Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | REPORTAZHE | Memoralistika e diplomacisë kombëtare dhe ndërkombëtare

Memoralistika e diplomacisë kombëtare dhe ndërkombëtare

image Reis Malile dhe Alfred Papuçiu në Pallatin e Kombeve Gjenevë

Memoralistika e diplomacisë kombëtare dhe ndërkombëtare

Alfred Papuçiu

Pasi dëgjon sinfonitë e Bethovenit dhe gjen aty vetveten, duke u shkëputur tërësisht nga hallet e jetës dhe pesimizmi, kthehesh në njeriun më të lumtur të botës. Njerëzit lindin të gjithë njëlloj, por që të zhvillohen sa më mirë, duhet të heqin dorë nga qëndrimet armiqësore dhe paragjykimet ndaj njëri-tjetrit që mund të vijnë si pasojë e përkatësisë kombëtare, asaj fetare apo ideologjisë së regjimit të shtetit nga i cili vijnë. Pra, aftësitë e njeriut mund të zhvillohen maksimalisht vetëm në shoqërinë e harmonisë absolute, ku nuk ka më asnjë dallim midis njerëzve. A do ta arrijmë ndonjëherë këtë stad në Kombin tonë në tranzicion?

Diskutojmë herë pas here me miq e dashamirës të Shqipërisë, me funksionarë ndërkombëtarë e personalitete të të drejtës ndërkombëtare dhe atyre u vjen mirë që edhe Shqipëria tashmë ka hyrë me të drejta të barabarta në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara. Një funksionar i lartë i Parlamentit Europian, ish i diplomuar në Institutin Europian të Gjenevës, ishte i pranishëm  në 40 Vjetorin e krijimit të këtij Instituti tek « Château de Coppet ». Biseduam miqësisht me të për Parlamentin Europian, për Shqipërinë e vogël dhe ai ishte i predispozuar të ndihmonte për ecurinë e marrëdhënieve të vendit tonë me atë Parlament. Bile më ftoi për t’i bërë dhe vizitë dhe unë me takt i rekomandova të takohej me përfaqësuesit tanë atje, për të cilët kam shumë respekt, pa qënë nevoja të përmend emra. Tashmë jam vetëm një shqiptar i thjeshtë, ish diplomat pranë organizmave ndërkombëtare në Gjenevë, ish-funksionar ndërkombëtar ku punova vite të tëra pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD, si dhe në Byronë Ndërkombëtare të Punës.

Një vlerësim për vendin tim

Prandaj edhe në këto çaste nguroj të bëj një vlerësim të veçantë për marrëdhëniet e vendit ku kam lindur, megjithëse formimin fillestar e kam marrë në drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, apo në shkollën e madhe të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, apo Nju Jork, kur ndiqja vite radhazi (tetë vjet) punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Si ne ishin dhe fqinjët tanë algjerianë, amerikanë, apo të kombeve të tjerë, francezë, gjermanë, arabë, latino-amerikanë etj., që para se të caktoheshin diku në një shtet për të përfaqësuar vendin e tyre, kalonin një ose dy vite në shkollën e madhe të OKB-së në Nju Jork apo Gjenevë, ku janë grumbulluar numri më i madh i organizmave ndërkombëtare. Nuk ka shkollë më të mirë se sa të kesh mundësi që të shkëmbesh mendime me përfaqësues të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që janë për orë të tëra në komisionet e çarmatimit, të të drejtave të njeriut, të problemeve ekonomike e sociale, të energjisë, ato juridike. Pjesëmarrja në konferencat e shumta në kuadrin e Kombeve të Bashkuara dhe organizmave të tjera ndërkombëtare në Nju Jork, Gjenevë, Paris, Vjenë, Kajro, Nairobi, Bruksel, Rhodes, Dubai, Nju Deli, Limasol, Antalia, Bazel etj., më kanë shërbyer pastaj në punën time afro njëzetë e pesë vjeçare me organizatat ndërkombëtare, si përfaqësues i Shqipërisë apo edhe si funksionar me status të veçantë, punonjës ndërkombëtar i pavarur.

Le të më lejojnë lexuesit të bëj një digresion. Im atë i paharruar, Tuni Papuçiu, ka qënë kryeredaktor i parë i revistës « Sporti », në 1945, pas një pune si redaktor i gazetës « Përpjekja e rinisë » (në vitet 1943-44) bashkë me shkrimtarin fierak, penëartin Jakov Xoxa. Gjithmonë kujtonte Ballkaniadën e vitit 1946, kur bashkë me Andon Mazrekun e shokë, sportistët shqiptarë bënë që zëri i Shqipërisë të kalonte kufinjtë e Ballkanit. Kujtonte se si kish punuar qysh atëhere me organizma sportive të Ballkanit për të shtuar shkëmbimet me to. Paçka se ndonjë zë i çjerrë e që nuk donte të mirën e Shqipërisë e kish sulmuar pa të drejtë për këtë hap që kishte ndërmarrë. Ai vazhdoi rrugën e tij, megjithëse për arsye që nuk vareshin nga ai dhe për shkak të karakterit të tij të pavarur e fisnik, modest, nuk pranoi të bëhej urë e disa njerëzve meskinë, arrivistë e keqdashës…

Nuk mund të qëndroj pa përmendur qëndrimin burrëror, tepër të matur dhe domethënës të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili në këto çaste kritike për vendin tonë jep një mesazh të qartë për të mirën e Shqipërisë mëmë dhe të vetë shqiptarëve ku janë edhe në Diasporë.

 

Në jetën time si funksionar ndërkombëtar, jam përpjekur të ndihmoj vendin tim, natyrisht me mundësitë e mija modeste. Vija nga një ekip i vogël prej tre vetësh, Piro Vito, Sulo Myftiu, Agron Agalliu dhe pak më vonë Shaqir Krasta që merreshim me organizatat ndërkombëtare në Shqipëri dhe që mbulonim dhjetra e dhjetra organizata ndërkombëtare dhe jo-qeveritare. Duhej në të njëjtën kohë të siguronim bursa për specialistët tanë të fushave të ndryshme, mjekësi, telekomunikacion, bujqësi, shkencë, arsim, pyje, specialistë të rritjes së ullirit, inxhinjerë të naftës, të energjetikës, të fizikës bërthamore, të sizmikes etj. dhe në të njëjtën kohë të ndihmonim në realizimin e udhëtimeve studimore për ta, si dhe për pjesëmarrjen në konferencat ndërkombëtare. Detyra nuk ishte e lehtë, pasi ishin pengesat e kohës. Mosnjohja e gjuhës nga disa specialistë pengonte pjesëmarrjen e tyre në udhëtime studimore. Ngulmonim pranë institucioneve shkencore që të shkonin të paktën me bursat e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (PNUD) që ka ndihmuar shumë në atë kohë dhe tani,  me dhjetra projekte për Shqipërinë, edhe specialistë që nuk e dinin mirë gjuhën. Ata shoqëroheshin nga një koleg tjetër që e dinte gjuhën mirë dhe shpesh shërbente edhe si përkthyes për shokun e tij. Gëzoheshim për arritjet e përfitimet e tyre, gjë që ata e shprehnin në bisedat e përbashkëta në institucionet e tyre, apo edhe rreth një tavoline midis miqsh të mirë. Kishim pranë specialistë të mirë që i njihnin organizatat ndërkombëtare në mënyrë të përkryer, si Sulo Myftiu që jepte përvojën e tij, pa u kursyer. Me ne shpesh bashkohej dhe i paharruari Rako Naço që me humor na fliste për përvojën e tij dhjetra vjeçare me organizatat ndërkombëtare, sidomos në Nju Jork. Kur përgatisnim sesionin e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së me ne qëndronte si shok e bisedonte shtruar, fisniku dhe i përkushtuari i diplomacisë shqiptare, Reis Malile që me përvojën e tij të madhe që nga 1945, modest siç ishte, na bënte vërejtje për fjalimet që përgatisnim apo për hapat që duheshin ndërmarrë me organizatat ndërkombëtare. Ai së bashku me të ndjerin Sokrat Plaka e vlerësonin shumë punën e punonjësve që merreshin me OKB, por edhe të stafit diplomatë në Nju Jork, Gjenevë, Paris, Vjenë e gjetiu. Kam marrë pjesë në dhjetra e dhjetra takime që ministri ynë i jashtëm Reis Malile organizonte me ministrat e jashtëm të vendeve fqinje apo të Europës etj., si me Andreotin, Papulias, Gensher , Ylmaz etj., dhe prej tyre kam mësuar shumë për jetën time të mëtejshme diplomatike. Shpesh aty afishoheshin probleme që nuk dilnin në shtyp, por që gjithmonë shprehnin dëshirën e mirë të bashkëbiseduesve për marrëdhënie të frytshme me Shqipërinë e vogël.

Ende pa u vendosur marrëdhëniet diplomatike me SHBA, ne dëgjonin fqinjin tonë në sallën e Asamblesë të Kombeve të Bashkuara, së bashku me shokun tim të mirë, Ilia Jankun, të thoshte për fjalimin e Reizit “good Speech”. Ai siç na tha e bija u shpreh kështu pasi kishte qënë në fillimet e Shqipërisë pas luftës, ambasador i SHBA në Shqipëri dhe ruante kujtimet më të mira.

Dhe ai Reis Malile i përkushtuar e la detyrën dhe nuk pranoi të ndërhyhej kur demostruesit u mblodhën në protestë para MPJ në 1991, me kërkesaat e tyre të drejta. Ai ishte njeri me karakter dhe kam qënë i pranishëm në zyrën e tij kur i tha kryetarit të shtetit të asaj kohe, Ramiz Alia se këshilltari i tij nuk duhej të ndërhynte pa kriter në hartimin e fjalimit të ministrit të jashtëm që do mbante në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Dhe Alia i dha të drejtë. Reis Malile kishte kaluar në jetën e tij “rebeshe” të cilat i përballoi me ndihmën e miqve dhe shokëve të mirë. E shoqja dhe dy fëmijët e tij kishin humbur jetën kur kishin nisur udhëtimin e tyre nga Pekini për në atdhe. Ai filloi një jetë të re shumë kohë më vonë me Verën fisnike dhe dy vajzat që lindën nga martesa e tij me të. Prandaj ai kur punoja në drejtorinë e organizatave ndërkombëtare përpiqej tu jepte zgjidhje edhe problemeve që kishin hasur të verbërit dhe na udhëzonte ti ndihmonim duke i lidhur me organizmat ndërkombëtare. Ai kishte në dorë një botim për përvojën e tij të madhe me organizatat ndërkombëtare, por nuk mundi ta përfundonte se e mposhti sëmundja e pabesë.

Si u botua Karta e OKB-së dhe Statusi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Nuk ishte e lehtë atëhere të botoje „Kartën e OKB-së dhe Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë“. Kjo u arrit vetëm në sajë të ngulmimit të Reis Maliles, me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësuesit të saj, Nobuaki Oda, që u apasionua pas pikturës shqiptare dhe vlerësoi shumë mikpritjen shqiptare dhe në shkëmbimet që kishim më vonë. Gjithçka gjatë viteve u arrit edhe në sajë të këmbënguljes së diplomatëve dhe punonjësve që një pjesë të mirë të jetës e dhanë për ecurinë e Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare. Nuk mund të ri pa përmendur dhe specialistin e njohur për ndjekjen serioze qysh në fillim, të problemeve të ecurisë së marrëdhënieve tona me Organizatën Botërore të Tregtisë, Agron Agalliun, i cili ka qënë dhe mbetet fjalëpak, modest dhe nuk kërkoi diçka më tepër për veten. Ai përfaqësoi me dinjitet vendin tonë pranë organizmave ndërkombëtare në Bruksel, megjithëse ndonjë “qoftëlarg” u mundua të hedhë baltë mbi punën e tij të përkushtuar. Sa kemi bashkëpunuar me Gonen fisnik, ish shok i im i mirë i Fakultetit, si për ndihmën e tij për librat e mij, ashtu edhe gjatë qëndrimit të tij në Bruksel pranë Misionit shqiptar në Bashkimin Europian ku unë mora pjesë mëse njëherë në Konferencën e përbashkët Shqipëri, vendet e BE dhe organizatat ndërkombëtare për ecurinë e bashkëpunimit me Shqipërinë. Sa herë kemi diskutuar me Gonen për bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare kur ai vinte në Gjenevë për të marrë pjesë në konferencat e Organizatës Ndërkombëtare të Tregtise, ku ai ishte një ekspert me vlerë që vlerësohej nga ministrja Ermelinda Meksi. Pas largimit të saj mbi Agronin u lëshuan disa hiena dhe ai u detyrua të tërhiqej dhe të punonte si përkthyes zyrtar për disa organizma në Shqipëri. Puna e tij vlerësohej por ndërkohë ky njeri fisnik dhe i përkushtuar e kishte zemren të thyer. Apo bashkëshorten e tij, Ilirjanën, njohëse shumë e mirë e gjuhëve të huaja dhe me një përvojë të gjatë në fushën e komunikimit e të gazetarisë. Ajo na ka sjellë në shqip shumë botime me vlerë, si veprat e shkrimtarit Paulo Kuelo, i cili banon në Gjenevë. Ilirjana i qëndroi me përkushtim Agronit gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër dhe sidomos tre vitet e fundit që atë njeri të mirë e “pushtoi” sëmundja e pabesë.Të më falin të tjerët që për arsye vendi apo funksoni të tyre, nuk mund t’i përmend këtu, pa lejen e tyre. Por janë me dhjetra e qindra diplomatë të shquar që kanë përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në Paris, Nju Jork, Vjenë, Beograd, Bernë, Gjenevë, Stokholm, Kajro, Romë, Shkup, Uashington, Argjentinë, në vendet e Amerikës Latine, të Azisë dhe Afrikës, edhe në vitet kur puna e tyre ishte jo e lehtë: në një mjedis ku ndonjë keqdashës i vendit tonë hidhte rromuze apo donte të denigronte popullin tonë liridashës, patriot e të pavarur. Paçka se koha ishte e tillë dhe hapat që bëheshin për ecjen më tej në marrëdhëniet me vendet e veçanta apo me organizatat ndërkombëtare shpesh hasnin ndesh në meskinitetin e ndonjë „qoftëlargu“ që nuk mendonte për të mirën e Shqipërisë, si edhe tani ndonjë, por të siguronte vazhdimësinë e vegjetimit në një botë që po ndryshonte kudo. Sot, përfaqësuesit tanë në misionet diplomatike apo në organizatat ndërkombëtare, që fatmirësisht janë shtuar, kanë mundësi të shumta dhe të paçmuara për vendin e tyre. Në këtë drejtim janë bërë hapa të mëdha përpara por edhe më tepër mund të bëhet…

 

Emra të tjerë të diplomacisë profesioniste shqiptare

 

Pa e zgjatur, pasi duhen faqe të tëra për të përmendur punën e punonjësve që çdo ditë merreshin me organizatat ndërkombëtare, me mundësinë e pranimit të Shqipërisë në organizma të tjera ndërkombëtare, apo me ratifikimin nga ana e Shqipërisë të normave ndërkombëtare, apo pranimin e saj në organizma të tjera, më lejoni të përmend vetëm disa emra të shqiptarëve që kanë luftuar në çdo çast për të mirën e Shqipërisë dhe zgjerimin e bashkëpunimit të saj me organizatat ndërkombëatre. Nuk mund të ri pa permendur punën këmbëngulëse të atij juristi fjalëpakë, por punëshumë, Prof. Dr. Ksenofon Krisafit që ka emrin e tij të shkruar në piedestalin e njerëzve që kanë ndërtuar një rreth miqsh e dashamirës ndërkombëtarë, si gjatë kohës që punonte për çështjet juridike dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për Shqipërinë në MPJ, ashtu dhe gjatë kohës kur ishte përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Zvicër. Organizimi i veprimtarive të shumta për Shqipërinë, kontaktet e tij frytdhënëse me diplomatë e funksionarë ndërkombëtarë të lartë, kanë bërë që edhe sot ai kujtohet me nostalgji nga shumë miq e dashamirës të Shqipërisë. Ai organizoi në Pallatin e Kombeve në Gjenevë ekspozitën me piktura të Leda Albaneze, me origjinë shqiptare dhe të piktorëve Bujar Marika dhe Dolor Hasanaj. Nga viti në vit ai na ka dhënë në dorë disa libra të çmuar si  „Në kërkim të arit“ që përmban në mënyrë analitike historinë e arit shqiptar të rrëmbyer gjatë Luftës së Dytë Botërore apo për çështjen e detit, të punës me organizatat ndërkombëtare në Gjenevë, apo “Në Gjenevë për Kosovën” ku flet për Kosovën martire, që përbëjnë një ndihmesë të çmuar në historikun e diplomacisë shqiptare.

Gjithashtu nuk mund ti mos përmend “Për tokën dhe detin e Shqipërisë" që përmban postulata për mbrojtjen e të drejtës për vendin tonë për tokat dhe detin e saj. Në to Ksenofoni nuk ka munguar të vlerësojë dhe punën e Misionit tonë pranë organizatave ndërkombëtare në Gjenevë gjatë kohës që unë e drejtoja me një staf tepër të kufizuar. Sidomos kemi bashkë punuar edhe për çështjen e arit të grabitur të Shqipërisë në bisedimet që u zhvilluan në Gjenevë me delegacionin e Britanisë së Madhe. Nuk mund të ri pa përmendur juristin Piro Vito që vite të tëra drejtoi drejtorinë e organizatave ndërkombëtare dhe dha një ndihmesë të çmuar si ambasador në Rumani. Më vjen keq që rruga e jetës këtë diplomat të zotë e ka detyruar të marrë një drejtim tjetër. A mund të ri pa permendur diplomatin e karrierës dhe këshilltarin e përkushtuar të Misionit shqiptar në OKB në Nju Jork, Ilia Janku me të cilin shpesh diskutonim hapur dhe gjërësisht në Nju Jork, si miq të mirë dhe të sinqertë për lidhjet e Shqipërisë me organizmat ndërkombëtare. Fatkeqësisht ai u largua shpejt nga kjo botë. Megjithatë unë ruaj kujtimet më të mira për këtë diplomat të zotë dhe fjalëpak, modest dhe i aftë në funksionin e tij të ngarkuar. Diplomacia e karrierës që ka marrë rrugë të mbarë edhe në vendin tonë, duhet të zerë më shumë vend në MPJ. Kjo nuk është kritikë, pasi në krahasim me të kaluarën statusi i diplomatit në përgjithësi është vendosur drejt, por nga përvoja personale, edhe nëse në vendet më të mëdha në botë, qeveritë ndryshojnë apo vijnë në pushtet njerëz të partive që kanë më shumë vota nga zgjedhjet elektorale, përsëri stafi diplomat, apo edhe i administratës që ndjek ecurinë e marrëdhënieve ndërkombëtare apo dypalëshe të një vendi, mbetet. Duhet kohë pastaj që një i ri i posacaktuar të mund të japë diçka më tepër se sa një punonjës që ka shkrirë jetën e tij për të arritur diçka të mirë për vendin e tij. Unë nuk jam kundër angazhimit të njerëzve të rinj që pastaj kanë çarë rrugën në punën me organizmat ndërkombëtare. Përkundrazi, me këmbënguljen time dhe të ish kolegëve të mij, kam arritur të shkoj deri edhe tek zëvëndës sekretari i përgjithshëm i OKB-së dhe drejtor i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, njeriu i shquar, erudit  e modest, suedezi Jan Martenson, i cili pas fjalës sime, pranoi megjithëse e kishte kaluar moshën e pranimit, një jurist të ri në kursin e së drejtës ndërkombëtare, i cili më vonë eci vetë në rrugën e vështirë, por të bukur të organizatave ndërkombëtare. Apo pas ndërhyrjes sonë pranë zotit Dhanapala, ish drejtor i UNIDIR (organizëm i Kombeve të Bashkuara për çarmatimin) u pranua një diplomat shqiptar i cili mbaroi shkëlqyeshëm kursin 6 mujor në Gjenevë, Japoni e gjetiu. Me punën dhe formimin e tij të shëndoshë, ai sot ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në forumet ndërkombëtare, sidomos pranë Bashkimit Europian dhe në marrëdhëniet dypalëshe. Shqipërisë i duhen njerëz të tillë që të mbrojnë pikpamjet apo të drejtat e saj, gjatë gjithë karrierës së tyre. Vetëm mirë do të shohë vendi ynë, specialistët tanë, në rrugën drejt Europës që i përkasim, por që për një arsye apo një tjetër, pranimi i saj vonohetdhe jemi akoma në “Europën tjeter” si edhe Zvicra dhe disa vende të tjera. Ndërkohë Zvicra nuk ka nevojë për Europën e Brukselit, ndoshta pak të atrofizuar, pasi marrëdhëniet e saj me fqinjët dhe Europën apo SHBA janë të shkëlqyera. Zvicra nuk ka kufinj me fqinjët, por vetëm lule dhe gjelbërim dhe disa mjete motorike për të penguar “qoftëlargët” që livadhisin akoma në vende të tjera. Një shembull që duhet marrë edhe nga vende të tjera, me vetëm shtatë ministra të të gjithë krahëve politike, por që janë në unison për të mbrojtur çështjet e Zvicrës. Zvicra i mban afër mbi 700 mijë bashkëpatriotë të saj që janë vendosur kudo në botë dhe i cilëson me nderin “Republika e pestë” e saj.

 Isha me një mikun tim, J.Fabre, i cili gjithë jetën ka punuar në një organizëm ndërkombëtar me prestigj si UNICEF dhe që gjithmonë ka qënë dashamirës për të më ndihmuar për botimet apo ndjekjen që i bëja ecurisë së marrëdhënieve të vendit tim me organizatat ndërkombëtare. Folëm ashtu midis miqsh dhe kujtuam ata diplomatë e pjesëmarrës të konferencave ndërkombëtare, bashkëatdhetarë të mij që ai i kujton edhe sot me respekt, megjithëse rrugët e jetës së tyre, i kanë shpënë në një drejtim tjetër apo ata nuk jetojnë më…

 

Përvoja e viteve ka dëshmuar se shumë përfaqësues shqiptarë të aftë në fushën e tyre, me gjuhë të huaj dhe njohje të mirë të diplomacisë ndërkombëtare, kanë përballuar me sukses pjesëmarrjen në mbledhjet apo seminaret e organizmave të sistemit të Kombeve të Bashkuara, si dhe punojnë me dinjitet në to, duke ndihmuar në ecurinë e projekteve dhe programeve të bashkëpunimit me Shqipërinë apo me vendet e rajonit te Ballkanit. Përfaqësues nga Shqipëria kanë marrë pjesë në veprimet e ruajtjes së paqes, në disa zona të botës, në vëzhgimin e zgjedhjeve në vende të ndryshme, në projekte bashkëpunimi rajonal etj. Edhe organizimi i veprimtarive për Shqipërinë në këto organizata do të ndihmonte per njohjen më të mirë dhe reale të Shqipërisë, të shqiptarëve, të kulturës, artit, zakoneve dhe virtyteve të tyre të mira.

 

Le të më lejojnë lexuesit të bëj një digresion lidhur me problemin e vazhdimësisë së ndjekjes nga ana e punonjësve apo diplomatëve më të mirë të Shqipërisë, të ecurisë së saj me organizatat ndërkombëtare. A ka gjë më dinjitoze që një specialist i njohur i organizatave ndërkombëtare, i problemeve të ecurisë së marrëdhënieve me vendin tonë, apo një njohës i përkryer i gjuhës angleze, si zoti Muhamet Kapllani, që për disa vjet punoi si këshilltar pranë presidentit të Republikës së Shqipërisë të japë ndihmesën e tij. Me përvojën e tij dhjetra vjeçare, me modestinë që e ka karakterizuar, ai nuk ka nevojë për fjalët e mija të mira, pasi unë jam një ish-nxënësi i tij që e dëgjoja me vëmendje vitet kur shkonim bashkë për tetë vjet rresht, në Kombet e Bashkuara. Do të kisha dëshirë,  që ai të shkruajë për rrugën e tij të gjatë si njohës i përkryer i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai dhe të tjerë njohës të organizatave ndërkombëtare do t’i bënin në këtë mënyrë një shërbim të madh kombit dhe brezave të ardhëshëm. Më kujtohet i ndjeri miku im i mirë, Filip Kote që përvojën e tij disa dhjetëvjeçare me sindikatat në botë e hodhi në letër dhe besoj që edhe sot libri i tij mbetet një udhërrëfyes në marrëdhëniet e sindikatave tona me organizmat sindikale në botë. Ishte ai që më angazhoi qysh në moshë të re për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare në 1971 në Kajro të Egjiptit, nga e cila fitova një përvojë të mirë dhe mësova shumë për shqiptarët atje që kanë dhënë një ndihmesë të çmuar për zhvillimin e atij vendi të madh dhe me tradita. . A ka përvojë më të bukur se ajo e prof. Luan Omarit, prof. Arben Putos, Javer Malos, Misto Treskës, Sokrat Plakës, prof. Ksenofon Krisafit, Prof. Shaban Muratit etj., që me modesti kanë hedhur një gur në historikun e marrëdhënieve të Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare, apo për çështje të veçanta si ajo e detit apo të Kosovës martire. Shaban Murati tek libri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”ndër të tjera paraqet një antologji të analizave sistematike të tij për problematikën diplomatike të shtetit të Kosovës, që nga krijimi i tij, deri në ditët e sotme. Sistematizimi i çështjeve, konsekuenca dhe dinamika e ndjekjes së tyre në zhvillim e sipër, e bëjnë librin aktual dhe lexuesi mund të gjejë në të disa përgjigje për pikëpyetjet dhe për zhvillimet e sotme rreth Kosovës. Analiza e autorit përmbledh çështjet më të mprehta, me të cilat është përballur diplomacia dhe shteti i Kosovës në dhjetëvjetëshin e parë të jetës së vet. Me Shabanin dhe të ndjerin kompozitorin e aftë dhe gazetarin penëartë, Kastriot Gjini, Vladmir Cicanin, Arshi Ruçaj, kemi bashkëpunuar rregullisht në vitet 70-të në shtypin shqiptar, sidomos me gazetarin e ndjerë dhe tepër të aftë Napolon Roshi të “Bashkimit”, apo me Agim Cergën e “Yllit”, me “Dritën” e gazeta të tjera të kohës. Jam i bindur se miku im botuesi i suksesshëm, Fatmir Toçi i botimeve „Toena“, me të cilin kam realizuar deri tani disa botime dhe së shpejti mendoj të realizoj dy të tjerë, do ta mirëpriste një nismë të tillë, në shërbim të Kombit.

Gjithcka gjatë viteve u arrit edhe në sajë të këmbënguljes së diplomatëve dhe punonjësve që një pjesë të mirë të jetës e dhanë per ecurinë e Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare, si Bashkim Pitarka (funksionar ndërkombëtar i pakursyer për vendin e tij), Ilia Janku i paharruar që u largua shumë shpejt nga kjo jetë, por që edhe sot dëgjohet të përmendet emri i tij tek shqiptarët e Amerikës që ruajnë një respekt për këshilltarin serioz e këmbëngulës të Misionit shqiptar, për Tefta dhe Justin Papajorgjin që me njohuritë e tyre të gjuhes angleze, spanjolle etj., arritën të bënin shumë miq të Shqipërisë së vogël atje në Nju Jorkun e largët. Tani ata ndodhen në Australi dhe japin ndihmesën e tyre modeste për Shqipërinë mëmë. I tille ishte edhe Abdi Baleta, penë e fortë në OKB Nju Jork, me të cilin kisha bashkëpunuar në Nju Jork dhe u takova përsëri miqësisht në një konferencë për çarmatimin organizuar nga OKB, në Rod të Greqisë. A kishte diplomat më të zotë se Kujtim Hysenaj me të cilin ndamë vitet e fakultetit dhe më vonë në detyrat e tij diplomatike që i mbuloi me përkushtim në Nju Jork, Paris e Beograd. Sa herë kaloja në Paris për të shkuar në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara bisedoja me Kujtimin haptas për rrugën që duhej të ndiqte Shqipëria në marrëdhëniet me organizmat ndërkombëtare, rajonale dhe dypalëshe. Ai dhe bashkëshortja e tij fisnike Mimoza, më prisnin dhe shkëmbenim mendime si miq të vjetër dhe besnikë. Më kujtohet si tani buzëqeshja e tij e lehtë kur shoku ynë Ylli që nuk ishte aspak tifoz i futbollit diskutonte për një çast me pasion përr ndeshjet. Apo kur profesori ynë i nderuar Nonda Bulka na ftonte në apartamentin e tij dhe Ylli donte të merrte ndonjë libër nga biblioteka e tij e pasur, finsiku Nonda e qortonte duke i thënë se më parë duhej të dorëzonte librin që kishte marrë. Dhe Kujtimi qeshte me ë madhe. Nuk mund te ri pa përmendur edhe shkrimtarin dhe mikun Luan Rama, ish përfaqësues në UNESCO dhe ambasador në Francë, i cili është mik i përbashkët me mbajtësen e dekoratës “Legion d’ honneur”, Solange d’Angely që ka bërë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Solange më ka vlerësuar dhe ja di për nder kur u bë promovimi i tre librave të mij në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës, organizuar nga Albana Krasniqi-Malaj, ku ishin ndër të tjerë miq të mij të mirë si Prof. Jean-Philippe Assal, gazetari Pierre Barde që ka qënë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, Prof. Isuf Kalo etj.  Ruaj me kujdes në Bibliotekën time librat e Robert d’Angely për gjuhën shqipe që ajo m’i ka dhuruar me autograf. A mund të mos përmend Isuf Vrionin, njeri fisnik dhe njohës i përkryer i gjuhës frënge që na përfaqësoi me dinjitet në UNESKO në Paris në vitet e fundit të jetës së tij . Më kujtohen bisedat me të në shtëpinë e tij në rrugën e Kavajës, tepër të ngrohta, domethënëse dhe inspiruese. Fliste me elokuencë dhe me pasion jo veteëm për letërsinë frënge që e njihte në majë të gishtave, por edhe për gjithçka që lidhej me aktualitetin. Gjithçka e shihte me një vizion realist dhe pa artifica.

 

Shqipëria dhe Kosova europiane

E kam ndjekur me interes si çdo shqiptar debatin e shfrenuar lidhur me mundėsinė apo jo qė Shqipėria tė bėjė pjesė nė familjen europiane tė Brukselit. Gjakrat janė ndezur dhe shkohet deri atje, sa “për inat të sime vjehrre”, disa janë gati “të flenë me mullixhinë”. Gazetat shqiptare shprehin mendime të kundërta dhe botojnė shkrime tė analistėve, qofshin kėta europianë, amerikanë, shqiptarë, deklarata tė atyre qė janė “kundër” apo “pro” pėrkatėsisė europiane tė Shqipërisë. E kuptoj se për interesat e tyre politike, grupime tė caktuara pėrpiqen tė imponojnė argumentet e tyre. Por kėtu nuk ėshtė fjala për interesat politike, ekonomike, sociale, vetėm tė njė grupimi qoftė ky i sė majtės, i qendrės, apo i sė djathtės, por kemi tė bėjmė me interesat e ligjshme tė tė gjithė kombit, popullit shqiptar tė shumėvuajtur: mundėsinė e futjes në Bashkimin Europian. Ėndrra europiane e brezave tė tėrė, siē duket, pėr egoizëm tė disave, mund tė shtyhet akoma. Nė këtë kor, futen edhe grupime të caktuara europiane, qofshin në Bruksel, Strasburg, Luksemburg, Bukuresht, Beograd, Athinė, Madrid etj., që kanë frikë siç duket nga ideja e Shqipërisë së Madhe, e cila në fakt nuk shtrohet tani dhe nuk pėrbėn realitet imediat. Shqipėria dhe Kosova janė dy shtete tė pavarura, me Presidentë dhe qeveri tė veçanta qė i kanė rritur shkėmbimet e tyre, dhe kjo ėshtė mëse normale, që flasin një gjuhë, ashtu siç ėshtė Zvicra me Italinė, Austrinė, Francėn, Gjermaninė, Lihtenshtejnin, ku flitet respektivisht italishtja, gjermanishtja, frėngjishtja apo romanshë dhe popuj tė kėtyre vendeve kalojnė lirisht dhe janė vendosur atje ku kanė gjetur punė apo ku kanė interesa dhe jetė mė tė mirė. E mbaj si gjë të çmuar letrën që kam marrë dikur nga ishministrja e jashtme e Konfederatës zvicerane, Micheline Calmy-Rey, ku më shkruante me përzemërsi për mbrojtjen e të drejtave të vëllezërve të Kosovës dhe rrugën e duhur që duhej ndjekur për Kombin tonë të lashtë europian. Ajo jep tani ndihmesën e çmuar në Universitetin e Gjenevës për rrugën europiane, duke dhënë përvojën edhe të Zvicrës. Historia e Europës e lidhur me atë të vendit tim, Shqipërisë, si dhe të vëllezėrve tė mij nė Kosovë, më tërheq së tepërmi. Kam edhe unë argumenta për t’i bindur bashkëbiseduesit për praninë e Shqipërisë dhe Kosovės edhe « De jure » në Europë. Me të drejtën e tyre të shkruar, romakët i dhanë Europës rregullat që drejtuan marrëdhëniet sociale. Misionarë të ardhur nga Roma, Irlanda dhe Kostandinopoli përhapën besimin kristian në Europë. Megjithëse kisha orientale u deklarua e vetmja kishë « orthodokse », duke u ndarë nga Roma, dhe megjithëse Reforma u imponua në shumicën e vendeve të Europës Veriore, parimet kryesore të kristianizmit janë të ngjashme për të gjithë kristianët e të gjitha besimeve dhe bazat e moralit kristian njihen kudo. Megjithë shumllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime : mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europën e Brukselit.

Ata që i mbajnë akoma në dorë fatet e Shqipërisë dhe Kosovës në Bruksel e gjetiu duhet ta dijnë mirë se kanë qënë shqiptarët ata që i kanë mbajtur, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vatrat e tyre pa i dorëzuar tek nazistët gjermanë,  mijra italianë që kishin ardhur si pushtues. Ata u mbrojtën dhe u larguan vetëm pas mbarimit të kësaj Lufte. Janë me mijra e mijra ata grekë që kanë marrë ndihma nga shqiptarët gjatë luftës italo-greke dhe si mirënjohje breza të tjerë të këtyre njerëzve humanë shqiptarë, marrin pension nga shteti grek. A nuk duhet në këto çaste, këta miq të Shqipërisë, grekë, që për çudi mbeten më tepër miq të serbomëdhenjve, apo  italianë, si edhe çifutë (të vetmit shqiptarët në Europë që nuk i dorëzuan hebrejtë tek xhelatët nazistë)  të ngrejnë zërin e tyre për të vënë në vend padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Apo tashmë ata e ”kanë kaluar lumin” dhe u intereson që edhe disa vite të përfitojnë nga puna e papaguar e atyre mijra e mijra shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova, që rropaten rrugëve të Greqisë, Italisë dhe gjithė Europës!?

Më kujtohet para disa vitesh, një bashkëkombas i yni, ju drejtua një ministri të jashtëm të një vendi europian, ku ishte vendosur: ”Zoti ministër, unë kërkoj nga autoritetet tuaja të departamentit të brëndëshëm të më japin lejen e qëndrimit këtu, pasi unë kam dhënë kontribut edhe për vendin tuaj duke luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Ministri qeshi me të madhe dhe u dha porosi atyre që ishin pranë tij t’i jepnin përgjigje pozitive qytetarit nga Shqipëria.

A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoeuropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej dhjetra dekadash, a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, Skënderbeu europian, ata guvernatorë e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, Mic Sokoli, Isa Boletini, Shote Galica, Adem Jashari, ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm, vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, Kosova, edhe ata popuj që kanë ëndërruar të « kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin për në Europë », në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë.

Ndërtimi europian ka lindur nga një dëshirë për paqe në Europë, pas Luftës së Dytë Botërore, me - ndër të tjera - pajtimin franko-gjerman. Disa mendje vizionare kishin parë, para të tjerash, domosdoshmërinë e një Europe të bashkuar. Midis tyre, Viktor Hugo, në atë që padyshim është një nga fjalimet e tij më të mëdha, sigurisht që është një nga më të mëdhatë në Europë.

Në këtë tekst, me akcent lirik, autori i madh shpreh shpresat e tij për paqen universale, aderimin në votimin universal dhe besimin e tij në qytetërimin dhe progresin. jo pa naivitet. "Epoka e revolucioneve po mbyllet, fillon epoka e përmirësimeve," na thotë ai.

Sido që të jetë, ky tekst shpejt e përshkruan qëllimin e madh paqeruajtës të së ardhmes "Shtetet e Bashkuara të Europës"; edhe duke konsideruar një bashkëpunim të ardhshëm të atyre me Amerikën që "pastrojnë globin, kolonizojnë shkretëtirat, përmirësojnë krijimin".

Ose shprehja e një federalizmi intuitiv dhe lirik, providencial dhe mistik, por të dy europiane dhe universale: për të bërë të mundur zhdukjen e luftës, duke zëvendësuar demokracinë në vend të tiranisë, ndërmjetësimin dhe arbitrazhin në vend të betejave dhe luftës, kështu që të sjellë vëllazërinë universale të njerëzve.

Do të vijë një ditë, shprehet Hygo në fjalën e tij të guximshme, kur ne do të tregojmë një top në muze, ndërsa tani tregojmë një instrument të torturës, të habitur që mund të jetë! Do të vijë një ditë kur do të shohim këto dy grupe të mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkuara të Europës (Duartrokitje), të vendosura përballë njëri-tjetrit, duke shtrirë duart mbi det, duke shkëmbyer prodhimet e tyre, tregtinë e tyre, industrinë e tyre, artet e tyre, gjenitë e tyre, duke pastruar globin, duke kolonizuar shkretëtirat, duke përmirësuar krijimin nën shikimin e Krijuesit dhe duke kombinuar së bashku mirëqenien e të gjithëve, këto dy forca të pafundme, vëllazërinë e burrave dhe fuqinë e Perëndisë!

Do të vijë një ditë kur topat dhe bombat do të zëvendësohen me votat, me votën universale të popullit, me arbitrazhin e nderuar të një senati të madh sovran, i cili do të jetë në Europë se çfarë është Parlamenti në Angli. Ushqimi është në Gjermani, çfarë është Asambleja Legjislative në Francë!

Zotërinj, them në mbyllje, shprehet vizionari Viktor Hygo, dhe se ky mendim na nxit, nuk është sot që raca njerëzore po ecën në këtë drejtim të mrekullueshëm. Në Europën tonë të vjetër, Anglia mori hapin e parë dhe me shembullin e saj të vjetër u tha njerëzve: Ju jeni të lirë. Franca mori hapin e dytë dhe i tha popullit: Ti je sovran. Tani le të marrim hapin e tretë, dhe të gjithë së bashku, Franca, Anglia, Belgjika, Gjermania, Italia, Europa, Amerika, u thonë njerëzve: Ju jeni vëllezër! ". Këto fjalë të shkrimtarit të madh janë tepër aktuale për Europën e sotme në tranzicion, si edhe Kombi ynë.

Në fund, desha të theksoj para lexuesit, që gjithçka shpreva më sipër janë vetëm mendimet e mija personale, që nuk angazhojnë kërkënd tjetër. Këtë shkrim e hartova vetëm për të dhënë një mesazh pa pasur asnjë prapamendim. Unë e kam zgjedhur rrugën time të jetës që më ka mbetur, dhe nuk mendoj ta ndryshoj, ashtu siç  e kam për nder dhe falë autoriteteve zvicerane mbaj nacionalitetin e vendit ku kam lindur, ashtu si edhe punonjës që janë nga të gjithë kontinentet në Gjenevë. Kam miq e dashamirës të shumtë, si gjithë bashkëatdhetarët e mij që përfaqësojnë Shqipërinë e vogël në organizma ndërkombëtare apo rajonale në vende të Europës,  e deri në Amerikën e largët, që më shtyjnë me mesazhet e tyre të simpatisë, të shkruaj diçka, pa dashur të jap postulata. Unë mendoj si një shqiptar që do mbetem gjithë jetën time, të jap një mesazh, për Atdheun tim: tokën ku kanë lindur prindërit e mij, ku jetojnë shokët e mij të dikurshëm, ata breza mjekësh, specialitësh të naftës, të bujqësisë, të pyjeve, që i kemi ndihmuar sado pak, të formohen për të mirën e Shqipërisë, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Për Shqipërinë me bregdetin e bukur, për atë fushë pjellore të Myzeqesë, Devollit, apo Lezhës, për Alpet e bukura, Valbonën prallore, Dajtin, Butrintin, Voskopojën, Prizrenin e Prishtinën që me punën e njerëzve punëtorë, liridashës e paqësorë, me zhvillimin e turizmit, industrisë ushqimore, minerale, bujqësisë, ndërtimeve dhe infrastrukturës adekuate, dhe me ndihmën e organizamve ndërkombëtare, do të bëjnë që Shqipëria të kthehet në një vend rrugëkalimi për mallrat drejt vendeve të tjera të Ballkanit, duke siguruar kështu valutën e nevojshme për ecurinë e ekonomisë, por duke tërhequr në të njëjtën kohë investitorë të huaj dhe biznesmenë shqiptarë, apo njerëz të thjeshtë që duan të japin ndihmesën e tyre për vendin amë. Mjaft me tranzicionin e stërgjatur të Shqipëriisë mëmë.  Ka ikur koha, kur vite më parë edhe pse Shqiperia kishte të drejtë të kishte përfaqësuesit e saj, si shtet anëtar, në organizma ndërkombëtare të sistemit ttë OKB-së, nuk mund të ishe funksionar në to, pasi nuk ishte e lejuar të flisje me amerikanin, rusin, izraelitin apo afrikano-jugorin. Ka ikur koha kur në ndonjë përfaqësi të Shqipërisë, përfaqësuesi, duke kujtuar se një funksionar ndërkombëtar i vendit të tij "i kishte zënë vendin" (?!!!), në një organizëm ndërkombëtar, si funksionar i pavarur, lëshonte anatema kunder bashkëpatriotit të tij, tek përfaqësuesi i lartë i atij organizmi, duke "nxirë" më tepër fytyrën e vet prej „qoftëlargu“ dhe duke lënë një përshtypje tepër të keqe... Natyrisht, nuk është fjala dhe koha për të bërë një dyndje me kandidatura të fushave të ndryshme nga Shqipëria, por për të patur edhe vendi ynë njerëzit e tij në organizmat ekonomike, politike, sociale, shkencore, kulturore, të të drejtave të njeriut, të tregtisë dhe zhvillimit, të bujqësisë, mjedisit, telekomunikacioneve, të pronësisë intelektuale, në biblioteka etj.

Mundësite e sotme janë kolosale, pasi edhe njerëzit tanë janë më të përgatitur për një botë të re, për Europën e Brukselit të pa atrofizuar dhe burokratike, si tani, demokracinë dhe shtetin e së drejtes. Bashkësia e Kombeve të Bashkuara gjithmonë e më tepër është solidare dhe me Shqipërinë e vogël, gjë që është vënë në dukje më se njëherë nga personalitetet më të larta të saj, të cilët në shumë raste dhe botime të OKB-së kanë treguar interesimin e organizatës që ata drejtojnë për një vend anëtar si Shqipëria, për rrugën e zhvillimit dhe ecurinë e saj drejt një të ardhme sa më të begatë. Ato të kujtojnë se bashkësia e popujve është solidare me një popull të një vendi të vogël, por të lashtë, punëtor e paqedashës, që me rrugën që ndjek jep ndihmesë në kalanë e madhe të familjes së Kombeve të Bashkuara.

Gjenevë, më 10 qershor 2019

Comments (1 posted):

Reshat on 12/06/2019 21:29:23
avatar
Faleminderit i nderuar Alfred, per kete skice letrare te persosur ku keni shprehur qendrimin tuaj kundrejt diplomacise shqiptare dhe disa prej figurave figurave te shquara te saj. Ajo qe bie ne sy ne kete skice eshte se ju nuk beni dallim se kush eshte i majte dhe kush i djathte ndermjet tyre. Per fat te keq nje fenomen i tille nuk ndodh ne Shqiperine e sotme. Ngjarjet e jetes time me kane bere qe une te ruaj parimet e se djathtes europiane por, ne asnje menyre,nuk jam shprehur kundra se majtes pasi mendoj se bindjet jane e drejta e çdo individi. Sot, praktikisht gjysma e botes jane te djathte dhe gysma te majte.. Por fatkeqesia eshte se ne Shqiperi, megjithese kane kaluar gati 30 vjet nga permbysja e diktatures komuniste, mentaliteti i asaj periudhe eshte ende i gjalle. Nje gje e tille ka bere qe partite kundershtare ta shikojne njera-tjetren si armike dhe jo si kundershtare politike. Kjo ndodh se ne krye te tyre nuk arrijne te dalin figura te shquara qe vendit nuk i mungojne por figura te diskredituara te tipit anarshist. Keto figura kane zaptuar edhe shoqerine civile, shtypin e shkruar dhe ate viziv. Kane kaluar gati 80 vjet nga perfundimi i Luftes se Dyte Boterore dhe ende ne vendin tone qarkullon termi "Kolaboracionist" per disa figura te shquara te nacionalizmit shqiptar, kontributi i te cileve ne sherbim te kombit ka qene i pa krahasueshem.
Po sjell vetem nje shembull. Siç shkruani edhe juve, Shqiperia eshte i vetmi vend i botes ku hebrenjte nuk perfunduan as ne kampet e perqendrimit dhe as pesuan gje. Madje shume prej tyre u derguan nga Kosova per ne Shqiperi per t'i shpetuar genocidit. Nje gje e tille ndodhi se ishte qeveria e Mehdi Frasherit qe nenshkroi mareveshjen me autoritetet gjermane per te mos i prekur duke i konsideruar si qytetare shqiptare. Fati i historise shqiptare, qysh ne periudhen e rilindjes kombetare ka qene i tille qe patriotet e shquar ishin te detyruar t' i sherbenin shtetit turk, por duke mos harruar kurre atdheun e tyre. Po sjell si shembull rastin e patriotit te madh shqiptar Hoxha Tahsimit, ish-rektorit te universitetit te pare te Stambollit dhe me vone atij te Parisit. Kur e pushuan nga kjo detyre i erdhi nje oferte nga Universiteti i Grenoblit dhe ai u pergjigj:
"Mua me ka edukuar shteti turk dhe une do te kthehem ti sherbeje atij."
I ngjashem me te eshte edhe rasti i Sami Frasherit ku shteti turk nuk pranon te kthehen eshtrat e tij ne atdhe pasi e konsideron si qytetar te tij, apo vellai i tij, poeti kombetar Naimi, qe ka qene emeruar Drejtor i Reçences ne Ministrine e Aresimit te Turqise. Si keta ka edhe shume te tjere si Ismail Qemal Vlora apo Vaso Pashe Shkodrani. Por kjo gje nuk i pengoi ata te shkruanin dhe perpiqeshin per Shqiperi. Atehere perse keta nuk quhen bashkepuntore apo kolaboracioniste te pushtuesit dhe figura te tilla si Mid-hat Frasheri, Ernest Koliqi, Xhevat Korça, Pater Anton Harapi, Ago Shero Agaj, Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica e te tjere konsiderohen te tille? Nje gje e tille ndodh per shkak te mentalitetit komunist qe theksova me siper. Eshte pasojave e "njeriut te ri te socializmit" qe sot ka marre ne duart e tij drejtimin e shtetit, te drejtesise, te administrates shteterore, te shtypit dhe televizionit dhe nuk lejon te degjohen zerat e njerezve te shquar te ketij kombi, zerat e te cileve kane mbetur ze ne shkretetire.
Me falni per kete shkrim pak te gjate, por nuk mund te rrija pa shprehur mendimet e mia.
Ju pershendes

Reshati

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1