Navigate archive
first first May, 2013 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | PERSONAZH | DHIMBJA E ARTISTIT NË PËRVJETORIN E 7 MARSIT

DHIMBJA E ARTISTIT NË PËRVJETORIN E 7 MARSIT

 

 

 

  Artisti muzikant, i ndjeri Vangjo Nova po shuhej në afrinë e 7 marsit. Dhjetë vjet më parë, në afri të një 7 marsi tjetër që qe 100 vjetori i saj, rrinte i ngarkuar me një Operë për Shkollën e Parë Shqipe në Korçë. Me të në dorë trokiste javë e muaj me radhë në dyert e Operës. Por për institucionin ky artist qe i huaj dhe për gjëra të çmuara të tij, edhe pse aty shkriu jetën. (Në sa mundime e hetime u përpëlit vitet e fundit për një “Artist i Merituar”, ngaqë të atin ia kishin pushkatuar kot e pa gjyq kur u hodh bomba në Ambasadën Sovjetike)!

Më kërkoi e u bëra autor i Libretit të Operas së tij. Rrinim shumë afër e mbetem dëshmitar i pikëllueshëm për tërë ato përpjekje, fyerje e dhimbje të tij, mos çante diku kolonat cinike të drejtorisë apo të forumeve artistike që t’i vihej vepra në skenë dhe atij. Një mundim prej Sizifi harmonizuar në atë fytyrë aq njerëzore që shfaqej herë me fisnikërinë e një rilindasi herë me butësinë e një fëmije: “Po amani, bre, veprën e kam për Shkollën e parë Shqipe!..Edhe unë dashkam të vuaj si martirët e saj?!..Mor drejtor Hajro, është 100 vjetori i kësaj shkolle pas dy vjetësh, bre! Të parët dhanë aq gjak për të...O u duhet kjo shqiptarëve sot në Kosovë, Çamëri, diasporë...Ç’nuk do bënin të tjerët!...Naimi i këndoi: ‘Lumja ti moj Korçë, o lule...Ta paçim përjetë hua!..Fundja vureni dhe pa emrin tim!..”.

Pastaj zëri i drejtorit fytyrerrët e zemërtharë: “Prisni ca në koridor, kam ca takime të ditës!” Orë të tëra pritjeje me krahë për muri në paradhomën e ngushtë. Hynin e mbaronin punë me radhë magazinierë, zyrtarë, bojaxhinj, miq radhe. Kompozitori psherëtinte dhe ndërronte këmbët në mbështetje për t’u çlodhur! Pastaj kalonte operën nga një dorë te tjera si të qetësonte personazhet që s’kishin pyetur as gjyle osmane e as thika greke. Ata heronj rilindas thua donin të dilnin nga partitura, të ndihmonin ku t’i kërkonte mjeshtrin atdhetar e artist që i kish rikrijuar ditë e netë pa gjumë. Por këtu, te drejtori me një kurs rusishteje për mësues s’e ndihmonin dot.

Drejtori dilte pas një ore duke menduar se qemë larguar dhe mërmërinte me qeshjen e përdredhur të tij: “...E pyeta e as Partia nuk ka shprehur ndonjë...Sidoqoftë do vihet, por kërkoja një regjisor të parë nga Teatri. U lidha me F. H dhe ai e mori...”.

Gëzonte si fëmijë kompozitori, edhe pse dyshonte. Venim te regjisori. Njerëzor e i çiltër, ai na priste me një nënqeshje të dhimbëshme si përgjigje se nuk kishin lidhur asnjë fjalë! “Ju ka përcjellë!“ Takuam ministren përkatëse! Fjalë në erë. Me njohje shokësh shkuam te ministri tjetër, për kulturën... Përsëri kompozitori mbetej i mohuar, i zhgënjyer. Fiton çmim në Konkursin Kombëtar, por më kot. Trokitje në aparatin e KQ. Asnjë zgjidhje.

Hartohen vërejtje të tjera. Kryhen dhe ato. Analizë e re. Gjykatës i parë i prerë qe Dh. Lazri. I ndjeri kompozitor me fytyrë të përskuqur mbytur djersë ridëgjonte gjykime shkatërruese nga tru të dhjamosur çiliminjsh. Si është e mundur, thoshte mënjanë, të vihet të gjykojë ky çun që me gjithçka mund të ketë lidhje veç me muzikën – jo!? Veç që është bir i funksionarit të lartë të KQ për politikën e jashtme! Pa shkollë të mesme (as Liceun artistik), i teket një mëngjes babait hijerëndë, dhe ai futet në Institutin e Arteve, konservator! Dhe vihet teoricien, të goditë një vepër për shkollën e parë shqipe! Po shoh një përmbysje...Një habi më të madhe se vrasja e tim eti”...E mbyllte bisedën e pikëllueshme që të mos vente më lart edhe pse qemë miq me kohë.

Pastaj iu afrua shtratit nga nuk do ngrihej më. Pavarësisht çfarë sëmundje e pa e paragjykuar, dhimbjen për veprën e kish të ngarkuar rëndë. Sa më shumë sëmurej aq më tepër ajo do t’i mbetej e vdekur! Sa më shumë e ndjente veprën të “vdekur”, të papërfillur, aq më shumë po shuhej drejt vdekjes. “Heronjtë e mi vdiqën për Shqipërinë. Unë pse po vdes!?..” më tha një ditë me një nënqeshje mes jetës dhe vdekjes.

Shkon në Athinë për mjekim te njerëzit e bashkëshortes, Polimies, po aq fisnike dhe e vuajtur. “Ika...” më foli para nisjes me qetësinë e shkuarjes në një dasmë! (s’kuptova, për ç’ “ikje” foli)! “Do shërohem se do vë veprën” shtoi. “Sidoqoftë nuk ka gjë...vepra do rrojë një ditë në skenë. Do ma marrë dhe hakun”. Futi Operën në një çantëz dhe u nis. Mjekëve grekë me një arvanitas mes tyre iu dhimbs; bënin çmos të shpëtonte ai që krijon muzikë! Po ai largohej përditë. E shoqja, dhe bashkëshorte dhe bashkëkoriste në Opera dikur, ia ndjente dhimbjen e dyfishtë.

“I rrija mbi kokë duke zëvendësuar Shën Mërinë” thoshte ajo pasi ai iku pa kthim. “Hapte sytë befas”. “Ku ishe?” e pyesja ëmbël. “Dëgjova zilen te shkolla shqipe në Korçë...Pastaj më foli Naimi me vargjet e tij: ‘Lumja ti, moj Korçë o lule...’ Bisedova me heronjtë e veprës!..” Ikte larg me mëndje duke ngulur sytë e lodhur në hapsirë nga dritarja e spitalit. Pastaj me buzët e nxehtë nga sëmundja mërmërinte lehtë, shuar, një çikëz melodi nga Opera, zërin e Pirros, xha Vanit, Dafinës, Parashqevisë...I përloteshin sytë!.. “Do kthehemi në Atdhe, thoshte befas. Te njerëzit e mi. Korça e para, më pret...”.   

E shoqja po kthehej në Shqipëri me dy “të vrarë”, të shoqin dhe veprën e tij. Opera mbyllur në atë çantëz vazhdon të flerë si në heshtje nderimi për mjeshtrin. Veprën e herojve të shkollës shqipe ai e bëri të gjallë, dhe vetë iku se nuk e përballonte dot vdekjen e saj prej zyrtarëve të Institucionit të tij. Më rri në vesh një pyetje e tij mbi Operën kombëtare të pafat, se pse De Rada e kish quajtur poemën “Skënderbeu i pafat”! Pastaj trishtimi i tij, tij se si është e mundur që në krye të Institucionit më të madh të vendit siç është Opera-Baleti të rrijë një mësues gjysmak i rusishtes vetëm se është i afërt i anëtarit të Byrosë Politike! Le ta bëjnë drejtor diku në një uzinë apo një fermë, veç t’ia largojnë artit vrasësin e artit!...

Pastaj nënqeshte si i vetëngushëlluar me gjuhën e ëmbël korçare: “Po ç’nuk bëhet, bre! Anastas Llakçe Avramidhi në Rilindje ndihu aq shumë shqipen dhe sponsorizoi veprat e Naimit, aq sa poeti i Madh ia vë emrin për nderim në krye te “Bagëti e Bujqësia”! Kurse lloji i drejtorëve si i Operës ia hodhën varrin në erë me dinamit në mes të Korçës. Asdreni na bën Hymnin Kombëtar, dhe të ligjtë e luftuan të mjerin sa mundën...Kam frikë mos na mallkon e na dënon Zoti...”

“Vëllai ynë, thotë e motra në Korçë, me muzikë u mundua t’i japë vendit çdo gjë të mirë kish në shpirt. Kurse vendi, domethënë shokët me zili e me fuqi zyre i dhanë aq vuajtje! Ai i shkreti nuk la shkollë e kombinat, tek i thanë, pa ndihmuar si mësues! Mesa duket, i ra si fat kohë e rëndë për ta përballuar shpirti i tij i butë! Vetëm ai në djep nuk flinte me të tundur, thoshte nëna, po me ninullë, me melodi zëri. Para se të hidhej gjella e drekës u binte lehtë me radhë enëve me lugë, u nxirrte zërin e i dëgjonte si e kishin, pastaj i mblidhte bashkë. Krëhërit i vinte një letër të hollë, e vinte në buzë e nxirrte zëra me të. Ndonjëherë nëna ia mirrte, babai ia kthente si në Korçë. I biri u hynte në mes me zërin e tij duke u vajtur pas e duke mbajtur mirë melodinë...”

“Babain e kishim nga të kohës - kujton vëllai në Tiranë - Shqiptar. Mik i Nolit e i Themistokli Gërmenjit. I zoti i punës e i nderit. Bëri ca para për vete e për Shqipëri duke i hyrë tregtisë së kohës. Dhe fëmijëve nuk ua ndau porosinë që të donin Shqipërinë. Dhe Vangjua jo nga halli, po nga ideali njerëzor ndihmoi që i vogël luftën për lirinë. U çlirua vendi. Babait i rrëmbyen pasuri e parà, gjer nënës i kontrolluan brezin, t’i gjinin dhe ato që kish fshehur si të shenjta nga martesa. Pastaj nga frika e gjyqeve ati ynë dogji ca parà e dokumente tregtie bashkë. Pastaj e vranë. Kur u hodh bomba në ambasadën sovjetike, ai qe në Durrës. Por e vranë. Ai në varr. Familja në kamion internimi në shi. Kostumin ngjyrë mjalti të babait ia njohën më pas një punonjësi sigurimi”.

Mbarojnë internimin. Vite pa punë.

“Zëri i tij i duhej korit të shtetit dhe hyri aty” thotë e shoqja. Aty u njohëm, përziem bashkë jetën dhe artin. Përziem dhe dramën e tij. Bënte këngë. Ndodhte, në mëngjes drejtoria i vinte në program koncerti. Në mbrëmje qenë të hequra. Kur në skenë na vinin “të mëdhenjtë” mua më mënjanonin si të deklasuar, të mos dukesha hapur. S’i harroj shoqet e mira të mira që thoshnin me pikëllim - hiqna ne në vend të Polimes - ! Merrja me vete vetëm lotët, dhe mënjanohesha. Në mëngjes me Vangjon kalonim nga udha e lulishteve. Më pyeste se ç’tingull kanë ngjyrat e luleve! Pastaj, ç’intonacion kanë krahët e bletëve! Pastaj një duet i lehtë intim bashkë! I ulja e i zbutja altot! Aty diku bënim fjalë të zakonta arti...Pastaj kalonte vështrimin çlodhës mbi barin dhe lulet. ‘Si tregimet e Sotir Andonit prej Korçës, thoshte. Art i hollë, puhi e ngjyra, magji të fjalës shqipe. Dhe të shkretin tregimtar s’e lanë të ngrerë shumë kokë! Se është artist, se është shqiptar. Do t’i paguajmë borxh karakterit’!..”

“Pas kësaj Opere, më tha në fund, do bëjmë një tjetër për arbëreshët kur ikën. Gjaku shqiptar tërë vitalitet si rrallë gjetkë! Ka dramë dhe art. E kam në kokë. Më lëvizin tingujt...” Pastaj këndoi një këngë të herët për babain: “Pando Nova nga Opari,/ këtë emër kush ia vari?/ U burgos nga gjithë më i pari / Ç’po fle ëmbël kryetari...”.

Ra e fjeti dhe vetë, si me faqen te vepra e tij! Jeta u varfërua me një artist. Vdekja u pasurua me një njeri.

Këtu në Gjenevë pashë një ditë Libretin dhe më vajti mëndja pikëllueshëm te Muzika e Operës: Ku po flë ajo? Si nuk kujtohet njeri për të?! Sa shumë i duhej sot dhe Korçës në trazirat që po i bën Kisha greke me veglat e saj, siç ua bëri dhe herojve të veprës së Vangjo Novës së paharruar.          

 

 

 

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1