Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | POEZI | M0N0L0GU I FUNDIT

M0N0L0GU I FUNDIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Agim Shehu


(Në "Vitin e Skënderbeut")
-botuar më 1968-

M0N0L0GU I FUNDIT
U vrava, Gjergj i Kastriotit
në ballësulm, kur çava.
Më dehu era e barotit,
u futa...dhe u vrava!

Shokët që larg ndjekin osmanin,
po i dëgjoj i shtrirë...
O qielli ynë ngjyrë jargavani,
moj Toka jonë e mirë!

O... sa i paskan trimat varret -
sa kjo hapsirë e gjerë!
Mbi kokë dielli më varet
si trandafil i prerë.

Malet këndojnë këngë lufte, -
po ndjej muzikë nga yjet...
Një "këngë" shpatash ikën tutje,
një gajde vjen te kryet.

Do ngrihem prapë të shkoj me shokë
nën shpatën e flamurin...
por mbaj të vrarët turq si robër
mos ngrihen, prishin grurin.

Kështu armiku ta bëjë bé,
se kush e ftoi - "hajde!.."
Ndaj rashë, i Madhi Skënderbe...
...Sa mirë këndon kjo gajde!

MALLKIM, TRADHËTAR!...
Ike nga toka nënë, tokë e lashtë;
qën-tradhëtar - të shkoftë jehona!
Të shkreptë rrufeja e shkrumb të lashtë,
të vraftë hija e maleve tona!

Në oborr sulltanës krimb u mbështolle,
të dhanë tuje e nishanë si rrebelëve...
Të zëntë sytë strehë e kasolleve,
të mallkoftë blegërima e deleve!

Nën gjysmëhënën kokën e vare,
sytë lavdia osmane t'i mori.
Të verboftë hëna shqiptare,
të përvëloftë diell i Tomorit!

Dhe vjen Pashà me hordhi të mëdha,
vringëllin jatagan e na sulesh...Eja!
Kjo tokë e bekuar që frymë të dha,
frymën kjo do ta shkulë...Eja!

Vazhdon zhgryhesh mes salltanetesh
në horgjira të pistë e të mbrapshtë...
Sytë t'u zënçin për jetë të jetëve,
nderi i vajzave tona të vraftë!

...Do ecë ky mallkim i të parëve
brez pas brezi, Ballaban-horri.
Oj të verboftë buka shqiptare,
të përvëloftë Diell i Tomorit!

KËNGË E GRAVE TË SKËNDERBEUT
Burrat tanë s'i hoqën kurrë 
armët nga brezi, as ditë as natë,
kështu, dhe kur fjetëm me burrat,
flinim tok dhe me shpatë.

Ne ajrin e kemi erë limoni,
ne erën e kemi aromë dafine...
Duart e tyre kur flokët na lëmonim,
erë lufte ndjenim pas shpine.

Burrat në krahë i patëm të rëndë,
bota s'kish të tillë gjëkund.
Ne u mësuam që buzët t'i vëmë
dhe në plagët e tyre pa fund.

Fëmijët tanë që lindën shpateve,
fëmijë - ushqyer në ara rreth duajve,
i pagëzoi vringëllima e shpatave,
i përshëndetën hingëllimat e kuajve.

Ne i rritëm të fortë si gurin
dhe gur prej shkëmbi provat kaluan.
Mbi djep, sa lindën u hodhëm flamurin
dhe kur u vranë, me flamur i mbuluam.

VALLJA E FUNDIT
Atdheu ra, dhe ne të biem,
ç'na duhet më dhe jeta!
S'ka gjë se vajzërinë e shtiem
pa mbushur të njëzetat!

Na jepni zemër, o humnera
edhe në gji na mbani!
Më mirë nga shkëmbi ynë të prera
se sa nga thikë osmani.

O vajza, motëra që vini
në kohëra të pasme,
kujtonani dhe vënd na lini
mes jush në valle dasme!

Se vallja jonë gjysmë mbeti,
u mbyt në flakë e kujë.
Rrufe e zezë Sulltan Mehmeti,
na hyre gjer në Krujë!

Tërë brezi ynë bëri ç'mundi
që ju t'ju vijë mëngjezi...
...U nis dhe vallja jonë e fundit
t'ju vijë brez pas brezi.

Comments (2 posted):

Luani nga Vlora on 13/01/2018 19:11:26
avatar
Vargje si lule që bulojnë nga dheu Dhe zbukurojnë kopshtet shqiptare Sikur këndon, ky Agim Shehu dhe nxjerr margaritare Po flet me zëmër, pasion dhe shpirt Kumton besim dhe shpresë Poeti Kombit me mendjen dritë Hedh valle, kurrë nuk vdes!
Dhimbia e madhe Popull on 14/01/2018 01:52:38
avatar
Agim Shehu te lumte PENA
Heroin Kombetar ne bedena
Mbushen plot 550 vjet
Nje Gergj Kastrioti na duhet.
Pseudot zene poste vendimmarese
Mjere ky papull,kujt fatet besue
Plurohajduteri,vendimares bere,
Ata,shuan demokracine-e vertete,
Na e permysen me pseudodemoktacine.
* Ne festohet vertet ky 550 vjetor
Votuesit e verte te ketij vendi martir
Votuesit mbrareshqiptare te votojn'
Te heqin qafe,pseudo kukla partish
Nga 11 J.anari vitit 1946 tia fillojme.
**Ti heqim c'ka;s'na lane te ecim mbare
Ne plan te pare,masen mbare kombetare,
Ligjet per te,ne kuvend te dominojne,
Mjaft rikthyet ata,popullin-sklaverojne!
Dhimbia e madhe popull!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1