Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | POEZI | Këto 6 poezi u shkëputën nga libri "Diellftohti"

Këto 6 poezi u shkëputën nga libri "Diellftohti"

Font size: Decrease font Enlarge font
image FASLLI HALITI 5 POEZI NGA LIBRI

 

 

 

 

NË DJALL                               

 

 

Po më bën për vete djalli çdo ditë.

Shpëtomë, të lutem, zoti Zot !

S'dua të jem shok i djallit,

Satanait… 

Si ?!

S'më shpëtuake dot?

 

Në djall, atëherë, edhe ti, zoti Zot !

 

2005

 

 

E KUPTOJ 

 

E kuptoj.

Fjala më e mençur 

Qenka 

Heshtja…! 

Këmba më e sigurt 

Qenka 

Shkopi

( Këmba jonë e tretë).

Pleqëria të dhënka skeptrin,

Pleqëria të bëka mbret…

 

2005

 

S´KA

 

As ka 

As s´ka pasur ndonjëherë

Sy klasik,

Sy modern.

Syri ka qenë 

Syri është

Ose i zi,

Ose i kaltër

Ose gri,

Ose i blertë,

Ose i shkruar,

Ose i shëmtuar ose i bukur,

 

Në korniza të zeza qerpikësh i futur… 

 

2006

 

BRAKTISJA  

                        

               Fier-Sheganit, fshatit të konvaleshencës sime ideologjike

 

Qenkan mbushur kanalet që hapa dikur këtu me bel

Kanalet i paska veshur bari pothuaj të gjithë.

Parcelat qenkan rrethuar me tel

Arat qenkan thurur me drizë

 

Fshati Fier-Shegan,

Fshati socialist,

Mjeku  

I konvaleshencës sime ideologjike,

Shëruesi i virusit tim borgjez, revizionist. 

***

Të prita te ara e  Sheqit, buzë Semanit Ali, 

Shok i brigadës së arave,

Shok i vaditjeve!

S´më erdhe.

S´e di pse s’më erdhe 

        

 

S’e di pse ?

Ç´u bëre shok i  prashitjes së misrit,

Shok i kavalleve të orizit 

Ku je?!

 

Të prita ty Durim, shoku im i vijave kulluese

Dhe ty Qani Bali, bir i kulakut të prita, 

S´u takova dot me ju

Ju kishit ikur.  

Nuk dihej

Ku…

 

Të kërkova 

Dhe ty Vjollca,

 

       

 

Sa pambuk e pjepra kemi vjelë bashkë.

Të prita

Si s´më erdhe, si ?

Je martuar, më thanë !

Ka kohë që ke ikur nga fshati.

Ka kohë që je bërë edhe nënë.

 

Të kërkova 

Dhe ty Agim Murati,

Kemi hapur kanale bashkë,

Edhe ti paske ikur nga fshati ?

Ti «traktori» i brigadës paske emigruar,

Kjo është e pabesueshme, Agim

Ti të shkoje në Kanada?

Po kjo është shembje, 

Kjo është hata…

 

Po të pres te Arra 

Buzë Vjosës

Besnik,

Te arra e Madhe,

 

 

 

Ku kalonim vapën pas prashitjes atje, të dy... 

Edhe ti Besnik paske emigruar?!

Ku ? 

Në Francë

Në Angli ?!,

 

Edhe ti Besnik 

Paske ''tradhtuar,, 

Fshatin tënd socialist,

Edhe ti Besnik u tregove i '' pabesë ,,

Duke ikur me gomone, çave deteve tinëzisht?

 

Si s’erdhët

Si s’u takuat me mua Izet, Ramazan, Kadri

Shokë të ngarkimi-shkarkimit të qerres 

 

 

 

 

Të paharruarit e mi,

Pa u ndarë 

Me  

Mua,

Emigruat vërtetë 

Pa u ndarë me shokun tuaj të arave 

Pa u ndarë me shokun tuaj të belit, shatit shkuat në kurbet ! 

 

Po ata që ishin fëmijë të vegjël fare atëherë

Kur unë «shërohesha» mes jush 

Ideologjikisht:

Ariani për shembull, 

Altini, Indrit, Arbeni, Ermali, 

Ku janë?

Kanë ikur për studime

Në Londër, Paris, botës tejembanë ?!

 

 

***

 

Klarinetisti Dane ka kohë që ka ikur në Had ?!

Padrejtësi të merrje muzikantin para meje

Padrejtësi Zot, padrejtësi 

Padrejtësi e madhe 

Perëndi! 

 

Më mbeti 

Pa muzikuar poezia,

Gardh pa purteka tingujsh, melodish

Gardh i pa thurur më mbeti!

Ç’e gjeti, klarinetisti Dane

Ç’të gjeti poezia ime

Ç’e gjeti...!

 

***

 

Qenkësh shpërbërë, pothuaj plotësisht 

Fshati i konvaleshencës sime ideologjike 

Qenka boshatisur dhembshurisht

Fshati i viteve të mia të rinisë…

Fshati i dikurshëm

Socialist.

 

Pleqtë paskan vdekur pothuaj të gjithë,

Të rinjtë paskan emigruar,

Të rinjtë

S’i njohim më,

S´na njohin më as ata,   

Kjo është e dhimbshme për mua,

Kjo është shkretinë e shkretëtirës, hata…

 

***

Esenin

Edhe mua 

Po më ndodh

Siç të ndodhi dikur edhe ty…

Edhe mua sot këtu s´m’i hedh sytë askush…

Edhe unë s’njohkam më këtu asnjeri…

 

 

 

Po ju përqafoj, pra

Ju plepat buzë kanaleve

Ju shelgjishte buzë pellgjeve,

Ju kumbulla,

Ju pjeshkë, ju qershi në lulëzim.

Po shtrihem mbi ty, pra, bar i blertë…

Po shtrihem mbi ty blerim i  ri i vendit tim.

 

2008- 2013

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1