Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | REPORTAZHE | 12 vjet më parë Presidenti Xhorxh W. Bush në Tiranë dhe Fushë - Krujë

12 vjet më parë Presidenti Xhorxh W. Bush në Tiranë dhe Fushë - Krujë

image 12 vjet më parë Presidenti Xhorxh W. Bush në Tiranë dhe Fushë - Krujë

Të pathënat për vizitën e burrit të madh të shtetit amerikan në Shqipëri. Si hyri në furrën e bukës së vajzës së Ali Dragoit nga Zhepova dhe Dilaver Kamanit nga Shelqi, dy fshatra të nënprefekturës së Përmetit.

Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Walker Bush, është i pari President i SHBA-së në detyrë, që bëri vizitë zyrtare në Shqipëri. Vizita e Tij do të mbahet mend gjatë, pasi ligjëroi pavarësinë e Kosovës, realizoi integrimin e Shqipërisë në NATO dhe përmirësoi imazhin e Shqipërisë në botë, për të cilën u fol jo pak ato ditë. Ai u prit me të shtëna të topave, ritual i zakontë për shqiptarët, ndonëse zhurma e tyre trembi disa gazetarë të huaj. 

Vizita e kreut të Shtëpisë së Bardhë në Shqipëri ishte shprehje e ngrohtësisë midis dy popujve, e mbështetjes amerikane për shqiptarët, duke nisur nga Presidenti Woodrow Wilson, i cili kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë në Konferencën e Paqes së Versajës, Paris 1919. Ai ndoqi rrugën e Presidentit Bill Klinton, i cili e shpëtoi Kosovën nga kthetrat e terrorit serb, duke dërguar NATO-n në ndihmë të saj. Klinton erdhi sërish disa ditë më parë në Kosovë, të festonte bashkë me kosovarët 20 - vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Midis të tjerave Klinton u tha kosovarëve dhe mbarë shqiptarëve: Amerika do të jetë përherë me ju. Unë jam pro migrimit dhe jam pro jush, jam që ju të ndërtoni të ardhmen këtu, të ndërtoni familjet tuaja. Ende vazhdoj të besoj se përparimi është i rëndësishëm. Kundër shanseve të vështira, qytetarët morën atë që ndodhi dhe fituan konfliktin, por ju e fituat paqen. Tani çfarë duhet të bëni në 10 vitet e ardhshme, ku dëshironi që të shkojë vendi juaj? Lëshoni armën në tokë dhe krijoni lidhjet dhe të diskutoni për dallimet tuaja dhe diskutoni për të ardhmen. Zoti i bekoftë qytetarët e Kosovës për atë se çfarë jeni. Ju duhet të mendoni më tepër rreth asaj se çfarë mund të bëni më mirë së bashku.

Por le të kthehemi sërish te vizita e Presidentit Bush. Ai mbërriti në Tiranë me avionin “Air Force One”, i cili është cilësuar nga specialistët si mrekullia e qiellit, me teknologji të përsosur, palestër, sallë mbledhjesh, dhomë mjekimi etj. Atë ditë Tirana u pushtua nga mediat e huaja. Aktiviteti u ndoq nga rreth 400 gazetarë nga 116 shtete të botës. Televizionet më në zë CCN, BBC, Euro News, kanë transmetuar vizitën e Bush drejtpërdrejt nga Tirana. Vizita e Tij në kryeqytetin shqiptar ishte parashikuar të zgjaste gjashtë orë, por në fakt kaloi tetë orë, pasi nisi në ora 9 e 30 dhe përfundoi në ora 17 e 30. 

Për fat të keq kjo vizitë nuk u kujtua as këtë vit, në një kohë që përbën ngjarje të veçantë për Shqipërinë. Do të ishte mirë që, çdo vit, të thuhej diçka rreth saj, madje të bëhet dhe analizë se çfarë është bërë dhe çfarë nuk është bërë nga këshillat e dhëna prej Presidentit Bush. 

***

Banorët e Fushë-Krujës nuk mund të harrojnë 10 qershorin e vitit 2007, kur Presidenti amerikan, Xhorxh W. Bush, shkoi për një vizitë të shkurtër, në qytetin e tyre të vogël. Për më shumë se dy muaj, në atë qytet nuk bisedohej për gjë tjetër. Por edhe sot, kur kanë kaluar 12 vjet, ndihen krenarë që një prej burrave më të shquar, prej një kombi të madh, ndaloi përreth një orë në qytezën e tyre të vogël. 

Në këtë qytezë, rrallë qëndrojnë politikanë. Mund të shkojë ndonjë ministër a kandidat për deputet, vetëm ditët e fushatës, sa të marrë votën dhe pas kësaj, gjithçka harrohet. Është një qytezë, që nuk e ka vizituar as Kryeministri dhe as Presidenti i Republikës. Një qytezë, gati e harruar, por që kujtohet duke udhëtuar për në Shkodër, për shkak të tabelës në rrugë: Fushë-Krujë. Një qendër banimi me njerëz të varfër e të papunë, mbase si kudo tjetër në Shqipëri, një vend i lodhur nga varfëria e diktatura gjysmëshekullore.

Banorët e kësaj qyteze, me kulturën dhe shpirtin e tyre treguan mikpritjen shqiptare. Madje mendojnë se mund të kishin bërë më shumë. Nuk dinë ta shpjegojnë, por duket se ndihen ende në borxh me atë njeri të kombit të lirisë, të atij kombi që është gjendur në çdo moment historik në krah të kombit të vuajtur shqiptar dhe e ka shpëtuar atë nga kafshimet e bishave të egra që e rrethojnë. Atyre u duket sikur kanë lënë ende diçka pa bërë. Dhe urojnë të vijë edhe një herë, Ai Xhorxh W. Bush, ose pasuesi i tij, që të plotësojnë mangësitë, t’i hapin zemrën dhe të qajnë hallet me të.

Xhorxh W. Bush në Fushë-Krujë

Arjan Kamani është me origjinë nga fshati Shelq i Përmetit, djali i Dilaver Kamanit, një burrë i pashëm dhe me intelekt, i ditur në saj të zellit të tij për libra, ndonëse arsimimin e plotë e pengonte dikatura komuniste. Për fat të keq nuk jetoi edhe pak. Të paktën sa të takonte Presidentin Amerikan. I shumëvuajtur nga diktatura, bënte pjesë ndër njerëzit që e pritën me shumë gëzim lirinë. Arjani është nip i Ethem Kamanit, njeriut të punës dhe të mendjes, të cilin regjimi komunist e bëri kulak, për shkak se kishte 500 krerë bagëti dhe një kalë me shalë, për më tepër sepse ishte punëtor dhe pati ndërtuar një shtëpi dy katëshe, më e mira në atë fshat. Dilaveri iku nga fshati rreth vitit 1955, dhe u vendos në Fushë Krujë. Iku, sepse nuk e donin komunistët e fshatit. U vriste sytë paraqitja e tij, dija e tij. E lanë të ikte, jo për t’i bërë nder, por sepse u prishte biografinë, qe djal kulaku. Ama, letrat nuk ia ndanë për asnjë çast. Dëshironin që edhe Fushë-Kruja ta shihte si armik të partisë-shtet. 

Diktatura komuniste solli lulëzimin e sërvilizmit dhe nënshtrimit, karierizmit dhe shterpësisë së mendimit, hatëret dhe privilegjet. Me anë të luftës së klasave u mboll frika dhe terrori, duke u bazuar në kultin e Enver Hoxhës, kultin e partisë dhe të sigurimit, të cilët ushqyen veprimet antihumane, hipoktizinë, korrupsionin, ryshfetin, servilizmin, abuzimin me karrigen, hatëret, vjedhjet, gënjeshtrën. Të gjitha këto çuan në shkatërrimin e personalitetit të njeriut, në varfërimin shpirtëror, duke e lënë atë pa personalitet dhe pa dinjitet, pa fisnikëri e pa burrëri, shembi bujarinë e besnikërinë, mikpritjen dhe shpirtgjerësinë, urtësinë dhe punëdashjen, ushqeu mosbesimin, dinakërinë e dembelizmin. Enver Hoxha ndoqi politikën e izolimit me botën e jashtme, me kulturën dhe ekonominë europiane, me lirinë dhe demokracinë e tyre, pasi në këtë mënyrë e mbante më lehtë popullin të nënshtruar, në errësirë të plotë, sepse kështu komandohej më lehtë, njëlloj si feudalët e principatëve shekuj më parë.

Dilaveri e dinte se ç’mund të bënte lufta e klasave. I harroi bëmat e këqija të bashkëfshatarëve të vet dhe punoi tërë jetën me ndershmëri, pak kohë mësues dhe më vonë elektricist. Rreth vitit 1980 shkuan në Fushë - Krujë edhe prindërit e tij të mirë, Ethemi dhe Rubija, të cilët ndërruan jetë në atë qytezë të vogël, por relativisht të huaj për ta. 

Pas rrëzimit të komunizmit, Dilaveri erdhi në fshat, bëri një meremetim të shtëpisë dhe kërkoi të merrte tokat e të atit. Por prapë komunistët u bënë pengesë. Ishin po ata që bënin ligjin. “Nuk t’i japim tokat, - i thanë, - je i ikur nga fshati”. Dilaveri nuk mbante armiqësi. Buzëqeshte me ta, u thoshte se jemi të një gjaku, por ata nuk bindeshin. “Si mund të jemi të një gjaku, kur ne komunistë dhe ti kulak”, - shprehnin habi disa prej tyre. Nuk mundet! I bënë presion Dilaverit. E mërzitën aq shumë, sa ai u largua, duke i lënë pronat e tij në duar të atyre që i morën me dhunë, në sajë të Ligjit 7501 për Tokën, i cili e shpërndante atë sipas frymëve, por atyre që e kishin pasur në pronësi nuk u jepte asgjë.

Ambasadorja amerikane hyn në dyqanin e familjes “Kamani”

Arjani është bashkëpronar i furrës së Bukës me Klaritën, vajzën e dajës së vet. Këtë njësi biznesi e vizitoi Presidenti Amerikan, Xhorxh W. Bush. Klarita është bijë e Ali Dragojt. Pas martese thirrej Klarita Topi. 

Arjani kujton: Në fillim të muajit maj 2007, ndaluan para furrës katër makina të mëdha. Nga njëra prej tyre, zbriti Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Marsi Ris. Ishte e shoqëruar nga disa persona, të gjithë të huaj. Hynë në furrë. Në shtangëm. Nuk po kuptonin përse mund të hynte në një furrë të zakonshme, të një qyteti të vogël, ambasadorja e një vendi të madh, kur në Tiranë kishte dhjetëra furra moderne.

-Isha duke kaluar rrugës, - tha Ambasadorja duke qeshur. - Ndjeva aromën e bukës së pjekur dhe u ktheva të blejë. U thashë dhe shokëve. Me këtë aromë që ka buka e kësaj furre, pronarët nuk duhet të kenë frikë nga konkurrenca. 

-Ne u hutuam edhe më, - vijoi Arjani. - Na u duk rast i veçantë të vinte në furrën tonë një Ambasadore e një shteti kaq të fuqishëm, për të blerë dy a tri bukë. Por u kënaqëm. Na erdhi mirë që ajo hyri në furrë, pasi ky veprim ishte njëkohësisht dhe reklamë për ne. Mbase jo për këtë rast, por ajo e bëri rit një veprim të tillë. Vinte thuajse në dy-tri ditë, shoqëruar me disa të tjerë dhe blinte bukë: bukë të bardhë, të zezë, bukë misri. Pas kësaj largohej duke qeshur. 

Një ditë, ajo erdhi si përherë. Bleu sërish bukë. Por këtë radhë u bë si e shtëpisë. Një nga shoqëruesit e saj pyeti: - Po në mjediset e tjera, çfarë ka?

- Hyni dhe shihni! - u tha Klarita. 

Duket se ata këtë kishin pritur dhe hynë menjëherë. Filluan të fotografonin çdo cep. Ambasadorja u përshëndet me bukëpjekësit, i falënderoi për punën e mirë që bënin dhe u largua sërish. Kur ajo doli nga furra, i them ortakes sime, Klarita Topi, njëkohësisht dhe kushërirë e parë e imja:

- Moj Klarita! Kjo ambasadorja nuk më duket se vjen vërtetë për të blerë bukë. Po të ishte për bukë, ajo mund të dërgonte një punonjës të saj. S’kishte përse të vinte vet. Nuk i tepëroi koha. Pastaj, pak furra ka Tirana!

- Pse shqetësohesh kot, - i tha Klarita. Ne jemi në punën tonë. Po i pëlqen buka, le të blejë. Po s’i pëlqen, të iki. Le të bëjë si të dojë. Qeshëm për një moment dhe pas kësaj na rrëmbeu puna. Ambasadorja kishte ardhur disa herë, po “për të blerë bukë”.  Këtë radhë, një nga shoqëruesit e saj, pyeti:

- Sa dyer paska kjo furra juaj?

- Tri dyer, - iu përgjigjëm. 

- Kjo dera pas, pse rri mbyllur? - pyeti tjetri.

- Rri mbyllur, sepse duam të shmangim pluhurin.

Ai u afrua te njëra nga dyert dhe po trokiste mbi xham me dorë. Pastaj pyeti:

- Çfarë është ky?

- Xham, - i thamë, nuk e shihni? 

- E shoh, por desha të them çfarë xhami është?

-Emrin nuk ia dimë, por ne i themi xham qorr, që do të thotë se, mund të shohësh nga brenda jashtë, ndërsa nga jashtë nuk sheh se çfarë bëhet brenda. 

- Pyeta, ashtu kot, - tha tjetri dhe u fut sërish në ambientin e gatimit. Ai para dhe ambasadorja pas tij. Të tjerët prisnin në dhomën e shitjes së bukës. Njerëzit që e morën vesh, shprehnin habi. Ç’kërkonte Ambasadorja Amerikane, në një furrë të Fushë-Krujës, qytet i kategorisë së tretë a të katërt?

Në moment, Marsi Ris, pyet:

- Ku e mbani miellin? Kini magazinë?

- Po i përgjigjet Klarita, kemi. 

- A mund të shkojmë ta shohim, se kam dëshirë?

- Patjetër, - ia ktheu Klarita dhe i udhëhoqi drejt magazinës. Pasi ata ishin larguar, Klarita i tha Arjanit:

- Kishe të drejtë. Ka diçka mistike në këtë punë. Nuk besoj se vjen thjesht për të blerë bukë.

- Mbase vjen për shkak se jemi biznes i kredituar nga USAID-i – tha Arjani. -Interesohet të mësoi si menaxhohet kredia e marrë, a është efektive? 

Por edhe ky arsyetim nuk i bindi. Për kreditë kishte plot specialistë që merreshin përditë. Ecuria e kredisë shihej dhe në shlyerjen e interesave. Por sërish humbën pas pune. 

“Gazetarë” të New Jork Times

Arjani vazhdon tregimin e tij, duke thithur cigaren e kthyer një gotë xhon. 

- Një ditë vijnë tre amerikanë, dy burra dhe një grua. Më kërkuan mua dhe Klaritën. Dolëm dhe i takuam.

-Jemi gazetarë të New Jork Times. Duam të bëjmë një shkrim për biznesin tuaj.

- Si ka mundësi, që një gazetë kaq prestigjoze, të shkruaj për një biznes të vogël nga Shqipëria? - i thashë, pa e fshehur dyshimin unë.

-Mos u çudit, - më tha “gazetari”. Ne kemi një rubrikë të posaçme për bizneset në rritje nga vendet në zhvillim. Dhe filloi nga pyetjet. Po tregoi disa prej tyre, të cilave iu përgjigj Dritani, djali i Klaritës.

-Çfarë biznesi kini pasur fillimisht?

- Ushqimore.

-Po pastaj?

-Klub, kafe e pije të lehta.

-Pse e ndryshuat destinacionin, apo u ra puna?

- Jo. Kishim shumë punë dhe kërkohej angazhim i madh...Në një moment ndërhyri “gazetarja”:

-Unë jam beqare. Do të më pëlqente ndonjë djalë shqiptar.

- Edhe unë beqar jam, - ia ktheu Arjani, - por nuk më duket e gjetur fejesa me një të huaj.

Tri ditë më vonë, na vjen sërish mikesha e nderuar. Si përherë buzagaz. Bleu bukë dhe i pyeti një nga një punëtorët, lidhjet e tyre me pronarët, vështirësitë e punës etj. Ishte fundi i muajit maj. Ambasadorja kishte ardhur më shumë se 10 herë. Këtë radhë, para se të largohej, lëshoi një shprehje: “Pas disa ditësh, do të keni një surprizë të këndshme”. Dhe u largua.

Ne mbetem të shokuar nga “surpriza” që na priste. Jepnim lloj-lloj mendimesh, por askush nuk mendonte se do të vinte Presidenti Bush. Nuk kishte asnjë lajm që ai do të vinte në Shqipëri. Kur lajmi u bë publik në media, ardhja e ambasadores u shpeshtua. Ajo vinte gati për ditë. I thashë Klaritës që, me siguri, në furrën tonë do të vinte Presidenti Bush. Ajo ma kthente me të qeshur: 

- Duket se ke parë ndonjë ëndërr me sy hapur. 

- Jo, - ia ktheva. -Ajo surpriza që tha ambasadorja, nuk është pa gjë. Ke për të parë që do të jetë e madhe. Do të vijë vet Bush.

Tri ditë para ardhjes së Presidentit, ambasadorja na tha se biznesin tonë dëshironte ta vizitonte një personalitet i lart amerikan. Ne mbetëm të shtangur. Ajo e kuptoi dhe na qetësoi: 

-Mos u tronditni! Ju do të punoni si zakonisht. Do të jeni të veshur si përditë. Jeni në punën tuaj. Ai do të vijë si mik, vetëm për një vizitë. Natyrisht, mund të ketë më shumë rregull e pastërti. Kjo është normale. Për këtë, nuk po u them gjë, pasi ju kini traditë të mirë pune. Sa herë kam ardhur këtu, kam vënë re se pastërtia është shëmbullore. Por ju nuk do të thoni, që do të vijë ndonjë person me rëndësi, pasi më të rëndësishëm, ini ju vet. Këtë gjë nuk ua kam thënë unë. Pastaj i tha Klaritës: Dëshiron të marrësh pjesë në një takim me Presidentin Bush?

-Me kënaqësi, - tha Klarita, - por mbase është më mirë të vij im bir.

-Jo, duhet të vini ju, tha prerë ambasadorja. Por atë ditë mos u largo, që të gjejmë kollaj, se bllokohen rrugët dhe mund të na “humbasësh” nga sytë.

Duke ecur në këmbë, Arjani pati dëgjuar refrenin e njëtrajtshëm të lypsave që kishin mbetur aty, duke kërkuar bukë, ndofta që nga koha e mjerimit të Migjenit. Ai ndjente keqardhje për ta, pasi në përgjithësi kishte raporte të afërta me njerëzit e varfër. Jepte falas të paktën 10 bukë në ditë. Por sërish ndihej i pafuqishëm. Mendonte se ushtria e qeveritarëve ndodhej ende në periferinë e realitetit dhe nuk mund t’i afronte ndihmën e duhur popullit të vet. Kishte kohë që përplasej me njerëz të pushtetit për të zbutur ingranazhet e kësaj makinerie, e cila prodhonte varfëri dhe vdekje, në sajë të korrupsionit të madh. Aparati shtetëror gjente gjithmonë një arsye për të çuar deri në fund “inkuizicionin” e vet, që po shoqërohej përherë e më shumë me largimin e njerëzve jashtë atdheut. Dhe thoshte me vete: Do Zoti të mos shoh asnjë prej tyre Presidentit i SHBA-ve.

LEXO TE PLOTE KETU

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1