Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | POEZI | HIJE E SHUAR NË HIJE

HIJE E SHUAR NË HIJE

Font size: Decrease font Enlarge font
image PIRRO LOLI

 

HIJE E SHUAR NË HIJE

                           (Cikël)

 

 

 

BARKA E SHPËTIMIT


Këtu pemët kanë ngritur flamujt e erës
Dhe rënkojnë nën barqe të lagura resh
Gjaku po u ftohet pak nga pak
Pa një zog
Pa një fole
Hardhitë nderin krahët
Me gishtërinj kockash Të thata si pleq
Qiparisi i zi Me trupin prej shiu
Regjistron gurët e varreve
Që nisen për kurbet...


GJARPËRON KJO UDHË


U lodh e u raskapit kjo udhë
Kacafytur prej flokësh me ne.
U ranë shuajt këpucëve nëpër terr, në shi e në erë..
Udhë të reja shtrojmë ne ikanakët
e udhët shkelin mbi ne.
Nga këmbët tona të mishta u hollua udha
e ne gjithmonë si kllouna arkaikë e modernë
ecim nëpër tel
E zgjatemi e zgjatemi kokëposhtë
ta këputim zambakun në humnerë.
Udha jonë gjarpëri biblik
Ne kaluar kalërojmë në kurrize gjarpëri se gjarperi s’te
ha me kurriz. Ne gjarpërin e helmojmë me hidhërimin
që kemi në gji me helmin që kemi në gojë
Dhe gjarpëri i lodhur shpështillet me pikën e vrerit në sy
e gjarpri përsëri shtron udhë
e nuk i pëlcet syri
të vdesë e të ngordhë …


ASNJË QYQE
NUK E QAN KËTË PRILL


Kur u nis për kurbet dhe burri i fundit
Qiparizi plak u shkul nga rrënjët
Pas la një gropë të mbushur
me ujë të zi.
Zemra ime e rënduar i rralloi të rrahurat
u boshatis nga dielli dhe yjet,
nga aromat dhe shirat ...
U tha shtrati
shteruan rrjedhën luleshtjerat..
Kufomë e raskapitur. Pa peshë. Pa shira.
Pa flutura të bardha në shpirt. . .
M’u mek fjala në gojë

Nuk di të ulërij
Asnjë qyqe nuk e qan këtë prill...


BALADA E NËNËS
Qiell i copëtuar. Ajër i rralluar. Pasqyrë e thyer.
Ikën djemtë. Ikën shpirtërat,

ikën.
Morën hallin e tyre në sqetull dhe ikën, ikën
Nga sytë këmbët të vetmuar.
Nëna e verbuar luan me copëra xhamash

nëpër kokrra loti
krijon copa copa fytyrash të largëta të dashura.,,
Dhe në gjak e shpojnë gjëmba të hidhët
Tavani i qiellit vrima – vrima.
Me duart hollake hap e mbyll portën
E i bëhen hije dhe zëra të njohur...
Nëpër re të qelqta rrëshqet kokrra e lotit
yjet e largët bien
nëpër duar Co-pë-to-hen
Co-pë-to-hen...


DY HIJE..


Ti je duke vdekur - më thanë - urgjent nisu në varrim”


E kisha lënë këtu vetveten
Harruar si hije
Kisha marrë gjysmën e trupit, të shpirtit e të emrit.
Qënie pa qënie.
Asnjë gjethe s’më mbiu në metropolin e huaj
Somnabul nëpër fenerë të kuq e policë.
As këndej
As andej
Shqyer më dysh si trung i një peme
Netët me krahë korbash m’i morën të gjitha ëndrrat
Muret e shtëpisë dhe librat. Përbindsha më mbytin.
Shumë herë jam kthyer por s’e kam takuar vetveten
Hije e shuar në hije ...


PLAGOSUR
E GJETA HESHTJEN


U ktheva. Në muzg. Plagosur e gjeta heshtjen
Para pragut të shtëpisë. Dhe nuk di ku jam.
Yjet më luten të m’i lëpijnë plagët
e loti im i nxehtë
në gurin e dhimbjes i kristaltë kërcet.
Nuk ua jap dot zërin të vdekurve
Nuk ia kthej dot gjakun Jezu Krishtit
As kopshteve të thara shiun e bekuar.
Këto re të terrta në qiell
Të frikshme venë e vinë mbi Torrishtë
Është ndryshkur zembereku i orës. Në oborr
është rritur majë e gjembit tërbuar.
Këtë hon nuk e mbaj dot
Nuk e ngrë dot në duar.


PROJEKT ROMANI


... Kish një rreth unaze harruar në gisht
që ditën e martesës lidhur e mbante si prangë të
florinjtë tridhjet vjet befas i humbi dhe nuk e kuptoi
ku i ra ndoshta në gropën e patateve që mbillte si në
epokën e gurit me thonj e me gishta iu përzie me baltë
e me pleh rrethi i florinjtë që e shtërngonte deri në kockë që e priste deri në në zemër ...shpresonte shpresonte ndoshta bashkëshorti do mbinte si tuber patateje në gishtin e prerë nga rrethi i florinjtë...

 

Comments (3 posted):

faruk myrtaj on 05/12/2018 14:45:34
avatar
Dy Hijesh, si duket jemi, te gjithe, Pirro Loli!
Po si i behet?!
Prej ku jane lindur, nisur te ikin, te gjithe, gjer edhe guret e varreve, si gure sinori te prones se pertejshme e te perjetshme!

Ikin, ne kerkim te Vetes, qe gjysmash e kane lene pas, dhe andej ku shkojne, Gjysmake, kurrkush s'i di...

Si i behet Pirro Loli, si?!
Po te mos kishte ndodhur kjo Ikje
Ky kthim i pashmangshem te mos ishte,
si do mund te shkruhej kjo poezi?!

...

DY HIJE..

“ Ti je duke vdekur - më thanë - urgjent nisu në varrim”
E kisha lënë këtu vetveten
Harruar si hije
Kisha marrë gjysmën e trupit, të shpirtit e të emrit.
Qënie pa qënie.
Asnjë gjethe s’më mbiu në metropolin e huaj
Somnabul nëpër fenerë të kuq e policë.
As këndej
As andej
Shqyer më dysh si trung i një peme
***ët me krahë korbash m’i morën të gjitha ëndrrat
Muret e shtëpisë dhe librat. Përbindsha më mbytin.
Shumë herë jam kthyer por s’e kam takuar vetveten
Hije e shuar në hije ...
Vasil Vasili on 05/12/2018 22:40:27
avatar
Ky qerthull poetik i Pirros ka shpirtin e një realisti të ashpër stoik.
Ky njeri i sotëm, brenda Pirros, është i plagosur, por më mirë i plagosur se sa i vrarrë. Ky njeri i sotëm i Pirros bën qëndresën egzistencialiste për të ngritur një përmendore me dhimbjen e jetës së tij. Pirrua në çdo poezi ka vendlindje. Edhe kur ndërton imazhe poetike në një tokë tjetër, ato s'janë veç imazhet parake të vendlinjes. Edhe kur ndjen ai merr hua te vendlindja. Ku të marrë hua veç te vendlindja e cila është e lidhur me psikikën krijuese? Madje asaj i merr hua foljet e forta që i faniten nga fjalori i burrave të ashpër, që e lërojnë mendimin me folje si plug, ose gjedhja femërore e tyre janë kujet e plakave shamizeza në kësolle.
Ndiqni vargun e copëzuar: "Qeparizi i zi Me trupin prej shiu". A s'shëmbëllen ky varg me kujet e plakave?
Dhe: " U ranë shuajt këpucëve nëpër terr, në shi e në erë". Po këta shuaj... pse të mos i shikojmë si burrat e vendlindjes që flasin me folje të forta mbi bokërima?
Eh, Pirrua, njeriu i sotëm brenda Pirros, e ka filluar rrugën në vendlindje dhe me 'të në shpirt na shpie në vende poetikë të ndryshëm, por vetvetishëm, në të gjitha vendet poetikë, në thelb të tyre ndrisin visaret e vendlindjes.
A është i ndërgjegjshëm njeriu i sotëm brenda Pirros për ushqimin poetik që i ka dhënë vendlindja? Në s'është i ndërgjegjshëm njeriu brenda Pirros për ushqimin çudibërës të vendlindjes, është i ndërgjegjshëm poeti brenda Pirros dhe, poeti është mbi njeriun.
on 06/12/2018 17:12:39
avatar
hije te bukura qe vijne me kurora gjethesh ne koke dhe ikin te projekotojne vepra qe do mbahen mend.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1