Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | PROZE | FRERI

FRERI

Font size: Decrease font Enlarge font
image QAZIM D. SHEHU

FRERI
Tregim
QAZIM D.  SHEHU
Pasi i kishte bërë tri vite burg prej asaj të mallkuare gjuhë ,nga që nuk rrinte dot pa llapur, Mirash Duri zuri vend mirë dhe u rehatua në punën e re.Ishte mjeshtër në rregullimin e makinave të shkrimit.Nuk mund të thuhej se në atë kohë kishte njeri më hovardar dhe më të ndjeshëm se ai ,po edhe njeri më gojëlëshuar që e shprehte pakënaqësinë në çast ,sikur t`ia merrte vrerin gjarprit me zor nga goja edhe kur gjarpri ta falte viktimën.
Ç`kishte ky njeri që ,sikur të kishte ngrënë plënc pule ,vetëm fliste e fliste pandarë, pa u rrekur e pa u menduar dhe njerëzit i largoheshin me ngut, kapur mat prej fjalëve të tij të panjohura, gërnjare e të rrokullepsura që u plasnin atyre para këmbëve  e, në këtë rast ,të shfryheshin si tollumbace do të qe e keqja më e vogël; po ato ishin fjalë të helmatisura pa dykuptimësi , açik ,të vërteta.
-Mbylle atë dreq goje,- i patën thënë njerëzit e shtëpisë, a nuk u binde për burgun që bëre ,apo do të na marrësh në qafë edhe ne ?Fjalët e tyre ishin të prera, të qarta, me një kërcënim keqardhës.
Ai premtonte aty për aty ,po harronte dhe e shkrepte menjëherë ,sapo betohej se nuk do fliste me kënd.Ditë të tëra kalonte rrugës me shpejtësi për të mos përshëndetur askënd, për të mos folur,  se ishte betuar para gruas së vet ,para vëllezërve.
Një ditë, tek e shoqja erdh një vajzë e re dhe iu ankua për të.Ai kishte sajuar një fjalë të pahijshme ,një fjalë që mund të çonte aty ku nuk mendohej dhe merret me mend çfarë provoi në darkë nga e  ajo Mirashi.Ajo jo vetëm që nuk iu afrua, siç e kishte zakon ,po e kërcënoi me ndarje, se boll i kishte vuajtur ato tri vite bosh të burgimit të tij,dhe  tani duhej të duronte edhe fjalët e botës.Mirash Duri i dha karar se ose nuk duhej të fliste më ose duhej të largohej përgjithmonë nga ai qytet, të mbyllej në një shpellë dhe atje të fliste e të fliste  për ta dëgjuar vetëm zgollë e saj.Po e shpinte veten në një udhëkryq të tmerrshëm dhe akoma nuk po kuptonte se po bëhej i mërzitshëm me njerëzit e shëpisë,  një ankth i përhershëm për ta.Pse pak punë kishin ata, dhe tani duhej të merreshin me tekat e tij?
Ndaj rrinte me orë duke rregulluar makinat e prishura të shkrimit që ia binin institucionet e qytetit të vogël, njerëz të ndryshëm, kuadro të rëndësishëm dhe ai fjalën e parë që thoshte:lere aty-duke treguar nje raft të vogël ,bosh-mos më thuaj asnjë fjalë se s`kam kohë të flas- këtë e thoshte nga një maraz i brendshëm që nënkuptonte sforcon e tij vetëpenguese  duke mbajtur me zor maçokun e fjalës që e gërricte me thonj përbrenda.Njerëzit e nuhasnin  stërmundimin  e tij  dhe iknin ; nuk donin ta shqetësonin mjeshtrin e makinave të shkrimit, mekanikun duarartë dhe të njohur.Ndonjëri që këmbëngulte për të rrëmuar donjë fjalë ,mjeshtri e shikonte me kujdes dhe ia kthente mbrapsht makinën e shkrimit.Tjetri e kuptonte këtë dhe e shtonte pazarin si një provë vetëdënimi të gabimit që kishte bërë.Ai po e kuptonte gjithnjë e më tepër një forcë të re, e cila lëvrinte në ndërgjegjen e vet të plagosur;kjo forcë sa vinte dhe po ia mpinte gjuhën, aty ku fjala sa vinte tërhiqej në thellësi dhe atje shkrehej si një dinamit në ujë.
Një ditë në dyqanin e tij erdhi Meti, ish miku i tij i vjetër, i cili solli një makinë shkrimi.Ishte një makinë e seksionit të arsimit në rreth.Me Metin kishin ngrënë një hambar bukë dhe ishin të njohur , së bashku e kishin kryer ushtrinë në marinën detare, po kohët ndryshuan.Meti u bë mësues dhe ai iu drejtua burgut.Sidoqoftë e njihte për njeri besnik ,të devotshëm ,gojëmbyllur dhe kishte dëgjuar fjalë të mira për të.Punonte në shkollën periferike të qytetit dhe, herë e pare, po dukej në dyqanin e tij mbushur me makina shkrimi të prishura.Ai e kryente shpesh një rit;zakonisht kur i vinte ndonjë mik në dyqan e porosiste me e anën e një çuni një kafe dhe teke fërnet për veten dhe për mikun  ose e riçonte djalin për çfarë dëshëronte tjetri. Kështu veproi edhe atë ditë.Duke kujtuar kohën e ushtrisë e duke gjerbur në heshtje kafen e nxehtë ,Meti e pyeti për shtëpinë, pa ia zënë në gojë burgun ,sikur ai nuk e dinte ose bëri se gjasme  nuk kishte dëgjuar për burgun e tij, për hallet e problemet dhe Mirashi  duke  harruar përbetimet dhe vetëfrenimet , pa kujtuar mornicat e gjuhës që  nuk harashiteshin më,e zbrazi thesin:
-Ç`të kemi ,mor vëlla , nuk e shikon si jemi katandisur ,ata atje lart mirë e bukur jetojnë për vete e ne jemi bërë të na marrësh e të na përplasësh për faqe të murit e të na ngjitesh në të si plastelinë…
Pa i mbaruar fjalët ,çatia e dyqanit të vogël kërciti duke ia bërë :këëërrrr.Mirashi u trondit , ndërsa Meti nuk e prishi fare  fytyrën ,vetëm vazhdonte të thithte cigaren e duhanit, sikur ai të mos kishte thënë asgjë.Ustai ndjeu se u zverdh,kuptoi esëll çfarë kishte thënë, një dridhje i përshkoi gjymtyrët dhe, atë cast, gjithë makinat e rregulluara iu dukën sikur kërcitën njëherësh me shkronjat e plumbta duke shkruar fjalët e tij.Mirashi doli jashtë duke vështruar rreth e rreth ,po nuk kishte njeri.Papritur kaloi pranë një burrë i shkurtër që mbante në duar një palë shkallë;dukej se kishte qenë ai, e njihte mirë.Mirashi e pyeti ; tjetri bëri të paditurin.Ai, pikërisht, në ato sekonda, po kalonte andej dhe shkonte të rregullonte një tel drite në një shtyllë.Hyri  Brenda. Meti pasi e kishte fikur cigaren dhe mbaruar kafen po rrinte në heshtje.I tha se do vinte pas dy ditësh të merrte makinën e shkrimit dhe Mirashi nuk foli.
Kur Mirashi shkoi atë drekë në shtëpi e solli bisedën  për çfarë i kishte ndodhur, çfarë kishte thënë,fjalët e shqiptuara.
-Po ti paske shkuar si cjapi tek kasapi ,mor hut, -i tha vëllai…Meti është ish -shoku jot ,po sot është i tyre.Ç`tu desh mor derdimen…Ta kam thënë se kjo gojë do të marrë në qafë-u shkreh i vëllai, gati me ngashërim ,përzier me një inat që sa vinte dhe po e mbyste dhimbjen…
Atë natë nuk vuri gjumë në sy.I bëhej se nga çasti në çast do vinin ata të Degës dhe me pranga në dorë  në ish qelinë e lënë para ca kohësh do ngryste sërish vitet e trishta, të cilat kur i kujtonte i bëhej se ato ishin fundi i tij.Jo, nëse do ta arrestonin sërish ,më mirë të vriste veten.Vëllezërit,gruaja ,e porosisnin gjithnjë dhe ai nuk e kafshonte që s`e kafshonte atë dreq gjuhe.Kur vajti të nesërmen në punë dukej si i drobitur.Një shpresë ende e mbante;Meti ,sido që të vërtitej puna, nuk do sillej keq;po ajo zhurma sipër çatisë çfarë qe?.Ajo zhurmë e menjëhershme ,e tmerrshme ,e shpejtë dhe kërcitëse sikur të thyhej kurrizi i çatisë së dyqanit .Pasi u mendua me trurin e çarmatosur nga frika dhe të lodhur nga pikëllimi e dobësia  në një  vetëçpengim që quhej budallallëk me brirë,një fije arsye që përshkonte një dritë shprese i thoshte se duhej ta takonte me patjetër Metin.Makina e shkrimit nuk kishte ndonjë gjë të rëndësishme, ajo ishte e re, veçse i mungonte një pjesë të cilën ai ia zevendësoi  pa shumë mundim. La shumë punë të tjera  po u pengua të mos ia çonte  Metit.Një institucion i rëndësishëm  i kishte sjellë një makinë shkrimi që duhej t`ia mbaronte punë orësh.Meti do vinte një ditë më pas.Pa pritur orën e caktuar,mbylli dyqanin dhe u nis për tek shkolla e tij. Vuri re Metin kur hyri në oborr të shkollës.Ca nxënës që po loznin me një top lecke, menjëherë e lanë lojën dhe ikën të trembur ,sikur një skifter të binte mbi zogj dhe dy mësues të tjerë hoqën duart gjithë respekt.Meti vetëm sa u tundi kokën në heshtje.Kishin të drejtë vëllezërit.Meti nuk ishte thjesht një mësues shkolle, atij i trembeshin njerëzit.I trembeshin fëmijtë, shokët, vetëm ai nuk i ish trembur kurrë shokut të tij , përmes shakave ndonjëhere edhe e kish lënduar, po Meti në heshtje i kish duruar ato thumbat e tij të pafundme për femrat, gratë e fjalëkalimet e dëshirave të krisura, teksa dallgët e detit  rrihnin kiçin e anijes luftarake.I tha dikujt që të thërriste Metin po në atë çast ra zilja e fillimit të mësimit.Nuk ishte nevoja që  ta përsëriste fjalën ,kur Meti doli vetë sikur të kishte lënë takim me të.Sërish pa sesi grumbulli i nxënësve u hap si me komandë për të krijuar një shteg kalimi për Metin.Meti i tha se pas nja tri orësh ,sa të mbaronte mësimin dhe ata do e bënin rrugën bashkë për në shtëpi.Gjatë kësaj kohe Mirashi ndenji tek rruga me çantën e makinës në dorë duke parë kalimtarët e rrallë që kalonin pranë tij.Dikush e përshëndeste ,ndonëse e njihnin të gjithë, ndërsa ndonjë tjetër e kthente kokën dhe nuk përtonte ta shfaqte hapur se nuk duhej me i folë një ish të burgosuri.Nuk thonë kot: koka bën, koka pëson.Tani duhej gjetur një fjalë tjetër, një justifikim, Metit nuk i duhej thënë hapur asnjë lutje për frikën e denoncimit.Po zhurma mbi çati?A duhej të kishte frikë Meti nga zhurma nëse s`kish frikë nga ai.Mendimet i ngatërroheshin lëmsh, ndërsa e gjeti një kohë për t`u ulur diku.Pranë rridhte një burim që përplasej në një gur duke lëshuar një ritëm të përpiktë, pak kërcitës.Ishte si e kërcitura e germave të makinës së shkrimit që ngriheshin nga tasta për të rrahur letrën e pafajshme që nxihej prej tyre.Makina e shkrimit rrinte aty.E kujt ishte kjo makinë ,e Degës? Makina që vetë kish rregulluar do rrihte germat mbi letrën e bardhë për të bërë procesverbalin e fjalës së tij.Vetja po i dukej e mjerë dhe tani nuk po kuptonte ,as nuk e shkoqiste se kush duhej të ishte ai i panjohuri majë çatisë që kishte rrëshqitur aq shpejt .Kur Meti doli nga shkolla  ai sërish rrinte mbi gur, ulur, i zhytur  në mendime të thella, burimi rridhte dhe përplasej në gur.Erdhi autobuzi i linjës që do i shpinte arsimtarë e nxënës  drejt qendrës së qytetit.
-A s`e bëjmë në këmbë,nja një gjysmë ore rrugë mbetet-foli Mirashi-na bën mirë edhe për të lëvizur..
-Si të duash,mërmëriti Meti-mua mirë më bën se jam shëndoshur ca.
Autobuzi u nis  duke gërvirë me gomat e tij të rënda sikur donte të lëvizte me zor dhe ata morën rrugën në këmbë.Meti heshtëte.Kush e di çfarë bluan, tha me vete Mirashi;me siguri sa të hyjmë në qytet do shkojë të më dorëzojë me gjithë makinën e shkrimit në Degë të Brendshme ,aty ku kam pasë zyrat e dajakut. Edhe sikur të dojë  të më mëshirojë ,me siguri, nga ai i panjohuri, nuk do mundet të bëjë një  të mirë.Njeriu ruan veten e tij dhe kush nuk i kishte faj pse ai ishte një humbameno, a nuk i mjaftuan tri vite burg për të nxënë mend?Po nuk besoj, i vinte një zë tjetër.Nuk e bën Meti këtë punë ;sa herë kishte ndenjur me të në ushtri, në netë dhe ditë të detit të trazuar e mbushur me dallgë të mëdha.Kjo ia shtonte optimizmin dhe ia sillte sërish një arsye dhe ndjenjë të vetvetishme për t`u shprehur.Para tyre vinin shtyllat e tensionit të lartë.Mirashi u ndal:
-Shiko, Met,- tha,-ku paskemi qenë?! Paskemi qenë të humbur.Na mbyste pisha dhe tymi i bishtukut…-Shikoji këto shtylla të tensionit të lartë që na rrijnë mbi krye.Partia i pruri në këto zona të thella.Dritë bëjnë për zemrat tona dhe ndriçojnë vendin anë e kënd…Para tyre shtyllat e tensionit të naltë nguleshin si pikëçuditëse mbi gurë e skërka, herë dilnin para syve të tij e herë humbisnin sipas relievit.
Mirashi priste se çfarë do thoshte Meti, po Meti nuk u shpreh.Madje ai u tregua aq indiferent sa edhe vështrimin nuk e ngriti lart për të parë shtyllat dhe telat e tensionit të lartë.Jo, në vend që t`ia priste hovin Mirashit ,ia ndezi edhe më nxitjen .
-Shikoji këto ara,- tha-duke treguar disa ara me grurë,shikoji si gjelbërojnë dhe hijeshojnë.Si qilim me një mijë ngjyra vezulluese.Aq të mira janë bërë dhe gjithë këto ara që dikur jepnin kaq kuintal për ha, sot japin dyfish,trefish…
As arat Meti nuk i pa ose u duk se hodhi një vështrim të pjerrët sa për të justifikuar një farë interesi.Heshtja e Metit sikur e fuste Mirashin në një kurth frymëzimi për tu shprehur:
-Shikoji këto stalla, tha ai, shihi këto lopë që kullosin bar.Sa të shëndetshme janë e sa rendiment japin në qumësht…
Ngjitur në një lëndinë ,një tufë lopësh kockëdala ckërmitnin me dhëmbë barin e paktë.Meti sërish shtërngonte nën sqetull çantën e zezë të arsimtarit dhe heshtëte.Në rrugë, pas autobuzit të vetëm të linjës, nuk kalonte asnjeri.Qielli ishte i pastër si fjalët e sinqerta të Mirashit ,ndërsa rrezet e ngrohta të diellit sikur e shtonin edhe më forcën  dhe patetikën e rrëmbyeshme  të fjalëve të tij.Sesi gjeti momentin dhe Mirashi doli nga krahu i tjetër i Metit duke bërë dy hapa para.
-Po rruga, rruga që në kohë të Zogut ka qenë gjithë baltë e gropa, sot asfalt e ke.E, sa rrugë ka shtruar e do shtrojë kjo parti në zemrat tona që…iu bëftë dita njëmijë…
Mirashi e kuptoi se u lodh, po më shumë po e lodhte Meti.Heshtja e tij ishte një miratim i plotë i fjalëve të tjetrit apo ai po bezdisej nga dërdëllitjet prej një çamarroku të trallisur të Mirashit, pikërisht këtë nuk po e kuptonte Mirashi, sidoqoftë ata ngadalë po mbërrinin tek vendi ku duhej të ndaheshin:Mirashi  merrte rrugën djathtas drejt shtëpisë të vet, ndërsa Meti majtas.
-A sose?-pyeti Meti me qetësi.
Mirashi i dha çantën me makinën e shkrimit.
-Sosa…psherëtiu Mirashi.
-Mirë,- tha Meti,- të gjitha bukur i the ,po  pse u lodhe duke më çarë kokën gjer tani?....

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
3.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1