Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | PROBLEME | “Mbroni matematikën e gjimnazit”

“Mbroni matematikën e gjimnazit”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Islam Alikaj

Kadri Tarelli 

SHQETËSIM I PROFESORIT ISLAM ALIKAJ

“Mbroni matematikën e gjimnazit”

            E kam njohur Profesorin që në vitet e gjimnazit në “16 Shtatori” të Durrësit, unë në vit të parë dhe ai maturant. Më pëlqen ta quaj profesor, si të gjithë bashkëqytetarët durrsak, që e kanë pagëzuar kështu. Emër që i le në hije dekorimet dhe titujt, që tani jepen me lopatë dhe që, më së shumti mbeten varur në kornizë, për të zbukuruar dhomë apo korridorin e shtëpisë. 

Jeta i shpërndan njerëzit. Më pas ai mësues me emër në gjimnazet e Krujës dhe të Durrësit, dhe në UT (filiali i Durrësit), ndërsa unë mësues në fshatrat e Kavajas dhe të Lushnjës. U njohëm më mirë, kur udhëtonim së bashku në këmbë ose biçikletë, për në shkollat e zonës së Katundit të ri, (Komunë e Durrësit), unë mësues historie ndërsa Islami mësues matematike. Ishte koha kur në shtëpinë e fshatarëve, gjeje veç mikpritje dhe raki. Sot qeshim kur kujtojmë, se si, mes bujarisë së tyre mësuam të pimë dhe të gremë dolli. Ishte një jetë plot vështirësi dhe sakrifica, por që përballohej me forcën dhe energjinë e moshës rinore.

            Kam përshtypjen, se mësues të mirë dhe të përkushtuar, ka me qindra dhe mijëra, por intelektualë të vërtetë janë ata, që bëjnë më shumë se detyra e punës së përditshme, për të thënë më shumë dhe për të parë më larg se kolegët. Islami ishte, është dhe do të mbetet një ndër më të mirët në fushën studimore dhe përgjithësuese për matematikën, duke hartua e botuar me dhjetëra libra për Arsimin e Mesëm dhe Universitetin. Sepse puna kërkimore shkencore, sidomos matematika, është e ftohtë në pamje, sepse do talent dhe durim, pasi është e vështirë, si në mendim e mundim, vullnet, përqendrim dhe shpenzim kohe pa kufi. Është e vështirë të dashurohesh dhe të ngjitesh në kështjellën e mbretëreshës së shkencave, por më e vështirë të rrish pranë saj. 

             Unë jam diplomuar për histori-gjeografi, por më shumë kam shkruar për matematikën dhe matematikanët, duke ngritur edhe problemin e “plakjes” së matematikës nëpër shkollat tona. I pari në listën e “stekave të vjetra” në Durrës, më dilte Islami, të cilit i kushtova disa shkrime: 1.GazetaMësuesi”. 05. 12. 2007. “Pse u mplak matematika?”2.Durrësi Bulevard”. 23. 12. 2005. Shkrimi: “Islam Alikaj. “Mësuesi që nuk e pranon pensionin”. 3. “Bulevard”. 08. 07. 2006. “Islam Alikaj. “Gabim testi i matematikës për provimin e maturës”.

Pas Universitetit dhe studimeve pas universitare, ai ka botuar shumë shkrime dhe libra për matematikën, përfshi edhe astronominë. Lista është goxha e gjatë. Mes tyre është dhe një studim kushtuar astronomisë dhe ndikimi i saj në ekonomi. Bëhet fjalë për ndikimin  e cikleve të hënës në rritjen e midhjeve. Ishte një punim shkencor që tërhoqi vëmendjen e specialistëve të peshkimit dhe ekonomisë. Vetë ai, shpesh e kujton me dhimbje dhe krenari atë ngjarje të viteve të rinisë.

Nuk mund të le pa përmendur edhe përfshirjen e Islamit në jetën politike e shoqërore të kohës, si një ndjesi intelektuali, për të marrë pjesë në lëvizjen demokratike, për përmbysjen e diktaturës. Ishte ai, që theu frikën, duke qenë në ballë të mitingut të parë në Durrës, që u organizua pranë stadiumit të qytetit. Janë disa shkrime kushtuar këtyre ngjarjeve madhore për historinë e Durrësit dhe më gjerë, të cilat u publikuan në shtyp: 1.Gazeta“Durrësi Bulevard”. 06. 01. 2006. Ribotim i zgjeruar. 12. 01. 2016. “15 vjetori i mitingut në Durrës”, dhe 25-vjetori i mitingut të madh të PD në Durrës”. Më pas edhe një shkrim tjetër: Gazeta “Bulevard”. 05. 10. 2006. Islam Alikaj.Kandidat për Bashkinë e Durrësit”.

Është meritë e Islamit, që e kuptoi shpejt, se politika nuk i do dhe nuk i pranon njerëzit e ndershëm, ndaj u tërhoq dhe u rikthye tek dashuria e vjetër, te matematika, ku punon pa u lodhur edhe në ditët e sotme, si konsulent për gjimnazistët dhe studentët. Lidhur më këtë dua të theksoj dy momente, që mendoj se janë të rëndësishme për kohën dhe arsimin shqiptar:

Së pari: krahasimin e matematikës që jepet nëpër shkollat shqiptare, me si motrat gjermane, italiane, amerikane, franceze dhe ruse, të cilat i studion në origjinal, pasi i zotëron mirë këto gjuhë, në të folur dhe të shkruar. Besoj se është shpirti idealist dhe qëndrim i tij atdhetar, që të thotë me zë të lartë, se matematika shqiptare, nuk qëndron më poshtë, por e barabartë me të tjerat, që zhvillohen ne shkollat e përparuara të botës. Besoj se këtu ka vend të citoj librin “Matematika. Për mësuesit dhe nxënësit e gjimnazeve në Itali dhe Shqipëri, që është mirëpritur nga profesionistët e matematikës.

Së dyti:Ai si mësues i vjetër dhe njohës i mirë i programeve mësimore që zhvillohen nëpër shkollat tona të mesme, nuk mund të heshtë, kur shikon se gjerat nuk ecin siç duhen. Ndaj ka ndërmarrë një studim kritik lidhur me programet mësimore të matematikës që zhvillohen sot nëpër gjimnazet tona. Është një zë kritik, ndaj atyre që pa u thelluar shkencërisht, me mendimin se po sjellin metoda bashkëkohore, kopjuan programe nga vende të tjera “të mëdha”, me gjasa si më të përparuara, kur në fakt janë programe për shkollat e mesme profesionale. Çdo mësues, veçanërisht i matematikës, në çast do të bëjë pyetjen: Cili student, që merr guximin të ndjekë degën e matematikës, ekonomisë apo inxhinierisë, do ta përballojë ngarkesën e Universitetit, pa bërë me dhjetëra orë konsultime? Si të thuash një shkollë të dytë, që përkthehet në kohë dhe para. 

Më duhet të përmend, se janë disa kronika televizive, ku Islami i ka shtjelluar gjerësisht këto probleme, duke ngritur zërin si mësues dhe specialist i njohur, pasi i shërben forcimit dhe përparimit të arsimit dhe shkollës shqipe. Duke parë këtë punë voluminoze disa vjeçare, mendja rreh lart: Vallë ç’bëjnë misionarët shërbestarë të zotit, më shumë se mësuesit tanë të përkushtuar, që i shërbejnë misionit të dijes? Vetë Islami është një “Misionar në udhën e dijës”, sepse e nisi dhe po e grisi jetën si mësues dhe po vazhdon të mos e përfillë moshën, lodhjen dhe mundimin.

Nuk po them diçka të re, por duke e njohur mirë natyrën e tij këmbëngulëse, besoj se “Profesori” e ka vetë në mendje, ndërkaq unë vetëm sa po e kujtoj, se duhet një studim i plotë i veprës së tij, nga një profesionist matematike. Librat e botuar, janë pasuri e vyer, që mund dhe duhet t’u shërbejë nxënësve dhe studentëve tanë.

Pa e tepruar, mendoj se ai ka një jetë interesante, të ngarkuar me punë dhe me shumë të papritura. Kështu, kur të jetë i ngeshëm të mbledhë e të shkruajë kujtimet, që do të shërbejnë në të ardhmen, si bazë për të hartuar monografi. Të gjitha shkrimet e shumta, të tijat dhe të të tjerëve, të hedhura në shtypin e kohës, janë si kokrrat e grurit të shpërndara nëpër ara. Ato shkojnë kot, po nuk u mblodhën në një libër, që unë e quaj “Arka e kujtesës”. 

Në këtë takim mbresëlënës, u ngritën dolli urimi, nga familjarët dhe miqtë. Mes tyre edhe shokët e hershëm të gjimnazit, Lefter Muzina, Valentina Kondakçiu, Veibe Basha, Luli Veliu, Marika Duri, Diko Mustafaraj, bashkë me ata edhe unë që fola dhe po shkruaj këto radhë.

Urime miku ynë, në 80-vjetorin tënd!Duke kërkuar, që kështu mes familjarëve, miqve dhe shokëve, të festosh edhe 100-vjetorin, me shëndet të plotë dhe mendje të kthjellët, duke shtuar në listën e librave, botime me vlerë,për t’i shërbyer matematikës dhe shkollës shqiptare.

   

Kadri Tarelli

Durrës, më: 10, të fillim pranverës, 2019.

 

Shënim: E gjithë veprimtaria u filmua nga gazetari telekronist, Pjetër Sinani.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1