Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | POEZI | Në respekt dhe nderim të prindërve

Në respekt dhe nderim të prindërve

Font size: Decrease font Enlarge font
image Viron Kona

Tri vjersha nga Viron Kona

Në respekt dhe nderim të prindërve

Rrobaqepësi

(Kushtuar babait tim rrobaqepës Toli Kona, të njohur në Vlorë me emrin “Usta Toli”(1898-1977)

Të përqendruar familjarisht te Sanremo,1)

që ishte  i ndaluar, s`lejohej ta shikonim,

babai shihte me vëmendje dhe me ngulm,

spikerët italianë që festivalin prezantonin.

 

Shihte Pippo Baudon dhe s`ia ndante sytë2),

kostumin dopjopetë që pas trupit i shkonte,

pastaj vështrimi i tim ati rrëshqiti tek unë,

për kostumin shik diçka nisi t`më thoshte:

 

“Ç`kostum i shkëlqyer, ç`prerje, ç`qepje!

me jakë të hapur, i ri i derdhur në trup,

i lumshin duart rrobaqepësit italian,

zanatçi  i mbaruar për t`u pirë në kupë!

 

Bukur dhe mëngët e kthyera me butona,

kravata flakëruese dhe jeleku ngjyrë gri,

xhaketa me klasë dhe me dopjo kopsa,

shamia, në xhepin e zemrës, i jep hijeshi. 3)

 

E shikon, or bir, veshja e njeriut është art,

rrobaqepësi i vërtetë nuk qep por pikturon,

nuk besoj se po bëj ndonjë gabim apo faj,

kur  lëvdoj zanatçiun që e kemi gjitonë!?

1)Sanremo, bëhet fjalë për Festivalin e Sanremos. Në vitet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk lejohej të shihej TV Italian, ashtu si dhe televizione të tjera perëndimore. Megjithatë, në Shqipëri dhe, veçanërisht në Vlorë, festivali ndiqej nga populli në forma dhe mënyra të ndryshme klandestine. Improvizoheshin sidomos antena të tipit “kanoçe”...

Sanremo,(San Remo) është qytet në Italinë  Veriore, i famshëm për lulet, por edhe port peshkimi...Në Sanremo zhvillohet festivali i njohur i këngës italiane“Festivali i Sanremos” ku konkurrojnë këngëtarë nga  më të njohurit e Italisë..

2).Pippo Baudo, moderator historik, ikonë e TV Italian (lindi 1936).Që nga viti 1968 prezantues i famshëm i Festivalit të Sanremos, por ai ka drejtuar edhe një numër të madh spektaklesh të suksesshme mes të cilave edhe “Domenica In”. Ka ardhur dy herë në Shqipëri i ftuar në koncerte nga këngëtari, kantautori, producenti dhe prezantuesi i suksesshëm Ardit Gjebrea. Pippo Baudo u befasua kur pa se sa shumë i njohur ishte  në Shqipëri...

3). Shamia e xhepit është një copë pluhur, e cila futet në xhepin e zemrës së xhaketës dhe i jep pamjes së mashkullit më shumë klasë dhe elegancë,ajo nuk del kurrë nga moda.

Kostumi i bariut

Disa ditë babai punoi me kostumin e bariut,

kishte merak që puna t`i dilte pa të metë,

prerja, qepja, jaka, beli, pullat dhe penjtë,

s`e prishte kurrë dorën, donte t`flinte i qetë.

 

“Aman, usta Toli! - i tha një mik i shtëpisë,

po ia qep sikur Llazi do t`punoj në qeveri`,

ai gjithmonë me dhenë e me dhi do të jetë,

sido që t`ia presësh e qepësh kostumin ti!”

 

Babai shkëputi vështrimin nga kostumi,

dhe iu kthye mikut me qortim në sy:

“Po të flet gjuha para mendjes, o Miti,

te puna e çdo ustai është dhe emri i tij.

 

Për mua çdo klient është i nderuar,

nuk bëj dallim në është bari a zotëri.

Bariu përgjigjet për dhenë e për dhi,

për kostumin unë, rrobaqepësi i tij!”

Everesti dhe ti

Kur e shikon Everestin nga larg,

madhështor që lartësohet te retë,

thua se lehtë  mund t`i ngjitesh,

mjafton pak dëshirë dhe vullnet.

 

Mendon kështu se nga largësia,

s`ia ndjen stuhitë dhe erërat,

syri t`i rrafshon shkëmbinjtë,

t`i zhdukë rrëpirat, humnerat.

 

Mendon se s`do t`ndjesh lodhje,

se i ftohti s`do t`jetë aq i madh,

lartësive do t`u ngjitesh me qejf,

si një marshim argëtues në mal.

 

Mendon se edhe kur të lodhesh,

do pushosh  dhe do freskohesh,

po të vijë ndonjë stuhi dëbore,

brenda çadrës do të mbrohesh.

 

Mendon se kur ajri t`rrallohet,

maskë oksigjeni do përdorësh,

por dhe pak fërkim e aspirinë,

kur të kapin dhembjet e kokës...

 

Ca si lehtë po e merr këtë punë,

të nevojitet informacion shtesë,

se si mund të ngjitesh në Everest,

Edmund Hillarin dhe Norgein pyet. 1).

 

 

1).Edmund Hillary(neozelandez) dhe Tenzing Norgay (nepalez), dy njerëzit e parë që më 29 maj të vitit 1953 iu ngjitën majës Everest (Xhomolungma) e cila shënon majën më të lartë të tokës, mbi nivelin e detit 8.848 metra

Comments (4 posted):

faruk myrtaj on 19/09/2017 23:28:00
avatar
Sa vjen e njeriu behet me i mire...!
Keshtu thuhet, ne parim: me kalimin e viteve, teksa afrohemi me moshen kur i kemi pare prinderit sic tanime jemi vete, zeme e shfaqim ate energji, te asaj berthame, qe na e kane ngjizur ata.

Ne kete moshe, madje, pa e kuptuar si e pse,fillojme e perserisim ca gjera, sic do bej serish edhe une duke rrefyer serish se si. e se qysh...shkova per tek zyra e Sekretarit per Kulturen ne Komitetin e Partise se Vores, qe quhej Viron Kona. Me dergoi Hyqmet Mecaj, nder poetet me te mire ne vend, me pas edhe prozator i mevetshem. Mbase Aleksander Babe do kete vene buzen ne gaz, teksa une u nisa per atje, duke u rrekur te mos harroj porosite e Hyqmetit qe m'i dha pasi telefonoi nga diku te Kater Heronjte, nese nuk gaboj.
"Do vesh, do paraqitesh tek dezhurni i Komitetit te Partise dhe do t'i thuash se me pret shoku Viron Kona...Por, kur te jap lejen ai te ngjitesh, dhe te kesh arritur tek zyra qe do te te thote dezhurni, kur te hysh brenda mos iu drejto me "shoku Viron", por foli me emer, se Vironi eshte mosha jote dhe se eshte miku e shoku yne...!
Por hija ishte bashkekohesja jone dhe kur u hap dera, une thashe "shoku Viron, Hyqmeti me nisi per te ju...!"
Vironi qeshi, me ftoi brenda dhe i perserita ate qe prej vitit 1974 e ne vazhdim, e thosha zyrave: "Dua te vazhdoj shkollen e larte!"
Vitet fluturonin, por shpresa, dhe prania ne te gjithe kohet e njerezve te mire jepnin shprese dhe erdhi viti 1983. Ishte serish Viron Kona, me priti ne zyren e tij, por nuk ndenjem aty. Dalim jashte me mire, tha ai.
Ne trotuarin perballe hapesires detare me tha se..."me ne fund, do te te nisim ne universitet, Faruk i dashur, dhe kjo eshte kryesorja. S'mundem dot per degen letersi, sic doje ti dhe ne, por do vesh per inxhinier. Dhe me beso mua, Vironin, besoj se do te te dale per me mire..."
Natyrisht ishte lajm i madh, sidosi i gezuar, edhe pse aq shume i vonuar...
Kaluan vite, u takuam serish ne Tirane, Vironi gjithnje po ky njeri.
Une rrefej ate qe di! Nuk them une se Vironi nuk e donte Partine qe me ndihmonte mua! Se, as une, asokohe, nuk ligjeroja sic bilbilos sot!

Ne te tere shfaqeshim ndryshe, ne sy te te tjetrit, se keshtu duhej bere. Une s'dija psh se edhe vete Hyqmet Mecaj kishte klecken e tij ne bio, se me bio dilnin te gjithe shqiptaret, po t'i kqyrje me vigjilence. Se, te gjithe dilnin kusherinje me njeri jatrin! Ismail Kadare asokohe ç'piku fjalen SYCELTESI, per te moderuar VIGJILENCE.

Tregimi per tollonin e radhes, i Viron Kones, shfaqur ditet e fundit te "Fjala e Lire" eshte deri ne fund realist, por tashme eshte vitit 2017, kurse me 1982-1983, asokohe, per te i merrje nja 10-15 vjet burg, dhe jo te mbeteshe sekretar i Partise!
Ja, edhe per kete rrefim aq njerezor te Vironit per babane e tij rrobaqepes, edhe pse deri ne fund njerezor dhe prej profesionisti, thjesht se ai e verente "te bukuren" tek kostumi i armikut italian, te cilin (sidomos ne vlonjatet!) e kishim hedhur dy a tri here ne det, e merrje nje interrnim ne Kote a ne Hoxhare sa te mos te dilte kurre kripa e detit apo te ngrenat e mushkonjave!

Ishte nje kohe qe njeriu, edhe sot, sidomos sot, do duhet ta masim me kriterin nese "nuk bere keq", edhe nese nuk e beje dot te miren.

Sa me shume vite kalojne, nxitojme te behemi sa me njerezore, sic na deshen prinderit...
viron kona on 20/09/2017 08:10:28
avatar
Faruk miku im i vjeter dhe i perhershem, ne jemi si vera e Nartes,sa me e vjeter e me e mire,me me shume shije...Ndihem i mallengjyer nga te gjitha qe ke shkruar per mua dhe qe vazhdon te shkruash, edhe keto te sotmet,gjerdan margaritaresh,cfare te them,fjalet jane te teperta,zemra eshte e vogel fizikisht,por sa shume mund te shpreh...
Falenderime nga zemra miku im i mire dhe i ditur!
Viron Kona
Guri Naimit D(Dh Xh) on 20/09/2017 14:47:36
avatar
Sa te rrosh do mesosh-degjo e shiko !

Nje"radioskopi" e perkryer ne komentin e Faruk Myrtajt,sa me sinqeritet njerzor,per krijuesin Vangjush Ziko.
..Dy pena ngjyer ne nje"millam"pa tjeter te njejtin mendim kane,ndaj thuhet:- -"ngjan shoqeria pa behet".
Shendet paci"mesuesit"e mij,ani se gjysh,mbetem nxenesi juaj...

VO.Nuk e di ne jeni ne Toronto z.Faruk Myrtaj,do doja tiu takoja,nga Tirana afshin e Vironit tiu sillia(nese ke kohe pa u takuar).Permes miku tone Poet,ketu ne Tornto;te mirin Pr,Poet mendimtar-Vangjush Ziko-shpesh,takohemi ne "kripling".
Gjithe te mirat te dyve ju uroj qe sa di;jetoni larg njeri tjetrin me zemrat Nje.(si dhe une).
Paci mbrodhesi-"modelet e shoqerise";O VERA e NARTES"qe s'na deh-po na ushqen.
Guri Naimit D.
kadri tarelli on 20/09/2017 21:57:14
avatar
Urime z. Viron!
Së pari, që kujton prindërit që u munduan aq shumë për të na rritur dhe për të na mësuar sekretin e punës dhe suksesit: Ndershmërinë dhe vlerësimin e saj për këdo e kurdoherë.
Së dyti,për vlerat qrtistike të poezive, që kanë brenda shumë dashuri, mirësi, ndjenjë adhurimi dhe përulësie ndaj prindërve, të cilëve duam t'i ngjajmë.
Çdo shkrim kushtuar prindërve, kam përshtypjen se është një lloj shenjtërimi i tyre, duke u kujtuar nëpër breza. Shumë bukur!
Miqësisht dhe lumturisht!
Kadri Tarelli
Durrës

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1