Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | PROZE | Po misrin kush e hëngri?

Po misrin kush e hëngri?

Font size: Decrease font Enlarge font
image Bashkim Saliasi

Po misrin kush e hëngri?

 

Skicë

Nga Bashkim Saliasi

 

 

Në kohën e kooperativës, në vitet ’70-90, zakonisht në periudhën e vjeshtës në parcelat e mbjella me misër, caktonin roje për të ruajtur bimët që mos të dëmtoheshin nga derrat e egër, sidomos natën. Pas viteve ’68-‘69 në zonën tonë u shtuan shumë derrat e egër, por gjuetia e tyre në periudhën e vjeshtës ishte e ndaluar për gjahtarët. Pylli i Selanit dhe ai i Valës në Skrapar, ishin caktuar si zona të ruajtura nga ndërmarrja pyjore.

Gjuetia e këtyre derrave bëhej vetëm kur vinte Kryeministri në Bogovë, ku kishte rezidencën e tij, e ku, vetëm ai kishte të drejtë të pushonte dhe të qëndronte kur t`i donte qejfi. Ne, atë rezidencë e shikonim si një vend të shenjtë, që nuk mund t`i afroheshim asnjë kilometër. Rezidenca ruhej ditë e natë nga roje të besuara me tre turne.

Historia  e tregimit nisi në orën e letërsisë, kur po diskutonim për filmin “Beni ecën vet”.

-Eh, - tha shoku im Bilbili, - mësuesja ia fut kot, nuk e di ajo se ne jemi më të guximshëm se Beni, që ishte rritur në qytet dhe nuk kishte parë pyll me sy. Unë kam muaj që fle natën jashtë sepse më ka dërguar vëllai që të ruaj parcelën e misrit në Varres. Natën e parë e kaluam pranë parcelës që ruaja unë dhe pothuajse nuk fjetëm fare gjumë, edhe unë, edhe dy shokët e mi Dinia dhe Dyli.

-Hera-herës njëri nga ne dilte vërdallë parcelave dhe thërriste:

-Haahaa derri! Haahaa derri!…

Qeni im, Baloja, sa bërtisja unë i binte parcelës kryq e tërthor, kurse në parcelat fqinje ia lehnin dhe dy qentë e tjerë, Xhuda dhe Markoja. Ne ndiheshim të sigurt dhe nuk kishim frikë fare se na ruanin qentë tanë.  Parcelat me misër ishin zhvilluar shumë, por akoma nuk ishin bërë kallinjtë për t`u pjekur.

Një mbrëmje në fund të gushtit, para se të nisesha, vëllai më porositi që ta lidhja qenin. Të njëjtën porosi kishin marr edhe Dinia e Dyli nga vëllezërit e tyre më të mëdhenj, me urdhër të brigadierit. Me kalimin e muajve misri u rrit plotësisht dhe ishte bërë gati për tu pjekur…

Këtë gjë ne e mësuam atë natë kur dolëm dhe kontrolluam parcelat, se mos ishin dëmtuar nga derrat. Dyli zhveshi një kalli misri dhe pamë se, ai ishte bërë gati për t`u pjekur...

Mësuesja vazhdonte të tregonte për trimëritë e Benit…

-Mbrëmë, - tha  Bilbili jam kënaqur me misra të pjekur.

-Ku i gjete misrat, o shoku im?

-Në parcelën Varres, atje ku i ruaj natën që të mos i hanë derrat…,por, duhet pjekur ndonjë!..

-Nuk ke frikë ti shoku, që rri natën vetëm atje në mes të pyllit, ku mund të të hajë ndonjë ujk, apo nuk janë ujqërit tani  në kohën e shumimit!..

-Jo, pse duhet të kem frikë, në parcelën tjetër në Rripës ishte Dyli dhe pak më tutje në një parcelë tjetër tek ara e Flamurit, Dinia, që ta mban sekrete ty dhe nuk tregon se çfarë gallate kemi bërë mbrëmë në arë.

-Pa më trego si ia kalon atje si roje nate?

-Shoku filloi të tregonte ngjarjet.

Ora e mësimit vazhdonte dhe mësuesja hera-herës hidhte sytë nga ne, por nuk po na tërhiqte vëmendjen.

-U nisa nga shtëpia në ora 18.00 pasdite. Te shtrati që kishte ndërtuar vëllai me dega druri e gjethe fieri, pasi shtrova batanijen u ula poshtë dhe ndeza një zjarr bubulak që të ngrohesha. Natën e parë këputa pak misra për t`i pjekur dhe kur i hëngra më shijuan shumë. Natën e dytë u futa në mes të parcelës dhe me veshët pipëz dhe sytë katër, këputa nja njëzet kalli misri të mirë dhe fillova që t`i piqja. Isha përhumbur në pritje të shijimit të misrit të pjekur, por si hije  mbi kokë më qëndroi Dinia. Më trembi, por shpejtë e mora veten dhe pasi bëmë disa shaka u ulëm dhe filluam të shijonim misrat e pjekur. Nuk kishte kaluar asnjë gjysmë ore, kur në krye të parcelës u dëgjua një zë i fortë:

- Kontrolli, -ej ju atje, çfarë bëni, ruani misrin nga derrat apo keni ardhur për të pjekur misra?

-U trembëm në fillim, por kur foli për herë të dytë, - Hë, se ua  rregulloi unë juve në mbledhjen e kryesisë, - e njohëm që ishte Dyli.

I futëm një të sharë alla shqiptarshe…Dyli  sapo u afrua, pyeti:

-Hej Bilo, sa misra këpute sot?

-Mbi 20 copë.

-Domethënë nga 6 copë për njeri dhe teprojnë dy copë.

-Jo dy copë i kam për mëngjes.

-Pse ore edhe në mëngjes do hash misra ti, bëri shaka Dinia!

-Edhe ne me numërim po i  këpusim misrat, thamë me një gojë dhe ia nisëm të numëronim misrat, një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë dhe tepruan dy. Këta po i  ndaj mënjanë, - u thashë shokëve dhe i futa poshtë kokës sipër në shtrat.

Zjarri u ndez bubulak dhe ne pasi hodhëm misrat në zjarr u gajasëm së qeshuri. Në pritje të pjekjes së misrave, dëgjoj Balon që filloj të lehte aq fort, sa gati e këputi zinxhirin. Në parcelat fqinjë ia nisën lehjes Xhuda dhe Markoja.

Të tre qentë po lehnin të shqetësuar…

U ngritëm në këmbë dhe filluam të thërrisnim: Haaahaa derri! Haaaahaaa derri!…

Nuk kaloi shumë dhe dëgjuam zhurmë hapash në parcelën e misrit në drejtimin tonë. Zhurma sapo vinte dhe po bëhej më e fortë. Shpejtë e shpejtë hoqëm misrat nga zjarri dhe fshehëm misrat që kishim bërë gati për t`u pjekur.

Deri këtu mirë, o shoku im, kur ç’të shohim, brigadieri me tre persona të tjerë u gjend para nesh.

-Mirëmbrëma! – përshëndeti  brigadieri. Tre të tjerët nuk folën, por hidhnin sytë rreth e qark.

-Kështu e ruani misrin ju? -foli brigadieri me inat.

-Ne po shikonim njëri-tjetrin dhe nuk folëm. Dyli kushëriri i afërt i brigadierit, buzëqeshi dhe filloi t`i thoshte atij se, ishte Bilbili ai që kishte ndezur i pari zjarrin dhe ne erdhëm për t`u ngrohur që mos të na zinte gjumi.

-Domethënë ju këtu, mblidheni për të bërë muhabet dhe për të pjekur misra, ja ktheu  brigadieri.

-Jo, kundërshtuam të tre me një gojë, ne nuk këpusim misra se ai nuk është bërë akoma.

-Mirë, mirë, - u zbut brigadieri, - tani shkoni secili te parcela juaj dhe po ju gjeta dhe njëherë tjetër kështu, do dënoheni dhe do t`ju nxjerrë para shkollës…

Kjo ishte hera e parë dhe ne thamë se ja hodhëm… por ç’na gjeti herën tjetër…

Nuk thonë kotë “e gjeç nga mos e pandehsh!”

Ne, si gjithë populli i fshatit, ishim në festën e 5 Shtatorit, ditës së çlirimit të rrethit Skrapar. Aty vumë re se brigadieri me shokët e tij pinë shumë raki dhe u bën në qejf. E fjetëm mendjen se sot nuk kemi kontroll. Secili këputi misra nga parcela e vet. Unë e ndizja zjarrin më shpejtë sepse drutë i kisha më afër. Pasi  zjarri u bë bubulak, filluam të piqnim misra. Sapo hëngrëm misrin e parë dhe hodhëm të dytët në zjarr dëgjuam lehjen e qenve.

-U trembëm dhe shpejtë e shpejtë fshehëm misrat, u çuam në këmbë dhe morëm sopatat në dorë.

-Ç’të shikojmë, brigadieri me katër veta pas.

-Kontrolli punëtor, - na thanë dhe i ranë parcelës kryq e tërthor.

-Ee, shyqyr!- thamë që nuk i lamë degat brenda në parcelë, por i larguam larg në një ferrë. U shpërndamë nëpër vendet tona dhe u mjaftuam me një këshillim.

-Epo ia hodhëm! - thamë në mëngjes kur po ktheheshim në shtëpi.

-Po kujt ia priste mendja, o shoku im, të nesërmen në mbrëmje ne përsëri avazin tonë, por ç`e do se e pësuam keq.

Ora po shkonte 9 e mbrëmjes dhe i kishim ngrënë nga pesë kallinj misri dhe po bëheshim gati të shpërndaheshim nëpër vendet tona.

-Qentë filluan të lehin fortë. Shpejtë e shpejtë pastruam vendin, por, ç`e do, kësaj radhe na zunë me presh në dorë. Brigadieri futi dorën poshtë batanijes te krevati natyror dhe gjeti aty dy misra të pjekur që unë nuk i kisha ngrënë akoma…

U bë nami...

Në darkë do të bëhej mbledhja e kryesisë.

Në orën gjashtë e tridhjetë minuta korrieri i fshatit i ra çangës tre herë, sinjal që nënkuptonte se populli duhet të mblidhej në shtëpinë e kulturës së fshatit.

Të tri lagjet me të dëgjuar sinjalin e çangës u mblodhën shpejtë e shpejtë dhe mbushën vatrën e kulturës si rrallë ndonjëherë.

Në tavolinën kryesore kishte zënë vend kryetari i kooperativës dhe në dy krahët e tij ishin ulur sekretari i byrosë dhe kryetari i këshillit të bashkuar. Në rreshtin e parë ishte ulur brigadieri ynë dhe grupi i kontrollit punëtor.

Ne zumë vend në gjysmë errësirën e korridorit nga ana e bibliotekës dhe me veshët pipëz ndiqnim çdo bisedë që na kapte veshi.

Mbledhjen e hapi kryetari i kooperativës, i cili në fjalën e tij tha:

-Ju kemi thirrur sot në këtë mbledhje pasi kemi sinjalizime  se po na dëmtohet prona e përbashkët në parcelat e misrit…

Më pas e mori fjalën sekretari i byrosë.

-Është detyrë e popullit, që të informoj partinë, për njerëzit e pandërgjegjshëm që vënë dorë në pasurinë e përbashkët…

-Po, po, - vazhdoi kryetari i këshillit të bashkuar, - të gjithë ata që dëmtojnë pronën e përbashkët sipas ligjit duhet të dënohen…

Porsa u ul kryetari i këshillit të bashkuar, Braushi plaku trazovaç, u ngrit në këmbë dhe kërkoi leje.

-Urdhëro shoku Braush, foli kryetari i kooperativës. Salla ra në qetësi të plotë.

-Përse i bini rrotull, thuajeni ore troç, se ku fle lepuri, boll jemi lodhur gjithë ditën.

-Në krah të xha Braushit ishte ulur Xhevoja, që asnjëherë nuk rrinin pa e ngacmuar njëri-tjetrin.

-Ama ti, o xha Braho, u lodhe shumë duke ruajtur bykun e kashtës se mos e hanë derrat…

Në sallë plasi gazi. Batutat pasonin njëra-tjetrën.

Pasi u vendos qetësia, brigadieri kërkoi leje dhe sqaroi problemin përse kishte kërkuar mbledhjen e kryesisë. Midis të tjerash tha:

-Ne shokë e shoqe kemi problem dëmtimin e misrit. Ai po na dëmtohet prandaj kontrolli punëtor me të drejtë ka ngritur zërin dhe e ka bërë problem në kryesinë e kooperativës, si dhe në organizatat e partisë. Duhet ta dini, shokë e shoqe, se në pyjet që na rrethojnë, na janë shtuar shumë derrat e egër. Pyjorja nuk na lejon që t`i gjuajmë ata dhe detyra jonë është që të ruajmë parcelat e misrit nga derrat.

-Shoku brigadier, misrin duhet ta ruajmë nga derrat me dy këmbë apo derrat me katër këmbë, - tha Braushi.

-Na gajase,- ia priti Xhirja, -pse nuk thua se derrat do na vijnë mysafirë në shtëpi.

-Do vijnë ooo, posi, i kam parë edhe unë që derrat sillen rreth e rrotull kavaletave të kashtës, - ia priti Braushi.

-Na mallëngjeve, - foli Xhirja. Batutat midis Xhires dhe Brahos vazhduan gjatë dhe salla pothuajse doli jashtë kontrollit. Iu desh të çohej në këmbë kryetari i kooperativës, që të rivendosej qetësia.

Beluli që ishte ulur nga fundi dhe nga veshët nuk dëgjonte mirë, pyeti disa djem që ishin ulur pranë tij.

-Përse na kanë thirrur sot në këtë mbledhje? -Djemtë e sqaruan sipas mënyrës së tyre. Xha Beluli kërkoi leje.

-Urdhëro, xha Belul na jep një mendim se ti i trajton drejtë problemet…

Shoku kryetar, kisha një pyetje: -Kush e hëngri misrin xhanëm, derrat me katër këmbë apo derrat me dy këmbë?

Salla shpërtheu në duartrokitje të pandërprera. Sado që u mundua kryetari dhe ndihmësit e tij të vendosnin rregull, ishte e pamundur. Kooperativistët ngacmonin njëri-tjetrin duke u larguar me potere nga salla dhe nuk reshtnin së përsërituri batutën e xha Belulit. - Po misrin kush e hëngri?...

 

Comments (1 posted):

kadri Tarelli on 19/02/2017 17:42:13
avatar
Tregim i bukur dhe me mjaft humor popullor. Urime z. Bashkim!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1