| Su | Mo | Tu | We | Th | Fr | Sa |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Një natë me operan e operave
Këtë radhë shijova një prej operave më të bukura të W.A.Mozart, operan “ Don Giovanni” në “DeVos Hall” në Grand Rapids,Michigan (SHBA), në mbrëmjen e 9 Shkurtit. Megjithëse këngëtarët ishin të gjithë amerikanë, ata interpretuan rolet e tyre në një italishte mjaft të pastër e të bukur ndërsa përkthimi në anglisht ishte vendosur në një ekran të gjatë mbi siparin e skenës. Në audiencë isha bashkë me studjuesin e njohur të fotografisë dhe admiruesin e muzikës, Qerim Vrionin. Ishte një performancë mjaft e bukur, e realizuar në mënyrë madhështore, në një balancë të vështirë, por perfekte midis këngëtarëve dhe orkestres në saj të një drejtimi profesional dhe virtuoz të dirigjentit. “Don Giovanni” i Mozart-it, ka dy akte, por është e vështirë ti klasifikosh këta dy akte. Në njëren anë ka shumë pjesë komike, ndërsa në tjetren bëhet fjalë për një përdhunues,vrasës, maniak seksi i cili pagoi çdo gjë të ligë me vdekjen. Opera e Mozartit ‘Don Giovanni’ është një prej operave më të shquara të repertorit botëror. “Janë tri gjëra në botë që unë i admiroj aqë shumë – Deti, Hamleti dhe Don Giovanni”- shkruan shkrimtari Gustav Flaubert. Ne mund ta çmojmë këtë opera në mënyrë të pakundërshtueshme për muziken sublime të saj, dhe nuk e teproj të them se për 2 orë e 47 minuta dëgjuam vetëm muzikë të bukur. Nga zhvillimi i situatave dramatike mundë të diskutojmë edhe ndonjë nga nënkuptimet që rrjedhin: a mundet që moralin dhe vlerat e kohës së Mozartit ti gjejmë edhe tani mbas 226 vitesh ? A duhet që ndokush të paguaj për mëkatet apo fajet ? ‘Don Giovanni’ është produkt i fundit të shek.18, një periudhë e një ndryshimi të madh politik dhe e revolucionit social. Historia, subjekti i ‘Don Giovannit’nuk është tërësisht realist, megjithëse shumë prej karaktereve janë plot emocione dhe përgjigjen ashtu si njerëzit e përditëshëm. Karakteri-titull nuk është asgjë tjetër veçse një mashtrues, përdhunues, dhe është ky që do të paguaj pagen e mëkateve. Ai vdes në fund të ngjarjes dhe shkon në djall. Mund të thuhet me siguri që Don Giovanni bëri një jetë të kënaqshme për vete dhe kurrë nuk ndjente keqardhje, mëshirë, kur po mbaronte koha e tij dhe mesa pamë deri nga fundi i aktit të dytë, ai asnjëherë nuk u pendua. Shkrimtari dhe kompozitori i njohur E.T.A. Hoffmann e quajti ‘Don Giovannin’, “opera e të gjitha operave”dhe pjesa më e madhe e figurave të njohura të muzikës dhe të artit atë kohë u pajtuan me këtë përcaktim . Ajo është konsideruar gjërësisht si vepra më e madhe e shkruar ndonjëherë, një kombinim ideal i tragjedisë plotësisht humane dhe i komedisë prekëse në një muzikë vërtetë gjeniale. Opera ‘Don Giovanni’, siç shkruan Alfred Einstein, është një “sui generis” i pakrahasueshëm dhe enigmatik qysh prej mbrëmjes së shfaqjes së parë e deri në ditët tona”.Temat dhe idetë e saj prekin dëgjuesit e çdo brezi në të njëjten mënyrë. Madhështia e kësaj opere si në të gjitha punimet e shquara të artit qëndron në faktin se ajo nuk na ofron përgjigje aqë të lehta .
Mozarti dhe Lorenzo da Ponte krijuan një standard të ri për Don Giovannin. Mozarti e takoi për herë të parë da Ponten, që bëhet libretist i tij, në Maj të vitit 1783 dhe fillojnë bashkëpunimin me 1785 për ‘Die Hochzeit des Figaro’ ( Martesa e Figaros). Në Janarin e vitit 1787, një Shoqëri e Njohësve dhe e Admiruesve të Muzikës, e fton Mozartin në Pragë ku, siç shkruante vet ai….. “këtu ata folën vetëm rreth Figaros,asgjë tjetër nuk do të luhet, këndohet, vetëm “Figaro”. Pasquale Bondini, drejtori i theatrit në Pragë, ishte dakord dhe me padurim priste të vinte në skenë një opera të re nga Mozarti . Bondini ishte i interesuar në libretin e Don Giovannit dhe Mozarti ishte dakord por me kusht që ta shikonte bashkë me libretistin e tij, da Ponte. Me 1 Tetor 1787 Mozarti niset për në Pragë për të qenë gati për premieren e operas së re me 14 Tetor. Kur ai arriti në Pragë, vuri re se, ishte e pamundur të bëhej çfaqja me 14 Tetor. Atëhere premiera u dha me 29 Tetor 1787 me triumf të madh. Muzika e Mozartit është mjaft e bukur dhe i kënaq dëgjuesit pavarësisht se çfarë ndodh në skenë. Pjesa më e madhe e simfonive, koncerteve, operave, kuarteteve, qëndrojnë sot në repertorin standard botëror qysh me krijimin e tyre. Kjo, jo vetëm për bukurinë e natyrshme por edhe pse Mozarti kishte admirues të mëdhenj të tij si Mendelssohn, Çajkovski, R.Strauss . P.I.Çajkovski në vitin 1873 shkruante midis tjerash për ‘Don Giovanni’ :…… Mozarti, një gjeni i fuqishëm, i gjithanëshëm, i thellë, absolut në fushen e operas, nuk ka kundërshtar të kohës së tij . Orkestrimi i Mozartit në ‘Don Giovanni’ në krahasim me atë Berliozian ose Mejerbeerian është shumë i kuptueshëm, ariet e tij janë të gjata por edhe me shumë virtuozitet për këngëtarë virtuozë. Interpretimi i operas u bë me një bukuri madhështore, me plot momente dramatike, melodi të bukura, harmoni të pasura madje të thjeshta. Mbi të gjitha Mozarti ishte një mjeshter i madh i karakteristikës muzikore dramatike se, asnjë kompozitor përveç tij, nuk krijoi ende tipe muzikore si Don Giovanni, Donna Anna, Leporello, Zerlina …….. Në ansamblet, skenat ku zhvillohen veprimet dramatike, Mozarti përdori format e paarritshme të krijimtarisë muzikore. Në qoftëse ka opera të cilen mund ta konsiderojmë të paren midis të gjitha operave, Unë do të thosha pa hezitimin më të vogël që në vend të parë është ‘Don Giovanni’ i Mozartit. Mbi të gjitha, çdo krijimtari artistike në muzikë ka bukurinë dhe kjo duket qartë tek operat e Mozartit….. Në ‘Don Giovanni’ ka aqë shumë bukuri dhe material të pasur muzikor sa për një duzinë të operave tona bashkëkohore autorët e të cilave rendin mbas realizmit, të vërtetësisë, besimit në recitativ dhe me naivitetin e tyre donkishotesk harrojnë që kushti parësor i çdo krijimi artistik është – bukuria* .” Më pas shton nga kujtimet e tija :” Don Giovanni ishte e para pjesë muzikore që më magjepsi totalisht mua.Kjo më dha çelsin e mbretërisë së bukurisë së çiltër në të cilen jetoi gjeniu i madh.Deri atëhere unë isha i ekspozuar nga operat e kompozitorëve Italianë. Don Giovanni më bëri mua të vendos që, të gjithë jeten t’ja kushtoj muzikës ....në këtë opera karakteret e skenës të Mozartit janë në një realitet tragjik, të mëdhenj, më të shquar dhe më impresivë se çdo karakter tjetër i parë në muzikë”. Karakteret e operas së Mozartit kanë lidhje dramatike dhe temparamenti me disa nga karakteret e operave Italiane, sqaron Fred Plotkin, ndërsa Don Giovanni është një nga karakteret më sfidues, më prizmatikë të gjitha operave. Ai, për disa është një hero i operas por për disa të tjerë ai është një antihero, është i pabesë, kalon jeten duke mashtruar gratë, është shumë i shthurur në jetë . Çdo artist i madh që portretizon Don Giovannin na sjell karakteristikat personale të veçanta të rolit të tij. Dhe atë mbrëmje në një sallë të mbushur plot, me rreth 2200 spektatorë, baritoni Timothy Mix, interpretues i shumë roleve të Verdit, Puccinit dhe Bizet shkëlqeu në rolin e Don Giovannit . Don Giovanni i tij ishte elegant, aristokratik, i pashëm, cinik, i paturpshem, egoist, i rrezikshëm, një kombinim demonik e joshës në proporcion të drejtë dhe gjithë kohen deri para sekstetit të përfundimit të aktit të dytë ishte shumë muzikor. Ai këndoi me një diksion të pastër Italian, përkëdhelës dhe me ëmbëlsinë e fjalëve bëri çdo gjë të kuptueshme. Ishte shumë e rëndësishme që në rolin-titull këndoi një bariton i shquar, me përvojë profesionale megjithëse në operan ‘Don Giovanni’ pamë dhe dëgjuam edhe karaktere të tjerë të rëndësishëm. Dëgjuam tri këngëtare, ato sollën në shfaqje atë mbrëmje aspekte të ndryshme të qëndrimit dhe reagimit ndaj Don Giovannit. Donna Anna, në rolin e së cilës këndoi soprano Sian Davies e njohur për rolet e Mozartit që në Çikago dhe Njujork City Opera, është një grua fisnike babai së cilës, Commendatore, vritet që në fillimin e operas, në një duel me Don Giovannin. Anna është krenare por e ftohët dhe figurë tragjike. Ndjenjat e saja të fuqishme erotike ishin të lidhura me një njeri, i cili vrau të atin e saj dhe ia bëri jeten të nderlikuar. Ms. Davies këndoi mjaft mirë, ajo solli pasionin, forcën, dhe një ‘coloratura technique’ në një rol të vështirë. Në mbrëmjen e tmerrshme me Don Giovannin ajo këndoi një nga recitativët më të vështirë, tronditës më dramatikë të operas: ”Qetësisht mu afrua, më kapi e më shtërngoi me forcë kur u përpoqa të largohesha..”. Donna Elvira është një tjetër lloj karakteri. Ajo është më e ngrohtë, por thellësisht e mposhtur nga braktisja e Don Giovannit. Në rolin e saj këndoi soprano Katie Van Kooten me një temperament artistik, plot virtuozitet. Është interpretuese e roleve të Puccinit, Mozartit, Donizettit në Frankfurt dhe Pragë. Në performancen e ‘Don Giovannit’ Ms. Van Cooten realizoi një nga rolet e saja delikate, vërtetë plot brilancë . Aria e Elvira-s, ‘’Ah fuggi il traditor’’,nga akti i parë është kënduar me mjeshtri krahas interpretimeve në kuartet, tercet dhe në sekstetin e aktit të dytë, “Ah! Dove e’ il perfido”. E treta është Zerlina, një fshatare, një lady jo e nivelit të Donna Anna dhe Elvira. Ajo kënaqet me emocionet e Masetto-s, i fejuari i saj, xheloz. Në rolin e Zerlina-s këndoi soprano Abigail Nims, plot pasion në të dy aktet veçanrisht në arien, “Batti, batti o bel Masetto”dhe “Vedrai carino” si dhe në sekstetin e fundit të operas. Pamë gjithashtu interpretimin e rolit të Leporello-s nga basi Nathan Stark (interpretues i Wagnerit dhe i Verdit) në arien e bukur të katalogut: ”Madamina! Il catalogo e’ questo delle belle che amo il padron mio; un catalogo egli e’,che ho fatto io; osservate, leggete con me”! Kjo arie është Mozartiane e pastër dhe stili i saj njihet menjëherë. Përse zgjodhëm këtë arie? Sepse, së pari është një demonstrim i çuditshëm i Mozartit i cili arriti të trajtojë psikologjinë humane në muzikë, së dyti kemi një shembull perfekt të një “basso buffo” aria. Ndërsa Jeremy Galyon (bas), dhe Sean Pannikkar (tenor), kënduan në rolet e Masetto/Commendatore dhe Don Ottavio (interpretues të roleve në operat e Puccinit, Verdit,Mozartit në Metropolitan Opera). Mozarti dhe da Ponte përdoren termin konvencional në ‘Don Giovanni’, “drama giocoso” ose dramë me humor. Edhe pse në opera ka momente komike,që në fillim vërejmë emocione të forta, mendime të thella dhe tragjedi. Mozarti punoi shumë shpejt për ta bërë gati operan për 29 Tetorin. Megjithë triumfin e Pragës, opera nuk u prit me atë ngrohtësi në Vienë. Perandori Jozefi II që ishte në premierë, 1788, tha : “opera është e mrekullueshme, qiellore, madje më e bukur se “Martesa e Figaros”, por nuk qe ushqim për dhëmbët e Vienezëve të mi ”. Mozarti i është përgjigjur: “Mirë, atëhere lërini ata derisa ta përtypin”. Për performancen e Vienës (1788), Mozarti shtoi disa numra të rinj në opera,që kryesisht iu shtuan aktit të dytë : Aria e tenorit “dalla sua pace”, recitativi dhe aria e bukur e Elvira-s si dhe dueti i bukur i Zerlina-s dhe Leporello-s. Uvertura e operas është mjaft e bukur por nxitimi me të cilin Mozarti e shkroi për më pak se 24 orë para vënies në skenë, nuk e zvogloi aspak impaktin e saj. Ishte problem kryesor që qëndronte më këmbë, kishin mbetur edhe 24 orë deri në fillimin e shfaqjes dhe Mozarti nuk kish shkruar as edhe një notë. Kur u këthye në shtëpi një natë para hapjes të Don Giovannit, i kërkoi të shoqes Constanza ti bënte një ponç dhe të qëndronte afër tij.Ajo po i lexonte të shoqit “Netët Arabe” dhe “Cinderella”. Sa herë që ajo ndërpriste të lexuarin Mozarti bënte një sy gjumë dhe përfundimisht nga ora 5:00 e mëngjesit ajo e zgjon dhe ai e merr tani seriozisht punen e shkrimit të uverturës. Kopja e orkestres ishte e përfunduar .Kopisti i kish gati pjesët e orkestres për shfaqjen. Mozarti, një pjesë të muzikës të saj e mori nga opera dhe kjo vihet re gjatë zhvillimit të saj. Akordet e shkëlqyera të fillimit të uverturës paralajmërojnë ndeshjen midis Don Giovannit dhe Commendatores .E përmenda qysh në fillim se, të gjithë kohen e zhvillimit të operas dëgjuam vetëm muzikë të bukur Mozartiane si nga orkestra ashtu edhe nga këngëtarët. Tenori Sean Panikkar (Don Ottavio) këndoi dy arie të bukura me një teknikë të përsosur performance dhe me një lirizëm të ëmbël të muzikës së Ottavios. Le të këthehemi tek shtëpia e Donna Anna-s, ajo e njofton Ottavion për shtyrjen e martesës deri me hakmarrjen e vdekjes së babait të saj, pra vetëm mbas vdekjes të Don Giovanni-t për hidhërimin e madh që ajo ka. Në këtë skenë të shkurtë kemi një recitativ dhe një arie mjaft të bukur të Donna Anna-s që interpretohet nga soprano Sian Davies—pasazhin solo më të gjatë nga karakteret e tjerë të operas, duke shprehur mendimet dhe ndjenjat e saja. Në aktin e dytë Mozarti kish inkluduar nga Opera ‘Martesa e Figaros’ arien mjaft të njohur, të Figaros, “Non piu andrai” vetëm për orkester. Drama brilante e muzikës së Mozartit ishte Trio, Anna, Elvira, Ottavio, “Protegga il giusto cielo”, si dhe Trio e tre zërave të ulët – Don Giovanni (bariton), Leporello (bas) dhe Commendatore (bas) të interpretuar nga Timothy Mix, Nathan Stark dhe Jeremy Galyon plot profesionalizëm të shoqëruar nga harqet e orkestres. Skena finale e operas është klimaksi i saj final. Kjo pjesë demonstron mjeshtrinë dramatike të Mozartit dhe një tipar special të operas të cilin nuk mundë ta gjejmë në ndonjë tjetër formë arti : Absolutisht një muzikë sublime, veçanërisht grupe këngëtarësh gjatë të cilës shumë karaktere këndojnë veçmas mendime të ndryshme në mënyrë simultane me melodi të bukura (sekstetet).Tingujt e fortë të akordeve të trombonit dëgjohen në sensin e një humnere të madhe, të gojës së djallit që hapet për të gëlltitur Don Giovanin (Fred Plotkin,Opera 101,ish-menaxher performance në Metropolitan Opera). Kjo është një prej skenave më interesante të gjithë operas.
Performanca e Don Giovannit tregon që në shumë probleme të moralit dhe të natyrës humane, duhen prekur dhe ndëshkuar ato që paraqesin rrezik për shoqërinë. A është e mundur që ne të duam dhe të admirojmë një person mashtrues, të pabesë, immoral, të rrezikshëm në jetë? Me Don Giovannin, Mozarti dhe da Ponte krijuan një vepër madhështore e cila inkurajoi breza të audiencave për 226 vjet lidhur me domosdoshmërinë e njohjes të virtyteve më të mira për një jetë normale dhe të sigurtë. Filozofi Danez Soren Kierkegaard shkroi një ese në librin e tij Enten/Eller në të cilen thuhej se ‘Don Giovanni’ i Mozartit është opera më e përsosur e shkruar deri më sot “. Finalja në të cilen Don Giovanni refuzon të pendohet, ka qenë dhe mbetet tema më filozofike dhe më artistike për shumë autorë të shquar. Në skenen finale të gjithë janë të lumtur tashmë dhe kori shpreh moralin e operas, “kjo është rruga me të cilen një person i lig gjenë vdekjen”. Sigurisht, drejtorja e skenës Margaret Kellner, ndoqi principin më të rëndësishëm që, drama fillon me vrasje dhe përfundon me vdekjen një heroit autentik. Siç dihet, Mozarti në operan e tij preferoi karaktere-këngëtarë të regjistrit të ulët si bariton dhe bas në realizimin e të cilëve janë shquar basët e njohur,Enzo Pinza, Cesare Siepi, Nicolai Ghiaurov, Ferruccio Furlanetto, Ruggero Raimondi (bas-bariton), Giuseppe Taddei dhe baritonët Tito Gobbi, Dietrich Fischer-Dieskau, Thomas Hampson, Thomas Allen. Desha të vë në dukje se “Grand Rapids Opera”, dha një shfaqje me të vërtetë madhështore të Don Giovannit, një prej operave më të vështira të Mozartit, me këngëtarë klasi dhe një dirigjent ( Robert Lyall, Doktor në Muzikologji, studjuar me Kiril Kondrashin në Amsterdam, që ka dirigjuar operat e Verdit, Puccinit, Wagnerit, Mozartit në të gjithë Ameriken dhe Europë) me shumë përvojë të pasur, një dirigjent modern i cili paraqiti atë natë operan ‘Don Giovanni’ në “ kolorin e saj origjinal ”. Por them se nuk ishte as Metropolitan Opera, as Washington National Opera, as Chicago, San Francisco, Dallas, as Opera Colorado por opera e një qyteti mesatar që punon e vazhdon të rritet duke pasuruar programet dhe repertorin e saj. Këtë do ta tregojë më së miri me 3 dhe 4 Maj 2013 kur do të vërë në skenë operan e njohur “Traviata”të Giuseppe Verdit me rastin e 200 vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh dhe në kuadrin e “Vitit Verdian” (2013).







del.icio.us
Digg
Comments (1 posted):
Post your comment