Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | POEZI | Cikël poetik nga GRIGOR JOVANI "Të duhemi ca më shumë..."

Cikël poetik nga GRIGOR JOVANI "Të duhemi ca më shumë..."

Font size: Decrease font Enlarge font
image GRIGOR JOVANI

MERAK


Edhe vetëm pse të njoha,

ngaqë shumë të dashurova,

për shkak se s’të  kam jetuar,

se i rrashë botës rreth e rrotull,

do të vdes i dëshpëruar,

vendlindja ime, Dropull!


LETER


I dashur mik,

jam lodhur shumë. Një jetë tërë

më luftojnë pa shkak.

Edhe kur meditoj

dhe fjalë s’kam thënë akoma,

ma presin shkurt: Pa ndalu pak!

Nuk dua t’i kujtoj se cilët janë,

se ç’u kam bërë...

Nuk ka dhe kaq rëndësi!

E rëndësishme është: dikur mendova

vetveten time. Thashë:

Prapë mirë, kam ty!

Ndaj po të shkruaj: Miku im, Jovani,

këtej e tutje, më mjafton veç ti!


Veç pak më shumë të duhemi të dy!


KTHIMI


Pothuajse kish kaluar muaj,

kur gjetën kurmin tim të vdekur,

fqinjët, që bujtën rastësisht.

Për mua nuk qe krejt e papritur.

Ca kohë më parë kish lajmëruar

Vdekja, duke bërë shenjë me gisht.


I fundmi ritual i jetës,

pa zhurmë, sikundër kisha lënë,

me dy-tre fjalë në testament.

Marshimi im drejt kotësisë,

i shkonte fundit pa përcjellje,

nga ata që kurrë nuk qenë prezent.


Por prapë u gjenda këtë mëngjes

në kopësht, pas shtëpisë në fshat,

sikur nuk isha unë, por tjetër.

Deriçka e mbyllur me një dry,

pas gardhit një oborr me bar,

i lartë si i varrit tim, një metër.


Gjithë gjitonia po ajo,

me arra e mana në avlira,

çatitë me pllakat petaluqe.

Më tej, aty-këtu mbi mur,

ashtu si gjyshet me shami

zgjatonin kokë shegët e kuqe.


Thuajse një muaj duke u tretur,

andej nga s’mund të kthehesh dot,

ngjante se kurrë nuk isha atje...

Lajthitë dhe ftonjtë në oborr

dhe lule shumë, o zot sa ngjyra!

Çudi, i mbaja mend si dje!


Kur as një muaj s’kish kaluar

- tani nuk mbaja kalendar,

iu sosën fletët atij timit...  -, 

... këtu nuk paska frymë njeriu!

Po, atëhere, kush i ka paguar

shpenzimet e mia të varrimit?!


DEKLAROJ


E po mirë, se më plasët, më në fund,

jam poet dhe këtë asgjë s’e tund!

Jo, nuk them se jam poet i lindur,

por që rezultoj, jam krejt i bindur.


Jam poet, për të njejtin shkak që ju

mbruni bukë apo gdhendni dru,

duke fërshëllyer lehtë nën zë

shtrireni sikur s’iu tremb asgjë,

as vetmia, as dhe një rrezik,

sikur nuk i thoni vdekjes “Ik!”,

as vetveten, gjoja, s’keni frikë.


E pra, mirë, deklarohem poet!

S’e kam thënë, o zot, gjithë këto vjet.

Por më duhet të shtoj dhe ca guxim,

ta vonoj, si i marrë, dorëzimin tim.

 

VITET E ÇVIRGJERIMIT


Qëndrova një çast në odën e miqve

të shtëpisë së vjetër prej guri në fshat,

ngritur në udhëkryqin ku ndalej çdo pasdite veriu,

përpara pasqyrës së madhe sa një bojë njeriu,

e munduar kaq shumë nga vitet dhe harresa,

gjithë rrudha dhe plasaritje,

si një fytyrë e plakur, ku mosha thjesht ngriu,

dhe mbeta në këmbë,

krejt i mpirë,

si stalagmite, varur nga një pllakë e çatisë,

prej lotëve të pafundme të atij shi,

që era e malit sapo kishte grirë.


Mungonte përballë heroi i dikurshëm i fëmijërisë,

Thua më shmangej, të shfaqej nuk donte.

Ose thjesht, nuk ekzistonte.

Vetëm nëqoftëse... o zot! ... vetëm nëqoftëse...

heroi i dikurshëm që shikoja përballë

brenda pasqyrës...

... isha unë. Një kalorës,

i ndërtuar nga ëndrra dhe përfytyrime.


Tani, siç e mendoj, mbase e kishin fajin librat heretikë,

që i lexoja fshehtas nga ati im. Ose

ajo hënë e çmendur, që gjysmë e zhveshur

u arratisej yjeve nga qielli lart

dhe më ç’virgjëronte përnatë në dhomën time.


NE,

QE NUK ZUME BREG


... ç’mund të isha sot pa dashurinë tënde?

Si të më mungonin tre brinjë në asht.

Më udhëtove në dete të panjohur për mua.

Dhe nëse breg nuk zumë,

n’dasht.


Por më mbeti në buzë përgjithmonë era e jodit,

më mbiu në sy horizonti i paanë.

Dikur do të më zbresin në errësirën e kotit,

por edhe detrat e kaltër

thellësira kanë.


Ç’mund të jesh ti tani pa dashurinë time?

Jemi larguar kaq shumë, sa nuk zënë radarët.

Gjej të harruar nëpër xhepa bileta shtegtimesh.

Mënjanohem si gjon

dhe më zënë të qarët.


Sa  herë do lagesh nga shirat e para të vjeshtës

dhe make app-i do të të rrëshkasë në fytyrë.

Mos e fshij! Janë puthjet e mia të mallit,

shpirti im,

në formë të lëngshme i shkrirë.


Ç’fituam ne nga një dashuri e dështuar?

Unë them: u bëmë thjesht

më të mirë, më të zgjuar.


BUKURI E PAHARXHUAR


E mbaj mend të bukur si përflakje,

veçse në jetë bëri dy gabime:

ruajti bukurinë gjer në plakje,

por s’ia fali kurrë ndonjë qyqari.


Atë bukuri që sot ia mbyllën

të paharxhuar, brenda një varri.


KU TA DI UNE...

E rastësishme është, thua?

Mbase, e ku ta di dhe unë...


Doborëzë e parë e dimrit,

shpresë si dritëzë kandili,

buitja e beftë e drithërimit -

shikimi i parë i një idili.


Ah, ai shikim, ai shikim!

I shpejtë, çapkënshëm, vajzëror.

Ta mbaj të kyçur në harrim,

kohës që rrjedh, e paskam zor.


Më ndiqka viteve në ëndrra,

sikur nuk jam vërtet në gjumë...

Dhe fryn kaq fllad atje tek zemra.

E rastësishme? Ku di unë...


LOJA

Monedha rrotullohej në ajër.

Lek apo shqiponjë? Kush e di...

Dhe unë,

që dilja gjithmonë i humbur

dhe shfryja: “Fat je ti?!”


Për asnjë çast nuk u mendova,

mos kishte hile, më në fund,

kjo lojë...

Shihja monedhën që rotullohej në ajër

dhe lusja fatin: “Bëje të dojë!”


Ah, moj vetja ime budalle,

që i bije kokës me grushta, si defit!

Shikoje monedhën që binte nga qielli,

jo shuplakën e dorës,

që e dridhte sipas qejfit.


Comments (2 posted):

Aliaj M on 16/04/2019 14:22:37
avatar
Poet ne cdo qelize e ne cdo varg qe mund ta ndertoje poezine edhe nga dukuri fare te parendesishme, te cilave u jep hapesire dhe pergjithesim meditimi mjeshteror
myslim maska on 16/04/2019 17:59:31
avatar
Nje cikel poetik, mjafte i ndjere,i besueshem, i prekshem, jetesor, i shtohet denjesisht librave te tu poetike.
Urime.

































Nje cikel poetik,mjaft i ndjere , i besueshem, i prekshem , jetesor, i shtohet denjesisht lib


rave te tu.
URIME.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1