Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | PROZE | NJË FSHESË E HEKURT DO TË FSHIJË USHTRINË

NJË FSHESË E HEKURT DO TË FSHIJË USHTRINË

Font size: Decrease font Enlarge font
image Qerim Skënderaj

NJË FSHESË E HEKURT DO TË FSHIJË USHTRINË

(Fragment nga romani “Pas kuintave te Teatrit Diktonian”)

 

Kapitulli i dytë

 

   Lajmi u rrëzua nga Maja. Pesha e tij ishte ndjerë në të gjithë Bllokun, i cili po përjetonte qetësinë e frikshme, nga ato që përgatisin shpërthimin. Atë mbrëmje zhurma e një makine të vogël kineze, fringo e re, prishi qetësinë duke rrëshqitur nëpër vila me drejtim Ministrinë e Mbrojtjes. Makina e vogël mbartte peshën e një burri të madh. Brenda udhëtonte ish koloneli me tre yje të rëndë, për të cilin thuhej se kishte pasur më shumë merita se grada. Pas kthimit nga një shërbim i largët, lajmi kishte mbërritur edhe në veshët e tij. Kërkonte të sqarohej. Ishte fanatik i shkallës hierarkike të cilën e quante çelësin e suksesit dhe ngulte këmbë të zbatohej në çdo hallkë, ndaj dhe nxitonte të merrte shpjegimet e duhura tek eprori i tij i drejtpërdrejtë.

   Pasi i hodhi një sy uniformës, trokiti i vendosur në portë. Nga brenda, u dëgjua e shurdhët përgjigja e trokitjes “Hyr”. Shtyu derën dhe  hodhi vështrimin në kërkim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Krejt papritur u gjend përballë katër ish gjeneralëve më të lartë të ushtrisë dhe prezenca e Ministrit të Mbrojtjes e hutoi, aq sa harroi të nderonte me grusht siç e detyronte rregullorja, edhe pse kapelën e kishte ngjeshur thellë mbi flokët e thinjur, si hiri i zjarrit që mban nën vete thëngjij përvëlues.

   Të katër ish gjeneralët u panë në sy. Ardhja e këtij ushtaraku të lartë ishte e papritur. Vetë ministri kishte thirrur tre vartësit kryesorë tu njoftonte shqetësimin e Udhëheqjes së Lartë për të metat në ushtri. Numri një i shtetit, shoku Dodial, kishte deklaruar se për pastrimin e tyre do të përdorej një “fshesë e hekurt”. Ministri e kish kuptuar mjaft mirë peshën e asaj fraze, e cila ishte një kërcënim për ta, e mbi të gjitha për kreun e ushtrisë dhe për këtë, donte të këshillohej me vartësit, por ardhja e papritur e ish kolonelit, ia bëri lëmsh të gjitha. Ministri u kujtua se ai nuk bindej lehtë, madje nuk kish fituar as yllin e gjeneralit pikërisht për këtë. Më Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, eprorin e tij direkt, kish ndezur zjarre polemikash pa fund.

   “Nuk dua ta rëndoj dëgjimin me pëshpëritje rrugësh. Më thoni, ç’ është ajo ‘fshesë e hekurt’ që do të fshijë ushtrinë?”

   Ministri u bë akoma më i verdhë. Dukej si bashkëshorti i një vdekje të papritur. E dinte se ky njeri nuk largohej nga zyra pa u sqaruar deri në detaje, ia njihte mirë zakonin e mushkës. Kjo e hutoi edhe më shumë. U mbush thellë më frymë dhe nisi ta zbrazë pak nga pak si të kishte frikë mos mbetej pa të. 

   “Po ja, vetë shoku Dodial, dyshon për veprimtari armiqësore në ushtri...”

   “Atëherë më thoni kush është armiku, se ushtria jeni ju!...”

Shefi nuk e shmangte dot nervozizmin që i shkaktonte arroganca e tij me eprorët.

   “Prandaj jemi mbledhur ta gjejmë. Ti erdhe të na ndihmosh apo jo?!”

   “More, do t’ më sqaroni ju, apo të ngjitem më lartë unë?”

   “Rrugën hapur e ke, që kur u rrëzuan yjet, s’ka më pengesa për tu ngjitur deri në Majë. Shkallët janë të lira, por kujdes, nuk mbajnë pesha të rënda”, nënqeshi shefi, duke u veshur fjalëve një ironi të qëllimshme.

   Ish koloneli, instinktivisht, i shëtiti sytë mbi spaletat e ish gjeneralëve dhe me një vështrim të hidhur iu drejtua:

   “Yjet u rrëzuan vërtetë, por rëndesën nuk e morën me vete, ajo është këtu”, tha duke rrahur supet e vetë.

   Dy zëvendësministrat po e ndiqnin të shqetësuar dialogun epror-vartës që shpesh kishte përfunduar në grindje kapriçiozësh.  Por çuditërisht këtë herë ish koloneli, i veshi një buzëqeshje bisedës dhe nuk po i shtynte urët për të ndezur një zjarr kundërshtimesh të pafund. Kish ardhur për tjetër gjë. Këmbëngulës në atë që donte të dinte, përsëriti më i qetë:

   “Pse nuk ma sqaroni mua atë punën e “fshesës së hekurt”, por më hidhni degë më degë. Në qoftë se është sekret, më thoni të ngrihem.” 

   “Mos u tremb. Nuk të fshin ty ajo “ fshesë”, jo. Do të shpëtojë ylli i gjeneralit që nuk e fitove dot. Mos ji pishman, fijet majëmprehta këtë herë do të synojnë gjeneralët.”

   Ish kolonelit i erdhi në majë të gjuhës një përgjigje e pakontrolluar por e gëlltiti, rrëzoi pak kokën mënjanë dhe derdhi një buzëqeshje ironike. E njihte mirë eprorin e tij. Ai nuk e përfundonte asnjëherë mendimin pa i hedhur piper djegës që të ndizej debati. Ushtrinë ama e donte më shumë se jetën e tij, i ishte përkushtuar i tëri, prandaj nuk e ngau. Gjendja që sundonte në atë zyrë ishte e mjaftueshme për të kuptuar furtunën fshirëse, por vetë koloneli shpresonte se do të ishte një fshirje e butë. Taktikat e Dodialit i njihte: kur shfaqeshin të ëmbla të helmonin si gjarpër, kur deklaroheshin të hidhura kalonin më lehtë. Por ish koloneli e bazonte gjetkë optimizmin e tij. Shpresonte shumë në rolin e Vranerit. Për këtë arsye e hapi bisedën përsëri.

   “Po shpata e Vranerit, nuk mund ti presë e ti bëjë të paefektshme ato fije të hekurta?”

   “Shpata e Vranerit pret aq sa të mos ndjejë dhembje lëkura e tij. Në këtë rast ai nuk mund të marrë përsipër të mbrojë një vepër armiqësore shpallur nga vetë shoku Dodial. Nuk ka shumë rëndësi në është i ndërgjegjshëm apo jo për pozicionin që do të marrë, atje lartë të gjithë votojnë pro shokut Dodial”, argumentoi Ministri.

   “Unë akoma nuk po kuptoj për ç’ vepër armiqësore bëhet fjalë xhanëm?!”- gati bërtiti ish koloneli.

   “Për Teorinë e Rrëshqitjes”.

   “Aha...qenka ndryshe puna. Mua më kanë ardhur në vesh disa fjalë për dëmtime ekonomike, për disa dreka e darka që kanë dëmtuar buxhetin...”

   “Mund të trajtohen si vepra armiqësore edhe ato. Merret vesh ç’ është shkruar në raportet e Sigrës?!”

   Këtë herë ishte një nga zëvendësministrat që ndërhyri.

   “Po mirë, ju ç’ bëni këtu të mbledhur kokë më kokë si qyqarë? Më fal, shoku Ministër, për shprehjen e pagjetur. Dua të them, pse nuk lëvizni ju? Pse nuk shkoni deri tek shoqja Diktona e të mbroni ushtrinë? Teoria e Rrëshqitjes është thjeshtë një teori si shumë të tjera të Artit Ushtarak. Zbatimi i saj bazohet në kushte specifike të caktuara. Kjo nuk do të thotë që sa të dëgjohet një krisëm përtej detit, tu drejtohemi fortifikatave malore. Këtë do ta bëjmë vetëm kur të jenë rrëzuar njëra pas tjetrës teoritë parësore në një luftë të mundshme. Ne këto gjëra i kemi diskutuar gjatë. A i di shoqja Diktona si funksionojnë ato?...”

   “Shoku Dodial ka caktuar Lusterin për të sqaruar çështjen. Ai do të studiojë të gjitha diskutimet që kemi bërë rreth kësaj teorie”, mezi i nxori goja zëvendësministrit tjetër që kish bërë memecin.

   Ish koloneli nuk dalloi asnjë shenjë inkurajuese në pamjen e tyre. 

   “Lusteri nuk është ushtarak!”, tha i nevrikosur dhe vështroi edhe një herë me radhë katër kokat e ushtrisë. Për fat të keq, dalloi se rrëshqitja kishte nisur bashkë me teorinë e saj të famshme...

 

Vijonë...

Comments (1 posted):

Guri Naimit D. on 06/05/2017 14:21:10
avatar
JU pershendes.Dobesia ime po krijimit per ate mbiemer qe Mbani...

Guri Naimit D.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1