Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | PROBLEME | MINISTRINË E KULTURËS DHE KËSHILLI I MËHALLËS

MINISTRINË E KULTURËS DHE KËSHILLI I MËHALLËS

Font size: Decrease font Enlarge font
image Begzad Baliu

MINISTRINË E KULTURËS DHE KËSHILLI I MËHALLËS

Ministria e Kulturës e Rinisë dhe Sporteve më në fund e bëri publike angazhimin e saj në jetën kulturore duke mbështetur disa nga individët e caktuar dhe organizatat kulturore, kur e kur më shumë se një herë!

Duke dëgjuar për përkushtimin e ministrit të ri, Kujtim Gashi, për kulturën, kishim menduar se këtë vit do të jetë ndryshe: përkrahja nuk do t’u bëhet vetëm dy a tri shtëpive botuese, sikur ka ndodhur me ministrat e gjertanishëm, dhe se përkrahja nuk do t’u bëhet dy a tri herë individëve të njëjtë, sikur ndodhi edhe kësaj here!

Duke dëgjuar për përpjekjen e shtëpive botuese që në jetën tonë kulturore dhe madje shkencore, të sjellin vepra dhe vlera të rëndësishme kulturore, letrare e shkencore, kishim besuar se ministri sado pak do të formojë një Këshill të denjë jo-oborrtar për vlerësimin e tyre, po atij sikur nuk i mjaftoi kjo, formoi një Këshill të mëhallës, që për letërsinë flasin e kuvendojnë ndër skuta kafenesh e organizata joqeveritare, po kurrë në institucionet arsimore, shkencore, kulturore e publike.

Mjafton t’i hedhësh një sy listës së paraqitur në këtë përzgjedhje, për të parë se si në këtë konkurs janë përfshirë shkrimtarë dhe vepra me krijime letrare që vetëm facebook-u personal i tyre i duron, ndërsa në të njëjtin konkurs janë shpërfillur vepra si ajo e dorëshkrimit të veprës së parë të Martin Camajt, zbulimi i së cilës vitin e kaluar ishte ngjarje më vete në jetën kulturore shqiptare. Nuk besoj se Këshilli i përbërë prej personaliteteve me ‘grada’ shkencore e kulturore, universitare e partiake, nuk e dinte këtë gjë dhe nuk besoj se duhet të ishin më shumë se marangozë, sikur do të shprehej dikur miku im Robert Elsie, për të kuptuar këtë vlerë që gjatë këtij viti pritej t’i shtohej jetës kulturore shqiptare.    

E dorëshkrimi i veprës së parë, përkatësisht versionit të parë të veprës Nji fyll ndër male të Martin Camajt, me kërkesë në këtë ministri për botim tekstologjik, ishte një prej kontributeve, që studiuesit dhe institucionet kombëtare, ka më shumë se një dekadë që po përpiqen t’ia kthejnë Martin Camajt dhe atdheut të tij.

Kaq modest, intelektualisht, profesionalisht dhe kulturalisht paska qenë Këshilli i Ministrisë (pasi i mësova vetëm emrat e dy a tre anëtarëve, po i kursej edhe emrat e tyre) sa të mos e di se Martin Camaj nuk është poeti a poetja e facebook-ut N. N.; sa të mos e kuptojë se dorëshkrimi i veprës së parë të Martin Camajt Nji fyll nder male, përkatësisht versioni i parë i saj, i përgatitur me parathënie të autorit dhe jo ai që u botua me parathënie të Dançetoviqit, nuk është një libër i vjetër i shokut Tito; sa të mos ketë dëgjuar që në studimet letrare ky do të ishte i pari botim i këtij lloji në Kosovë dhe një prej veprave të rralla të botuara në gjithë hapësirën shqiptare, e të tjera e të tjera si këto. Si të vlerësohet puna, përkatësisht dija, e një Këshilli të këtij niveli, apo të besojmë se po ky Këshill ndër skuta kafenesh, përsëri do të ankohet, se si ishte ministri Kujtim Gashi, ai ‘që futi në Këshill shokët e mëhallës’ dhe kështu ata me vota imponuan përzgjedhjen e disa botuesve dhe veprave të tyre, ndërsa emra dhe vepra të caktuara të facebook-ut i shtoi në fund vetë ministri!    

Ndryshe si të shpjegohet përzgjedhja klanore e shtëpive botuese dhe individëve gjatë këtij viti, si të shpjegohet përzgjedhja, përkatësisht përjashtimi i disa shtëpive botuese dhe individëve, që më parë se sa përjashtimi i botuesve, është përjashtim i vlerave historike dhe letrare të autorëve dhe veprave, që pritej të botoheshin!

Begzad Baliu, editor i shtëpisë botuese ERA.

Prishtinë, më 25 maj 2018           


Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1