Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | POEZI | METAFORË E BARDHË

METAFORË E BARDHË

Font size: Decrease font Enlarge font
image Pirro Loli

Një  cikël me poezi shkëputur nga libri i porsadalë “Metaforë e bardhë” botur nga “Milosao”. 

METAFORË E BARDHË  

 

Krishti kështu ka qenë por ne s’e kemi parë.

Re e bardhë e mbulonte si  qefin

Me flutura bore në buzë.

pezull  në qiell

as i vdekur as i gjallë.

 

Ia  kam puthur ikonën përmbi miliona puthje

Por përgjigje nuk kam marrë.

I fryva me frymën time të ngrohtë

por fluturat e borës nuk i shkrinë në buzë.

Porta e Parajsa nuk u hap.

I hodha gjakun tim të kulluar në damarë

Por gjaku fjolla fjolla

i shpërtheu nga vrimat e gozhdëve si shatërvan...

 

Ai këtu ka qenë

te pika e vesës dhe dhimbja e njeriut

por ne s’e kemi parë

Pezull

në qiell mbuluar me një re të bardhë si qefin

me flutura bryme në buzë.

 

Zoti im sykaltër Zoti im këmbëzbathur

Nuk të kam parë as në flakë as në hirin shuar.

as të vdekur as të gjallë.

gjithckaja(dhe asgjëja) nuk ka emër tjetër

Ëndërr që   këputet  në ëndërr.

 

Njeë ëndërr që nuk këputet as në ëndërr

s’ka nevojë

as për puthje as për frymë

e as për  gjak,

 

KAMBANA

 

Të gjithë hodhëm nga një dorë në derdhjen e kambanës

Na duhej një shembull.

Shtuam dhe metale të tjerë në tunxhin e saj

Dhe zëra nga tanët Dhe nuk e kuptuam

ç’zgavër lamë bosh

në laringun e saj metalik

E  ngritëm  trupin mbi kambanore

të rëndë të argjendë

Në qiell fryhet e cfryhet me tërbim

Vetveten kafshon majtas e djathtas

kërcen danga dung, danga dung

ulërin

Kumbim kambane nuk patëm kurrë

Zëra të ngjirrur

Grahma gurmazi të çarë

Mbi një pirg të vdekurish harruar.

 

BRITMA E FLUTURËS

 

E di ku flejnë harabelat,

 ku përgjon me sy të ndezur ujku e di

ku këndon thelleza në petalen e gurit...po kurrë nuk e mësova folenë e fluturës krahëshkruar

dhe kur më qëndronte në qerpik të syrit dhe kur ...para se të vdiste britmën e bardhë ma linte në shpirt..

E krahët praruar...  

 

TEATER ABSURD

 

Salla e parlamentit plot e përplot me të gjallë e të vdekur

Aktorë e spektatorë, pa mish në faqe

me skelete kockash

Të etur për role historikë.

Kocka të holla gishtash

Brinjë të thyera në traun e ekuilibrit

Vertebra të shtrëmbëruara “strategjike”.

Teatër absurd. Në kërkim  të një regjisori.

E lashë skeletin tim të copëzuar jashtë porte

E në duart prej mishi

Mbajta vetëm kockën e rrumbullaktë të ballit

Për mirëkuptim.

 

DERRAT E ODISESE

 

Odiseja me ndihmën e Hermesit

Përsëri i ktheu derrat në njerëz

Por,

Nuk e mendoi pengesën e re :

Rrebelimi i erdhi nga të vetët

Nga derrat :

“Nuk e duam fytyrën e njeriut - i thanë

Ishim më mirë derra të zhytur në llucë

Pa asnjë ide për vdekjen dhe perënditë

Pa ankthin e tmerrshëm të kthimit.

Na i kthe lëkurën e trashë

Bulurimën e derrit

Qimen e egër dhe katër këmbët tona…

Na i kthe bishtin e vogël për të trembur mizat

Dhe dhëmbët e dalë në nofull,

Imzot,

Pse s’na le të hamë bar dhe rrënjë shkurresh

Urithë të ngordhur dhe zhardhokë në govatë

Imzot, ne nuk e duam kthimin në Itakë, ...”

 

MEDALIONI I NERONIT

 

Në tregun e arit shiten dhe medalonët e Neronit

derdhur në  varse për çelsa Dhe çakmakë për të ndezur cigaren

 Dhe kryqe Krishti për t’i varur në gushë

Dhe orë me akrepa

 si thika të holla gijotinash.

Të florinjta, të argjenta Lodrojnë mbi kafkën e Neronëve modernë.

 

Dhe zogu im ka një unazë hekuri

Me inicialet e Neronit në këmbë.

Vjeshta m’i hëngri gjethet e hardhisë

Dhe unë, zogu këmbëlidhur,

sqepoj kokrrat e rrushit

Si saçmat e derrit të egër

më mbeten në grykë…

 

ANKTH

 

E pashë përsëri sonte babanë

Qëndronte në stolin e tij në guzhinë

Pëllëmbët prej dheu i rëndonin në gjunjë

Jashtë binte shi me baltë

E xhamet e natës kuqëronin frikshëm.

I kaltër ish si bora

Në ballë kish një të çarë rrufeje

Përtypte duhan të grirë

E qante,

Qante nën zë

Për ca zënka të kota me gruan sa ishte gjallë.

 

PLEHRAT

 

Dielli që i jep dritë gjithë botës është i verbër

kokën e zhyt dhe nëpër plehra

E plehrat qelben erë.

Mbi to  të babëzitur ushqehen

derrat

qentë

krimbat ...

Me qime prej dielli

E krahë të argjendtë

Plehrat ndriçojnë...

 

QË,....

 

Që të laj fytyrën tënde

  trëndafili i kuq  të çeli në buzë

Që zëri yt të ndezë pentagramet

Që yjet të shkundin supet nga petalet

Që manushaqet të të pikojnë në flokë,

 

Pika pika   

E mblodha

vesën

ta pik në qerpikët e mëngjezit të artë

 

SHPIRTI I ZOGUT 

                            

Në oborrin tim me pllaka guri. Mbi një shtresë të butë bore

 ca gjurmë të ndrojtura zogu të vogëla fare, hollake

Pranë e pranë kthetrave të maces.

Kryqe. E vija. E pupla. E rrathë që ndërpriten

Mbi dëborë. Të pambaruara. Të pa deshifrueshme.

 Si heroglife kineze.

Ndoshta zogu ka qenë i plagosur A një kthetër e hollë

Metalike e kish prekur në zemër.

I mbërthyer në këto diagrama ia preva kthetrat maces

Lus erën të mos fryjë lus shiun të mos bjerë

Të mos më prishen këto gjurmë të bardha

Gjer në fund t’i deshifroj fjalët

 shpirtin e zogut

shkruar mbi dëborë…

BRITMËN MA LINTE NË DUAR

E di ku flejnë harabelat,

ku përgjon me sy të ndezur ujku e di

ku këndon thelleza në petalen e gurit

po kurrë nuk e mësova folenë e fluturës

dhe kur para se të vdiste

më qëndronte në qerpik të syrit

dhe britmën e bardhë

ma linte në duar...

VARRI I LULES

E këputur,

Mornica dhimbjesh duron deri sa vdes

Me trupin në ujë.

Pllaka varri muret anësore të vazos

Ngjyrë argjendi e floriri

Rreth e rrotull saj

të gjitha fluturat e bardha veshur në zi.

Kufoma tret gjethet e petalet

Më kot shikon ëndrra me rrënjë.

Dhe heq shpirt, shuhet e shuhet në heshtje

deri në grahmën e fundit

Parfum i tretur në erë

Pluhuri i shkundur prej saj.

Comments (1 posted):

Guri Naimit D(Dh Xh) on 09/01/2018 17:55:56
avatar
Piro Loli ditet njemije
Na sjell enate buzeqeshie
Buzqeshia eshte ajo qw;
I thote tutie pleqerise.
Ju pershendes nga larg,
Po pres te puth ate pag,
Me dhent zoti fuqi
Te prehem atje ku kam lind.
Atje ku buzeqqeshie jane te ciltera
Ku me buzeqeshiet i them te tera,
Eshte buzeqeshia yte e sinqerte
Mw urrdheron,drejt teje nis mente.
Qofte i mbare per ,2018-tw.
Si gjithne me;c'ju do ZERMRA.

Toronto09-01-2018 Guri Naimit D.(Dh.Xh.)

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1