Newsletter
Email:
Poll: ROMAN APO NOVELE?
A DUHET QE EDHE NE GJUHEN SHQIPE TE KETE VETEM NJE EMER?
Home | PERSONAZH | KOLONELI ANGLEZ QË IU AFRUA DY HERË KURORA E MBRETIT TË SHQIPËRISË

KOLONELI ANGLEZ QË IU AFRUA DY HERË KURORA E MBRETIT TË SHQIPËRISË

Font size: Decrease font Enlarge font

Koloneli Aubrey Herbert 80 vjet pas vdekjes i është rikthyer sërish “nderi shqiptar”, jo vetëm si një dëshmi e ndjenjës për një të huaj që e përkushtoi thuajse tërë jetën e tij për çështjen shqiptare, por edhe për njeriun e thirur dy herë për kurorën e Mbretit të Shqipërisë.Kolonelit anglez Aubrey Herbert këtë nder të harruar për vite të tëra nga shqiptarët, ia riktheu pikërisht pak dite me pare medalja e Presidentit të Shqipërisë Alfred Moisiu, dhënë të bijës së tij Bridget Grant, zonjës 89 vjeçare, në shtëpinë e saj në Dulverton nga ambasadori I Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Kastriot Robo.Dhe ndërsa zoti Robo I dorëzonte zonjës Grant “Medaljen e Argjendtë” të akorduar nga Presidenti shqiptar Moisiu, ajo do të shprehej për BBC-në:”Në se ne takojmë një burrë, për të cilin mendojmë se është I përsosur dhe I nderuar dhe I mirë njëkohësisht, atëherë unë mendoj që ajo flet më shumë se ç’do gjë tjetër.Unë mendoj se kjo është një gjë e prekshme, e jashtëzakonshme.”

KUSH ËSHTË KOLONELI AUBREY HERBERT

Koloneli Aubrey Herbert, ka qenë deputet i Parlamentit të Anglisë për Taunton.Ai ka jetuar në Pixton Park afër Dulverton.Ish student I Oxfordit dhe më pas një jetë të tërë, edhe pse të shkurtër, në shërbime diplomatike e angazhime të ndryshme, ku spikat ajo për Shqipërinë.Herbert ishte vëlla nga njëra anë prindërore me Lordin Carnavan, I cili ka financuar zbulimin e varrit të Tutankhamenit dhe I biri I zonjës Carnavan, që kujtohet si organizatorja e Komitetit Anglo-Shqiptar të Ndihmës.Ky Komitet ka ndihmuar rrefugjatët nga Kosova që u vendosën në një fshat afër Kavajës, I cili u quajt me emrin “Herbert”.Ai ka vdekur në vitin 1923 në moshën 43 vjeçare.

KOLONELI DHE SHQIPËRIA

Shqiptarët dinë pak për të, aq më shumë për një njeri të cilin vetë Shqipëria e pati thirë dy herë të vërë Kurorën e Mbretit të saj.Prej tij më 1912 është drejtuar Asociacioni Anglo-Shqiptar, i cili me punën e tij të madhe e renditi në një kampion të së drejtës shqiptare.Më 1918 ai vazhdoi të jetë President I shoqatës Anglo-Shqiptare, ku një emër tjetër I Madh I lidhur me Shqipërinë ,ai I Edith Durham, ishte përkrah tij në rolin e sekretarit të kësaj shoqate.Për këtë shoqatë një mik tjetër I Shqipërsë, Stiknei thotë:”E dyta për nga rrëndësia ishte Shoqëria Anglo-Shqiptare e themeluar pak para se të përfundonte lufta e që kishte qëllim njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.Kjo shoqëri luftonte në dy fronte: atë të botimeve dhe të komunikimit me shtypin dhe Dhomën e Komunave.Nga më të shquarit prej tyre ishte I nderuari Aubrey Herbert, si President dhe, zonja Edith Durtham, të dy miq të flaktë të Shqipërisë.”
Ai iu përkushtua më shumë çështjes shqiptare aty nga fundi I vitit 1920, në një kohë kur punonte si Konsull I Mbretërisë së Bashkuar në Konstadinopojë të Greqisë.
Me një mirënjohje të thethë, Shqipëria e ftoi dy herë Kolonel Herbertin që të vendoste Kurorën e Mbretërisë së saj, por edhe pas një momenti reflektimi, ai refuzoi derisa vdiq më 1923, kur ishte vetëm 43 vjeç.

Miqtë e mëdhenj anglezë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve

Nga: Uran  ASLLANI

Para tri ditësh në sallën e re të Bibliotekës Kombëtare u bë përkujtimi i bibliotekës të “Djelmerisë shqiptare” dhe me këtë rast u fol edhe për nismëtarët dhe kontribuuesit e atij institucioni, për kolonel Aubrey Herbertin dhe për nënën e tij Ledi Carnarvon. Në tri fjalët që u mbajtën me atë rast, nga drejtori i institucionit dhe nga dy profesorë të nderuar kishte, fatkeqësisht, pasaktësi dhe mangësi të pajustifikueshme.

Ndaj, për të katërtën herë, duke filluar nga 2001, 2003, 2007 edhe aktualisht po përshkruaj jetën e shkurtre dhe veprën e tij, plotësuar edhe me të dhëna dhe fakte të reja, që gjenden lehtësisht në internet.Disa vite para pavarësisë së Shqipërisë, po ashtu edhe gjatë periudhës së pas saj e deri në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbështetur dhe për të mbrojtur të drejtat legjitime të shqiptarëve përkrah Marry Edith Durham-it, u radhitën një plejadë e madhe personalitetesh politike, shtetërore, shoqërore, madje deri ushtarakë anglezë.Në këtë plejadë renditen: ish-ministrat dhe lordët: Harry Lamington e Dickinson, antarët e Dhomës së Lordëve: Irwin, Headly, Howard of Penrith, Noel Buxton, George Lansbury, Renell, Grogan, Tedwell, Eric Drummond; Edward Boyle; deputetët e Dhomës së Komuneve: sir Charles Roden Buxton, Samuel, Walter Ruci, John Massefield; politikanët dhe gazetarët: Henry W. Nevinson, Charles Wood, Henry Noel Brailsford, Ernest Benett, Harry Lamb, Henry Betterton; John Prescott Hewett; Robert MacLead Gladney; Ushtarakët: gjeneralët :George Macmunn; Ian Hamilton, kolonelët: Makenzie, Willoughy Wallace, Colvile, majorin Harry Herbert shumë të tjerë.Por kulminacionin e veprimtarisë proshqiptare në atë periudhë e realizoi miku i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve,Deputeti, koloneli Aubrey Nigel Molyneux HERBERT së bashku me familjen e tij Herbert- Carnarvon.

Cili ka qenë koloneli Aubrey Herbert?

Ai kishte lindur më 3 prill 1880, në familjen e aristokracisë së lartë angleze Herbert –Carnarvon, duke qenë pinjoll i brezit të V të asaj familjeje. Ai ishte djali i dytë i lordit Henry Howard Molyneux Herbert Carnarvon.Lordi Henry Howard Molyneux Herbert-Carnarvon (1831-1890) kishte arritur te behej Rektor i Universitetit të Oxfordit si edhe kryetar i Shoqatës Mbretërore të Antikuarëve. Si djali i dytë, Aubrey nuk e trashëgoi titullin e lordit. Atë e përfitoi vëllai më i madh i tij Sir George Howard Stanhope.Sir George Edward Stanhope Molyneux Herbert kishte lindur në Highclere Berkshire-s, me 26 qershor 1866 dhe ka kryer studimet në Itonn College dhe në Trinity College të Cambridge. Njihet si një nga egjiptologët e shquar anglezë.Ai ishte një arkeolog i shquar por edhe një politikan konservator angleze. Së bashku me kolegun e tij Howard Carter, në vitin 1906 kryen zbulime të rëndësishme në Tebë.Më pas ai u mor me piramidat e Egjiptit ku edhe vdiq, më 5 prill 1923, nga një pneumoni akute me simptoma të panjohura asokohe.Aubrey Herbert kishte kryer studimet në Eton e më vonë në Balliol College të Universitetit të Oksfordit, duke marrë në verën e vitit 1908, bakaloriatin e shkallës së parë për histori. Gjate viteve studentore ai kishte zënë miqësi me shokë të cilët u bënë njerëzit e njohur të politikes britanike si Raymond Asquith, Johm Buchan, Adrian Carton De Wiart.Në biografinë e tij të shkruar nga e mbesa Margaret FitzHerbert shënohet se A. Herbert ka vizituar trevat shqiptare qysh në vitin 1907. Me cilin motiv apo shkak të këtij udhëtimi nuk kemi mundur të informohemi.Menjëherë sapo përfundoi studimet pranohet në shërbimin diplomatik britanik dhe u emërua atashe në Ambasadën Britanike në Tokio, por pak muaj më vonë transferohet si diplomat në Stamboll. Në Perandorinë Osmane ai shërbeu deri në vitin 1911.Në atë periudhë ai me misione zbulimi dhe vëzhgimi kishte vizituar pothuaj që të gjithë viset e Perandorisë Osmane. Duke filluar nga Jemeni, Iraku e deri në Maqedoni dhe Shqipëri. Pikërisht e asaj periudhe ishte edhe miqësia e krijuar me kolonelin T. E. Lawrence (Lorencin e Arabisë), po ashtu dhe miqësia me shqiptarët dhe respektin për popullin shqiptar.Tregohet një ndodhi interesante për të treguar lidhjen e kësaj miqësie. Në një nga udhëtimet e tija në Mesopotami, diplomati anglez Aubrey Herbert kishte qenë gati për t’u mbytur në lumin Eufrat. Atë e kishte shpëtuar nga mbytja një oficer madhor shqiptar që shërbente asokohe në ato zona. Për shpërblimin e ofruar nga Herberti, oficeri shqiptar i kërkoi atij diplomati anglez, pinjollit të familjes aristokratike, të ndihmonte dhe të mbronte, ku të ishte e mundur, të drejtat dhe fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kudo që ishin. Ky qëndrim atdhetar dhe ajo sjellje fisnike e obligoi diplomatin anglez t’i afrohej me dashamirësi problemeve shqiptare.“Gëzohem shumë të dëgjoj se je shqiptar- i drejtohet anglezi oficerit shqiptar – edhe se ke mundur që ndonëse je në shërbim të osmanëve ke mundur të ruash dashurinë për atdhe, të ruash zakonet dhe fisnikërinë shqiptare;Ju jap fjalën e nderit se do të përpiqem me gjithë zemër, sa të rroj, për të mbrojtur Shqipërinë dhe shqiptarët nga armiqtë e saj. Ti më shpëtove jetën dhe unë do të jem shërbëtori besnik i Shqipërisë”.Në vitin 1911, falë miqësisë me Sër Mark Sykes, ai filloi të merret me politikë dhe zgjidhet deputet në Dhomën e Komunëve të Parlamentit Anglez, për pjesën jugore të krahinës së Sommersetit dhe qëndroi deputet i kësaj konteje deri vjeshtën e vitit 1918. Më pas ai bëhet deputet i Yeovilit e ashtu vazhdoi deri në vdekjen e tij. Ai së bashku me Sër Mark Syles dhe George Lloydin ishin deputetë të rinj të Partisë Konservatore Britanike. Asokohe Aubrey Herberti konsiderohej një njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe zakoneve të disa popujve.Në verën e vitit 1913 vjen në Shqipëri, për të takuar Kryeministrin shqiptar, Ismail Qemalin, për të njohur në terren gjendjen e shtetit të ri shqiptar, për të këshilluar dhe mbështetur Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Me keqardhje konstatoi gjendjen e vështirë të qeverisë, juridiksionin shumë të kufizuar të veprimtarisë qeveritare dhe politikën shoviniste të shteteve fqinje. Bashkëbisedoi disa herë me Ismail Qemal Vlorën, shkëmbejnë mendime dhe deputeti anglez merr përsipër që shumë mendime, projekte, plane të kryeministrit shqiptar t’ia transmetonte Qeverisë dhe Parlamentit Britanik.A. Herbert në vitin 1913 i shoqëruar nga diplomati shqiptar Mehmed Konica vizitoi Beratin, Elbasanin, Durrësin e tjerë ku takoi dhe bisedoi me dhjetëra atdhetarë shqiptar. Çuditërisht miqësohet edhe me Esad Pashë Toptanin, për të cilin disa vite mbajti përshtypjet më të mira.Me kthimin në Angli ai filloi një veprimtari intensive për të treguar ndikimin negativ të veprimtarisë së Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit ndaj punës së Qeverisë së Vlorës.Në biografinë tij shënohet fakti se në fillim të vitit 1914, në rrugë private (nuk dihet nga cili) i bëhet propozimi për fronin e Shqipërisë, por nën këshillimin e Herbert Asquithit ai refuzoi këtë propozim dhe ne atë fron u ul për 6 muaj princi gjerman Wilhelm Wieddi.Në fillimin e Luftës I Botërore, ai shkoi si vullnetar oficer në Repartet e Rojës Irlandeze, në Francë. Gjithë jetës se tij ai mbeti një simpatizant i lëvizjes irlandeze për një shtet të pavarur, duke u konfrontuar me politikën britanike.Pak kohë më vonë, ai bie rob tek gjermanët por mundi të arratisej, me ndihmën e Shërbimit të Inteligjencës.Me kthimin në atdhe inkuadrohet ne shërbimin informativ ushtarak në Egjipt, nën komandën e sekretarit ushtarak Oswald Fitzgerald. Oficeri Aubrey Herberti konsiderohej si një njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe i zakoneve të disa shteteve. Anglezi fliste mirë gjermanisht, frëngjisht, italisht, turqisht, shqip, greqisht, arabisht, madje edhe persisht. Në janar 1915 ai ishte me shërbim në zyrën e Inteligence Service në Kajro nën komandën e kolonelit Clayton. Më pas dërgohet me shërbim në Mesdheun Lindor dhe kryen një veprimtari të fuqishme në favor të lirive të popujve arabë.

Para se të nisej në Francë si vullnetar në Luftën e Parë Botërore, A. Herberti së bashku me personalitete të rëndësishme të jetës publike angleze, demaskuan, protestuan dhe i trajtuan parlamentarisht vrasjet, djegiet, plaçkitjet e trevave shqiptare të pushtuara nga ushtria greke. Asokohe ai kishte një korrespondencë të gjerë me pothuaj të gjithë atdhetarët e Korçës dhe të Gjirokastrës. Letrat dhe relacionet e tyre sqaruese ai i botoi me shënimet e tij në gazetat londineze “Daily Telegraph” dhe “Times”. Në një letër që A. Herberti i dërgonte Kristo Dakos, më 30 korrik 1914, shkruante se të gjitha informacionet që i kishin dërguar nga Shqipëria, ai i kishte diskutuar në Dhomën e Komunëve, së bashku me lordët Lamington e Lansbury. Ai i njoftonte miqtë e tij shqiptarë se kishin grumbulluar të holla të mjaftueshme për të blerë ush-qime dhe veshmbathje për refugjatët e uritur e të grumbulluar në ullishtat e Vlorës.Aubrey Herbert në nëntor të vitit 1915 caktohet në një mision sekret lidhur me problemet shqiptare, i atashuar në Paris dhe Romë. Cili ishte objektivi dhe çfarë detyre kishte kapiteni Aubrey Herbert, nuk jemi në dijeni. Megjithatë, duke njohur qëndrimin revoltues të tij, në pritje të zgjidhjes së problemeve shqiptare, kërkon të largohet nga ai funksion dhe filloi shërbimin në prill të vitit 1916 Aubrey Herberti me gradën kapiten ishte shefi i Shërbimit Inteligjent Detar për Mesopotaminë dhe Gjirin Persik, ku shërbeu së bashku me kolonelin W. H. Beach duke kryer një veprimtari intensive.Në tetor te atij viti Aubrey Herbert caktohet si oficer ndërlidhës me ushtrinë italiane, por mban një qëndrim të prerë të kundërt me projektin si Traktatit Italo-Anglez të Londrës, të 26 prillit 1915, sipas të cilit Shqipëria të mbetej një shtet i vogël mysliman me udhëheqës të mundshëm Esad Pashë Toptanin. Ndaj largohet nga ajo detyrë dhe kthehet në Londër. Në vitin 1917 ai shërbeu si ndërlidhës për një paqe të veçuar me Turqinë, gjithmonë si kuadër i rëndësishëm i inteligjencës ushtarake në Mesopotami e Palestine.Në nëntor të vitit 1917 shërbente në Itali nen komandën e gjeneralit Macdonogh, ku u caktua në drejtimin e Misionit Britanik të Adriatikut. Së bashku me Samuel Hoare të dy anglezët organizojnë në Romë një mision të inteligjencësPikërisht në këtë kohë vjen propozimi nga migracioni shqiptar në SHBA që nënkoloneli Aubrey Herbert të komandonte një regjiment me vullnetarë të Amerikës. Konsullata italiane e Bostonit, me 17 korrik 1918 e pranoi këtë fakt por nën kushtin që ky regjiment të ishte brenda ushtrisë italiane. Kjo kërkesë u hodh poshtë nga atdhetarët e federatës “Vatra” dhe projekti i mirëpritur nga të dyja palët nuk u realizua.Pas luftës kolonel Aubrey Herbert u bë dishepulli i mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Duke qenë njëkohësisht veteran dhe invalid i Luftës Botërore, deputet i Dhomës së Komunëve dhe kryetari i Komitetit Anglo-Shqiptar ai asokohe ishte personaliteti politik shtetëror më i rëndësishëm anglez që ndikonte në trajtimin e problemeve shqiptare. Mjafton të citojmë pjesë nga një letër që i ka dërguar për ta botuar në gazetën “Times”, me datën 29 janar 1919, për të kuptuar qëndrimin e tij të paepur. Letra i ishte drejtuar kryeredaktorit dhe kishte këto fjalë:“Zotni! Shpresoj se lajmi i përhapur se francezët po ia lëshojnë Korçën grekëve, të mos jetë e vërtetë. Përndryshe me një veprim të tillë në kundërshtim të plotë me vendimet e Konferencës së Paqes, do t’i thoshim lamtumirë qysh sot asaj bote, që synuam kur luftonim në Luftën e Përbotshme. Në rast se është i vërtetë një veprim i këtillë, atëherë do të ishte njëlloj sikur ishujt grekë të Dodekanezit t’i jepeshin Turqisë, sikur qyteti Zeitun i armenëve t’u jepesh kurdëve. Unë personalisht, që e kam vizituar Korçën shqiptare dhe e njoh mirë edhe si të tillë, po sa njoh për grek qytetin e Larisës. Këtë duhet ta dinë mirë edhe ushtarakët francezë që krijuan Republikën e Korçës”.Më poshtë gazeta “Times” e përfundonte letrën me një sentencë që edhe sot e kësaj dite është aktuale: “Konferenca e Paqes duhet të jetë shkollë kulture e përparimi, një shkollë për cilido komb, përndryshe do të lindin shumë shkaqe për luftëra të tjera të përbotshme”. Në ato kohëra të vrullshme koloneli anglez kishte shkruar shumë artikuj, peticione në mbrojtje të Shqipërisë pothuaj në të gjitha organet e shtypit londinez. Në një letër të tetorit të vitit 1919 që Edith Durhami ia dërgonte dr. Mihal Turtullit shkruante:“Ministria e Luftës dhe Foreing Office janë të mirinformuara nga kolonel Aubrey Herberti. Në Parlamentin Anglez asnjë nga deputetët nuk është i interesuar për Shqipërinë përveç A. Herbertit, megjithëse tashmë as zëri i Parlamentit anglez nuk dëgjohet. Çdo gjë vendoset në Konferencën e Paqes në Paris. Unë dëshiroj që së shpejti të shkruaj një libër për këto politika ne Ballkan”.Në letrat që dy senatorët shqiptarë dr. Mihal Turtulli dhe imzot Luigj Bumçi që ishin njëkohësisht delegatë në Konferencën e Paqes, i dërgonin Qeverisë së Turhan Pashës dhe Qeverisë së Sulejman Delvinës, shkruanin për përpjekjet madhore të Aubrey Herbertit, për të fituar simpatinë dhe mbështetjen popullit shqiptar nga personalitetet e rëndësishme të jetës politike e shtetërore angleze, si Erich Drummond, Filip Kerri, Lord Robert Cecile, Leeper.Në ato kohëra kolonel Herberti ka shkruar edhe libra “Mons Anzac and Kut” dhe përgatiti për botim librin e tij me përshtypjet e tij nga udhëtimet nëpër Shqipëri, të titulluar “Ben Kendim”, i cili u botua pas vdekjes së tij, në vitin 1924.Në biografinë e tij, shënohet për një propozim të dytë për fronin e Shqipërisë, gjithmonë në rrugë private, duket nga miku i tij Mehmed Konica dhe nga një pjesë e miqve anglezë të shqiptarëve. Ishte koha kur Vlora ishte çliruar, por Parlamenti shqiptar ende nuk ishte konstatuar. Sërish nga këshillimet e miqve të tij si Phillip Kerr, Eric Drummond ai e refuzoi atë propozim, i nxitur edhe nga fakti se në fundin e vitit 1920 Mehmed Konica ministri i jashtëm shqiptar ishte zëvendësuar nga Iljaz Vrioni.Gjate viteve 1921-1922, ndonëse ishte një nga kuadrot e larta te Inteligjence Servisit, ai mbante korrespondencë me kryetarët e bashkive të Vlorës, Korçës dhe Shkodrës dhe letrat e tyre me problemet e shumta të atyre kohërave ai i botonte drejtpërsëdrejti në shtypin londinez në asaj kohe.Kolonel Aubrey Herbert vdiq papritmas me 27 shtator 1923 dhe i njoftuar telegrafisht Parlamenti Shqiptar mbajti 5 minuta zi. Ky mik i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve kishte menduar për të mirën e shqiptarëve edhe në rastin e një vdekjeje të pazakontë. Ai kishte lënë në testamentin e tij një shumë të konsiderueshme sterlinash për filantropi të rëndësishme në Shqipëri duke lënë si ekzekutore të atij testamenti nënën e tij, mikeshën e madhe të shqiptarëve, Lady Elisabeth Carnarvon (1857-3 shkurt 1929).

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1