Navigate archive
first first August, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | POEZI | Cikël me poezi: “Hënët e Korrikut”

Cikël me poezi: “Hënët e Korrikut”

image GRIGOR JOVANI

GRIGOR JOVANI

                  

Cikël me poezi:

“Hënët e Korrikut”


DESHMI


Unë jam ai,

që Letrat e dëshmojnë:

dikur kam ekzistuar!

Unë jam ai,

qëakoma shumë besojnë:

endej frymoj, s’jam shuar!

Unë jam ai,

që i gjori, ju besoi:

gjoja më kishit ftuar!

Unë jam ai,

i djeshmi i rinovuar,

përjetësisht i zbuar!

Unë jam ai,

mes po-së edhe jo-së,

njeriun që ndjek hija!

Unë jam ai,

përherë i revoltuari,

makar pse-në ta dija!

Unë jam ai,

i liri si zgalem,

skllavi i vetes sime!

Unë jam ai,

i shfaquri në agim,

i zhdukuri pa kthime!

Unë jam ai,

i gjenduri çdo çast,

askush s’u gjend për mua!

Unë jam ai,

i hidhni kocka “cast”,

ua kthen mbrapsht: Nuk dua!

Unë jam ai,

që ka veç një dëshirë

- më ndjej o Zot i mirë! -


qysh nesër, që pa gdhirë,

t’u thotë një “Lamtumirë!”


FRAGMENTE BIOGRAFIE


Qysh herët u mora me fjalët,

preferoja ato më të errtat.

M’u bënë bashkëshoqëruese,

si dimrat dhe pranverat.

Si pa e kuptuar, përdorja shpesh

fjalën “vdekje”.

Më ngjante më e vërtetë,

se gjithë të tjerat.


ERA

... ngaqë donte t’i kthente

në tela kitare,

për të kënduar ariet e veta,


i theu,

degët e shkreta.


TE DREJTAT E ZOGJVE


Këta dy zogj, që u zgjuan mëngjesit herët

në shtetin fqinj, siç duket

u dashuruan.


Kështu shpjegohet, që kaluan kufirin,

ndërmjet dy shtetesh, drejt nesh,

për muajin e tyre të mjaltit.


Gjithë paradites, eksploruan cep më cep

këtë fshat bregdetar, ku mendonin

të ngrinin folenë.


Unë, që supozohet, se kam dy pare mend

më tepër se zogjtë, nesër

do të vras gjithë ditës kohën nëpër zyra.


Nuk është e sigurtë se do të më jepet vizë

për në shtetin fqinj, këtej dhe andej,

nga të dyja palët.


Nuk kemi fituar akoma të drejtat e zogjve,

ç’i do fjalët.


NJE MAGAZINE PLOT MERIMANGA


Ditët përsipër ditëve,

ai arka të stivosura

në një magazinë plot merimanga,

periferive, diku...

Poshtë fare, jep shpirt e shtypur,

një jetë e harxhuar

kuturu.


HENA E KORRIKUT


Hëna në korrik është një ngushëllim.

Poshtë në autostradë makina vërshojnë,

prozhektorët verbojnë,

zhurmat të shurdhojnë,

kurse lart në qiell hëna është ngushëllim.

Këmbëngul çdo natë në veprën e saj:

hapvonuar,

e menduar,

çapitet si murgeshë e vetmuar,

drejt një manastiri të harruar.

Kur mes reve humb,

qielli hesht.

Ngrejnë kokën lart të dashuruarit.

Kur shfaqet,

toka ka shpresë.

Dalin në ballkone të trishtuarit.


QIPARISAT


Bëjnë dallim nga pemët e tjera.


Vetëm ato kanë etje për qiell,

vetëm ato përpiqen të shpëtojnë,

prej rrobërisë së dheut.


Prandaj i mbjellin në varreza.

Të gjejnë shteg shpirtrat e nëndheut.


DY CARACAT NE CEP TE OBORRIT


Ekzistojnë akoma caracat e larta,

ato dy caracat në cep të oborrit

dhe kako Patra, gjyshja ime them,

që psherëtinte duke tjerrur lesh,

t’i thurrte rroba dimri të shoqit,

që s’do t’i kthehej për t’i veshur kurrë:


“Ah, t’ju prisja nga rrënjët,

gjatoshë budallenj,

se më hëngri shpirtin hija juaj,

kur ia kam harruar të ziut burrë!


Oiii, oiii, nuk do të kthehet në të gjallë,

kam frikë!”,


apo ka kaluar autostrada mbi të gjitha këto

dhe transferuan caracat

tek Muzeu i Kujtesës,

si në katedralen San Marko kuajt ekzotikë?


AUTOBUZET E LINJAVE


Të bindur, si ushtarë veteranë,

shkojnë dhe vijnë të ngarkuar

me pasagjerë.


Kaq kohë, as edhe një prej tyre,

nuk ka dezertuar

asnjë herë.


KLINIKA E VDEKJES


Nuk di si u gjenda në këtë klinikë.


Larg nga çdo gjë që ëndërroja.

Larg prej asaj që tani së fundi kërkoja.

Larg... brenda një burgu pesëkatësh betoni!


Ditët rrjedhin trishtueshëm këtu.

Netët...

oh, netët më mirë mos m’i kujtoni!


Sa për mëngjeset... nuk ndodh asnjë herë agim,

ka vetëm arrësirë, ku këndon

Këngën e Përshpirtjes,

gjoni.


KETEJ E TUTJE


Jam mësuar tashmë të rroj pa ty.


Pres në kafene lajmet e fundit.

Në një cep,

të mos bie në sy.


Fsheh nën tavolinë shishet e verës.

Bëj shamatë:

“I ke ngatërruar, mor vëlla!”


Jashtë, makinat larëse të Bashkisë,

fshijnë çdo gjë me fshesat e mëdha.


DETE TE PAQETE


Gjithë natën,

deti përdridhet në shtratin e tij,

në një kohë kur njerëzit

shikojnë ëndrra.


Cila vjershë mund të përzgjedhë

në këtë orë,

fjalët më të përshtatshme,

që do zemra?


PLASARITJE


Teksa qëndroj, para se të rruhem,

përballë pasqyrës sime të vjetër,

gjithë rrudha dhe plasaritje,

si një plakë e urtë,

që e ka munduar koha,

shtang i habitur:


Tjetër njeri shikoja përpara!


Heroi që prisja nuk qe shfaqur.

Idoli im nuk ekzistonte.

Thua më shmangej qëllimisht.

Si të mos donte të pohonte,

gjërat që prej tij kërkoja...


Vetëm nëqoftëse... - oh, nuk dua

as ta mendoj! - Njeriu përpara

... isha unë!

Dhe s’doja ta besoja.


MOSHE E TRETE


Me kohë,

ëndrrat e dikurshme largohen.

Hëna në qiell,

ngjan e ftohtë, si thikë.

Ca gra, që në dritë të saj

një jetë zbukurohen,

tani të hapin dritaret

kanë frikë.


NJEREZIT E LUMTUR BEJNE DASHURI


E quajnë Drane. Nuk mbaroi bujqësoren.

I vunë duvakun, kur moshën s’e kishte.

Më vonë u trash ca. Gjizë, qepë, dhallë.

Plot nja dy çdo vakt bukët misërnishte.

Kur kthehet nga fusha shoqëron përroin,

në ca këngë dyzenësh. Lehtazi, nën zë. 

Bie të flejë vonë, ngaqë pret të shoqin.

Kundërmon raki. Bëjnë seks. S’ndjen gjë...


E quajnë Ndoj. Nuk mbaroi gjimnazin.

I gjetën me mik një punë karrocjer.

Mbrëmjeve raki pi tek Dodë Shalëgjati.

Ç’punë i prish! Ka qejf edhe pare nxjerr.

Kthehet vonë në kullë. Është ca i dehur.

Uri s’ka. Por vetëm... don të bëjë dashni...


Mik i shkolluar, që lexon këto vargje,

më thuaj, sa kohë

ke pa bërë dhe ti?


lexo TE PLOTE KETU 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1