Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | POEZI | Po të mos ishte rëra

Po të mos ishte rëra

Font size: Decrease font Enlarge font
image Po të mos ishte rëra

Armela Hysi

 

Po të mos ishte rëra

                        I

po të mos ishte rëra mbretëresha

nuk do të humbte.

kërkonim kuturu.

flokët e derdhur që sollën natën

i mbuluan nga pas gjurmët.

pishtarët na kishin djegur gjymtyrët

vazhdonim të shkërmoqnim dunat

tallaz i nxehtë fshikullonte fytyrat

dhe shpresën tonë.

 

u kthyem me horizontin të palosur ndër duar

mbreti u ngashërye mbi të

para se ta ndrynte në sëndukun e saj të vjetër

në kullën me gjërat e humbura.

 

maj 2007

 

 

 

 

po të mos ishte rëra

                  III

po të mos ishte rëra

mbretëresha nuk do të humbte

hapave të shkrifët u fsheh vështrimi i errët

dhe velloja e drunjtë e një pengu të ciflosur.

gjurmët heshtën llogjikës katërkëndore të natës

vijëzuar kryq prej kujtimit të supeve të saj

mishbardhë

si kokrrizave ngjyrëqumështi të dheut përpirës.

 

loti i mbretit (prejardhja e të cilit

u vu shumë herë në dyshim nga opozita)

pamja e tij e ngrirë e varri i mangalltë

që krehën për të disatën herë oborrtarët

u ngurtësua pamjeve kërthi të tabloidëve

syve të shtrirë – ekranëve paqevjedhur të botës.

 

disa flasin për rrëmbime nga jashtëtokësorët.

 

verë 2007

 

 

 

po të mos ishte rëra

                  IV

po të mos ishte rëra ajo

nuk do të donte të humbte.

qeshja e marrosur rroku hapësirën

sipër një ujdhese t’papeshë neutronesh.

 

zhytur në grimcat rrëshqitëse

shkërmoqur nga memorja pagane e tokës

u mbështoll me tisin e vakët të pluhurit.

bërë njësh me bishta ëndrrimtarë kometash

e hi poetik llullash diellore.

ndjeu ngopjen e shqisave

kompletimin e imazheve ndër dejet e

ekzistencës

si ngjizjen e një qielli të ri

tjerrjen e ujvarës së dritës midis

meningjeve cipë-gufuar

në shkumë venerike valësh.

 

kur grimthat zmeriluese i gërryen

më të fundit prej llakut bojëerrët të lëkurës

anonimi i shformuar i

ç’ishte der’atëhere detyruar të ndërsillej

preu litarët e çdo lidhjeje

me lojën e përjetëshme të pozicioneve.

 

zhveshi të shkuarën si një cipëz embrionale

për të pluskuar mbi kohë

pa pritje. as ëndrra

ishte krejtësisht e lirë – ishte krejtësisht e re.

 

16 korrik 2013

 

 

 

 

po të mos ishte rëra

                 VI

kur shkoj këmbëzbathur në plazhin

e vegjëlisë sime rërhirtë

instiktivisht duart

shpupuritin thërrimet gurore shterpë të bregut

 

dua të kthej kohën peng të mallit

të mbarojmë betejën tonë të fundit.

po të mos humbte mbretëresha ime ngjyrëzezë

prej shahut kutiza gdhendur me majën e nxehur

të daltës metalike

nëse s’do ishte rëra

unë kurrë s’do të mësoja se humbja është liri.

 

gusht 2013

 

 

Armela Hysi

Marrë nga libri "Po të mos ishte rëra", Milosao 2016

 

Comments (3 posted):

Vasil Vasili on 25/10/2016 18:00:24
avatar
Po të mos ishte rëra... nuk do ta shkruante kaq bukur poezinë Armela Hysi.
Po të mos ishte rëra ne nuk do t'i kërkonim gjurmët tona të humbura.
Po të mos ishte rëra nuk do të kishte edhe humbje.
Është rëra për t'iu rikthyer humbjeve, për të ndjerë lirinë në një formë tjetër.
Është rëra... në të cilën është futur Armela Hysi në kërkim të kohës së humbur.
timo on 26/10/2016 10:53:11
avatar
Nje poezi fine, e embel qe te ve ne mendime. E kam lexuar me kenaqsi librin, e poetes, lexim qe me bindi se...e vlen te lexosh poezi.
Myslim Maska on 29/10/2016 22:50:57
avatar
Ne te gjitha kohrat ka patur dhe ka dy grupe krijuesish: "TE LINDUR DHE TE BERE", ne letersi, art, estetike, filosofi, bile dhe ne shkencat e natyres. Te lindurit jane drita e Zotit,sic qe Edisoni, shpiksi i llambes elektrike, qe e beri NATEN-DITE. Te beret jane ata qe perpiqen te behen te lindur ose drite.
Per librin tuaj te fundit: "Po te mos ishte rera" , s'mund te them me teper sesa thote ne analizen e shkurter sintetike, kolegu dhe miku im estet Vasil Vasili. Nga "Amazone prej reje" Ti shnderrohesh ne " Amazone prej rere"
ARELA HYSI, sipas meje, eshte nje nga rastet e rralle, eshte e lindur per poezi,
eshte nje organ i vertete poetik. Eshte nene e dhemsur, sic eshte dhe grua e denje, rrebele e ndjenjes, rrebele e endrres, rrebele e marre e padrejtesive ( Lexoni me vemendje poezite e saj), Sic eshte e urte, e dlire e bute pothuaj prej mendafshi, rrezore e brishte, brilante dhe profetike ne poezine e saj.
Mund te them me plot gojen, se poezia e ARMELA HYSIT eshte nje RREBELIZEM, "Demokratiko-emocional",si i Ana Ahmatoves, poetes se jashtezakonshme ruse , por jo te viteve tridhjete- dyzete te shekullit te kaluar, por te viteve tridhjete- dyzete te ketij shekulli.
Une mendoj se letersia, artet, poezia ne vecanti, eshte drita e ndergjegjes dhe e shpirtit te nje kombi. DHE LIBRAT E TU POETIK ARMELA , me duket se perfaqsojne denjesisht nje pjeseze te saj .
Urime e nderuar kolege. Faleminderit
MYSLIM MASKA

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1