|
Nuk thonë kot, se shpresa vdes e fundit. Edhe kur e vrasin, ajo diku në honin e shpirtit e ruan embrionin të gjallë, i cili pret veç një rreze drite që të shpërthejë për të rilindur prapë. Në qeli nuk lejohet të kesh letër, laps e ku ta di unë. Ndoshta nuk lejohet as të mendosh, por si askush ,edhe unë nuk e frenoj dot mendimin që më gëlon. Një thëngjill që gjeta rastësisht dhe muri do të më shërbejnë sadopak...për të të folur nga errësira.
Ti, dashuria ime u shndërrove në ëndrrën e jetës sime. Nuk di pse prindërit të vunë një emër të tillë “Nirvanë?! Mos vallë, nga që në ëndërr njeriu jeton realitetin dhe shpreson për ditë më të mira? Ndoshta...
Thonë se njeriu jeton me shpresa. Besoj se kjo është e vërtetë. Por mè duhet një arsye shumë e fortë për ta bindur veten, se përse duhet të jetoj. Në këto çaste shumë të vështira për mua , nevojitet shumë energji trupore dhe mendore që të dal mbi veten. Për fat të keq, më duken se të gjitha këto më janë shterur. Qenia ime më ngjan me një hiç. Përreth meje ka vetëm zbrazëti, boshësi dhe mosekzistenca e një dite tjetër të re për mua. Çdo mbrëmje pyes veten: “A do të ketë të nesërme për mua vallë? A do të mundem ta shoh agun e ditës së re? Do ta shijoj vallë ndonjë herë natyrën me gjithë ngjyrat dhe zërat e gjallë të saj? A do të mundem ta mbaroj vitin e fundit të “Tregtares” që ma ndërpreu lufta e mallkuar? E kam pasur ëndërr të vazhdoja studimet e larta në Milano, Sorbon apo Kembrixh, që nesër të jem “dikushi”.
Sa dëshirë kam që një ditë të bukur plot diell, të jap edhe unë vlerat e mija njerëzore. Por errësira e ferrit, ku më kanë zhytur, pjell vetëm errësirë, mykje truri, ngrirje gjymtyrësh dhe shpresa të vrara. Është aq e dendur sa edhe mendimet e mija për atë çka ndiej për ty, më duken sikur janë zhytur në mjegull. Bashkë me mua ato varrosen thellë e më thellë... Herë-herë më duket sikur më kanë kallur në një varr që s’më le të mbushem me frymë, sepse kthetrat e vdekjes më qëndrojnë si çekan mbi kokë.
Nuk di sa ishte ora..
Ndoshta mesnatë , më herët a më vonë, nuk e di.
Brenda qelisë e humb nocioninn e kohës, nuk di se çfarë është natë apo ditë. Në një orë të vonët më thirri hetuesi, të cilin s'e kisha parë kurrë më parë. Pasi nuk arriti atë që donte, më zhveshën lakuriq dhe xhelatët nisën të ushtronin zanatin. Nëse mungon viktima, xhelatët jo vetëm dalin në pension, por nuk quhen më të tillë. Sa herë humbisja ndjenjat më përmendnin duke më hedhur ujë të ftohtë. Pastaj shfaqej përsëri nejriu me kostum gri dhe me syza të errëta. Këtë herë ndryshoi taktikë. Plagët e freskëta m'i mbushën me kripë dhe nëpër to më ngulën spila ( gjilpëra me kokë). Ashtu pa ndjenja më kallën në qelinë e izolimit. Nuk di sa ditë do të qëndroj pa ujë, pa ushqim dhe i zhveshur në mes të acarit të dhjetorit. Nuk jam në gjendje të them se sa kohë kam qenë në kllapi.
Në gjumë dëgjoj vetëm një zë të mallkuar që fillimisht më ledhaton, më përkëdhel ëmbël e më thotë:
“-Ti je i dashuri im i ri. Tani je i imi…
-Hesht moj shtrigë! E kam një të dashur që më pret…
-Nuk e sheh se tani më ke mua pranë…?
-Si mund ta tradhëtoj atë…Nirvanën time?
-Por unë, unë të dua më shumë se kushdo. Tani je në dorën time. Më dëgjon, i dashur? Je kaq i ri, kaq i ëmbël…si mund të të le për një tjetër?!
-Cila je ti që më miklon e më ledhaton kaq shumë, sa nuk më lejon as të hap sytë e të të shoh se si je? Përse e ke zërin kaq të ftohtë? Dora jote është e akullt dhe po më shkakton rrëqethje e drithërima. Krahët e tu janë të fortë si prej metali. I ngjajnë darës , apo morsit që më shtrëngon e s’më lejojnë të marr frymë lirisht. Më liro pak se vetëm ashtu mund të të shoh. Si mund të të dua pa të parë? Me Nirvanën u dashurova qysh me shikimin e parë…
-Ti dhe Nirvana jote jeni të vdekshëm. Kurse unë… jam vdekja… e pavdekshme…Me mua ti do të kalosh në përjetësi. Të dy bashkë do të ecim për dore në botën e pafund dhe të pa anë. Unë do të shoqëroj që ta shijosh rininë e përjetshme. Kurrë nuk ke për ta njohur pleqërinë… Ndaj eja…eja me mua, se do të bëj të shohësh gjithë mrekullitë e botës. Jeta nuk ta ofron dhe as ta krijon një mundësi të tillë, kurrë.
-Si të quajnë the? Vdekje… ?! Mos vallë je ti, ajo që ke mbjellë errësirën përreth?
-Duhet të kaluar përmes errësirës e dhembjes, që të shohësh më pas dritën verbuese të përjetësisë.
-Jo, jo…mua më pëlqen jeta…Aty ku është Nirvana dua të jem, por…
-Eja sa nuk është vonë.
-Më duket e pabesueshme! Unë ndodhem në ferr, kurse ti më premton se do të më çosh në parajsë?! Kjo ftesa jote më duket paradoskale.
-Qysh këtu i shoh portat e saj të hapura vetëm për ty…Atje sipër po të presin mes një drite verbuese…
-Më lerë të qetë! Dua të fle. Kam nevojë për qetësi trupore, sepse atë shpirtërore ma jep vetëm Nirvana. Ik, ik e mallkuar!
- Eja bukurosh…je kaq i ëmbël… kaq njomzak…sa shumë do ta hijeshosh kopshtin e përjetësisë që gjendet vetëm në Parajsë!
-Mjaft! Pusho katile! Jeta, edhe pse me vuajtje e dhembje, është e bukur. Dua ta jetoj ashtu siç është. Ndaj largohu se po më shtrëngon fytin. Shiko, shiko pak atje tej, në horizont! Ajo që vrapon drejt meje, është e dashura ime, e ëmbla Nirvanë! Është aq e re, aq e brishtë, aq e pafajshme, ndaj nuk e meriton t’ia rrëmbesh lumturinë. Ik, ik se nuk të duroj dot. Ti je e ftohtë si akulli,”- hap syt dhe vdekja e egërsuar u largua duke sharë e mallkuar. Dalëngadalë trupi nisi të lëvizë.
Me vegimin tënd të shtrenjtë pranë, rinisa bisedën. Më kupto drejt, e dashur. Mos pandeh se kam lajthitur…?Vetëm se në ato çaste kërkoj diçka mbi fuqitë e mija të cilat më janë shterur. Zemër, kam nevojë për diçka mbinjerëzore…
Si…si ta mposht errësirën vallë? Duhet që ëndrrat e mija dhe dashuria jote të bëhen pishtarë për ta shpërndarë atë. Dëshira për të jetuar dhe për ta gëzuar jetën duhet të dalë mbi vuajtjen, mbi dhembjet çnjerëzore që po provoj. Që të mos i përfill ato, më duhet të shndërrohem në mbinjeri. Kjo është mbijetesa ime dhe e cilitdo nga ne që ndodhemi të rrethuar nga mure të padepërtueshëm, tela me gjemba që ngjasojnë me rrathët e ferrit, ku në secilin prej tyre, na shtohet edhe një lak në fyt… Në kushte të tilla, mbijetesën ta premton vetëm dashuria për jetën …një dashuri e madhe sublime. Janë ndjenjat e mija për ty, e shtrenjta ime. Ato më bëjnë të duroj torturat, të mposht dhembjet, me dashurinë që ndiej për ty, mjekoj plagët e trupit e të shpirtit të cilat janë aq shumë sa…Gjithsesi është kjo ndienjë e pakrahasueshme që më mban gjallë. Me sytë e mendjes, zhbiroj errësirën dhe vështroj gjithë ëndje kurmin tënd si lastar, e ëmbla ime.
E di që nuk më beson… Ti ke të drejtë të mendosh keq për mua. Ndoshta kujton se jam një i çmendur?…Jooo. Jo, e dashur, ti hyre në jetën time si Ylli i mëngjesit, Afërdita, që ndriçon në gjithësi më shumë se yjet e tjerë.
Mos më pandeh se kam luajtur nga fiqiri… S’e kam parë kurrë lakuriqësinë e trupit tënd , por me mend të zhvesh, shpesh herë. Këtu në qelinë e ftohtë, në netëvdekjet e vetmisë së pafundme shoh kurmin tënd, vetëm duke pasur parasysh, hijeshinë, brishtësinë, finesën tënde në ecje e gjithçka që të përket ty, e dashur... Por ka çaste kur dhembja arrin kulmin dhe atëherë… kërkoj vdekjen të më marrë. Në çaste të tilla si me porosi, i pari është zëri yt, si cicërimat e dallëndyshes së parë që kthehet nga shtegtimi dhe më ngjall së vdekuri…Më pas ti më rishfaqesh në vegime, e ëmbël, me lot në sy, me buzët që të dridhen dhe me dorën tënde më ledhaton. Ke frikë të m’i kapësh plagët, se mos më shkakton dhembje…Zë e m’i mjekon ngadalë me lotët dhe me gjuhën tënde…dhe unë i vdekuri i pakallur, rizgjohem nga gjumi i rëndë letargjik.
“Përsëri u riktheva në jetë…Ishe ti, e dashur, që më rilinde”. Faleminderit dashuria ime!
|
Na i vranë,
Keqas endrat,
Pa lulëzuar,
I lanë pranverat,
Por nuk i vranë dot shpresat.
Të përshëndes dhe të uroj shumë suksese.
Me respekt
Xhavit Gasa.
Post your comment