Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | PROBLEME | ÇKA PO NDODH KËSHTU? KAOS I RËNDË NË POLITIKËN KOMBËTARE

ÇKA PO NDODH KËSHTU? KAOS I RËNDË NË POLITIKËN KOMBËTARE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Frank Shkreli

ÇKA PO NDODH KËSHTU? KAOS I RËNDË NË POLITIKËN KOMBËTARE

Nga Frank Shkreli

Ka disa javë tashti që flitet seriozisht për shkëmbime territoresh, ndreqje kufijsh, korrigjim ose për diçka krejtësisht tjetër, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, varësisht reagimeve se kush e thotë dhe kur e thotë.  Sot e kësaj dite askush nuk e di dhe askush nuk thotë se si dhe pse ky subjekt filloi të diskutohej për herë të parë publikisht, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  Sot jemi për shkëmbim territoresh, nesër për ndreqje kufijsh, ose diçka tjetër.  Kriza e parë e pas luftës në Kosovë, në nivel kombëtar, i gjenë udhëheqsit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të pa përgatitur, të zbuluar, krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjënden, pa asnjë ide dhe pa asnjë strategji politico-kombëtare se si duhet shkuar përpara. Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa asnjë marrveshje ose vision të përbashkët se si duhet vazhduar.  Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht heshtë.  E njëjta ndodhë edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkrenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi kombëtare.  Ekziston pra një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkrendimi në politikën kombëtare përsa u përket interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çeshtjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbinë. 

Ndërsa dëgjojmë komentet e zyrtarëve të lartë shqiptarë në Prishtinë dhe në Kosovë, është e qartë se në radhët e tyre – në lidhje me këtë çështje -- ekziston një hendek i madh, një pështjellim i madh ideshë, pa rregull e pa organizim, një gjëndje kaotike të cilës nuk mund i gjëndet filli.  Kjo gjëndje kaotike vihet re nga komunikimet dhe komentet e udhëheqësve të Kosovës drejtuar prej së largu ndaj njëri tjetrit, mbi shkëmbimin e territoreve ose ndreqjen e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës -- në një kohë që u siguroj se Serbia është e bashkuar për ato që kërkon dhe çfarë pret si përfundim i këtij procesi, siç duket i planifikuar mirë dhe i promovuar prej saj prej kohësh, pikërisht, në këtë moment -- për qëllimet strategjike afatgjata të Beogradit dhe padronëve të tij rusë, në Kosovë dhe në Ballkan.  

Në këtë kaos politik kombëtar dhe konfuzioni, fatkeqsisht, bën pjesë edhe Tirana zyrtare, të pakën ky është mendimi im pasi dëgjova pjesë të komenteve të Kryeministrit Edi Rama në emisionin televiziv shqiptar, “Opinion”, para disa ditësh, ku kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se nuk di “asgjë” për këtë çështje, kur u pyet nga gazetari nëse kishte dijeni se ç’po ndodhte. Pyetjes nëse “Presidenti Thaçi ju ka informuar për këtë çështje, Kryeministri Rama u përgjegj: “Jo. Kur them jo, them që nuk kam asnjë informacion të detajuar që të më vërë mua në pozicionin që të kem një pamje të asaj që po zhvillohet dhe të bëj komente.”

 Çështja e kufijve të Kosovës, terësia e saj territoriale, pavarësia dhe sovraniteti i saj si shtet, janë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, e sdiomos për Tiranën zyrtare. Është pak e çuditshme që udhëheqsi shqiptar shprehet se nuk di gjë për këtë çështje, ndërkohë që përdor një mjet publik të informimit të komunikojë  prej së largu në lidhje me këtë temë -- ndonëse e vështirë dhe e ndërlikuar -- me udhëheqsit e Kosovës, Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, në vend që të takohet me ta me qëllim që të arrijnë në një qëndrim të përbashkët kombëtar midis tyre, në bashkrendim me aleatët perëndimorë të shqiptarëve, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë.  

Ndërkaq, nepërmjet programit “Opinion”, Z. Rama u bëri thirrje udhëheqsve të Kosovës që për këtë çështje të “krijojnë një proces”, përfshirë edhe një “konsultim me diasporën shqiptare në Amerikë”.    “Tani pse nuk shkojnë ta pyesin diasporën shqiptare të Amerikës sot?  Ku është diaspora shqiptare e Amerikës? Të gjithë ata kontributorë të pavarësisë së Kosovës, që lanë pasurinë për të blerë armë për Kosovën, sot janë viktima njësoj si ju, s’po fus veten time, që bëjnë diskutime dhe nuk kemi një proces. Ku janë njerëzit që merren me historinë?  Që do të thotë, ne na duhet një proces”, është shprehur kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” në TV Klan.   Më heret, Kryeministri Rama kishte pranuar me të drejtë në programin “Open” të televizionit Top Channel se,"Për dialogun Kosovë - Serbi mungon një platformë strategjike kombëtare”.   Absolutisht e vërtetë, por kush duhet t’a përpilojë këtë strategji, Z. Kryeministër?  Kjo duhej të ishte bërë shumë më heret nga Prishtina dhe Tirana zyrtare dhe jo nga “Diaspora në Amerikë”.   Ky nuk është roli i diasporës shqiptare, pasi falë nderës Zotit sot i kemi dy shtete shqiptare legjitime, të njohura ndërkombtarisht, të cilat duhej të kishin përpiluar një strategji kombëtare me kohë, jo vetëm për marrëdhniet Kosovë-Serbi, por për shumë çështje të interesit kombëtar.  Udhëheqsit shqiptarë, në Tiranë dhe në Shqipëri – sipas orekseve të momentit -- kanë deklaruar gjysmën e botës si vende strategjike të Shqipërisë dhe të Kosovës, por nuk kanë përpiluar një strategji kombëtare dhe ky nuk është faji i diasporës shqiptaro-amerikane.

E vërtetë se diaspora shqiptare e Amerikës, është këtu, Z. Kryeministër.  Sot më pak e organizuar dhe më shumë e përçarë se kurrë, fatkeqsisht, falë edhe politikave zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe influencës së tyre në radhët e diasporës këtu në Shtetet e Bashkuara.  Ky proces për një strategji kombëtare për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin me të drejtë ju bëni thirrje dhe i cili është tepër i nevojshëm, nuk i takon diasporës shqiptare në Amerikë që ta fillojë, por udhëheqësve legjitim shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët, falë votës së shqiptarëve, ua kanë besuar atyre fatin e Kombit.  Ky moment historik, siç e cilësuat edhe ju Z. Kryeministër, kërkon një bashkim ideshë dhe një qendrim mbarë-shqiptar për bisedimet me Serbinë dhe jo vetëm, ashtu që të mos dukemi para botës, siç u shprehët edhe ju në programin Opinion”, “si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë”.

Është një fakt i njohur tanimë se komuniteti shqiptaro-amerikan, historikisht, ka luajtur dhe duhet të luajë edhe sot rolin që i takon, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në trojet e veta, pranë enteve më të larta qeveritare dhe jo qeveritare, si dhe publikut dhe medias amerikane këtu në Shtetet e Bashkuara.   Në të vërtetë, gjatë dekadave – atëherë kur shqiptaro-amerikanët konsideroheshin si “armiq” të Shqipërisë nga regjimi komunist enverist dhe kur Kosova pësoi të këqia e mundime nën fashizmin serb -- ky komunitet ka luajtur rolin e ambasadorit më të mirë që mund të kishte kombi shqiptar, duke filluar nga Fan Noli e Faik Konica fillim shekullin e kaluar e deri në kohët moderne.  Komuniteti shqiptaro-amerikan, e kishte të qartë misionin e vet gjatë shekullit të kaluar dhe në fillimin e këtij shekulli. Shëmbjen e komunizmit në Shqipëri, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga zgjedha shekullore serbe duke siguruar mbështetjen amerikane për të drejtat e shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në Ballkanin Perëndimor. 

Me vullnet të mirë dhe pa përzierje dhe ndërhyrje politike, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos brezi i ri, mund dhe duhet të riangazhohet përsëri në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, ashtu si në të kaluarën jo të largët. Edhe organizimi më efikas i diasporës shqiptare në Amerikë dhe gjetiu duhet të jetë pjesë e një platforme strategjike kombëtare, që ka përmendur Z. Rama, por diaspora nuk I ka as mjetet, as njerzit dhe as orgnaizmin për të qenë një nismëtare e një procesi të tillë.

Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerry duke iu drejtuar përfaqësuesve të diasporës në Amerikë tre vjet më parë, është shprehur se “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtme më gjithëpërfshirëse.  Komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi ose krizë në vendet e tyre të lindjes dhe përfaqësuesit e diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”.  Këtë fakt e kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër – para tij ose pas tij – Presidenti i parë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  Nëqoftse Tirana dhe Prishtina zyrtare dëshirojnë të konsultohen për angazhimin e diasporës për marrëdhënie më të mira me to, atëherë ndiqni shembullin e marrëdhënieve që gëzonte dikur Ibrahim Rugova me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me diasporën në Evropë.  

Dekadat e 80-ave dhe 90-ave të shekullit të kaluar konsiderohen si periudha e artë e unitetit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth një kauze të shenjët dhe një udhëheqësi që kishte besimin dhe respektin, jo vetëm të shqiptaro-amerikanëve pa dallim -- por si rrjedhim -- Presidenti Rugova siguroi shpejt edhe respektin e zyrtarëve më të lartë amerikanë – si simbol i bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth kauzës së Kosovës, pa dallime politike, fetare a krahinore.   Gjatë krizës në Kosovë, influenca e komunitetit shqiptaro-amerikan në Uashington konsiderohej si më e fuqishmja pas Izraelit.  Kjo, fatkeqësisht, nuk është më!  Lobimi i fuqishëm i shqiptarëve të Amerikës në Uashington gjatë viteve ’80 dhe ’90, si dhe në fillim-shekullin e ri në të cilin jemi, është zëvendësuar tashti me pagesa jo transparente ose gjysmë transparente, prej qindra mijëra dollarësh dhënë kompanive lobiste amerikane nga udhëheqësit qeveritarë e partiakë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, vetëm për të siguruar ndonjë fotografi individuale me ndonjërin prej presidentëve amerikanë, për t’u përdorur për qëllime elektorale në vend.  Nevojitet pra një angazhim më i madh e më serioz se kaq për një partneritet të vërtetë alla-Rugovian me diasporën shqiptare, pasi përpjekjet e deritanishme për të organizuar më mirë diasporën shqiptare në përgjithësi, kanë dështuar, megjithë krijimin e ministrive të diasporës në Tiranë dhe në Prishtinë.  Roli dhe angazhimi i diasporës shqiptare, në Amerikë dhe në Evropë është jetik, sidomos në fushën e politikës së jashtme, jo vetëm për përforcimin e marrëdhënieve me shtetet mike siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Aleancës Euro-Atlantike, por edhe për fatin dhe mirëvajtjen afatshkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar.  Konsultimet e Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara do të ishin në rregull, por diaspora shqiptare në Amerikë nuk e ka shkaktuar kaosin aktual në politikën kombëtare shqiptare dhe nuk është e drejtë që tani t’i kërkohet asaj ndihmë që t’ia gjejë fillin.  

Dikur kjo diasporë ishte shumë efektive në ekspozimin – para Washingtonit zyrtar dhe popullit amerikan -- të krimeve dhe shkeljeve të drejtave të bashk-kombasve tanë, anë e mbanë trojeve shqiptare, nga fqinjtë djallëzorë por është tepër e vështirë për diasporën që para miqëve tanë amerikanë të drejtojmë gishtin e akuzës ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë të gjëndjes aktuale kaotike kombëtare e politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare në bisedimet me Serbinë dhe më gjërë. 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1