Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | REPORTAZHE | NË THETH, ATY KU MAJAT E MALEVE SHIKOHEN NË PASQYRAT E QIEJVE

NË THETH, ATY KU MAJAT E MALEVE SHIKOHEN NË PASQYRAT E QIEJVE

Font size: Decrease font Enlarge font
image PËLLUMB GORICA

 

 

NGA PËLLUMB GORICA

 

Thethi ky vend muzë i Shqipërisë! Në një kohë kur shqiptarët shkojnë drejt turizmit të huaj, bukuria e peizazhit të tij, historia dhe vlerat njerëzore janë magjike.

 

  Ne shqiptarët shpesh herë bukuritë e natyrës i kërkojmë larg, duke rendur agjensive turistike për të parë ato të botës dhe nuk dimë, se çfarë kemi brenda vendit. Qysh herët të huajt, të lodhur me çimenton - qytet e kanë zbuluar magjinë e natyrës tonë. Koha ka ndryshuar dhe udhëtimet kanë marrë të tjera vlera nga vizitorët vendas, duke i mbushur me krenari kombëtare.
    Bëhesh kureshtar kur përmendet Thethi në Veri të Shqipërisë, që përtej largësisë kilometrike e infrastrukturës së stërmundimshme, të le një shije të hidhur, sikur shkon në fund të botës. Pavarësisht, me emocionin padurues, udhëtimi këtu të dhuron aq shumë kënaqësi, me copëzat magjike të natyrës, që të rrëmbejnë të gjithin duke haruar për ku je nisur. Kemi privilegjin të udhëtojmë në këtë fundtetori të ngrohtë, që ngjason më shumë me ditë vere, bashkë me vizitorë të tjerë, me dëshirën për të sfiduar rutinën e ditëve e për të ushqyer sytë dhe shpirtin me ndijimet e së bukurës. 

 Sa më shumë i afrohesh Thethit nëpër rrugënplot gropa e pluhur dheu, që zbretpërmes perdes gjethore të drurëve,të cilët këmbehen duke u lënë vendin njëri- tjetrit, aq më shumë mahnitesh dhe shkarkon pathirrma gëzimi. Arbeni, shoferi ynë herë pas here ndalon, gjatë së cilave fotografojmë majat e maleve që shikohen në pasqyrat e qiejve. Thethi i shtrirë luginёs së Shalës rrethohet nga malet e Radohimës, Sheniku, Papluku, qafat e pazakonta; të Pejës, Valbonës, Thanës dhe majat legjendare të Arapit, të Zezë e të Zogjit, që shkojnë me mbi 2500 m lartësi, të emblematikes natyrore, Bjeshkët e Namuna, në veri e verilindje, në gjysëm harku, një hapësirë gri enigmatike, aq sa ngjyra e misterit të universit, që nën diell marrin reflekse të kaltëreme. Këto male, lugina, ujëra, pyje, përbëjnë një nga parqet më të bukur natyror të Shqipërisë dhe Europës. Ato janë lartësitë e majave, ku lindёn legjendat e Eposi ynë i Kreshnikëve. Në fund të fundit, vetë Thethi është një legjendë e bukur e natyrës.

 

          Thethi- Frymëzim i udhëtarit, studiuesit, poetit

    
     Mes natyrës njeriu, krijoi histori dhe identitet. Në Theth njerëzit, sikur kanë lindur prej legjendash krejtësisht të kulluar, me atdhedashurinë krenare e njerëzore, bujarinë dhe mikpritjen proverbiale. Kështu na e kanë sjellë në librat, rrëfenjat, po edhe mitet malësorin e Thethit, me dëshmi të mosnënshtrimit nga hordhitë e huaja në kohëra.Takimi me natyrën, historinë monomentale dhe me njerëz të thjeshtë e të sinqertë të jep shumë pozitivitet.  

    Thethi dikur ishte një vendbanim, me karakter të spikatur, ku dëshmitë nuk janë të pakta, siç janë trojet e banuara në lashtësi prej fisit ilir të Labeatëve. Aty janë strehuar, jo pak komunitete në kohëra të vështira (Oksetët, Bythdosët, Berbatët, Vladët, Kelmendas) e padyshim një nga mjediset e thella shqiptare, ku personazhe përrallash, heronj imagjinarë e realë, bashkë me historinë e tyre, por edhe Zanat, Orët, veshja karakteristike, këngët e legjendat e lashta, traditat qindravjeçare të rrënjosura thellë kanë frymëzuar poetët, shkrimtarët, studiuesit, historianët dhe piktorët e huaj. Ato bën për vete udhëtaren dhe studiuesen angleze Edith Durham, që me përshkrimet interesante të saj në fillim të shekullit të kaluar kontribuoi edhe për për Thethin. E kanë shprehur simbolikisht mirënjohjen për të thethjanët, aty ku ajo ndaloi për herë të parë, prej nga shpaloset panorama tërheqëse e tij, duke gdhendur në gur fjalët: “Edith Durham - Kralica e Malësorëve”. 

   Kënd vështrimet e historisë shekullore përtej tyre, të fusin në mendime të thella për të përkedhelur ca të vërteta reale, të dukurive të kohës, në tërë kompleksitetin jetësor, social, ekonomik, kulturor, zakonor e tradicional dhe të mardhënieve shoqërore në breza. Thethi prej terrenit të ashpër malor, duke përjetuar izolimin është parë me syrin e njerkës, nga çdo sistem. Asgjë nuk ndryshoi nga premtimet e socializmit utopik, por pa marrë parasysh rrethanat, malësorin e zhveshën nga gjithçka, si nga prona ashtu dhe nga virtytet. E sa virtyte u shuan, me ligësinë që qëndroi zgjuar jashtë njeriut dhe brenda tij. Kohë të vështira, kohë ngarkuar me sakrifica e brenga. Ata të mbrujtur me ndjenja krenarie individualiteti, dinjiteti e karakteri, nuk e honepsin pronën e përbashkët e as punën e përbashkët, por edhe as pajtoheshin me luftën e klasave. Në vuajtje të ferrit sistematikisht, të ekzistencës së pahpresë nga mungesa e lirisë, nga humbja e ekuilibrave dhe dritëshkurtësia e sistemit komunist, mes mundimesh të fortë si vetë natyra mbijetuan. I harruar mbeti Thethi nga të gjitha qeveritë pas viteve ’ 90, ku nga vështirësitë e krijuara prej ndryshimeve ekonomike e shoqërore të Demokracisë, me lëvizjen kaotike demografike për një jetë më të mirë shumica e banorëve e braktisën, duke u integruar në qytete e krahina të tjera. Largim me dashje në këtë kohë, por e nesërmja nuk ishte e pashpresë për zogjtë e saj.


        Kullat, relike historike- Simbole të qëndresës

      Natyrës së pashoq të Thethit i shtohen edhe kullat e bardha prej guri, me të këndshmen e tyre në veçanësi të arkitekturës karakteristike, që shndritnin me një fisnikëri të pazëshme odat, si efikase të vlerave identitare. Nga pozicioni i vendosjes, prej nga ku mund të shquhen, të shpërndara gjithandej luginës së Shalës, si rrallëkush vend, ato simbole të qëndresës së të parëve dhe relike historike janë të denja për t’u krahasuar me fortesat e fisnikëve Evropianë. 

    Por ashtu si kohët që ndryshojnë, ato kanë marrë tjetër drejtim, si bujtina për turistët e shumtë që vizitojnë pasuritë e rralla të tij. Thethjanët në këto vite me shumë problematika e me shumë zgjidhje të munguara, të bëra kapicë e të renduara sa nga emigrimi e largimi i shumë familjeve pas viteve ’90 (për shume vite ka pasur ikje, ndonëse ka dhe kthime) aq edhe nga mungesa e vëmendjes, e syrit të mirë dhe pranisë së diskriminimit si zonë malore, me të ardhurat nga emigracioni dhe fondacioneve gjermane e hollandeze, si një motiv, që u bën nder atyre e kanë gjallëruar turizmin, duke ngritura bujtina të rejame gurë të skalitur, dy- trekatëshe, tip alpine. Kjo bindje është bërë më e thellë e motivuese, me plot energji e dëshirë për të bërë më shumë, larg politikës së ngatërruar. Në përgjithësi ne shqiptarët nuk kemi kulturën e nevojshme për të pritur turistë, por këtu, me syrin e "dashurisë për punën" që e shikojnë të "lidhur" me këtë mundësi, janë kthyer në Diej, duke i kthyer buzëqeshjen Thethit, me ngjyrat e shpresës. 

    Rruga që ka marrë turizmi në Theth, siç duket është i mbarë dhe ata po e zbukurojnë më shumë këtë perlë me përkushtimin e tyre dukshëm në rritje drejt progresit, duke na gëzuar neve vizitorëve e më së shumti turistët e huaj, që të largohen të kënaqur nga mikpritja, respekti, ushqimi, shërbimi, cilësia etj.  

                                           ***     

  Sytë kthehen nga kisha, që të rrëmben me shikimin e parëSilueta e saj që frymon afër nesh të përshëndet me asociacione të shenjtae të bëjnë të ndjehesh mirë. Ishte ora e meshës dhe kumbimi i këmbanës ftonte banorët të kryenin ritet e së djelës. Kisha katolike e ndërtuar në vitin e largët 1892,në një vend të bukur të kësaj lugine, ka një stukturë të veçantë arkitekturore drejtkëndore. Ndanë saj varret e vjetra, ku prehet edhe albanologu kanadez Robert Eslie, i dashuruar me Alpet shqiptare. Është momenti i duhur për të treguar historinë e kishës, kur në vitin 1917, u hap shkolla Shqipe nga Ati fraçeskan Shtjefën Gjeçovi, famulltari i saj, një njeri me shumë kulturë dhe i përkushtuar në pjesë të historisë, duke lënë gjurmë në formimin e kombit, që shpesh herë ja kalon dhe akademikëve. Mirëpo, fati i keq e desh që, diktatura t'ua mohojë edhe thethjanëve meshën dhe faljen në kishë, t’i kthejë në zero të gjithë festat e ritet fetare, për t' i zëvendësuar me dokrra made in parti socio-komuniste, për të ç’rrënjosur Zotin nga zemra e shpirti i tyre. E dhimbshme është historia e shëndrrimit të saj në vitin e largët 1967 në magazinë. Pas ardhjes së demokracisë emigrantët thethjanë në Amerikë e rindëtuan dhe me shenjtërinë e saj bekon shpirtrat e tyre e jo vetëm.

 

Kulla e Ngujimit – një histori mitike


      
Thethi ruan në thellësi mitin epik të gjakmarrjes. Kulla e Ngujimit e ndërtuar mbi shkëmbinj, ashtu siç ndërtoheshin dikur kalatë, sa fizike, por më shumë psiqike është një pasuri e trashëgimisë sonë kulturore e kthyer në një muzeum të rrallë. E përhirë nga një tis i zymtë, Kulla e Ngujimit, trekatëshe me frëngji ishte deri para një shekulli strehë e sigurt për njerëz që u kanosej jeta, duke u ngujuar brenda mureve të saj. Zakoni i gjakmarrjes, si një trazim i hershëm i banorëve në shekuj, i hiperbolizuar aq shumë me rrethin e metaltë të vrasjes mbante peng jetën pa fillim e fund,me vuajtje, mjerim dhe dhimbje. Të gjithë ne kemi qenë peng i diçkaje, por fenomeni i gjakmarrjes në trevat e Veriut, kalon çdo cak të fantazisë së zhvillimit të njeriut të civilizuar. Ndofta trashëgimia gjenetike e jetës së rëndë në periudhat kur shteti nuk ekzistonte, të ndikuar nga ngjarje të rënda, për shkak të pronësisë e karakterit të nderit u krijuan kanune, që u kthyen në rregullatorë të jetës së çdo fisi e vendbanimeve.
     Kanuni i Lekë Dukagjinit, ky monument i lashtë i kulturës shqiptare, si një kushtetutë e kohës e zbatuar në trevat shqiptare të Veriut, por edhe të Kosovës e Malit të Zi, për kohën kur është krijuar, luajti rol pozitiv, me elementë që morën karakterin e ligjeve të pashkruara, tipike, të bashkuara nga mendimi, shpirti, zakonet, traditat në organizmin shoqëror e fisnor.    

  Trokitëm, hymë dhe pastaj humbëm brenda Kullës së Ngujimit. Emocionet shpërthejnë e bëhemi kureshtarë të njohim historinë e saj. E ndeshim origjinalen, të mirfilltën e traditës; gdhendjet në dru, magjen, sofrën, shkallët, frëngjitë, ku vëzhgohej hasmi, enët prej balte dhe bakri, por edhe të pasuruar me fotografi, që kanë lidhje me të parët e Thethit, historinë e trevës dhe paraardhsëve të kësaj kulle. 
    Aty, me kënaqësi dëgjon një ’’leksion të mrekullueshëm’’, të Sokol Koçekut, një nga trashëgimtarët e Kullës së Ngujimit, duke të shtruar arsyetime për gjakmarrjen, të vërtetat dhe deformimet që i janë bërë kanunit, si funksiononte ai, kur ndërmjetësohej për për pajtimin e gjakut, e më kryesorja misionin e kullës si mbrojtëse. Rrëfimi i tij kumbues në tingëllimin metalik të zërit, jehoi në atë qetësi, me tërë kuptimin e plotë të fjalës, me citime të paragrafëve të kanunit, ku më i veçanti ishte se femra nuk vritej në asnjë rrethanë, për arsye nga vijnë trashëgimtarët.
    - Kulla e Ngujimit -,thotë Sokoli, ka katër shekuj që është ndërtuar, tre shekuj që ka funksionuar dhe një shekull që nuk e kryen rolin e saj. Ajo si trashëgimi e mistershme mbrojtëse nga gjakmarrja e malësorëve i shërbeu kohës, kur shtronin udhën gjykimet e burrave kreshnikë në paraqitje, por fisnik në shpirt e besnik të fjalës së matur. Historia dëshmon këtu, por e quaj me vend të përmend faktin që janë pajtuar mbi 300 gjaqe, nga i gjithë bajraku i Shalës. 

 

        Parajsë zanash

 

Agimi është më i bukur se perëndimi i Diellit në Theth. Majat e maleve me shpate të rrëpirta hukasin ngrohtë rrezet e diellit mëngjesor e të duket sikur të bëjnë me krahë për të tërhequr në thellësinë e fshehtësisë së tyre, mezëra natyre në pyjet e pafund, kanionet, shpellat, ujërat ...       

  Kudo ku kalon mbetesh i hipnotizuar nga natyra e Thethit, që është një amfiteatër i "zografisur" me magjepsje, si në Kopshtin e Edenit. Të hysh thellë në botën e magjishme të tij, të qëndrosh qoftë edhe për disa çaste në sytë e të kapshmes, s’ka se si të mos mahnitesh (përrallë, perlë, parajsë dhe ndoshta të duken pak këto emërtime), si një poezi e shkruar nga natyra, që vetëm ajo di ta krijojë, duke të dehur bukurisht, ashtu siç të deh rakia. 

  Me pasionin adhurues për t’i eksploruar, ecën në gjurmë udhësh shkëmbore, të ngushta e të shënjuara, që kërkojnë kujdes, i shoqëruar në çdo hap nga Robini guida jonë, i cili njeh aq mirë çdo shteg. Kurioziteti e bën "ritualin" e lulediellit për të soditur në heshtje gjithçka që shfaqet para syve, me puthje sysh, ku mpleken ndjesi të shumta. Ecim Shtegut të Dhenve, i ngushtë dhe me zigzake, por i dallueshëm mirë që zbret nga mali i Sorsit 1663m për në Valbonë e më tej, që dikur rrihej shumë, sot i kthyer në një destinacion për ecje malore. Për shkak të pjerrësisë së madhe të terenit, ngjitur drurëve të shumëllojshëm, e të dendur si flokët, gati të virgjër me blerim mahnitësbëjmë pushime gjithnjë e më të shpeshtatë përshëndetur nga fëshfëritja e erës. Ndërkohë  shkëmbehemi me turistë polakë, që përshëndetjeve tona u shtojnë fjalët e dashurisë për natyrën shqiptare. Diku shfaqen kryqe druri në shkëmbinj, ku shkëlqimi i diellit derdhej mbi ta më bukur se kurrë. Shikon duke vrapuar kafshë të egra, një ari, që ikën i qetë, ndërsa e shoqërojmë të emocionuar me sy, ndonjë shpend që fluturon nga një degë në tjetrën, kumbimi i zileve e këmboreve të një tufe bagëtish, që duke ngritur kokat me krenari, me vështrimin sa në njërën anë në tjetrën kaluan pranë nesh. Mbresëlënëse edhe vjeshta, me nuanca ngjyrash të gjetheve: të gjelbër,gri,të verdhë, gështenjë,gati në të rënë prej dimrit që po vjen, sa piktori do të kishte zili qëmtimin e tyre. 

E mes këtyre bukurive bashkohen edhe shushurimat e ujërave të kristalta, me ndjenjë freskie, si mrekulli zanash. Lumi i Shalës, duke shkrofitur me gjarpërime flurore valët nazike drejt liqenit të Komanit, të përzier me zërat e pyllit, të ngjanë si një orkestër. Ujëvara e Grunasit, që lëshohej me rrapëllimë në një pedencë prej 25 m, të shpërndante para syve mijra stërkala. Në Ndërlysë, lumi i Zi, me egërsinë rrëmbyese në shekuj ka skalitur dhe modeluar shkëmbinjve trajta të lëmuara me plot fantazi, në formë vaskash.
     Ç’pamje përrallore Syri i kaltër! Të përpin të tërin ajo thellësi kaltëroshe, si vetë qielli me ujërat që shkëlqejnë nga dielli i pasdites, nën furinë e florinjtë të gjetheve, që të bëjnë të mos i shqisim sytë oazit e s’rrimë dot pa thirrur Ah! Një mrekulli tokësore edhe pse zanat me nimfat sulmojnë imagjinatën tonë. Keni dëgjuar për zanat e maleve?! Ato kanë jetuar aty me atë ujë mali dhe besoj se janë larë e natën vallëzonin nën kurorat e ahishtes.

Këto e të tjera bukurive të jashtëzakonshme natyrore, mund t’i vëzhgosh e t’i ndjesh si askund tjetër.

                                            ***

 Endur nën qiellin e qelqt të Thethit, me ajër dhe dritë, nën hapësirën e prekshme të maleve të ashpër, që me majat e tyre lëshojnë hije mbi të, udhëtimit kur i bashkohen edhe çaste të ëmbla njerëzore, bëhet edhe më gjurmëlënëse. Mbështillemi nga balsame të gëzueshme mbrëmjeje në bujtinën Gjeçaj, të ulur pranë një zjarri të madh,ku nuk mungojnë biseda të çiltra dhe këngë. Energjia elektrike herë ikën e herë vjen. Ndriçon zjarri, dritëhëna dhe një qiell yjesh. Darka e bollshme me prodhime bio e shoqëruar me trokitje gotash vere.Kush do të donte më bukur se kaq nga ato dy ditë udhëtimi këtu. Respekti i njerëzve të mirë të Thethit, e fytyrave të vërteta, ku shpalosen vlera, që lartësojnë portretin e bukur të tyre, të lidhur me malet, me jetën, me kohën, me dashurinë për vendlindjen, për ne ishte përtej çdo pritshmërie. Biseda me Ndoin Gjeçaj të sjell emocione të veçanta. Ai shëndrrohet në një rrëfimtar me botë të madhe shpirtërore për vogëlsirat magjike të jetës, atë pjesë të ashpërsisë dhe shpirtrat e bukur të një copëze Thethi në kohëra. Jehon çiftelia e zëri i tij melodioz i gdhendur në shpirt, ndaj dhe të duket e papërsëritshme kjo mbrëmje. 

                                      ***
     E lemë pas Thethin dhe kthehemi në Tiranë. Tetori i numëron ditët dhe banorët e Thethit janë në pritje të dëborës së parë. Kur bëhet fjalë për dëborën, që gjithmonë zgjon frymëzim dhe asnjëherë nuk ka qenë pengesë për të bukurën, duke i qëndruar natyrës si një garniturë e pres me padurim ta ndiej atë këtu, në flokë, në sy, në duar e në këmbë.  Për thethjanët 
dëbora do të thotë shumë, se mbulon gjithçka në dimrin e thellëdhe e vështirë jeta e këtueshme, ndaj shumica largohen, duke iu nënshtruar një cikli, që shpesh i ngjan baticë-zbaticave. Shkrirja e dëborës i sjell në pranverë. Sot janë të paktë ata që jetojnë aty, si besnikë të Thethit.

 Ndjen kënaqësi dhe një çlodhje të madhe nga eksplorimi i tërë këtyre mrekullive të Thethit. I ngjan ndjenjës së detarëve që lundrojnë gjatë e një ditë kthehen në limanin e tyre. Përshtypjet e udhëtimit i tregojnë të afërmëve e miqve me një gotë pije para. Unë pas kthimit u ula të përshkruaj me bukurinë e shpirtit mbresat e përshtypjet për këtë perlë shqiptare.

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
3.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1