Navigate archive
first first May, 2013 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | PERSONAZH | E DIELA IME I PËRKET MËSIMDHËNIES

E DIELA IME I PËRKET MËSIMDHËNIES

MEDITIMI

Mësuese....

Kjo është një fjalë që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës time. Përveçse më  kujton mësuesit e mi që në klasën e parë, më kujton dëshirën time që kur të rritesha të bëhesha një mësuese, e sidomos atë të prindërve të mi, në veçanti e babait. Është mbase e pabesueshme, por shumë herë më thërriste "mësuesja e babit". Më pëlqente shumë letërsia, më pëlqente të shkruaja poezi, të thurja vargje për çdo festë, më pëlqente të shkruaja për natyrën, të përshkruaja bukuritë e çdo stine. Me kalimin e viteve çdo gjë ngeli  si në të shkuarën, si një ëndërr femërore, ku mësuesi është idhull për fëmijët, e te gjithëve iu pëlqen ai rol.

Kur mbarova gjimnazin isha pak e lëkundur për zgjedhjen e vazhdimit te studimeve të larta. Babai i qëndronte asaj të dikurshmes, të vazhdoja studimet për gjuhë-letërsi. Mamaja donte të ndiqja rrugën e saj në fushën e mjekësisë, mësuesit e gjimnazit më sugjeronin degët shkencore, pasi edhe aty kisha shfaqur rezultatet më të larta. Të gjitha këto më bënë që të konkurroja në disa degë, e rezultatet më të larta i mora në degën e gjuhë- letërsisë. Kjo risolli në jetën time dëshirën për tu bërë mësuese. Por gjatë kësaj periudhe zbulova dhe se sa e bukur ishte gjuha jonë, sa e pasur, e që gjithmonë të tërheq të zbulosh shumë e me shumë për të, të gërmosh thellë në histori. Sepse ashtu si dhe shumë të tjerë edhe unë mendoj se gjuha jonë është më e vjetër nga çka është e dokumentuar. Ndaj pas diplomimit tim në 2008 për gjuhë- letërsi vazhdova  më tej studimet e mija edhe dy vite të tjera për gjuhësi historike.

Pas diplomimit jeta ime mori një rruge  tjetër, mbase jo atë që prisja, jo atë të planifikuar si çdo student, por atë që vetë zgjodha e që sot jam e lumtur për këtë.

Unë sot jetoj në Selanik bashkë me bashkëshortin tim dhe engjëllin tim Isabel. Ky ndryshim në jetën time më bëri që mos të kisha mundësinë të ushtroja profesionin tim.

Selaniku kur erdha për herë të parë nuk më pëlqeu shumë, nuk e di përse, mbase ngaqë më mungonte atdheu im, ndjeja mungesën e njerëzve të mi. Por Selanikun sa më shumë ta vizitosh aq më shumë të bën për vete, është një qytet ku mjafton të ulesh në breg të detit dhe shpirti e mendja futet në botën e artit. Për mua është qyteti i artistëve, i piktorëve dhe i shkrimtarëve. Por gjithsesi  çdo ditë ndihesha e paplotësuar, ndjeja që diçka më mungonte. Më mungonte aktivizimi im në jetën e përditshme, kishte ardhur koha për të realizuar diçka. Që nga ai moment fillova të kërkoja në internet gjithçka që kishte të bënte me gjuhën shqipe këtu në Selanik. Shkrime të shumta më dolën për shoqatën "Nënë Tereza " nga gazeta të ndryshme, sidomos për punën e saj  për hapjen shkollës së gjuhës shqipe, për veprimtaritë e shumta të saj, që nga mbrojtja e të drejtave të njeriut e deri te aktivitet e ndryshme në raste festash. Fillimisht kontakti i im i parë ishte me një nga mësueset e kësaj shoqate, ajo ishte e para që më dha më shumë informacion për shoqatën, se si ajo funksiononte, qëllimet, aktivitetet etj. Ajo më informoi dhe se puna jonë aty ishte vullnetare, por mua nuk bëri përshtypje kjo gjë, pasi isha informuar më parë për mënyrën se si funksiononte, për mua pak rëndësi kishte kjo gjë, ajo që unë kërkoja ishte jo vetëm të ushtroja profesionin tim, por edhe të isha pjesë e kësaj shoqate e cila brenda mundësive realizonte diçka për shoqërinë. Që në momentin e parë që i takova të gjithë u ndjeva si mes një grupi miqsh, ku të ulur së bashku rreth një tavoline hedhin mendime, ide të reja për realizimin sa më të mirë të punës sonë të përbashkët. Unë kam kënaqësinë të jem pjesë e kësaj shoqate, e këtij stafi mësuesish, e sidomos të jem mësuesja e atyre nxënësve që tashme janë pjesë e të dielës sime. Më falin një ndjesi që nuk e kisha ndjerë më parë, një emocion të papërshkrueshëm. Unë jam mësuesja e klasës së parë dhe ndihem shumë e lumtur kur shikoj ata nxënës aq të vegjël që vijnë me aq shumë dëshirë për të mësuar gjuhën e tyre të "nënës". Flasin një shqipe shumë të pastër, fjalët mundohen mos t'i ngatërrojnë, kurrë nuk e kisha menduar që flisnin kaq bukur shqip. Madje kam nxënës në një moshë akoma më të vogël, edhe 5 vjeçar, të cilët dëgjojnë me shumë vëmendje, shfaqin një interes të madh për gjuhën tonë.

Kur dëgjova për herë të parë tek më thërrisnin mësuese ndjeva në kënaqësi të papërshkrueshme, një emocion më vete. 

Tashme prej disa muajsh e diela ime i përket mësimdhënies. Vajza ime është në moshë të vogël e nuk mundet të rrijë pa mua, pasi unë banoj pak larg nga shkolla, ndaj e shoqëruar me babanë e saj më presin në oborrin e shkollës. Ndonjëherë ka dëshirë të ulet në bankat e shkollës, e dëgjon me vëmendje procesin mësimor. Më pëlqen që është e pranishme në ambientet shkollore, në shoqërinë tonë,  kjo gjë ndikon për mirë, si për formimin kulturor të saj, por edhe të gjuhës shqipe.

Nuk mund të le pa përmendur dhe festimet në ambientet shkollore që Shoqata realizon me rastin e festave të ndryshme. Janë momente që të sjellin harmoninë shqiptare, të shuajnë mallin për Atdheun...

Xhensila     Hoti

PORTRET I NJË RILINDËSE TË SHQIPES NË SELANIK NË 6 PYETJE...

Xhensila Hoti! Mbiemri juaj më kujton një trevë të vendlindjes sime, një perlë të bukurive shqiptare, Lurën, ku mbiemri Hoti është  i përveçëm. Ku i ka rrënjët Xhensila Hoti?

Në fakt mbiemri im i vajzërisë është Kodra. Ky mbiemër vjen nga malësitë e Tiranës nga është dhe origjina e babait tim. Ndërsa mbiemri Hoti është mbiemri i bashkëshortit tim. Vendlindja e tij është qyteti i Lezhës. Aq sa dhe unë jam e informuar edhe gjyshërit e tij aty janë të lindur, mbase rrënjët më të thella i kanë diku më larg.

Nëna juaj merret me shëndetësi, po babai?

Mamaja ime ka mbaruar studimet ne qytetin e bukur të Korçës për infermieri. Tashmë ajo punon në Vorë si infermiere, aty ku banon tashmë familje ime prej 13 vjetësh. Ndërsa babai im ka punuar për shumë vite në minierën e Kërrabës, ku edhe banonim më parë, tashmë ai është në pension.

Mund të mi përmendësh vendet dhe shkollat tuaja që nga klasa e  parë?

Kjo pyetje më pëlqen shumë, më  dhatë rastin të futem në të shkuarën e largët, në kujtime të thella. Nuk e di përse, po unë shpesh herë kujtoj momente të shkëputura, ngjarje të vogla në kohën që unë kam qenë në kopsht. Mbase mund të jetë pak e pabesueshme, edhe familja më thoshte nuk është e mundur, por kur tregoj ato çaste, detajet, atëherë e besojnë. Unë së bashku me familjen time jetonim në qytezën e Kërrabës. Është një vend i vogël ku banojnë qytetarë nga të gjitha vendet e Shqipërisë, më së shumti nga pjesa jugore e Shqipërisë. Mbase kjo është dhe arsyeja që flisnin një gjuhë të pastër afër shqipes standarde dhe jo tiransen e vjetër siç flisnin fshatrat përreth saj. Aty bëra filloren dhe tetëvjeçaren. Më 2001 pasi dhashë provimet e lirimit, së bashku me familjen time u shpërngulëm nga qyteza e Kërrabës për të jetuar më pas në qytetin e Vorës. Në shtator të po atij viti u regjistrova në gjimnazin e përgjithshëm "Isa A. Boletini" ku u diplomova në 2005. Po në atë vit fillova studimet e mija në Universitetin e Tiranës , Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega Gjuhe-Letërsi. Më 2008 u diplomova ne degën Gjuhe-Letërsi, ndërsa më 2010 u diplomova për Gjuhësi historike. Tema ime e diplomës priste dhe një zgjerim tjetër, e këshilluar nga pedagoget e mi, për doktoraturë. Por në pamundësi, për arsye të largimit tim nga Shqipëria, nuk vazhdova më tej. Por kjo nuk do të thotë se do ngelet e tillë përgjithmonë. Në momentin e parë që do të më jepet mundësia do të bëj te pamundurën ta realizoj.

Mund të mi përmendësh vendet dhe shkollat tuaja që nga klasa e  parë, si një vlerë për 7 marsin 2013? Po mësuesin e parë, bankën e parë, shokët dhe shoqet e para...?

 Mësuesi i parë...

Po ia filloj që nga edukatorja ime, edukatore Mazja. Sepse shkronjat e para A, B, C i kam mësuar që në kopsht. Në klasën e parë Mësuese Merza, ka qenë një grua në moshë, një njeri shumë i dashur për mua. Ajo kishte spikatur tek unë që gjithmonë doja të ecja shumë më përpara nga të tjerët, gjithmonë mësoja dhe mësimin e ardhshëm. I vetmi moment që më ka bërtitur, madje me ka tërhequr dhe veshin më kujtohet edhe sot. Ishte kur po lexonim të gjithë figurat gjeometrike me zë, e unë i lexova para të gjithëve dhe po rrija. Ajo vjen me kap nga veshi dhe më thotë: " Po ti pse nuk lexon?". Unë nuk fola dhe vazhdova të lexoja përsëri. Por qava shumë, qava se më shumë më preku në shpirt se sa më dhembi. Ishte motra ime më e madhe që ia shpjegoi të gjitha dhe më pas më kërkoi të falur. Këtë moment kujtoj më qartë nga klasa e parë, sepse është ai që më ka prekur më shumë. Më preku shumë dalja e saj  në pension, sepse vërtet që mësuesja e parë nuk harrohet. Pas largimit të saj në klasë të tretë kam pasur mësuese Qëndrimen, e në të katërt mësues Shabanin. Në tetëvjeçare mbaj mend që kishim edhe një gazetë të shkollës  dhe gjithmonë mësuesi i letërsisë me kërkonte të shkruaja vjersha. Madje një herë më kërkoi të shkruaja për luftën e Kosovës. U mbylla në dhomë, e pasi e mbarova ia lexoj mamit dhe motrave plot gëzim. E ato qeshin me të madhe e më thonë: "Po te kush revistë e more?" U preka shumë, asnjëherë nuk e besuan se kisha arritur ta bëja unë. Por më vonë e kuptuan talentin tim për të shkruar. Madje unë isha në tetëvjeçare e motra në gjimnaz dhe shpesh herë më kërkonte t'i shkruaja hartime. Më pas edhe në gjimnaz edhe pse nuk kishte një gazetë, në murin e shkollës në një kornizë, çdo muaj nxirrnim poezi dhe tekste në formën e një faqeje gazete, për probleme të ndryshme të të rinjve. Më kujtohen dhe sot temat që kam trajtuar, për drogën, për modën, e gjithmonë me ndihmën e mësueses time të sociologjisë dhe të filozofisë Alma Mara, të cilës i detyrohem shumë.

Në fëmijërinë time nuk mbaj mend vetëm një shoqe, por shumë, por për fat të keq shumë shpejt ndahesha prej tyre për shkak të fluksit të madh të emigrimit, dukuri  e përhapur shumë e atyre viteve. Gjithmonë pyesja veten sepse të gjithë thonë që:" vitet e gjimnazit janë ato më të bukurat." Por mund të them që është më se e vërtetë kjo gjë. Shumë miq të mirë, festa pa fund, kujtimet më të bukura. Edhe sot me përqindjen më të madhe ruaj kontaktet, e madje sikur mos jem shkëputur asnjëherë prej tyre. Më pas në Universitet. Jam kundër asaj që kam dëgjuar prej shumë të tjerësh që nuk ka miq të vërtetë, unë kam tre mike shumë të mira nga universiteti e që mund ti quaj miket e vërteta e më të mira. Kam kontakt të vazhdueshëm me to, më bëjnë shoqëri çdo ditë edhe pse ndodhem larg, nëpërmjet një mënyre apo tjetrës. I falënderoj që më janë gjetur pranë në çdo moment e më kanë ndihmuar që gjithçka të më duket më e lehtë.

Kur dhe pse u larguat nga Shqipëria ?

Bashkëshorti im jeton prej vitesh në Greqi. Gjatë pushimeve verore u njoha me të, me të cilin më 2010 kurorëzuam lidhjen tonë. Unë vazhdova të qëndroja akoma në  Shqipëri pasi kisha studimet. Pas diplomimit nuk kërkova të punësohesha diku për arsye se prisja të dilnin dokumentet për bashkim familjar. Por për shkak të vonesave, më 2011 arrita të largohesha nga Shqipëria për në Selanik, ku po në atë vit erdhi në jetë vajza jonë Isabel.

Në Shqipëri e keni ushtruar profesionin e mësueses?

Nuk arrita  të jepja as edhe një orë mësimi në Shqipëri. Ora e parë e mësimit ishte në tetor 2012 në shkollën e mësimit të gjuhës shqipe në Selanik. Unë jam mësuese e klasës së parë, e në momentin e parë që kam hyrë në klasë, kisha edhe unë po aq emocione sa kishin ato fëmijë që vinin për herë të parë. Por gjithmonë e më shumë kam dëshirë t'iu shpjegoj shumë e më shumë, gjithmonë e kalojmë orën e mësimit, qëndrojmë shumë më tepër në klasë. Asnjëherë nuk arrij ta kuptoj se si më ikën ora. Por akoma më emocionuese ishte sot, kur mora lulet e para për festen e 7 Marsit. Ditë të bukura që do të ti kujtoj gjithmonë.

 

Abdurahim Ashiku, Athinë 6 mars 2013

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1