Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | REPORTAZHE | Por është momenti të përulemi me respekt

Por është momenti të përulemi me respekt

Font size: Decrease font Enlarge font
image Por është momenti të përulemi me respekt

 

SKICË LETRARE

FRAN GJOKA

PUBLICIST

Por është momenti të përulemi me respekt

Edhe kur krytë do na

Mbulojnë thinjat,

Ndërmend do të sjellim njëemër

Nderues

Emrin e dashur ,emrin e bukur,

Emrin e thjeshtë ,por të madh,

Mësues...

Llazar Siliqi

 

Kanë kaluar plot 131 vjet nga 7 Marsi i 1887-tës. Ato mbeten vite vitale përpjekjesh, përkushtimi, djerse e mundimi për të lartuar shkollën e parë shqipe, shkolla ndoshta më e re e shfaqur papritmas në kontinentin e mplakur të asaj kohe. Por është momenti të përulemi me respekt të thellë për ata që bënë të mundur hapjen e Mësonjëtores së parë Shqipe të Korçës.

Populli ynë i rezistoi në të gjitha mënyrat, ku shkrimi i shqipes u mësua fshehurazi në kasollet e fshatarëve, pranë staneve të çobanëve, në ndërtesat e kultit etj. Shikojmë aty- këtu edhe ndonjë shkollë, si në Kurbin, në vitet 30-të të shekullit l7-të, në Pllanë e në Blinisht të Lezhës në 1638, në Prizren e gjetkë.

Duhet të sjellim në vëmendje këtu njërën nga shkollat e para jo vetëm në rajonin e Lezhës, po edhe në shkallë vendi. Është fjala për shkollën e Pllanës, e cila do hapej pikërisht më 1638. Ishte një shkollë fillore, fëmijët pranoheshin 8 deri në 10 vjeç dhe mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Madje pranë shkollës së Pllanës mendohet të ketë patur dhe një konvikt për nxënësit më të largët. Por pas një periudhe 10 vjeçare, kur shkolla do të kish formuar fizionominë e vet, mbi të do të binte zemërata dhe ndëshkimi i pushtuesve osmanë. Por prap ajo do të hapej e ndërtohej dhe përsëri do të mbyllej. Një histori e çuditshme heroike, po dhe dramatike, lufte e përpjekjesh për ta përçuar dijen, gjuhën e traditën shqipe nga brezi në brez....! Dhe të tillë shembuj, shkalla e vështirësisë që pothuajse kudo ku flitej e luftohej për të mësuar e shkruar shqip! Jo vetëm kjo shkollë, po plot të tjera, patën jetëgjatësi të shkurtër dhe lëvizja për hapjen e tyre nuk pati kurdoherë vazhdimësi ndaj do të duheshin të kalonin 2 shekuj që lëvizja për shkollën dhe gjuhën shqipe të fitonte ato përmasa zhvillimi e përparimi të dëshiruara. Intelektualët tanë të shquar, që nga N. Veqilharxhi, K. Hoxhi, P. Doçi, N. Mjeda, Gj. Fishta, N. Naçi, P. Vasa, Z. Jubani, Sami e Naim Frashëri, J. Tasimi, edhe pa shtetin e tyre, pa asnjë institucion kombëtar, të drobitur, pa miq e aleatë ditën të gjejnë gjuhën e bashkimit kombëtar. Abetaret e Veqilharxhit e Tahsimit etj., u përhapën dorë më dorë dhe u bënë halë në sy për pushtuesit, po aq sa pushka e komitëve, që shpejt mbushën malet e Shqipërisë. Për intelek­tualët e shquar, gjuha dhe shkolla shqipe u bënë pikënisja e shpresës së madhe, sofra e pare e fundshekullit XIX, që këtu i bashkoi shqiptarët për beteja të ardhshme, ku, duke lënë mënjanë ndasitë fetare krahinore, do të bëheshin një për çështjen e gjuhës e të bashkimit shqiptar.

Mësonjëtorja e parë Shqipe u hap me 35 nxënësit e parë e më pas, breza të tërë do të nisin udhën e bukur të dijes në një shkollë të vërtetë shqipe. Një ditë më vonë, më 8 Mars 1887, Th. Mitkoja do shkruante: "Dëshira tonë u mbarua, shkol­la shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e, dy vjet, sot lulëzoi dhe dha fruta të ëmbla".

Pas Mësonjëtores së parë do hapeshin edhe shumë shkolla të tjera, si në Pogradec e Kolonjë, shkolla e vashëzave në Korçë etj. Kështu u flijuan shumë patriotë e atdhetarë të shquar me burgosje, vrasje e internime. P. Sotirin do ta hidhnin nga kati i tretë i shtëpisë së tij, Papa K. Negovanin do ta thernin me thika, si në kohën e inkuizicionit, Petro N. Luarasin e helmuan! Por mësimi në gjuhë shqipe nuk do të ndalej. Shkollat shqipe po ngriheshin, populli po i mbante në këmbë ato, qoftë edhe me sakrificat më sublime!...

Shpallja e pavarësisë, me Plakun e Vlorës dhe me ministër arsimi L. Gurakuqin, hapen 70 shkolla. Për ta vazhduar më me ngulm fuqizimin e shkollës kombëtare, sidomos pas Kongresit të Lushnjës, më 1920 e pas Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, shkolla do të pësonte arritje të mëtejshme kurdoherë në ngjitje. Në vitet 50-të do të zhdukej analfabetizmi nën moshën 40 vjeç, do të shpallej arsimi i detyruar fillor e më pas ai 7-8 vjeçar. Në vitin 1957 hapet Universiteti i pare shqiptar, ai i Tiranës e pas tij Institute e Universitete, si ai i Shkodrës, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Vlorës për t'u kurorëzuar me Akademinë e Shkencave dhe degët e saj pranë instituteve e katedrave të gjuhësisë e historisë, arteve të bukura dhe kulturës fizike dhe sporteve.

Me festën e 7 Marsit, në një mënyrë tjetër janë të lidhura të gjithë: gjyshërit e gjyshet, baballarët dhe nënat, të rinjtë dhe të rejat, adoleshentët, fëmijët e gjitha moshave. Kjo për shkakun e vetëm e të thjeshtë, pasi shkolla mbetet për ta institucioni i mësimit dhe edukimit më të organizuar për të gjithë, qofshin këta nxënës, studentë apo frekuentues e dashamirës të kulturës e dijes, pa të cilin nuk mund të mendojnë ecjen përpara të një shoqërie në evoluim, progres e prosperitet. Sepse pikërisht aty do të kultivohen edhe ato vlera të intelektualëve të vërtetë e vërteta kulturore, madje dhe njërëzore e përfshirë këtu edhe mënyrat e komunikimit njerëzor e civil, atë kod të domosdoshëm e urë komunikimi e diversitetit ndërkulturor mes njerëzve. Aty mësohet dhe zbatohet parimi i demokracisë për zbatimin në unitet të të drejtave dhe lirive nga njëra anë dhe të detyrave e i përgjegjësive nga ana tjetër. Në të vetmin  institucion të organizuar, në shkolla dhe nga vetë shkolla, përcillet tek gjeneratat e reja që do t’i dalin për zot vendit në të ardhmen, mesazhe paqeje e mirëkuptimi, kultivohet tolerancë ose më mirë si një ftesë disi ndryshe, dëshira për të mësuar gjatë gjithë jetës në mënyrë aktive, efektive, krijuese.         

Parë në këtë vështrim, 7 Marsi i sivjetshëm, që përkon me 131 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe, është një thënie disi ndryshe për faktorët dhe aktorët që e kanë detyrim ligjor, por edhe qytetar e moral për përkujdesje e vlerësim më të madh e përkushtimi i mijëra mësuesve,. që në disa raste edhe në kushte të vështira dhe me trajtim financiar nën mundësitë që ata garantojnë jetën e tyre dhe fëmijëve. Mësuesi është ai që të hap portën e dijes, që të orienton në lumin e madh të atij formacioni që do të nevojitet gjatë jetës tënde, që të udhëzon më mirë se kushdo tjetër, se si lexohet e punohet me librin, se si të bëhesh një krijues i denjë

i mendjes njerëzore. Ai dhe vetëm ai edhe gjërat më të vështira t'i ben me të lehta. Ata, në shumicën e rasteve, punojnë me pasion të veçantë e intensitet për t'i përgaditur nxënësit jo vetëm për kohën që ata janë në bankat e shkollës, por edhe kur ata do të kenë dale në jete. Dhe kurdoherë me ndjenjat e një prindi, pa t’u rënduar, pa të kërkuar haraç dhe kurdoherë dhe në mënyrë më të shenjtërueshme!

7 Marsi apelon para politikanëve e pushtetarëve të të gjithë niveleve, medias e intelektualëve, shoqërisë civile e mbarë opinionit publik, më shumë përkujdesje për shkollën dhe mësuesin, më shumë respekt e mirënjohje për punën e tyre të veçantë e të lodhshme, më shumë vlerësim për gjithë brezat dhe para së gjithash para kontribuesve më të mëdhenj të arsimit dhe atyre që tashmë, të kërrusur nga vitet e gjata të punës në arsim, i gëzohen një pensioni modest.

Ndaj, ju lutem, shumë ndjeshmëri e vlerësim për ata që na mësuan shkrim e lexim, matematikë e kimi dhe që na orientuan të sigurtë në jetë për të përballuar konkurencën e tregut të punës!

Më shumë kujdes për ruajtjen e gjuhës së bukur e të vjetër shqipe nga huaz­imet dhe fjalët e huaja, që mund të zëvendësohen lehtësisht me fjalë shqipe!

Ndërsa prindërve, kudo ku jetojnë e punojnë, në Evropë e Amerikë, në Aus­trali e vende të tjera, bashkë me respek­tin që kemi për kontributin që ata japin edhe për ta përmirësuar më tej imazhin e këtij vendi, ju lutem dhe në një fare mënyre ju përgjërohemi që shqipen e bukur t’ua mësojnë edhe fëmijëve, nipave e mbesave. Në të kundërt, gjuha jonë, ndër më të vjetrat e gjuhëve indoevropi­ane, do të vijë një dite ajo do të rrudhet e mplaket, kjo sepse gjuha është dhe mbetet treguesi më domethënës që mban gjallë dhe e ndriçon, e lartëson një komb. Nuk ka identitet pa gjuhë. Gjuha është një medalion, që e mbajmë me vete kudo, të cilën do ta marrim me vete edhe në varr!...

Festa të gjithëve u përcjell mesazhe, edhe për mësuesit. Ata kurdoherë të jenë në ballë të punës për zbatimim e politikave dhe reformimin e shkollës, kultivimin e vlerave demokratike, zhvillimin e fuqisë krijuese tek brezat e rinj për përfshirjen e të gjithëve në procesin e mësim­it dhe të edukimit, argëtimit dhe zbavitjes.

Në këtë ditë të shënuar, nga thellësia e shpirtit buron ai urim përherë i sinqertë: -Gëzuar festen e dijes, kolegët tanë të nderuar e respektuar! Paçim ngahera suksese e mbarësi! Respekt e mirën­johje atyre që na mëkuan që në vegjëli me dëshirën për dije, vullnetin për të mësuar, aftësinë për ta bërë tonën kulturën qytetare.

 

FRAN GJOKA

LEZHË

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1