Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | PROZE | THIRRJE NGA ZBORI

THIRRJE NGA ZBORI

Font size: Decrease font Enlarge font
image FASLLI HALITI Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»

 NGA DITAR (i konvalesencës ideologjike) me rastin e 15 Prillit ditës  Deportimit tim në Kooperativën Bujqësore të Fier-Sheganit

5.                       

THIRRJE NGA ZBORI

Prill 1973       

Sot jam në zbor në Kolonjë të Lushnjës. Pas stërvitjes, në kohën e pushimit, mënjanohem nga zboristët. Kaloj nëpër mend gjithçka që më ndodhi. Kujtoj atë ditë me shi të egër, gri, erën e ftohtë që e bënte shiun të ngrinte si shtresë e hollë transparentë akulli në fytyrat e njerëzve pa ҫadër; kujtoj çastin kur këmbët më ҫuan në postë për të marrë gazetën «Shkëndija» të cilën e prisja me ankth pasi më kishin thënë që në të do të botohej kritika e «Dhjetë letrarëve gjimnazistë»; kujtoj tronditjen kur pashë titullin e asaj kritike aktakuzë në gazetën “Shkëndija” : «Dielli dhe një poemë që spekullon me të»; çastin kur drejtori i shkollës më pa të tronditur. Ҫ’të ka ndodhur?, më pyeti drejtori. Kur pa gazetën në duart e mia të hapur te faqja ku ishte butuar kritika, e ndjeu që unë isha jo vetëm i tronditur, por edhe tepër i tmerruar,  nuk mund të bëja dot mësim në atë gjendje të kërcënuese,  drejtori më tha mos u fut në mësim, ik qetësohu, i zëvendësoj unë orët e tua.  E falënderova drejtorin i cili më vlerësonte si mësues e si krijues dhe vazhdova të kujtoj   ardhjen e shokëve në shtëpi, vajtjen në Tiranë pas kritikës, takimin me Kadarenë, fjalët inkurajuese të tij; takimin me Rrap Gjermenin, dinakëritë katunareske të tij me pak diplomaci të pështirë; takimin me shokun Ramiz Alia, diskutimin intelektual me të për poemën dhe kritikën gati një orë e ca; mbledhjen e parë në Lushnjë, në sallën e shtëpisë së kulturës; diskutimet e shokëve që mbrojtën krijimtarinë time, diskutimin në Tiranë në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve...

Befas, kujtimet m’i ndërpreu lajmi se më kërkonin në postbllokun e repartit. Pashë që aty priste një veturë bojë qumështi. Del drejtori i Shtëpisë së Kulturës V. Bardhi. Më thotë se më kërkonin në Komitet të Partisë. U trondita. Domethënë telashet s’kanë mbaruar. Ato vazhdojnë. Ç’të kenë. Ç’kërkojnë nga unë. Unë  gjithçka e kam të shkruar, të botuar në gazetat qëndrore letrare, periodike, nëpër revista.

Hipi në veturë. Jam i tronditur. Para sysh më dalin fëmijët: Doni, Manjola... Përfytyrimin ma prish ndalja e vaturës. Do qëndrojmë pak këtu, thotë drejtori i shtëpisë së kulturës.

-Pse, e pyes?

-Do presim pak Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme! Kryetarin e Degës? Po, përsëriti drejtori i kulturës, ka shkuar gjer në Bubullimë. Ka një mbledhje. Më tha që ta prisnim këtu. Nuk vonohet. Për pesë minuta makina vete dhe vjen.

Më iku gjaku në fillim. U ndava nga drejtori. Veja dhe vija në buzë kanalit ndanë xhadesë. Çfarë s’mendoja. Të gjitha i mendoja: arrestimin, gjyqin, burgun... Gjithçka. Çdo gjë mund të ndodhte. Ata  që kishin shpifur sikur gjoja unë kërkoja vilë, çdo gjë mund të trillonin. Duke menduar kështu e mora veten. në djall të vete, thashë me vete. Kaq e pata, thashë me vete. Kisha dëgjuar se arrestimet kështu bëheshin: të merrnin me makinë dhe... Kështu kishin arrestua shkrimtarin Kapllan Resuli duke e marrë në veturë, gjoja për ta ҫuar në shtëpi, meqë u ra rruga. Ndjeva shtrëngimin e prangave në duar. Si qenka puna mendova. U mësoka njeriu. Ndërkaq vetura u duk në fund të kthesës së Bubullimës.

Tani unë isha qetësuar plotësisht. Mbase isha mpirë. S’mund të them asgjë me siguri. Një gjë mbaj mend, që makinën nuk e shikoja fare, nuk ia hidhja fare sytë sepse s’doja ta shihja arrestuesen, prangosësen time të zezë edhe pse ishte në ngjyrë ajke. Dëgjova shoferin të thoshte:

-Kryetari i Degës më tha të ikim në Lushnjë, pasi mbledhja mund të zgjaste.

Tani fillova të shqetësohesha përsëri. Më shqetësonte befasia dhe kurthi. Me siguri që ky ishte kurth. Mbase më arrestonin në të hyrë të qytetit. Sigurimi kishte tekat, deliret e tij. Ai luante me viktimën si macja me miun. M’u duk sikur mora formën e miut, sikur m’u hollua, m’u zgjat turiri, sikur u mbulova me push të zi miushi. Lemeri. Të transformohesh në një brejtës të zi. Frika të transformon gjithsesi. Metamorfozat e saja janë nga më të lemerishmet. Ndërkaq vetura ndalet para gjimnazit. Në oborrin e shkollës na priste sekretar i Komitetit të Partisë për ideologjinë Siku Velo, me disa nxënës të veshur e të qethur si kinezë. Pllakat gri në oborrin e shkollës ishin larë, ndriҫonin me një dritë të hirtë, të përzishme. Gjithandej pastërti, rregull. Sekretari më jep dorën. E pyes, pse më kishin thirrur. Do bëjmë një mbledhje këtu në gjimnaz, më thotë ish drejtori im i gjimnazit i lartësuar në postin e sekretarit ideologjik të Komitetit të Partisë. Pse, a nuk e bëmë një mbledhje me krijuesit në shtëpinë e kulturës, i them. Apo jo shoku sekretar. E bëmë vërtetë, po këtë mbledhje nuk e organizojmë ne.

-Po kush e organizon.?

-Anëtari i Byrosë Politike, ai e theksoi togfjalëshin  anëtar i Byrosë Politike, Shoku Rita Marko.

-Ashtu?

-Po! Kërkon të dëgjojë gjykimin e nxënësve për poemën. Përsëri u tremba. Pikërisht Rita Marko ishte ai që kishte demaskuar e kërcënuar poetin Bilal Xaferri, aq mizorish sa e detyroi atë të arratisej. U zbardha  në fytyrë. Ashtu do të sillej edhe me mua ai kërcënueshëm. Tronditja më vinte edhe nga një frikë po kaq mizore që ishin shpifja dhe dëshmitë e rreme. Gjersa më kishin akuzuar me shkrim në gazetë gjoja, sikur kërkoja «vilë», ose akuzohesha me shkrim sikur bëja thirrje të ngriheshim «... në kundërvënie ndaj  Pushtetit Popullor?» , gjithçka mund të pritej. Kaloi gati një orë. Mbledhja nuk po fillonte. Kurth, thashë me vete. Me siguri e kanë lënë të më arrestojnë këtu në oborrin e shkollës midis nxënësve, në prani të atyre që kishin bërë «kritikën». Kisha dëgjuar se bënin dhe arrestime demonstrative, publike, teatrale. Do fillojmë apo jo, i them me nervozizëm sekretarit të komitetit duke përfituar nga që njiheshim nga afër, po vete ora 20-të, i thashë. Nuk  është në dorën tonë kjo mbledje, por në dorën e Byroistit, përsëriti sekretari i Komitetit të Partisë.

Ai s’iu përgjigj nervozizmit tim. U tregua i qetë. Toleroi. E thashë një herë që njiheshim nga afër. Më kishte pasur koleg në gjimnaz. Shkonim mirë. Por nga ana tjetër ai e dinte që unë kisha një dell marrie. Sidomos  kur më nervozonin, nuk pyesja për vija të bardha apo vija të kuqe. Pastaj ai e kuptonte gjendjen time të dëshpëruar. Ruaju ariut të plagosur thotë ajo fjala e urtë. Erdhi dikush nga komiteti dhe tha se mbledhja nuk bëhet sonte. U la për nesër. Sepse Byroisti Rita Markos i kishte dalë një punë urgjente në Tiranë dhe iku me ngut. Mbledhja u la për të nesërmen mbas dite në orën 17.00.

Përsëri u trondita. Përsëri dyshova për kurth. Më vajti mendja te arrestimet që po bëheshin ato ditë. Flitej  shumë për arrestime shkrimtarësh, artistësh. Kishi arrestuar këngëtarin Sherif Merdani. Njerëzit që ia donin zërin, qanin njëherësh këngëtarin dhe këngën e tij. Në shtëpi nuk dinin gjë. Ata më dinin në zbor. Sa u futa në korridore, Manjo, vajza, m’u hodh në qafë, pastaj m’u hodh djali, Doni. Plaka, 80-vjeҫare dhe Nirvana, gruaja më pyetën me shqetësim, pse isha vonuar.

E bisedova gjithçka me gruan. Atë natë pothuaj nuk fjetëm. Në kokë më rrinte dyshimi:

-Po sikur të më arresgtonin të nesërmen në mbledhje në mënyrë demonstrative. Sa do të gëzoheshin Spiro, Murati, Gazmendi, Hasani, Koli e të tillët.

Çdo gjë mund të ndodhte.

*** 

(Fragment nga eseja «Poema e mallkuar» shkrimtarit dhe regjisorit Tahsin Xh. Dimiraj)

 

«Atë mesnatë në fund të Marsit 1973, ndërsa fshesarët, si në një poezi të tij, «Kolegët e mi fshesarë», nisin punën për pastrimin e rrugëve të qytetit, ndërkaq Partia në Lushnjë, e kishte fshirë dhe e kishte vërvitur tutje si një “plehrë” poetin, dhe krijuesit e artistët lushnjarë shkonin të këputur në shtëpitë e tyre, pasi kishin diskutuar për të tretën herë poemën e ’’mallkuar’’ blasfemuese të socializmit,  «Dielli dhe rrëkerat»,  të poetit të tyre Faslli Haliti. 

«Ah,  jo,  or jo,  as atje nuk zë mënd ti,  or jo...! », i tha sekretari i parë poetit.

Kjo shprehje e Sekretarit, e kishte ther në shpirt poetin aq sa ai më thoshte shpesh: Më tthuaj Tahsin,  a jam njeri i mbrapshtë, a jam i pa korrigjueshëm dhe, sido që të më quash ti, shiko po nuk u çlirova nga ankthi, siç u çlirua ai personazhi i Zhak Preverit që,  pasi u dënua me varje, u çlirua në çast nga ankthi i dënimit me varje, tha:  Ky qenka dënimi me varje dhe hëngri një krep me shije dhe  e ndezi një cigare dhe e thithi me kënaqësi. Pastaj poeti  do të më thoshte në intimitet: Tahsin, ajo thënie e Sekretarit të Parë është një zezonë për mua, me të ai më paralajmëroi se konvaleshenca ime idelogjike në kooperativë do të jetë e gjatë,  shumë e gjatë dhe rehabilitimi im nuk do të jetë kurrë i plotë. Dëgjova që i kërcitën dhëmbët dhe iu mbush goja me xixa, sikur të donte t’i vinte zjarrin vetes ose...

Tahsin Xh. Demiraj

 (vazhdon)

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1