Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | ESSAY | Për lexuesin libri “Pa Koment” i autores Vilhelme Vrana Haxhiraj

Për lexuesin libri “Pa Koment” i autores Vilhelme Vrana Haxhiraj

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vilhelme Vrana Haxhiraj

Për lexuesin libri “Pa Koment”i autores Vilhelme Vrana Haxhiraj

 

   Para pak ditësh doli nga botimi vëllimi  me titull “Pa Koment”, libri i dytë me ese-publicistikë i  autores Vilhelme Vrana Haxhiraj. Ky libër i botuar nga ShB, “Nacional” ,me redaktor Mujo Buçpapën, me kopertinën e kompozuar nga autorja e u punua mjeshtërisht nga Jorgo Saqellari, me fotot e menaxher Fitim Haxhiraj dhe me parathënien nga Gëzim Llojdia. Në këtë libër me larmi temash autorja Vranari ka vënë në dukje problemet social- politike që shqetësojnë komunitetin familjen dhe kombin.Libri “pa Koment”me tematikë të gjerë, përfshirë në 368faqe, duket si vazhdimësi e librit të parë me ese publicistikë “ Pa Titull” me 320 faqe,që u botua më 2011. Janë dy libra që flasin për aktualitetin shqiptar, marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe zhvillimet demokratike në vendin tonë, “…ku mesazhet  përbëjnë pjesën më të lexueshme. Janë spontanë dhe magjikë për t’u lexuar me një frymë. Mbartin mjaftë ngarkesë emocionale, atdhetare e përcjellin mall të zhuritur emigrimi.

Publicistika e autores Haxhiraj në këto dy botime tregoi se kjo gjini nuk është thjeshtë një kronikë ngjarjesh, por art më vete. Publicistika e Vilhelma Haxhiraj tregoi me këtë botim mjeshtërinë, si dhe format e pasqyrimit e të mjeteve shprehëse që karakterizojnë esenë dhe publicistikën  e saj, e cila në themel ka parimet estetike të ndërtimit të një vepre letrare, që e dallojnë atë nga gjithë format e tjera të krijimtarisë fjalore. Në literaturën teorike është pranuar lidhja midis poetikës së letërsisë dhe poetikës së publicistikës letrare. Kjo vlen për të njohur si ngjashmëritë, ashtu edhe tiparet dalluese midis tyre;për të patur përfytyrime të sakta mbi strukturën përmbajtësore dhe estetike të llojeve të publicistikës letrare dhe për ta afruar atë me letërsinë, brenda dimensioneve që nuk cënojnë identitetin e saj, por gjithashtu, edhe thelbin social, mënyrën specifike të shprehjes së mendimit në këto lloje publicistike sa moderne dhe po aq e adhurueshme  për një lexim të këndshëm, ku, edhe ke se çfarë mëson.

Dhe tani para lexuesit autorja Vilhelme Vrana Haxhiraj vjen me botimin e saj më të ri me ese-publicistikë me titull „ Pa Koment“, jo më pak intrigues dhe po aq i bukur si libri i parë. Në të janë përfshirë 103 tituj me ese dhe publicistikë, ku autorja trajton sa e sa probleme sociale-politike e juridike që shqetësojnë atë dhe gjithë shoqërinë. Leximi i këtij libri për cilindo do të jetë jo vetëm kënaqësi dhe shlodhje , por temat e përfshira në këtë libër, të bëjnë të mendohesh dhe të pyesësh ndërgjegjen: „Përse ndodh kështu vallë?! „

                                                                 Gëzim Llojdia

 

Për ju lexues…Të vërtetat lakuriqe!

 

 Këtë libër eseistik e publicistikë, ua kushtoj gjithë bashkëpunëtorëve të mi, atyre që kanë ndihmuar për daljen në dritë jo vetëm të këtij libri, por gjithë krijimtarisë sime 20 vjeçare, ku përfshihen që nga familja ime e deri te botuesit, redaktorët, recensuesit,kritikët dhe analistërt e shumtë,piktorët , fotografët, menaxherët, pa lënë mënjanë lexuesit dhe dashamirësitë e letërsisë.

  Gjatë gjithë jetës sime jam munduar që të kërkoj, të udhëtoj  e të gjej rrugën drejt së vërtetës. Për fat të keq sado e pranishme që është kjo e vërtetë, me gjithë lakuriqësinë e saj është e vështirë të pranohet nga cilido. Ne jetojmë me kohën, edhe pse është abstrakte, ajo ecën me ne, na shoqëron në bëmat tona, në ngjitjet e zbritjet, në rrokopujat, në të përpjetat dhe tatëpjetat e jetës. Pra ne jemi pjesë e pandashme e kohës, e cila na shoqëron në çdo hap tonin e në çdo sekondë. Është koha ajo që edhe kundër vullnetit tonë, na ngre sipër në stratosferë si me krahë engjëlli, kurse më pas na ul poshtë deri në gjunjëzim. Por është pikërisht koha ajo që nuk na lë të përbaltemi, por na mëson se si të ringrihemi të rilindur. Gjatë këtyre oshilacioneve që quhen dallgët e jetës, njeriu fiton një përvojë jetike, e cila e mëson atë të ecë në rrugën e duhur. Ndërkohë  hyn në skutat më të errëta të jetës, si dhe në labirintet e padukshme të qenies së tij. Në këtë mënyrë secili nga ne arrin të njohë veten në njëfarë mase. Njeriu sa më shumë të njohë anën e padukshme të tij, aq më shpejt njeh realitetin dhe është në gjendje ta analizojë atë.

Natyrisht së pari njeh anët pozitive dhe ato negative të vetes. Gjë që njeriu bën të mundur që të  krijojë një këndvështrim të ri ndryshe për jetën. Atëherë individi del nga vetja e duke zbuluar të mirat dhe dobësitë e shoqërisë, fillon e i vë në dukje ato, jo me tendencë por me qëllim pozitiv që ato të shndërrohen në udhërrëfyes të njerëzimit. Kjo është detyra e krijuesit, artistit, e eseisti, publicistit apo gazetarit profesional. Sa më shumë vërtetësi të ketë në këtë gjini krijimtarie, aq më shpejt integron individi dhe si pasojë edhe kombi shkon drejt zhvillimit me hapa galopante.Porse kur ndodh kjo? Vetëm kur publicistika, gazetaria , letërsia dhe arti udhëhiqen nga pozitiviteti, kur nuk u mungon etika, estetika, trajtuar përmes një fjalori të pasur, pa huazime pompoze që po dëmtojnë gjuhën shqipe. Kujdesi për të mos lënduar teleshikuesit apo lexuesit, duhet domosdoshmërisht të hiqet dorë, që në përballjen e parë me komunitetin. Nuk duhet të reklamohen të parat fenomenet negative. Përballja e çdo njeriu me të keqen sa hap sytë në mëngjes , e vret atë shpirtërisht, e ligështon mendërisht dhe frenon vullnetin e cilit do, sepse media është epushtetshme m dhe ndikon pozitivisht apo negativisht tek dëgjuesi apo lexuesi.. Sa nis emisioni i lajmeve në ekran të TV, apo në titrat e gjithë mediave me kronikë të zezë, përballja me të keqen, nuk i bënë mirë askujt, sepse as dita, as puna, as ekonomia dhe as gjendja ndërgjegjësore e shpirtërore  nuk shkojnë mbarë. Dita duhet të nis me një lajm të bukur  e të gëzueshëm.

   Ka ardhur koha që të paraqesim një publicistikë apo gazetari ndryshe, pa fjalor fyes apo vulgar. Duhet të kemi parasysh se çfarë po u mësojmë brezave? Pikërisht duke u ndalur këtu, na dalin pyetje të tilla që e vënë median para provës, para përgjegjësisë  se ç’rol luajnë dhe cili është misioni tyre. Autori që shkruan po qe se ka parasysh këto dilema, duhet të matet shumë para se të shkruajë për një problem shqetësues, sepse në vend që të edukojë, apo ndihmojë, artikulli i tij ç’edukon dhe shkatërron. Jo më kot Media është quajtur Pushteti i Katërt, ndaj për misionin madhor që ka, duhet të paraqesë të vërtetat lakuriqe, pa hiperbolizime, pa nxitje dhe mllefe, por vetëm të arrijë që përmes saj, të edukojë mirësinë si kusht për mbarëvajtjen e Kombit. Për të qenë i/e suksesshme, lexuesi ka nevojë për një media të pavaruar nga politika, një media që pasqyron realitetin dhe të vërtetën. Për këtë fushë të komunikimit është e domosdoshme Liria e Medias, prej së cilës në marrëdhëniet shtyp-lexues kërkohet të vendoset drejtësi. Në qoftë se do të kthehemi pas në kohë, sepse ajo na shërben si udhërrëfyes, do të shohim se liria e shtypit ka nisur të vlerësohet në Angli qysh në shek e XVII. Ndaj çdo krijuesi të gjinisë ese- publicistikë, i duhet të lexojë Xhon Milton,të parin që kërkoi shtypin e pavarur përmes librit ”Aeropagjitika” në vitin 1643, i cili i parashtroi parlamentit kërkesën për për këtë të drejtë, që është një nga kushtet themelore të zhvillimit social të demokracive.

 

Shpreh mirënjohjen time për:

 Redaktorin e librit, z. Mujo Buçpapaj, z.Gëzim Llojdia i cili e ka qëndisur parathënien e librit, disenjatorin e mrekullueshëm Jorgo Saqellari për kopetrinën,  Shtëpinë Botuese Nacional në bashkëpunim me shtypshkronjën Europrint dhe veçanërisht falenderoj znj. Blerina Ndreu për punën e kujdesshme gjatë shtypjes! Falenderoj familjen time, sidomos bashkëshortin tim Fitim Haxhiraj për fotot në çastet më pikante dhe punën tij si menaxher! Konsiderata të vacanta kam për lexuesin tim si kritik i paanshëm, si dhe për miqtë e mi kudo që janë në botë! I përshëndes të gjithë përmes këtij libri modest me ese dhe publicistikë!

                                                                                E juaja Vivra

Vlorë më 28 Nëntor 2016

Comments (4 posted):

Armela Hysi on 18/02/2017 23:15:51
avatar
Përshëndetje Zonjës së Nderuar të Letrave Shqipe për Veprën me peshë e vlera, por dhe voluminoze e të pakursyer që sjellë me kaq bujari e respekt për lexuesin!
Past një udhëtim të ndritur edhe ky titull!
Respekt për mesazhin tuaj kaq real dhe të nevojshëm të merret parasysh, në këtë shkrim.

Qofshi me shëndet e frymëzim t' ju shijojmë sa më shumë!

Faleminderit Fjala e Lirë që e sollët për lexim.
kadri Tarelli on 19/02/2017 17:52:58
avatar
Urime znj. Vivra! Po shkruaj me vështirësi.
Pa hyrë në bdrendësi të librit, vetë ballina na flet shumë. duhet guxim dhe trimëri për të hapur sytë dhe gojën, për të protestuar ndaj padrejtësive.
Kadri Tarelli
Durrës
S.Athanasi on 20/02/2017 05:33:42
avatar
Znj. Vivra, përshëndetje!
Njoftimin e daljes në dritë të librit tuaj me esse: "PA KOMENT", e mora me shumë kënaqësi. Por, buqetën me lule në trapezën e shoqërisë sonë letrare emruar XINGOGRAFIA, ne ia dhamë Romeos për t'ia dorzuar Zhuljetës ngaqë ishim në prag të SHËN VALENTINIT. Do të kalonin edhe ca
ditë që të rimblidheshim. Pasi jetojmë në një vënd ku MIELLI BORXH nga EUROPA, mban gjallë një shtet të tërë. Ku, në ndonjë ZYRË FUNERALE nuk çudit kërkënd tabela trishtuese: NUK PRANOJMË SHËRBIME VERESIJE . Pra, në këto brigje të
Athinës, dallgët janë tejet të larta dhe të
krahasueshme me cunamet në oqeane. Për pasojë edhe një buqetë lule që na duhej ta vinim mbi trapezë për librin Tuaj e dashur VIVRA, na duket një luks. Prandaj e vonova ca edhe këtë
shënim. Dhe u kërkoj falje Juve dhe bashkëshortit Tuaj: Fitim Haxhiraj. Por do të turpërohesha, po të mos përmëndja mikun tim, Mujë Buçpapaj, këtij botuesi të veçantë.
Gjithsesi, botimi i një vëllimi me ESSE, për më tepër prej afërsisht 400 faqe, është një punë e krahasueshme me një lindje të vështirë që lë pas shumë garues e mbase edhe personazhe si Zhuljeta në ditën e SHËN VALENTINIT.
Unë bëj pjesë në ata, të paktë njerëz, që do të dal të pres autobuzin e VLORËS ku do të marr darazi librin. Se në të, siç thotë edhe Prof.dr.ESHREF YMERI, do të kem mundësi të bëj shënimet e mia.
Dhe, meqënëse gërmat e librit do të më lodhin, atëhere znj.Vivra do të m'a dërgojë në PdF. Këtu gërmat i zmadhoj dhe lodroj mbi 'to.
Urime, znj.Vivra!
S.Athanasi!
Athinë!
vilhelme vrana haxhiraj on 20/02/2017 15:08:42
avatar
Shumë të nderuar e të respektuar miq! Znj Armela, Z.Kadri dhe Z.Sotir! Më lejoni që të shtoj dhe 4 emra miqsh të tjerë që më kanë uruar te Kosova Media, Prof.Dr.Eshref Ymeri,znj.Lejla Gorishti, Prof. Vedat Shehu dhe botuesin Muhamet Hoxhaj! Ju faleminderit dhe ju uroj suksese në krijimtarinë tuaj! Qoftë e begatë dhe gjithë aromë mëmëdheu, si lulet që po presim të na sjellë pranvara! Znj.Armela dhe z.Sotir, do t'u dërgoj nga një kopje libri me autobuzin e Athinës. Vetëm më lini datë, orë, targën dhe nr- cel të shoferit!
Konsiderata! Vilhelme
20-2-2017

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1