Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | REPORTAZHE | PEJË, NËN SQETULLËN E MALEVE TË RUGOVËS

PEJË, NËN SQETULLËN E MALEVE TË RUGOVËS

Font size: Decrease font Enlarge font
image PËLLUMB GORICA

PEJË, NËN SQETULLËN E MALEVE TË RUGOVËS

 NGA PËLLUMB GORICA

  Një ditë e zakonshme mund të kthehet befasisht në një ditë të bukur për shumë kënd prej nesh. Aq më shumë kur bëhet fjalë për udhëtime. Sërish në udhë drejt Kosovës, me ndjesinë e emocioneve të përhershme. Në realitetin e kushteve të reja të krijuara, pavarësisht skajeve gjeografike, ne i gëzohemi ardhjes e mund t’i shprehim emocionet natyrshëm në mbresa.
    Tashmë rruga, herë turret gjarpëruese faqes së kodrinave me pemë vende-vende të dendura, herë pushtohet nga fushat që të dhurojnë një përjetim ndryshe. Qartësisht nga dritaret e makinës, të jepet mundësia të sodisësh kalimthi muze mahnitës natyrorë; lumenjtë e rrjedhshëm, fushat e gjëra, malet dhe qytetet me një arkitekturë impresionuese, të cilat të rrëmbejnë vështrimin e të çlodhin, me prehjen dehëse, duke e bërë udhëtimin të këndshëm. Ndaj e adhuron të bukurën e peizazhit mbresëlënës këtu, sidomos në një ditë vjeshte me kundërmimin joshës të saj.
Djepi i shqiptarisë
    Territoret shqiptare kanë përjetuar shumë luftëra se sa paqe dhe e kanë pësuar shtrenjtë me një kalvar rrebeshesh, duke mbijetuar në saje të gjuhës, traditave dhe shpirtit liridashës. Ndaj në Kosovë ndjehet krenaria për gjakun e pastër shqiptar, që rrjedh në deje, për luftën çlirimtare dhe porosinë e etërve tanë, të ruajmë trojet nga pushtuesit.
   A e kishte caktuar historia që këtë tokë, këto troje arbërore, të na i shkëpusnin me dhunë grabitqarët e pangopur, qysh një shekull më parë ? !
   Me pritjen shekullore të një populli të martirizuar për pavarësi, nuk harrohen ngjarjet e kobshme, të shkaktuara nga bisha sllave, e cila kishte ngulur thonjtë e egër mbi tokën e Kosovës. Në vesh sikur na vijnë shungëllimat e largëta të tmerreve, të shkatërrimeve, raprezaljeve, torturave e pushkatimeve në rrugë, shtëpive, pyjeve dhe përrenjve, të familjeve të tëra, që lanë shumë lotë e dhimbje të cilat herë fashiten, herë dëgjohen më fort. Ishte tragjike kalvari i dëbimeve nga trojet e veta, si në një kortezh të përmortshëm, që përfundoi në tokën e vëllezërve shqiptarë, me një shpresë të vetme për t’iu larguar mynxyrës së gllabëruesëve të pashpirt të tokës sonë. Topografia e ngjarjeve të fundshekullit të kaluar, si shtrëngatë e furishme, me trajtat tragjike tronditi edhe mëndjet e pushtetshme botërore. Ata u bënë të ndërgjegjshëm, duke ndërhyrë për të ndalur furinë e makinës vrastare serbe, e cila po robëronte gjysmën e kombit. Kosova u kthye në kështjellë të shqiptarisë e “gjuhës së zjarrtë”, siç thotë poeti ynë kombëtar, Naimi. U mobilizuan djemtë dhe burrat e Kosovës, dhe jo vetëm. Në luftën çlirimtare të Kosovës, ata së bashku me forcat e NATO-s e përshpejtuan rënien e pushtetit të Sllobodan Milloshevicit dhe i thanë ”ndal “ këtij përbindëshi të Ballkanit. Ngjarjet rrodhën aq shpejt sa që pothuajse nuk kishte kohë për t’i zgjatur pushtetin atij në Kosovë. 
  Dëshira e zjarrtë për liri pushtoi shpirtin e tyre, duke u fituar me gjak, për t’i lënë vend një jete të pavarur, e cila bëri të çelej një epokë tjetër. Mbi këto dhimbje dhe me këtë liri, ata po e skicojnë atë të mbushur me sfida të tjera. Sot ndjen mrekullinë më të madhe, kur ata shqiptojnë fjalët: “Tani jemi bashkë, jemi të pandarë”.
Kosova gëzon sot pavarësinë, duke jetuar e lirë, këtu, ku ajo më shumë se kurrë ka marrë të tjera përmasa drejt realitetit për një Shqipëri natyrale.
***


   Nën sqetullën e maleve të Rugovës, Peja mrekullon këdo që e viziton. Fytyra e natyrës së saj, të shpërndarë në një hapësirë të gjerë dhe rrjedha e Lumbardhës, të tërheqin vëmëndjen. Duke kaluar përmes qytetit, në rrugët e zhurmshme me ndërtesa të shumta anash, me restorante, bar-kafe, shitore, artizanate, etj, i bashkohemi qytetarëve të të gjitha moshave, që ecnin ngeshëm dhe të tjerë teksa nxitojnë. Sheshi në qendër të qytetit të ofron bukuritë e tij plot e përplot me drita të qashtra dhe të lëbyrta të kësaj dite vjeshte dhe gjallërohej nga Radio-Peja, që çdo ditë e përndez atmosferën me këngët e bukura dhe me vallet e Rugovës kaq karakteristike, në pasurinë e folkut shqiptar, me plot temp luftarak të trevës së Dukagjinit. Ndërtesa e hotel, Bar-Restorantit “Dukagjini”, që ndodhet buzë lumit Lumbardha, është një ndër më karakteristiket në Pejë, jo vetëm se ka një pamje të veçantë, por edhe për ndjesinë emocionale që të krijon prej pasqyrave të ujërave që lëvizin nën këmbët e klientëve. Ndërsa në parqet e qytetit bustet e figurave të njohura të rrëmbejnë nga mënga drejt historisë së secilit. Që të gjithë bustet kanë në qënien e tyre njerëz të pushkës, njerëz të penës dhe të të dyjave. Ja… Ja… Haxhi Zeka, Enver Hadri, Ali Hadri, Adrian Krasniqi, Shkëlzen Haradinaj etj. Duke çmuar kontributin e tyre me burrëri shqiptare e plot vlera për Kosovën, ato nuk duhet të mjegullohen nga anarkia e frikshme e kohës, sepse kanë lënë gjurmë aq të thella. Në tërësinë e tyre ato janë bindëse për sakrificat dhe luftën e bërë, për dallgët e stuhishme në shpirtin e këtij populli.
    Në një nga Bar- Kafenetë e shumta, buzë lumit Lumbardha, takimi me Afrimin, ish luftëtarin e UÇK-së, është tepër emocionues. Ai, si dëshmitar i drejtpërdrejtë i pjesëmarrjes në këtë luftë çlirimtare, tregon me ngjyra të gjalla ngjarjet, betejat dhe tmerret e masakrave që ndodhën në Kosovë. I përhumbur në mendime të shumta, që të ngacmon kujtesa e këtij lumi historish, zëri i tij ngrihej më lart nga zhurmat e qytetit.
   -Ngjarjet është e vështirë se arrihet të përshkruhen, apo t’i tregojmë të gjitha, - të thotë ai! - Megjithatë herët a vonë ato do të shkruhen nga historianët dhe shkrimtarët, duke i pasqyruar me origjinalitetin e tyre dhe mes kontradiktash e mosmarrëveshjesh, që ashpërsohen e mprehen në akuza e kundërakuza ndaj kësaj lufte çlirimtare. Edhe për faktin se përparësia qëndron tek mundësia që të bëjnë më shumë se i kanë dëshmitarët, protagonistët e kësaj lufte, çka për historianë të kohëve të shkuara ka qenë pengesë e madhe, sepse edhe ngjarjet e hershme të vërtetën e kishin mbyllur të dergjej në pamundësi për t’u dokumentuar.
    Peja është qytet i lashtë, i njohur për historinë dhe traditat shpirtërore, që dallohen nga trevat e tjera të Shqipërisë e që përbëjnë një aspekt të rëndësishëm në lëmin e tyre. Kohërat ilire kanë lënë gjurmët e tyre të dukshme, gjë që vërtetohet nga toponimet dhe rrënojat e një kalaje ilire. Në këtë hapsirë, krahas të tjerave, gjatë gërmimeve të bëra këtu, janë zbuluar edhe mbishkrime të gdhendura në gur. Por mjegulla e dendur në thellësinë e shekujve e bën të vështirë qartësinë e tyre dhe mjaft ngjarjeve historike. Në burimet e shkruara qyteti shfaqet me emrin e hershëm Siparantum, kjo e dëshmuar prej gjeografit të lashtësisë, Ptolemeut, në mesjetë Ipek, për të kaluar në shekujt e mëvonshën me ndryshimet etimiologjike në Pejë.
    Peja, e banuar nga shqiptarë të besimit katolik, si vazhduese e popullsisë së hershme iliro–dardane, në rrethanat dhe kushtet historike, bëri që ata të kthehen me shumicë në fenë myslimane. Pushtimi turk dhe islamizimi në shekujt e XVI-XVII në Pejë solli ndryshime të dukshme, që njihen si periudha e zejeve në këtë trevë. Në fillim të shekullit të kaluar, e pushtuar dhe e nënshtruar me hekur e zjarr prej serbëve dhe malazezëve ajo përjetoi një nga periudhat më të vështira si qytet. Një kujtesë historike që i përket të shkuarës së largët.
    Në një nga rrugicat e qytetit ndodhet një kullë me vlerë historike e arkitekturore, me mure të larta, dyer të stolisura, e njohur si Kulla e Haxhi Zekës, atdhetarit të njohur pejan. Ai ishte një nga drejtuesit e Beslidhjes së Pejës në fund të shekullit XIX në mbrojtje të trojeve tona nga perandoria osmane, e cila kërkonte shkombëtarizimin e tyre. Por, për çudi, kjo ndërtesë historike është e rrethuar dhe mbytur nga ndërtime të tjera, që i zenë frymën dhe i shëmtojnë pamjen. Të njënjtin fat ka edhe një ndërtesë tjetër e vjetër me arkitekturë tipike, e përshtatur si muze etnografik. Një mjedis modest, por tepër i madh për nga vlerat etnokulturore, ku janë ekspozuar për të mos u harruar kurrë kultura materiale dhe historia e trevës. Ajo, duke respektuar shprehjen shqiptare “derë e madhe”, dikur i përkiste familjes së Tahir Begollit, një dege patriakale e Begollëve të Pejës. Ndërtesa është punuar sipas disa pohimeve në pjesën e dytë të shekullit të 18 dhe në fillim të shek.19, me mure guri, oborr të shtruar, parmakë të drunjtë, çardakë të hapur dhe gjithashtu me oda, dyer, trapanzhe, kapakë, musandra e të tjera pajisje nga mjeshtërit e kohës, me një origjinalitet e vlerë artistike të mirëfilltë. Në këto pak metra katror të këtij ambient gjenden jo pak thesare etnografike të njohura të trevës përreth. Teksa endemi në odat, stendat, në atë mori antikuarësh e ornamentesh me vlerë artistike të traditës, të paraqitura me mjeshtëri e të sistemuara me kujdes, ne përfshihemi nga një ndjesi kënaqësie. Pikë referimi për ndjesitë e këtyre çasteve dhe fjalët, përgëzimet, humbasin në hieroglife mendimesh e zgjojnë aq shumë impresione. Të mrekullojnë gdhendjet prej druri me simbole të ndryshme kombëtare, qëndisjet, koleksionet e armëve të vjetra, stendat ku ekspozohen sende me vlerë argjendarie e sidomos tavanet me rombe dhe rozeta në mes. Por, përshtypje të bën me hijeshinë e vet oda e burrave. Interesante mënyra e shtrimit të velenxës; të duket sikur ndodhesh në një fushë me lule dhe mbi to janë vendosur poste prej lëkurë deleje e anash mbështetur në mur jastëkë, armë me radhë dhe pajisje të tjera. Këto dhe veshjet popullore të ngjallin një ndenjë krenarie, për burrat e hijshëm me plis të bardhë mbi sy dhe me pushkën në krah.
Njerëzit e artit evokojnë me dinjitet vlerat shpirtërore të popullit të cilit i përkasin. Punonjësit e këtij muzeu kanë bërë punë të vlefshme për traditat, duke u përgëzuar nëpër botë për kulturën materiale e shpirtërore për të vënë kështu një gur në themelet e saj të lashta. Bashkimi Lajçi, ishdrejtuesi i këtij muzeu, duke shfaqur njohuritë dhe bagazhin e tij mbi këtë fushë dhe duke hyrë në brendësi të traditave e jetës materiale në shekuj të Pejës ka hulumtuar historinë, traditat, kulturën materiale të këtyre trojeve, të përmbledhur në disa botime. Por shumë prej relikeve të ekspozuara iu bashkëngjitën Muzeut etnografik të Pejës në vitin 2000 prej numizmatikut Viktor Gashi të këtij pinjolli, të një familjeje bujare, aristokrate dhe krenare pejane. Ai dhuroi mbi 300 objekte me vlera të pallogaritshme etnografike, të trashëguara brez pas brezi nga familja e tij, duke i shndërruar ato në pasuri kombëtare. Ndaj fisnikëria dhe atdhedashuria e tij është vlerësuar në Pejë. Ne jetojmë në epokën e globalizmit, i cili, përveç të mirave, ka me vete edhe kërcënimin e përhershëm për të rrezikuar shuarjen e tjetërsimin e tyre. Janë vlera kombëtare të ruajtura me fanatizëm, që duhen përçuar më tej. 
Bjeshkët e Nemuna kam në sy
   Peja ka shumë panorama natyrore, të larmishme, piktoreske dhe me një bukuri mahnitëse. Pejanët të mësuar me to, nuk u bën shumë përshtypje, por ato janë vende, që për nga bukuria të joshin dëshirën për t’i vizituar. Gryka e Rugovës është një perlë e rrallë, ndër më të bukurat e Ballkanit. Një bukuri, që nuk ka njeri ta përshkruaj me fjalë saqë piktorët do ta kishin zili. Ato shpalosen përherë befasuese dhe magjepsëse, ku pyjet janë një tërësi natyrore shumëngjyrshe dhe pranë tyre shkëmbinj gëlqerorë si një pikturë gjigande. Të gjitha këto, së bashku me freskinë dhe ujin e pastër, që i ka zili gjithë bota, përbëjnë një mjedis çlodhës.
  - Kush ka ardhur këtu, është mrekulluar me bukurinë e saj, qetësinë, panoramat mahnitëse e mbizotëruese,- thotë Aliu udhëheqësi i udhëtimit tonë.
Patjetër unë dhe miqtë e mi nuk mund ta humbisnim këtë ftesë bujare, ndaj, edhe pse të lodhur nga rruga e gjatë, ne ndoqëm këshillën e tij. Në një ditë të tillë me qiell të pastër i shijon edhe më bukur pamjet, që të çlodhin sytë dhe të mbushin mushkritë me ajër të pastër, por edhe provon një ndjenjë paqeje e harmonie. I ngjitemi rrugës, që sa vinte bëhej edhe edhe më e përpjetë nëpër lakadredhje të shumta. Edhe pse makina ecën me shpejtësi, vagëllimthi pamjet në largësi përvijohen nga trajtat e maleve. Fati i historisë e ndau padrejtësisht këtë mrekulli shqiptare. Po përsëri një territor i saj po u dhurohet malazezëve. Serbët dhe malazezët asnjëherë s’i kanë pyetur shqiptarët dhe kanë vendosur kufirin atje ku kanë dashur. Ndaj ka bërë të shpërthejnë protesta ngulmuese nga opozita në Kosovë që të mos lejojnë, t’i dhurohen territoret pushtuesëve historikë të kombit tonë. Historia shqiptare është e mbushur me shembuj të shitjeve të territoreve tona një shteti tjetër nga këta soj politikanësh e ekspertësh. Mjaft na kanë gllabëruar, për t’ua dhuruar. 
    Aty-këtu shfaqen memorialë të ngritur në nderim të gjakut të derdhur të martirëve, që janë historia e re dhe më e dhimbshme e kësaj toke. Ndonjëherë ndalojmë për pak çaste për të vështruar më pranë ato si edhe për t’i memorizuar.
   Panorama që mund të shihej, duke ecur nëpër të, të tërhiqte më shumë me lumin që gurgullon, i kristaltë e me shkumësi të rrëmbyeshme nëpër gurë e brigje, si vetë emri që mban, Lumbardha, i cili i jep Grykës së Rugovës një bukuri të veçantë. Ta ka enda të rrish ca çaste aty, ku në të dyja anët ngrihen shpate të larta e rrëpira, veshur me drurë.          Më mbresëlënëse janë tunelet nëpër shkëmbinjtë me zgavra të errëta, ku diku nën to gurgullojnë ujëvarat, kataraktet e pastra si loti, por edhe kanioni i vogël, i cili thellohet para syve tanë në një hon disa qindra metra. Është një bukuri magjike, që të dhuron kënaqësi, si shprehje e natyrës mbresëlënëse, prandaj nuk i shmangim dot emocionet në këto vende, që, edhe pse i kemi shkelur e shijuar edhe herë të tjera, kemi dëshirën për t’i vështruar më shumë. Tek-tuk vëren vendbanime të rralla, stane grumbuj-grumbuj nëpër pyje, që të tërheqin vëmendjen, me blegërimat e bagëtive, të përhapura nëpër livadhet dhe këmborat, që përziheshin me zërat e tjerë të natyrës. Nga malet përkudruall, ca re bardhoshe kalojnë lehtë edhe mbi kokat tona. Pllanga dëbore si çarçafë shfaqen aty-këtu në majat e tyre. Disku i diellit që shkëlqen, shpërndan një dritë të artë me tufa rrezesh të purpurta. Ndërsa pyllin e dendur me drurët e lartë të pishave, lisave, bredhave e ahut, një erë herë i mblidhte tufë dhe, herë i ndante në ca copëza të çrregullta gjeometrike. Gjethet e prekura nga një zverdhje e ndritëshme bien si pa u ndjerë. Ne e shijojmë ardhjen dhe gjithkush nuk do të ndjehej kaq i mirëpritur. Një grup vizitorësh të ardhur shoqërisht me prirjen për çlodhje në natyrën e Rugovës, zbaviteshin në mes të pyllit. Heshtja e pyllit grisej nga copëzat e bisedave të tyre, që jehojnë thellë.
Rugovë, pyll,…Rreth zjarrit
     Në pjerrësinë e shpatmalit, të veshur me pyje, ndodhet resorti turistik “Liqenet Kuqishte”, një vend dominues nga ku mund të sodisësh një horizont mjaft të gjerë të maleve të larta. E shijon bukurinë e shtëpizave të vogla prej druri, të ngjeshura, ku ndërthuren këndshëm qetësia, komoditeti i krijuar me modele të reja për Turizmin. Ky investim luksoz, si mjaft të tjera të shpërndara aty, ia shton me shumë vlerat dhe bukurinë Grykës së Rugovës.
   -Këtu dashamirësit e natyrës marrin kënaqësi në çdo periudhë të vitit, sidomos të pasionuarit e sporteve në periudhën e dimrit, -shprehet Ramizi, pronari i resortit turistik “Liqenet Kuqishte”.
    Ai krenohet me bukurinë e Grykës së Rugovës, me romantikën, përpjekjet për mbijetesë në mugëtirën e kohës dhe traditat kaq të pasura të trevës.
Ndërsa zhytemi mes pishave, duke thithur ajrin e freskët, po binte mbrëmja, si gjithë mbrëmjet e vjeshtës, të praruara nga yjet e panumërt që drithërojnë qiellin me dritën e tyre. Moti po mbante mirë, por netët këtu janë të ftohta. Të ardhurit përshëndesin njëri–tjetrin plot përzemërsi dhe orët rrjedhin kaq shpejt në biseda të këndshme e dashamirësi, shaka dhe këngë. Një atmosferë me të vërtetë e bukur për ta shijuar vetëm me miq. Të bëjnë përshtypje edhe vogëlsitë, si diçka e thjeshtë në dukje, por shumë kuptimplote. Nuk mungon kurrsesi tradita e mikpritjes pejane. Buka e misrit me djathë e kos i serviret çdo vizitori. Në ambientet e lokalit vizitorët lëviznin lirisht me gota vere, rakie, birre dhe njiheshin e shkëmbejnë mendime; në sfond muzike e avuj ngrohtësie. Na mbeti në mendje melodiziteti pasionant me rrymë gjallërie dhe ekspresiv i rrëfyesve, që dhurojnë gurgullima të qeshurash të pafundme. Kjo, e shprehur me një lloj emocioni të rrallë ndër ne, meriton të përgëzohet. Ndaj, kush zotëron këto ndjesi, më së tepërmi mishëron ndjenja gëzimi, mirësie dhe dashurie, të cilat i përjetojnë me tërë qënien e shpirtit edhe të tjerët. Ata që janë të lumtur e bëjnë të shëmtuarën të bukur dhe të bukurën edhe më të bukur. Bisedës i jep më shumë lezet një rugovas në të tetëdhjetat, Zeqir Halili, i mbështjellë me shallin tradicional rreth kokës, që evokon kujtime nga largësia e viteve. Ato, të shprehura si thesare shpirti, të dhurojnë çaste të këndshme me natyrshmëri. Brenda ishte gjithë dritë, ndërsa përjashta nata kishte pushtuar gjithësinë. Freskia e saj drithëronte degët e pishave. Befasia më e madhe ishte zjarri i ndezur në pyll. Ndriçojnë fytyrat tona, por edhe pylli. Ardhja këtu në lartësitë e Rugovës, të shkelura përsëri, ndezi zjarre përbrenda shpirtit. Nata u festua deri në agim të ditës së re, tepër mbresëlënëse në kujtesën e çdonjërit prej nesh.
* * *
    Një ditë e shkëlqyer, që brenda saj ka gjithë bukurinë e panoramave, freskinë e ajrit dhe gurgullimën e ujrave janë një ngacmim joshës, me shumë diell vjeshtak, që stërpik me reflekse drite majat e maleve të Rugovës.
   -A mund të bëhej kjo ditë-natë më e gëzueshme se kaq?- pyet Xhoni, miku ynë përtej oqeanit, në një çast ekzaltimi, teksa me aparatin e tij fotografik nuk ngurron të fotografojë panoramat.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1