Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | PROBLEME | JO VETËM JETË TË NDËRPRERA PA MOTIVIM ...

JO VETËM JETË TË NDËRPRERA PA MOTIVIM ...

image Safet N. Ramolli.

JO VETËM JETË TË NDËRPRERA PA MOTIVIM ...

(Ose kujtesë për ata që artikulojnë vend e pa vend vitin 1997)

   Në datën 5 maj (2019), në ditën përkujtimore të “Dëshmorëve të Atdheut”, ministri i brendshëm z. Sandër Lleshaj, përpos të tjerash, me shqetësim, tërhoqi vëmendjen, se gjatë periudhës së tranzicionit kanë humbur jetën 224 policë, shifër disi e lartë kjo për numrin e popullsisë dhe territorin e vendit. Ndërkohë në Gardën e Republikës, vetëm në 13 vite (1993-2006) kanë humbur jetën 37 efektivë, natyrisht edhe kjo një shifër e lartë. Nga mënyra si janë zhvilluar ngjarjet, pas një analize qoftë edhe fare të përciptë, mund të arrihet në përfundime jo qartësisht të pranueshme dhe të argumentuara. Disa jetë prej tyre mund të ishin “kursyer” pas një pune të mirëfilltë për aftësimin më të plotë profesional dhe psiqik të efektivave; pas një organizimi të operacioneve dhe komandimi më profesional të tyre, apo pas një bashkërendimi më të mirë midis strukturave të ndryshme vepruese etj. etj. çka mund të përbëjë objekt studimi dhe analize të strukturave përkatëse. Edhe këtë mot, (2019) për shkak të konfliktualitetit politik të pamoral, jo vetëm politika me shumicë, por edhe media (sidomos analistët dhe opinionistët) jo më pak, i “fryjnë” zjarrit të pakuptimtë dhe allashqiptar të vitit 1997. Mirë është që ’97-ta t’i përkasë historisë, së shkuarës, pasi e ardhmja është jeta!

   Në forcat e armatosura disi më pak, në ato të rendit publik pak më shumë, e sidomos në Gardën e Republikës akoma më shumë, gjatë periudhës 1993-2006 ka mjaft jetë ushtarakësh të ndërprera dhunshëm. Gjithësesi ato rezultojnë në pakicë në krye të detyrës, disi më shumë për shkak të detyrës, dhe, fatkeqësisht në shumicë, shkaktuar nga të tretët ose nga vetvetja. 

   Shumicës së tyre u është ndërprerë jeta pa ndonjë motivim pozitiv, pra jo në interes të çështjes kombëtare, ashtu sikurse numri është disi rrënqethës. Kështu, vetëm në Gardën e Republikës kanë humbur jetën në krye të detyrës, apo për shkak të saj, pra duke qënë juridikisht në shërbim, me uniformë dhe të pajisur me armatim 37 (tridhjetë e shtatë) vetë, çka do të thotë afërsisht tre vetë në çdo vit. Nga të gjithë këta vetëm në një rast kemi të bëjmë me seksin femër, e deklaruar e vetëvrarë në vendbanimin e saj në rrethana të paqarta në agimin e 30 majit të vitit 1997, duke lënë pas dy jetimë fare të vegjël. (Tani pas kaqë vitesh, duke u kërkuar ndjesë se po u sjell në kujtesë një ngjarje tejet të hidhur, lus Zotin që ata të jenë mirë jo vetëm me shëndet por edhe moralisht).

   Meqënëse po bëjmë fjalë për jetë të humbura pa motivim, mund të shprehemi pa u gabuar, se vetëm në 7 (shtatë) raste ndërprerja e jetës ka qënë e motivuar, çka do të thotë që ata kanë qënë në krye të detyrës; në 6 gjashtë) raste të tjera ajo ka qënë rrjedhojë e aksidenteve, pra janë humbje jete aksidentalisht; më tej në 6 (gjashtë) raste të tjera problemi ka qënë dhe mbetet ende i diskutueshëm; dhe në gjithë rastet e tjera, nuk mund të shprehemi për asnjë motiv pozitiv. 

Rasti i parë i ndërprerjes së jetës në krye të detyrës i përket datës 28 mars të vitit 1993, kur një nënoficer i karrierës së bashku me disa shokë, kthehej nga një shërbim në shoqërim të ish-presidentit të republikës në atë kohë, në aksin rrugor Sarandë-Tiranë. Edhe pse i ndjeri ra plotësisht në krye të detyrës, jo vetëm që nuk u vlerësua si “Dëshmor i Atdheut” apo “Dëshmor i Demokracisë”, por as edhe nuk u gjet e arsyeshme të dekorohej, dhe akoma më keq, dy prindët e tij nuk përfitojnë pension familjar, me pretendimin se ligja e parashikon si rast, vetëm kur ata të plotësojnë moshën e pensionit. Rasti i dytë, megjithëse problemi nuk është zbardhur akoma qartësisht nga organet e drejtësisë, i përket datës 29 dhjetor të vitit 1994, kur një nënoficer i shërbimit të karrierës, me detyrë shofer, dërgohet me shërbim në një rreth skajor, dhe u gjet i vetë(vrarë) me armë zjarri në automjetin që drejtonte. Nuk e di nëse bashkëshortja dhe fëmija e tij trajtohen ose jo me ndonjë pension familjar. Sidoqoftë, është vërtet për të ardhur keq. Rasti i tretë i përket po një nënoficeri të shërbimit të karrierës, i cili më 19 shkurt të vitit 1998, pasdite vonë, duke qënë me shërbim pranë selisë së Partisë Social-Demokrate, aksidentohet me pasojë vdekje të menjëhershme nga një automjet, i cili doli krejtësisht nga rruga në trotuar. Do të kisha dëshirën e mirë, që të paktën familja e tij të trajtohej me ndihmë ekonomike. Rasti i katërt, i motivuar krejtësisht, pa marrë përsipër të bëj analizën e shkaqeve, e cila nuk u bë asnjëherë edhe në atë kohë, i përket datës 27 korrik të vitit 2000, kur një ushtar, duke qënë me shërbim roje, vritet me armë zjarri nga një nënoficer aktiv, edhe pse nuk kishte vartësi organike apo shërbimi midis tyre. Organet e specializuara le të bëjnë punën e tyre dhe le të shprehen qartazi, por gjithësesi familja humbi përjetësisht një fëmijë, i cili ishte veç një muaj mbi nëntëmbëdhjetë vitet. Dhe përsëri nuk e di nëse është bërë ndonjë trajtim moral për familjen e djalit, i cili humbi jetën prej të tjerëve?!! Rasti më i fundit i takon datës 16 korrik 2006, kur ekuipazhi i helikopterit qeveritar i përbërë nga tre vetë, le ta pranojmë me dhembje, se tashmë nuk mund të ketë asnjë shpresë, qoftë edhe teorike për të mbijetuar, humbën jetën tre kuadro nga më të mirët dhe më të devotshmit e Gardës së Republikës. Dhe përsëri le të shpresojmë se familjet e tyre, të paktën të mos e ndjejnë mungesën e anës financiare.

   Ndër 37 jetët e ndërprera, gjithë të tjerët mund të arsyetohet, se kanë humbur jetën pa ndonjë motivim të qartë në interes të përmbushjes së misionit, pra në interes të çështjes kombëtare, apo duke qënë në krye të detyrës. Dhe, sikurse mund të shikohet qartazi, ata janë shumë. Një kategori krejt e veçantë është humbja e  jetës të gjashtë shtetasve më 23 maj të vitit 1997, të cilët u vranë tragjikisht, në mënyrën më të keqe antihumane të mundëshme, në Cërrik. Gjithësesi ata ishin të mobilizuar në kuadrin e shpalljes së gjëndjes së jashtëzakonshme, por që nuk bënin pjesë në ndonjë strukturë të përcaktuar qartë, por edhe me emërtim dhe mision të qartë. Për disa ditë ata u prezantuan si vullnetarë për të mbrojtur demokracinë e brishtë; më vonë u quajtën “gardistë”, çka edhe motivohej me ligjin për Gardën; dhe së fundi si efektiv i një reparti special të ministrisë së brëndëshme. Politika e të dy krahëve i keqpërdori skajshëm, për të mos thënë dhunshëm, por gjithësesi ata ishin të mobilizuar sipas një vendimi, kryenin detyra nën komandim dhe të organizuar, ashtu si gjetën fundin e jetës duke përmbushur një detyrë të rreshtuar në struktura organike shtetërore dhe të komanduar. Edhe në këtë rast nuk e di nëse familjet e tyre trajtohen me ndihmë ekonomike, sepse i përkisnin një moshe aktive, që kishin në ngarkim pjesëtarë të tjerë të familjes.

   Vetëm në nëntë raste mund të vlerësojmë dhe çmojmë, se ndërprerja e jetës ka qënë për shkaqe aksidentale. I pari mund të jetë nënoficeri, i cili humbi jetën pas rrëzimit të automjetit në rrugëkalimin Sarandë-Tiranë, i analizuar më sipër. I dyti i përket jetës së një oficeri, i cili në pasditen e 31 tetorit të vitit 1997, ka humbur kontrollin ndaj vetes dhe për rrjedhojë është aksidentuar nga një automjet për t’u shkëputur nga jeta më 8 nëntor të vitit 1997. Rasti i tretë i përket një ushtari, i cili më 28 dhjetor të vitit 1999, duke shkuar pranë familjes me leje, humbet jetën duke zbritur nga treni në ecje e sipër, me mendimin për të vajtur sa më shpejt pranë familjes. Një rast i takon vitit 2000, kur një ushtar pësoi vdekje natyrale në kushte normale pranë digës së Liqenit Artificial. Dy raste të tjera datojnë në vitin 2005, kur për shkaqe të një gabimi njerëzor apo të difektit në automjet, gjetën vdekjen tek ura e Farkës një oficer dhe një nënoficer. Tre rastet e fundit i përkasin 16 korrikut të vitit 2006, kur krejt fatalisht do të humbasin jetën në ujrat e detit Adriatik dy pilotët dhe tekniku i helikopterit qeveritar.

   Dhe pas kësaj që evidentuam më sipër, mund të gjykojmë se vetëm në pesëmbëdhjetë raste janë jetë të humbura por të motivuara: nëntë në krye të detyrës dhe gjashtë aksidentalisht. Gjithë të tjerat bëjnë apel për më shumë vetëkontroll ose për më tepër tolerancë.

   Gjykuar në aspektin teknik të shifrave, pa bërë analizën e shkaqeve apo të motivimit, jetët e humbura rezultojnë si vijon: nëntë aksidentalisht; tetëmbëdhjetë të vrarë nga të tjerët; dhjetë të vetëvrarë. Të vrarët nga të tretët janë: tre ushtarë të shërbimit të detyrueshëm aktiv dhe pesëmbëdhjetë nënoficerë të karrierës. Ndërkohë të vetëvrarët i përkasin kategorizimit si vijon: gjashtë ushtarë të shërbimit të detyrueshëm aktiv; dy nënoficerë të karrierës, dhe dy oficerë. Për kategorinë e të vrarëve mund të çmohet dhe vlerësohet se, ata i përkasin në shumicë absolute shtresëzimit të nënoficerëve të karrierës, të cilët janë më të prekshëm nga implikkimet e ndryshme me pasoja deri në hyrje në konflikte të ashpra dhe pa rrugëzgjidhje tjetër. Ndërsa për kategorinë e të vetëvrarëve, mund të gjykohet se i përkasin kryesisht shtresëzimit të ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, të cilët në momente stresimi kryesisht për shkaqe familjare, por në ndonjë rast edhe të mos drejtimit dhe komandimit me profesionalizëm, me etikë dhe me humanizëm, duke qënë me shërbim, në momente përhumbjeje, gjykojnë si mjet për të shpëtuar nga të këqijat, që mbart dhe transmeton jeta, të gjejnë dhe realizojnë pikërisht mjetin ekstrem. Në dy rastet e vetëvrasjes së nënoficerëve, njëri është gjykuar për shkaqe stresimi të menjëhershëm, ndërsa tjetri për moszbatim të rregullave të sigurimit teknik gjatë përdorimit të armëve.

   Ndërkohë ushtarakëve gardistë, përveçse u është ndërprerë jeta pa motiv, ata kanë qënë në mjaft raste të kërcënuar nga dhuna e të tretëve jashtë njësisë, apo nga indiferenca dhe pakujdesia e drejtuesve. Nuk kanë qënë të pakta presionet psiqike dhe fizike, deri në plagosje të ushtarakëve gardistë. Ata janë përballur me dhunën psiqike të turmave që demostrojnë, por kanë qënë edhe në shënjestër të armëve vrastare. Po sjellim në kujtesë vetëm rastin e 13-14 shtatorit të vitit 1998 kur gardistët u vunë nën presion të drejtëpërdrejtë, atyre ju dhunuan objektet që kishin në ruajtje, ju shpërfill misioni juridik që përmbushnin, ashtu sikurse 12 prej tyre u palgosën me armë zjarri. Ndërkohë një ushtar është aksidentuar me pasojë humbje të aftësisë për të punuar përjetësisht gjatë një mësimi tregues apo demostrimi.

   Më i ngarkuar me humbje të jetëve rezulton viti 1997, çka është në rrjedhën e fenomenit mbarëshqiptar për shkak të zhvillimeve të pazakonta, sidomos në pranverën e këtij viti. Këtë vit kanë humbur jetën dhjetë nënoficerë të karrierës dhe një oficer, ky i fundit gjithsesi aksidentalisht. Me katër jetë të ndërprera na vijnë vitet 1998 dhe 1999; me nga tre jetë të ndërprera na shfaqen vitet 1995 dhe 2006, dhe me nga dy jetë të humbura para kohe vitet 2000, 2001 dhe 2005; me nga një jetë të ndërprerë na paraqiten vitet 1994 dhe 2003; për të qënë më i kursyer viti 1996 pa asnjë jetë të humbur.

   Gjatë periudhës në fjalë, të kualifikuar sipas autoritetit të përgjegjësisë që mbajnë, jetët e ndërprera i përkasin: 11 (njëmbëdhjetë) ushtarë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv; 19 (nëntëmbëdhjetë) nënoficerë të karrierës dhe 7 (shtatë) oficerë po të karrierës.

   Ja kjo është në përgjithësi një pasqyrë e jetëve të humbura në vitet 1993-2006. Gjithësesi mbisundon demotivimi, por në një të tretën e rasteve fjalën e ka thënë dhe vendosur vetëvrasja, si një mjet ekstrem ky dhe i pamotivuar.

   Por gjatë periudhës në fjalë janë pasqyruar edhe fenomene sa antiligjore po aqë edhe amorale. Është krejt i papajtueshëm me figurën e ushtarakut dhe misionin e tij, ushtrimi i dhunës pa shkak dhe bazë ligjore kundrejt të tretëve. Kështu në tre raste vetë gardistët kanë ndërprerë jetën e të tretëve. Një ndër ata është pafundësisht i dhimbshëm, sepse në moment përhumbjeje të plotë psiqike prindi oficer vrau me dashje fëmijën e tij katërvjeçar, me mendësinë çmendurore se e kishte jashtë shtratit bashkëshortor; në një rast tjetër nënoficeri i shërbimit aktiv vrau ushtarin, të cilin vetëm pak muaj më parë e kishte patur bashkëshok ushtar; dhe në të tretin, dy ushtarë gardistë, në rrethana të paqarta plotësisht, vrasin një polic dhe plagosin një tjetër, të cilët ishin në krye të detyrës, por gjithësesi disi larg misionit të tyre bazë. Në dy raste të tjera ushtarakët gardistë kanë plagosur bashkëshokët e tyre, ashtu sikurse në një rast njëri ka kërcënuar shokun me armë. Në dy raste dy gardistë nënoficerë të karrierës, me detyrë shofer, kanë aksidentuar dy shtetas, dhe një aksident është pasuar me një vdekje të menjëhershme. Në katër raste kemi të bëjmë me vetëplagosje me dashje, pra me qëllim ose për t’u shmangur nga shërbimi ushtarak, ose për t’i dhënë fund jetës.

   Por ka edhe fenomene të tjera më se të rëndomta. Në dy raste ushtarët gardistë grabitin një automjet nën presionin e armëve në Parkun Kombëtar në Tiranë, si dhe grabisin qytetarët po në Tiranë në prag Viti të Ri 2006, po nën presionin e uniformës shtetërore dhe të armës, të cilat shteti ua ka vënë në përdorim në funksion të përmbushjes së misionit shtetëror. Janë disa rastet e ushtrimit të dhunës në rrethana krejt larg përmbushjes së misionit apo të detyrës: në dy raste gardistët kanë keqtrajtuar gazetarët; në një rast kanë transportuar me automjet një person të dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia e shtetit fqinj jugor; ndërsa në dy apo më shumë raste oficerët gardistë kanë keqtrajtuar pa shkak qytetarë të zakonshëm, ashtu si rastet më banale i përkasin ushtrimit të dhunës fizike nga nënoficerët e karrierës kundër oficerëve po të karrierës.

   Shëmbujt e mësipërm nuk kanë nevojë për koment, përveçse flasin, së pari për një përzgjedhje krejt pa kriter të personave, të cilët do të shërbejnë në një strukturë me mision të veçantë juridik, human dhe moral; dhe së dyti, se me ata nuk bëhet aspak punë e kualifikuar për edukimin me frymën e ligjit, me forcën e formimit psikologjik dhe moral të popullit tonë.

   Kaqë mjafton për të argumentuar dhe justifikuar titullin disi të dhembshëm por edhe jo aqë etik të shkrimit në fjalë.

Safet N. Ramolli.

Tel. 04 2434 381 

Cel. 067 63 56 284  

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1