Newsletter
Email:
Poll: ROMAN APO NOVELE?
A DUHET QE EDHE NE GJUHEN SHQIPE TE KETE VETEM NJE EMER?
Home | REPORTAZHE | ME LULE NEPER KOSOVE

ME LULE NEPER KOSOVE

Font size: Decrease font Enlarge font

        
 
Gjatë tetorit, unë me tim shoq, mbasi vizituam njerëzit tanë nëpër Shqipëri, vendosëm të bënim një vizitë nëpër Kosovë. Prej kohe kishim dëshiruar e ëndërruar, por tani na u krijua mundësia për ta parë tokën e bekuar të Kosovës Kreshnike dhe për të takuar disa prej bijve e bijave të saj që i kishim njohur në Shqipëri gjatë viteve të kaluara. Pikërisht për t’iu dhuruar nga një buqetë me lule këtyre njerëzve që kishin dhënë ndihmesën e tyre për lirinë e Kosovës, si dhe të rënëve të luftës, e morëm këtë udhëtim disaditor.
Kosovën unë e pata njohur në vitet e gjimnazit në Berat përmes mësueses sime të letërsisë, zonjushes Zyma Berisha, e cila ka qenë një nga simbolet më të bukur e më domethënës të Kosovës tek ne. Shumëkush e di sesi ajo me shoqen e vet Naimen, në vitin 1961 kaluan kufirin për të vijuar studimet në gjuhën shqipe në Universitetin e Tiranës. Mbasi kryen Fakultetin Histori-Filologji ato shërbyen në Shqipëri, Naimja, gruaja e poetit Agim Gjakova si redaktore në Tiranë e Zyma si mësuese letërsie në Berat. Mbas vitit 1981, kur Zyma u riatdhesua në Kosovë, nuk ishim parë më. Respekti për këtë mësuese të pasionuar dhe shumë të dashur, më shtyu që tufën e parë të luleve t’ia shpija asaj, prandaj vizitën në Kosovë e filluam nga Rrafshi i Dukagjinit, sepse ajo tashmë jeton në Pejë, në familjen e vëllait të saj, z. Aziz Berisha. 
Taksisti, z. Besim Zorba, një tiranas shumë i sjellshëm, mbasi i kaloi me kujdes kthesat e shumta të rrugës së Kuksit, na shpuri në Prizren, ku kishte dalë për të na pritur mikesha jonë. Zymën e njohëm me njëherë, sepse kishte ndryshuar shumë pak gjatë këtyre njëzet e pesë vjetve që nuk ishim parë. Shumica e pejaneve dhe pejanëve janë shumë të bukur dhe duken më te  rinj se mosha e tyre, nga ky regull nuk bën përjashtim as mësuesja ime. Gëzimi i saj për ardhjen tonë është i madh, këtë ne e shohim në sytë e saj, në lëvizjet, në përqafimet e herëpashershme që më jep.
Prizreni ta kujton Beratin, sepse dhe këtu ka një kala, një lumë që i kalon përmes dhe një Xhami të bukur… Prizreni ka një muze për të cilin e ka zili cdo qytet shqiptar: Shtëpinë ku u krijua Lidhja e Prizrenit. Vecse për nga bukuritë natyrore, Berati është i papërsëritshëm. Të tillë atë e bëjnë lagja e madhe brenda kalasë dhe ajo rrëzë saj, shtëpitë e bukura nëpër kodra, Osumi dhe ura madhështore, Tomori dhe Shpiragu përkarshi, etj.
Shtëpitë e Prizrenit kanë nevojë për riparime të kushtueshme, gjurmët e zgjedhës sërbe dhe të luftës së fundit shihen në mjaft rrugë. Përsa i përket kuzhinës Prizreni dhe Berati, janë ndër ato qytete të lashta shqiptare që kanë tradita shumë të pasura në zejtari, kuzhinë, kopshtari, sjellje, etj. Vizitorët mbeten gjithnjë të kënaqur me gjellët dhe gatimet e vecanta, si dhe me mënyrën e servirjes. Këto gjëra i shijuam dhe ne në një nga restorantet anës lumit.
- Në Prizren, Gjakovë e Pejë, si në mbarë Rrafshin e Dukagjinit, thotë Zyma, nuk ka mbetur më asnjë sërb. Shqiptarët ua blenë për të fundit herë shtëpitë, pronat e tokat. Në Prizren marrim autobuzin dhe shkojmë në Gjakovë e më tej ndalim në Pejë tek vila e bukur e Berishajve, të cilën Azizi e ka rindërtuar mbas luftës, sepse sërbët ia patën djegur krejt. Gjatë rrugës pamë kamionë ushtarakë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it. Në Prizren ka francezë, në Pejë italianë.
Atë natë ishte Nata e Mirë e Kadrit. Gëzimit të festës iu shtua dhe gëzimi që sjell për shqiptarin ardhja e mikut, kështu që të gjithë pjesëtarët e shtëpisë shprehnin një gëzim shumë më të madh se sa mendonim ne...
            Të gjitha ushqimet ishin shumë të shijshme për shkak të gatimit me kujdes dhe të përbërjes së tokës që u jep prodhimeve të atyre anëve shijë të vecantë. Nusja e djalit të Azizit tregoi aftësitë e saj si amvisë me ushqime karakteristike si buka e përzjerë  me misër, piperkat e kuqe, kosi, salcra, etj, etj. Lezetin tavolinës ia shtonin tri fëmijët, dy mbesat dhe nipi: Boneta,Yllka dhe Urimi.
Yllka, më e vogla, nuk dinte si të na kenaqte me shakatë e saj. Kishte qejf të hiqej si djalë capkën dhe kur e pyesje si e ke emrin, përgjigjej shpejt e shpejt: Ylli, duke dashur të na trasmetonte nëntekstin, se ajo ishte ylli i shtëpisë. Motra e saj më e madhe, Boneta 10-vjecare, ishte akoma më e bukur. Nuk është cudi që kjo bjonde me sy bojë qielli, që ngjan aq shume me artisten australiane Nikoll Kidman, mbas 7-8 vjetesh të shpallet Mis Kosova dhe për të të shkruajë përsëri gazeta Illyria .
Sa lezet ka shtëpia me kalamaj të bukur dhe të sjellshëm… Para se të shkonin për të fjetur fëmijët na u afruan, Urimi i pari, na dha faqen e butë duke na uruar natën e mire, mbas tij dhe të motrat.
Mbas bisedave që zgjatën deri vonë shkuam për të fjetur në katin e dytë, ku bëmë një gjumë të lehtë si askund. Kuptuam se Bjeshkët madhështore i japin Pejës jo vetëm bukuri, por dhe ajër të pastër me ozon pishash.
Mengjezi erdhi shpejt. Të zotët e shtëpisë na nxorën për të parë Pejën, sidomos lagjen e re që ishte ndërtuar mbas luftës, të hanim mëngjez në një qebaptore, të shihnim dyqanin e z. Aziz ku djali dhe vajza e madhe shisnin bojra dhe mjete zbukurimi për shtëpi, etj. Gjëja e parë që na ra në sy ishin Bjeshkët, të cilat ishin shumë afër me qytetin dhe dukeshin si një dekor natyror. Të krijohej ideja sikur mund t’i prekje me dorë.
Megjithëse vijon largimi i njerëzve për kurbet, përsëri popullsia e Pejës si dhe ajo e mbarë Kosovës dhe e Shqipërisë shtohet mjaft shpejt. Kudo, nëpër rrugë, sheshe, lokale, dyqane, mbizotëron rinia. Dëshmi e vitalitetit të popullit shqiptar. Sa zili na kanë bota për këtë rini të bukur, të zhdërvjellët dhe të zgjuar.
Krahas shtëpive të ndërtuara bukur kishte dhe hotele, banka, dyqane, restorante, që ia shtonin bukurinë Pejës, por pjesa mahnitëse e kësaj vizite ishte Gryka e Rugovës, ku na shpuri z. Aziz me makinën e tij. Kishim qenë në anën tonë të Alpeve, në Thethin madhështor dhe në luadhet e Vermoshit, tani që pamë anën tjetër të tyre, kuptuam se Zoti i ka falur botës shqiptare pasuri të pallogaritshme, si me detin dhe me malet madhështore. Lum ne shqiptarët për atë det dhe për ato Bjeshkë! 
Kur aritëm në një nga majat e Rugovës, sikur prekëm retë, para syve tanë shtriheshin lugina dhe zabele të gjelberuar me barin shumë të pastër. Në këtë majë ishte krijuar një kamping i ri pushimi me godina druri dhe bar-restorant shumë të bukur. Ozoni na mbushi mushkëritë. Mbasi pimë kafetë, Azizi pyeti nëse donim të hanim drekën këtu me mish qingji të rritur në këto kullota malore, apo të zbrisnim poshtë në luginë, ku mund të drekonim me peshk troftë që rritej në vend. Duke ditur se trofta e rritur në ujë bore të Alpeve është peshku më i shijshëm, Zyma tha se do të kënaqeshim më shumë me peshk, se shija e mishit të qingjit të këtushëm është i ngjashëm me atë Tomorit dhe të Tepelenës, që ne i kemi provuar. Dhe ashtu doli vërtet, trofta e Rugovës paska shijë më të mirë se shumë trofta që kultivojnë sot mjaft restorante që shfrytëzojnë rrëketë malore nëpër Shqipërinë e Jugut, ku kemi pasur rast të drekonim më parë.
Në orët e mbasdites u kthyem në Pejë prej ku duhej të merrnim autobuzin për Prishtinë. Ndarja ishte shqetësuese, sepse Zyma me të vetët kërkonin të rrinim të paktën dhe një natë, por ne i kishim ditët të numëruara dhe duhej të shkonim për të takuar miqtë e tjerë. Azizi na porositi që të kalonim ditët në Prishtinë dhe netëve të vinim për të bujtur tek ai. Por ne na pëlqeu hotel Iliria dhe Prishtina, ndonëse këtu nuk ishte si në Pejë. Mbrëmjeve në Prishtinë nuk kishte drita dhe gjeneratorët që ndizeshin nëpër dyqanet, të mërzisnin me zhurmën e tyre. Na kujtohej Tirana e viteve 90-të. Ndërtime të shumta e te bukura po bëhen dhe këtu, si kudo në Kosovë, por të gjitha janë shtëpi private të tipit vila dhe jo pallate të mëdha e luksoze, si ato që po ndërtohen në Tiranën e sotme.
Të nesërmen na erdhi për të takuar prof. Sadri Fetiu, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Gjatë kafes, mbasi u pyetëm për familjarët dhe shokët, ai shtoi: “Më thatë se doni të vini tek varri i të ndjerit President Ibrahim Rugova, do t’ju shpie patjetër, pastaj do t’jua pasuroj programin dhe me disa vizita të tjera nëpër Prishtinë dhe Drenicë”. Nuk na mbetej tjetër vecse ta falenderonim dhe dolëm. Së pari shkuam tek Universiteti i Prishtinës, Biblioteka shumë e bukur dhe më tej tek Instituti Albanologjik. Vizituam disa nga ambjentet dhe zyrat ku kanë punuar e punojnë shumë pedagogë dhe punonjës shkencorë. Disa prej tyre si Fehmi Agani, Idriz Ajeti, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, vetë Sadriu, Ali Aliu, etj krijuan atë elitë intelektuale e cila krijoi një bibliotekë të tërë me vepra studimore për ta mbrojtur shkencërisht ceshtjen shqiptare nga gënjeshtrat dhe shtrembërimet e akademikëve sërbë.
            Varri i ish-presidentit Rugova është vendosur në një faqe kodrinore të Prishtinës dhe është zbukuruar me shumë lule. Para këtij varri njeriu kujton jetën e atdhetarit dhe kthjellohet për vlerat e mëdha të tij. Njerëzit e urtë, që e jetojnë jetën pa bujë, shpesh nuk vlerësohen sa duhet kur janë gjallë. Mbas vdekjes vlerat e tyre dalin më mirë në dukje. Jeta dhe vepra e Ibrahim Rugovës tregojnë qartë se urtësia dhe dashuria e tij për shqiptarët kanë qenë të cveshura nga egoizmi dhe ambicjet personale. Të tilla veti kanë vetëm njerëzit e mëdhenj, të cilët bëjnë epokë në historinë e popujve. Vepra e njerëzve të tillë kurrë nuk vjetërohet, ajo përvetësohet nga brezat e rinj dhe shpihet përpara.
Vizita tek ky varr na bën më të ndërgjegjshëm për detyrën që kemi ndaj njeri tjetrit dhe ndaj popullit. Një vizitë këtu ta fisnikëron shpirtin, ajo të mëncuron më shumë se një leksion universitar a pasuniversitar…
 
Tani Kosova është e lirë nga pushtuesi sërb dhe mund t’i ndërtojë monumentet e saj të lirisë. Ky dhjetëvjecari i fundit ia shtoi Kosovës vendet e saj të shenjta. Të tilla janë dhe Vendvarrimi i Dëshmorëve të Kosovës për Liri, ngritur në Drenicë pranë Skënderajt dhe Kullat e Jasharajve me Vendvarrimin e Komandantit Legjendar të UCK, Adem Jasharit dhe familjarëve të tij.
            Marrim rrugen drejt Drenicës, Drenica e Shote dhe Azem Galicës, simbole të rezistences për liri. Nuk ka familje në Drenicë që nuk i ka dhënë gjatë shekullit të XX-të një a më shumë dëshmorë për liri.
Në këto udhë e në këto male që shikojmë përreth kanë luftuar cetat e udhehequra nga Ahmet Delia i Prekazit më 1912 dhe luftëtarët e Isa Boletinit, në vitet 1920-30 ceta e Azem e Shote Galicës dhe tani së fundi Adem Jashari me familjarët e tij, si dhe qindra luftëtarë të UCK-së.
Ademi kishte lindur me 28 Nëntor të vitit 1955, ditën e fitoreve të popullit shqiptar dhe me luftimet e tij në 5-7 mars 1998 do të shënonte fillimin e fitores përfundimtare mbi gjakatarët sërbë. Luftimet e familjes Jasharaj në Prekaz i vunë vulën nje peticioni të firmosur me gjak për Lirinë dhe Pavaresinë e Kosovës martire, të Kosovës Shqiptare, të cilën ia kishte dhënë padrejtësisht Sërbisë diplomacia e vjetër evropiane. Bota e njohu këtë peticion të firmosur nga gjaku i pleqve 94 vjecarë dhe fëmijëve, engjëjve 6-7 vjecarë
Në trojet e Jasharajve në një shpat kodre në Skënderaj është ngritur Kompleksi memorial i të rënëve në luftën e fundit. Cdo ditë këtu vijnë vizitorë nga Kosova, Shqiperia, Evropa dhe diaspora. Në monumentin e gjatë prej mermeri janë skalitur emrat e dymijë e katërqind e ca dëshmorëve me datëlindjet dhe datërëniet e atyre, që nuk e kursyen gjakun në lule të rinisë. Përreth sundon qetesia, vetëm emrat flasin …
Ne zbresim shkallët e kësaj kodre historike dhe vazhdojmë rrugën për tek varret e pjesëtarvve të familjes martireve Jasharaj që ështv vendosur në të djathtë të rrugës pa vajtur tek kullat muzeale tashmë të djegura që ruhen si karabina…
 
Truprroja rri gatitu gjatë kohës që ne bëjmë vizitën në vorrezat e Jasharajve në Prekaz. Lulet tona janë tepër të pakta për aktin e tyre…
            Janë vendosur pranë e pranë, ashtu sikur luftuan ato tri ditët e Marsit 1998.
Kurora lulesh ngjyra-ngjyra janë vendosur rreth cdo varri, thua se jemi në pranverë. Aty janë të moshuarit, aty janë djemtë, nuset, nipat, mbesat dhe foshnjat. Aty fle Xha Shabani, mësuesi veteran, i cili i edukoi fëmijët e vet me amanetin e lashtë për të mos e lënë vatrën dhe tokën e shenjtë, për të mos e braktisur shtëpinë e shtrenjtë. Pranë Shabanit flejnë djemtë Ademi dhe Hamza, më tej gruaja e tij, nëna e tyre, më tej nuset e djemve, nipër e mbesa dhe gjithë ata që u ndodhën aty e luftuan krah për krah me Jasharajt.
Sa të goditura tingëllojnë vargjet e poetit Sheperton kushtuar dëshmorëve të kombit
 
 
            Si flenë trimat në prehër të dheut,
Përcjellë me lot prej mbarë Atdheut.
Kur të vijë vera vesargjenda
Për të hijeshuar eshtrat e shenjta,
Aty një blerim ka për t’u endur
Që as fantasia s’e ka shkelur.
Duar sirenash rahin këmbanat
Gërshet-shthurur vajtojnë zanat.
Aty vjen nderi shtegtar i thinjur,
Vjen të bekojë hirin e ndritur.
Në muzg liria me krahë petriti,
Një lot do derdhë, lot jeremiti.
 
Beteja triditore e Marsit 1989 i tregoi botës se Jasharajt nuk ishin terroristë, po qytetarë të etur për lirinë e mohuar, se Prekazi po e mundte armikun shekullor, se Drenica ia nisi këngës së lirisë, se mbarë Kosova do ta përcjellte këtë këngë…
Sot, tetë vjet më vonë, kullat janë po aty, dy të djegura muzeale, dhe dy të reja ku vlon jeta e pasardhësve. Jasharajt, për inat të armikut, po shtohen e gëzojnë jetën në trojet e pronat e të parëve. Dyert  e ballkonit  në katin e tretë janë të hapura. Nusja e re e shtëpisë ka nxjerrë carcafët dhe kuvertat per t’u ajrosur.
Ne oborrin perpara luajnë pesë fëmijë: dy vajza dhe tre djem. Janë Ademi, Adilja dhe Hamza i vogël. Janë stërmbesat dhe stërnipërit e Xha Shabanit që lindën pas stuhisë dhe morën emrat e të parëve…
Yjet janë kthyer serisht, qielli i Jasharajve po vezullon përsëri. Pema e tyre familjare ka filluar lulëzimin. Heronjtë kanë filluar të jetojnë mbas vdekjes…
Drita dhe dielli ndricojnë në Prekaz si më parë. Zërat e fëmijve ngihen lart si një ëndërr e bukur. Një vajzë e re me sy bojëqielli dhe flokë të gjatë të mbledhur prapa vjen na takon dhe na jep mireseardhjen.
- Si të quajnë, e pyes.
- Marigona-më thotë.
- E kujt je?
- E Ademit.
- Ti je vajza e Ademit, e komandantit legjendar, pyes unë e cuditur?
- Po thotë dhe tek e bardha e syve i shkëlqeu një lot që s’donte t’i këputej.
- Si i shpëtove masakrës?-e pyes
- Rastësisht, kisha shkuar tek dajat në fshatin tjetër dhe nuk pashë asgjë, isha vetëm tetë vjece… buza e saj nisi të dridhej lehtë. Tani ajo është 16-vjecare me shtat të lartë, e pjekur para kohe. Na merr lejë dhe largohet për t’u kujdesur për gjellën që ka lënë në zjarr. Ndërkohë Besarta ka ardhur të na përshëndesë.
- Eshtë vajza a Hamzës, thotë Fetija, bashkëshortja e prof. Sadriut, e cila i njeh të gjithë si familje, sepse ka ardhur shumë herë.
Besarta ishte e vetmja që shpëtoi gjallë midis të masakruarve, ishte 11 vjece.
- Po, thotë Besarta, për ata që i shtynin kufomat me shkelma, unë isha e vdekur, mua më goditën me shkelma bashkë me gjyshen, dhe u rrokullisa nga ana tjetër pa nxjerrë kurfarë zëri, ata ikën të bindur se nuk kishin lënë frymë të gjallë. Pasi ata u larguan, fshatarët hynë në katin e poshtëm për të mbledhur të vdekurit. Unë u ngrita dhe ata më morën e më fshehën. Në vesh më ushtonin fishkëllima plumbash dhe zëri i axhë Ademit që thërriste: “Mos kini frikë, unë jam këtu, mos kishim frikë, bjeruni”.
Që nga ajo ditë deri sot për Besartën është treguar kujdes i vecantë, për traumën e madhe që kaloi. Atë e kanë pasur nën kujdes mjekë psikologë për t’ja larguar skenat e llahtarshme që i panë sytë dhe zhurmat që i dëgjuan veshët ato dit e net të Marsit.
Sot ajo është 19-vjecare, një vajzë e hijshme. Tronditjen e madhe e ka kaluar. Por gjurmët ende ndjehen në sytë e saj.
Të vegjlit luajnë atje në oborr. Ne u lutemi të vijnë për të bërë një foto me ta, por ata nuk e vlerësojnë kërkesën tone, ndaj nuk e lënë lojën e tyre. Atëhere i lutemi ciceronit të na sqarojë për pasardhësit.
- Nga tre djemtë e Xha Shabanit sot jeton Rifati në Gjermani, ku ka mërguar prej vitesh, thotë ai. Murati, djali i Rifatit është kujdestar i fisit dhe zot shtëpie. Ai punon në bujqësi dhe studjon për drejtësi. Bashkimi, djali tjetër i Rifatit, është komandant i zonës ushtarake. Marigona, vajza e Ademit ndjek shkollën e mesme, po ashtu dhe Besarta. Lulzimi, djali i Ademit, ka kryer Akademinë Ushtarake në Tiranë dhe shërben në Gardën e Kosovës me gradën kolonel. Vajza e Ademit, Shqipja, është martuar me nje jurist dhe vetë është juriste.
Një pëllumb i bardhë, vjen e ulet mbi një degë peme, pastaj ngrihet mbi catinë e shtëpisë së re. Prej aty ngrihet një tufë pëllumbash që ulet në tokën e begatë të Jasharajve, ku sundon paqja, begatia dhe liria. Dritë e diell solli vetmohimi i Jasharajve, vetmohim që do të trgohet në shekuj.

 

Subscribe to comments feed Comments (2 posted):

julia on 21/02/2012 12:56:44
avatar
Sqarim
Udhetimi neper Kosove eshte kryer ne Tetor 2006.
Shenimet e ketij udhetimi jane hedhur ne Tetor- nentor 2006. Kjo sa per te orjentuar lexuesin
Ju faleminderit, Autorja
Thumbs Up Thumbs Down
0
Nene Pashako D. on 22/03/2012 14:58:51
avatar
"Mbrodhesi paci moj bije
Qe jetoni me atdhetarine.."

Ju lumte Julia Gjika familerisht qe keni bere ate vizite vertet mbreselenese ne Kosove, peng per cdo njeri shqiptar qe se ka realizuar. ndihem i qete si gjysh qe jam se perjetova ditet me te gezueshme une sot 76 vjecar qe ne ditet e para te shpalljes se pavaresise kosoven nje vizite te tille mes saj. Une pashe me shume plaget e asaj lufte clirimtare, ju keni pare pa tjeter zhvillimet e reja te saj.
Mrodhesi Kosoves sa mbare trojeve shqiptare qe do te donim ne kete 100 vjetor ti shikonim si nje shtet i vetem; ender shekullore kjo per cdo gjak ilirjao_shqiptare.
Gjithe te mirat Julia qe me pac uraten me sa shkruani sa veproni.

Nene Pashako D
Thumbs Up Thumbs Down
0

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
1.50
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1