshëm dhe koshient për punë të mëdha, siç qe puna për edukimin fetar e mistik me Rexhep Belin. Shejh lindi dhe u rrit në Gjakovë në një teqe me eksperiencë të largët, që daton rreth shekullit 15-16. Ajo teqe, siç thirret teqja e Shejh Ahmetit, u themelue nga Haxhi Za Baba. Këtu qe edhe tyrbja  e parë në Rrafshin e Dukagjinit e deri në Shqipërinë e Mesme që themeloi prijësi ynë Sadi Haxhi Za Baba për Shejh Ahmetin, tani dëshmor i çeshtjes kombëtare dhe mistike. Them dëshmor se kështu e kanë cilësuar saditë, bile edhe tarikatet e tjera. Këtë titull i vuni Shejh i tij Sulejman Bushatlia (Haxhi Za Baba). Shejh Bani është pasardhës i shumë shehlerve të kësaj teqje që nga shekulli 15-16 e deri tash. Ka qenë i shkolluar masëmiri deri edhe për imam. Ka njohur Kuranin përmendësh dhe ka ditë ta lexoj në gjuhën Arabe. Njihte shumë gjuhë të tjera. Filozofia e tij ishte që të afroi njerëz për dervish, ata njerëz që e kanë nga Zoti. 
Rexhep Beli ka qëndruar për dy vjet pranë tij. Ka mësuar gjithçka duhej për mistikën Sufi. Në çdo javë ka qenë pranë udhëzuesit të vet për të marrë gjithë porositë dhe mësimet e nevojshme. Nëse për të tjerë sufi të Tropojës, themi se kanë qenë pak më shumë se duhet masovik, për Rexhepin themi se ka qënë helmetik dhe aspak masovik. Këtu përjashtohen takimet e ngushta me shokë e përkatsisht me njerëzit e tarikatit të Teqes së vet. Historiku i Teqes se Shejh Banit ka një numër të madh dervishë  me emër, por nga këta spikat Dervishi ynë. Teqja e Shejh Ahmetit është si dy pika ujë të një burimi me Teqen e Madhe të Sadive në Gjakovë. Bile unë mund të them për të gjitha teqet në përgjithësi janë në harmoni dhe korrelacion me njëra-tjetrën, si në aspektin mistik ashtu edhe në kuptimin biblik. Teqja Lart (Teqe e Shejh Ahmetit) dhe teqja e Fushës së Sahatit (Teqja e madhe e Sadive) janë një. Kjo ka ardhë si kallzim i mendores së sufive të Malësisë. E them edhe për një fakt tjetër se, të dyja këto Teqe i ka themelue Haxhi Za Baba, si njëshi i sadive në tërë Ballkanin, ose siç quhet pirë që do të thotë udhëheqës.
Si mos të spikasin ky njeri ose mbi-njeri. Më lart thamë se mbinjeriu nuk shikon se ç’ka lenë pas shpatullave të tij. Po është e vertetë se Rexhepi për çështjen, misionin, bindjen, koshiencën, besimin braktisi ose veçoi krejt familjen e tij. Sakrificë kjo që e bajnë njerëz si ai ose vetëm ai. Me këtë akt, ky mbinjeri kallzoi se përkushtimi vijon deri në hiç. Fjalët që lëshonte në rrugëtim, në një takim rastësor, në një festë fetare, apo në një tubim Sufistësh nuk kuptoheshin. Ato vinin direkt nga Hyjt dhe pa ngatërrime. Dëshifrimi i tyre dilte me ndodhitë në të ardhmen.
Me kalimin në amshim, Dervishit iu ndërtue Tyrbja nga të afërmit dhe pikërisht djali i tij Ahmet Rexhepi. Ahmeti i cili erdhi nga SHBA-ja dhe financoi ndërtimin e tyrbës së të atit e dashamirit të gjithë Malësisë. Të gjithë besimtarët kontribuan me mënyra të ndryshme. Aty në tyrbe në Rrazkenic, vend i dëshiruar për së gjalli nga Rexhepi për prehje të përjetshme, tani shërben Dervishi i tyrbës Muharrem Bilahi. Ky dervish shërben me mundësi dhe kulturë të dlirë. 
Në kohën e fëmijërisë time, ky burrë dilte atje ku nuk e parashikonte as mendja shumë dinamike e fëmijës. Ai kalonte pranë njerëzve si hije dhe largohej hijes së njerëzve. Me çdo kusht, ai nuk ia lejonte vetes të shkelte hijen tënde dhe as ty s`të lejonte të shkelësh në hijen e tij. Përpiqej të mos udhëtonte në errësirë, që të mos shkelte, të mos dëmtonte milingonat, apo gjallesat e natës rrugtare. 
Na bënte përshtypje çdo lëvizje e tij dhe ne bënim gjithëfarë hamendësimi për të, deri sa kalonte caqet e njerëzores e të tokësores. Aq shumë flitej për të sa ai u ba mit. Në rrugë mbante shpesh një ibrig bakri, ose llamarine dhe mbushte ujë në çesmën e qytetit të vjetër. Nëse sipër kësaj çesmeje kalonte dikush, ai me qetësinë prej eremiti të vuajtur e të kalitur në rrëmujen e sakrificës, e derdhte ujin dhe qëndronte në këmbë deri sa largohej njeriu, apo gjallesa nga sipër rrugëkalimit të tubacionit që sillte ujin në çesme.
Në shumë aspekte të jetës e biseda mes njerëzve një pjesë e kohës kalonte në analizë të veprimeve praktike të tij. Nuk kuptoja se ç’ka ju duhet njerëzve dhe çka ju nevojitej veprimtaria e heshtur e tij. Kjo më ban përshtypje edhe tani. Por duhet ta them se, mitologjia lindi nga njerëzit dhe u praktikue nga vet njerëzit.
Filozofia e eremitëve ose siç thuhet “harabati” në gjuhën terminologjike të sufizmit popullor, rrjedh nga përkushtimi dhe vendosmëria vetmohuese deri në flijim. Jo vetëm në kuptimin infinit të jetës së rradhës, por flijim deri sa, as qetësinë apo gëzimin ma të vogël mos ta përvetësosh. Këtu është hija mistike e sufiut tonë të paharruar Rexhep Beli.

Comments (1 posted):

Vasil Vasili on 14/04/2017 15:31:29
avatar
Është një studim i korrur... në kohë të pjekurisë.
Ka shumë mënyra të këqyruri të jetës. Mistika është nga më të vjetrat dhe nga më të habitshmet. Dikush i beson mistikëve, dikush jo.
Mistiku i një tarikati duhet të përmbushë fefilozofinë e hyjit të tij dhe të ketë brenda gjendje shpirtërore të vetën për çdo rrethanë të rëndësishme.
Shpirti i njeriut ende është mister. Mistikët në vend që t'ja dlirin dritën njeriut, me pak dritë të tyre të hedhur kithët mbi shpirt dhe mbi kohë e mbyllin pamjen për njeriun e rëndomtë.
Mistikja është krijuar për të mos u treguar. Nga një këndvështrim tjetër s'ka asgjë mistike, veç përqëndrimit shpirtëror për të lexuar jetën pa ndërmjetësinë e marrëdhënieve të rëndomta.
Bektashizmi ynë është një fefilozofi me thellësi kohore. Ai i ka shenjat e tij prej paganizmit dhe nga eremitët e mesjetës. Ai është një ekektizëm filozofik dhe teologjik.
Bktashizmi është fefilozofia kolektive popullit shqiptar.
Nuk është e rastësishme që shenjat kryesore të shpërfaqura nga sufiu Rexhep Beli ishin guri dhe kufiri.
Guri vjen nga kohërat dhe kufiri vjen nga gjuha. Atje ku flitet gjuha është kufiri. Mistiku gurit i thotë lëndë e kufirit dhe gjuhës i thotë lëndë e brendëshme e kufirit. Guri dhe kufiri janë të barabartë me gjuhën. Sufiu i shton gjuhës edhe Absolutin.

V. Vasili

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1