Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | OPINIONE | “ҪADRA E LIRISË”, “QEVERIA TEKNIKE” dhe “REPUBLIKA E RE”.

“ҪADRA E LIRISË”, “QEVERIA TEKNIKE” dhe “REPUBLIKA E RE”.

Font size: Decrease font Enlarge font
image Safet Ramolli

“ҪADRA E LIRISË”, “QEVERIA TEKNIKE” dhe “REPUBLIKA E RE”.

 Prej 18 shkurtit 2017, pra gati prej dy muajsh, në Shqipëri, në qëndër të Tiranës, në bulevardin me një emër të shenjtë “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”, (dikush në një shkrim e anatemon këtë emër sikur ka përvehtësuar padrejtësisht emrin e bulevardit “Bulevardi A. Zogu”), është ngritur një çadër mjaft e madhe, gjykuar në kuptimin semantik të fjalës “çadër”. Po cili është kuptimi semantik, pra ai i përmbajtjes, por edhe ai i vlerës së përdorimit në jetën e përditëshme, të kësaj fjale apo këtij nocioni? Në librin madhor “Fjalor i Gjuhës Shqipe”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pëkatësisht nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, viti 2006, fjala “çadër” ka kuptimin: – mjet për t’u mbrojtur nga shiu ose nga dielli, me pëlhurë të nderë në tela që hapen e mbyllen dhe me bisht zakonisht të drunjtë a të metaltë; ombrellë; çadër burrash (grash), por edhe “shemshie”, fjalë që nuk pasqyrohet në këtë fjalor por që përdoret rëndom në rajonin Korçë-Pogradec-Librazhd-Gramsh etj. Por nocioni “çadër” ka edhe kuptimin: – tendë pëlhure për të banuar përkohësisht; çadër ushtarake; çadër alpinistësh (gjeologësh) etj. Ky nocion ka edhe kuptimim figurativ: – strehë, mburojë, mbulesë etj. i shprehur me togfjalësha si: “iu bë çadër dikujt”, “u fut në çadrën e këtij apo atij”, “i shërbeu çadrës së atij apo këtij” etj.etj. Mandej fjalori i cituar më lart shpjegon edhe kuptimin e fjalës apo nocionit “çadrandreqës”, apo “çadrarregullues” etj., etj., çka do të thotë afërsisht, “...ai që ndreq apo riparon çadrat e...”. etj.

  Pyetja më e parë, që mund të formulohet apo të lindë është: kush apo cilët e ngritën çadrën? Mandej mund të vijnë pyetjet e tjera p.sh. cilët janë ngujuar apo frekuentojnë çadrën, nga cilët kërkojnë mbrojtje ata?, për të vijuar me pyetjen, jo për të gjithë dhe nga të gjithë: a është në vendin e duhur çadra? etj. etj.

  Nga sa u shprehëm më sipër, mund të pohojmë se PD-ja dhe disa mbështetës të saj (disa “partiza” apo “partiçka” që vërdallosen rreth saj si ato bimët parazitare ndër pemët hijerënda të pyllit), kanë ideuar dhe zbatuar “nxitimthi”, ngritjen e kësaj çadre për zgjidhjen e kontradiktës së opozitës me pozitën, pra si alternativën e vetme midis shumë alternativave, për t’u mbrojtur “nuk e dinë se nga kush”, sepse çadra mbron ose nga shiu, ose nga dielli, dhe nga askush tjetër. Pra, nga cilët të plotfuqishëm apo cilat rreziqe, mbrohen këto parti në një “çadër politike”?!!! Në këtë “çadër politike” tejet ekstremiste dhe jo mbarëpublike, janë “ngujuar” me ndërresa nga treva të ndryshme të vendit si rojet në vendroje, duke dëgjuar muzikë sipas shijeve personale apo duke luajtur domino, shah, loj e mos u nxeh, etj. etj. apo duke pirë kafe etj., të cilët, disa edhe me “qeleshe”, duartrokasin dhe ngrejnë dy gishta lart sipas dirigjentit, kur vijnë drejtuesë të partive politike përfshi edhe atë “faqeziun”, siç e ka epitetuar kreu “historik” i demokratëve, artistë dhe shkrimtarë “të realizmit socialist”, por edhe plaka e pleq që “në gen” apo “lëngstërlëngu”, siç shprehet populli, kanë qënë e janë demokratë në shpirt. Këta “duartrokitës” të zellshëm ngrihen e ulen, freskojnë apo u shuajnë etjen oratorëve, dhe për disa syresh, që i njohim, ndjejmë edhe keqardhje. Por keqardhje ndjejmë edhe për ndonjë “ardhës” nga Austria, nga Italia, nga..., apo edhe nga Amerika, të cilët na tregojnë se “është më mirë të hash bukën me gjellë se sa thatë”, sikur shqiptarët nuk e dijnë këtë!!!

Por unë mendoj se “çadra e lirisë”, “çadra e rojeve të lirisë”, apo edhe epitetime të tjera, që i janë atribuar apo mund t’i mvishen në të ardhmen, është vendosur apo instaluar në vendin e gabuar. Dhe ja pse. Ajo është vendosur në një bulevard me një emër gjithëkombëtar “Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit”, ku për rrjedhojë kanë të drejtë të lëvizin lirisht jo vetëm ata që pandehin se janë demokratë por edhe të tjerët. Personalisht jam ndier “i tradhëtuar” në dy-tre raste, kur më është dashur që për nevoja urgjente shëndetsore, të “dredhoj” rrugicave, sepse rruga kryesore ishte e zaptuar nga ata që luanin tavëll, domino, letra, etj. apo konsumonin kafe, raki etj., që ta kenë gurrmazin “më të çelur” për të shoqëruar djaloshin “Basha” në recitimin e tij përditësor për “republikën e re”, për “shporrjen dhe burgosjen e kryeministrit”, “për zgjedhje të lira e të ndershme”, “për ardhmërinë e fëmijëve tanë” (se të vetët i ka në Hollandë) etj. etj. duke lëvizuar dorën e djathtë lart e poshtë sipas një anekdode, që rrëfehet jo pa shpoti nga populli, për intimitetin e një gomari me një pelë.

Do të jetë në mençurinë e z. Basha, por edhe të tjerëve që e shoqërojnë atë si shkrimtarë, artistë, të rinj e të reja, të përndjekur dhe të persekutuar, gra dhe femra që presin të bëhen nëna, por edhe gjyshe e gjyshër, që në respektin e katër viktimave të shkaktuar pikërisht aty ku ngrihet “çadra e lirisë” në prani të z. Basha, atëmot ministër i brendshëm, më 21 janar 2011, që ajo çadër të zhvendoset sepse është në vendin e gabuar, për të mos thënë edhe në kohën e gabuar. Viktimat e pafajshme, shkaktuar edhe nga Musolini apo Hitleri respektohen kudo në botë. Atëhere kjo çadër përse shërben? Ajo nuk ka për funksion as mbrojtjen nga shiu apo dielli, por është një tendë ku banojnë përkohësisht qytetarë të ardhur nga territore të ndryshme sipas një grafiku apo urdhëri që u bëjnë partitë politike, duke u shndërruar kështu në “çadër të dikujt”, (kuptohet të politikanëve) për t’i mbrojtur ata nga ndëshkimi për padrejtësitë që kanë bërë në kurriz të popullit për një çerek shekulli.

  Slogani “Qeveria Teknike” dhe ç’presim prej saj?

  Togfjalëshi “Qeveri Teknike” nuk është as i panjohur por as edhe i paprovuar nga shqiptarët, të cilët për fat të keq, e kanë vuajtur në mënyrën më të keqe të mundëshme në kurriz administrimin apo qeverisjen“allateknike”, “allastabiliteti” dhe shkërrmoqjen e tyre nga ata që i gatuan këto lloj qeverimi. Ҫështja shtrohet fare thjesht: kush do ta ndërtojë apo konstruktojë këtë “ngrehinë”, në të cilën do të fusin duartë dhe do “të japin mend” (se për kontribut nuk mund të bëhet fjalë), të gjitha partitë kërpudhore që vegjetojnë në Shqipëri? Fjalime dhe mësime për këtë krijesë “çudibërëse” mbajnë dhe japin çdo ditë në të 24 orët e saj, pikërisht ata që e katandisën në këtë ferexhe këtë vend e popull (të më falin lexuesit për sloganin turqisht të përdorur, por s’dëshiroja të përdorja fjalë më rrënuese). Por papërgjegjshmërisht, asnjëri prej tyre nuk ka kurajon të pranojë mëkatin, që i ka bërë këtij populli, duke e zvarritur pa pikë mëshire dhe keqardhjeje nëpër zgripa dhe duke e çuar në prag të greminës apo honit të rrezikshëm jo vetëm një herë. Të drejtën për një qeverisje dhe administrim më të mirë dhe me më shumë ndershmëri e ka vetëm ky popull, i cili si një mallkim, nuk e di se prej kujt, ka gëlltitur i shtrënguar fort përfyti gjellën e helmët që i kanë servirur disa politikanë të pafytyrë, të cilët korrupsionin dhe mashtrimin e kanë profesion të vetëm. Askush nga “oratorët”, njëri më Ciceron se tjetri, nuk jep shpjegim nëse në këtë “ngrehinë” do të bëjnë pjesë faktorët dhe aktorët e qeverisë aktuale apo të “republikës së vjetër”, dhe çfarë kontributi me vlerë apo pa vlerë presin prej tyre, në kushtet kur i kanë akuzuar si ideatorë dhe shkaktarë të çdo lloj krimi që kryhet në botë!!! Askush nuk e gjen të arsyeshme të thotë edhe një fjalë të vetme, se çfarë mund të ndodhë në se në këtë “ngrehinë” nuk do të pranojnë të marrin pjesë administratorët e ligjshëm të zgjedhur me votën e atyre që janë jashtë “çadrës së lirisë” por edhe brenda saj?!! Për më tej, populli ka të drejtë të mësojë se kush do t’i përzgjedhë drejtuesit e Qeverisë Teknike, dhe a nuk janë ata pjella apo produkt qoftë i politikës “antishqiptare, antievropiane, antiamerikane e anti të tjera” për të cilat akuzohet me shumicë qeverisja aktuale, apo “delegim i qeverisjes te populli dhe për popullin, qeverisje proevropiane dhe proamerikane dhe pro të tjera” që servirin po me bollëk ideologët çadristë!!! Shqiptarët, në se nuk kanë zgjidhur në minimum strehimin, në se nuk kanë mbushur barkun me bukë thatë apo nuk shuajnë dot etjen për ujë, në se nuk blejnë dot ilaçet apo nuk ngrohen në të ftohtin acar, në se nuk janë në gjëndje të kryejnë apo plotësojnë as një detyrim fare të thjeshtë ndaj prindërve, fëmijëve, nipërve apo mbesave sepse janë xhepagrisur, etj. etj., janë të tejngopur me sjelljet korruptive të drejtuesve të administratës shtetërore dhe me padrejtësitë që ofrojnë ata që paguhen për të dhënë drejtësi. Për të marrë një vërtetim për kryerjen e shërbimit ushtarak aktiv, duke u vënë në dispozicion dokumente autentike dhe të besueshme, jo vetëm që duhet të presësh jo më pak se 2,5 muaj, por edhe merr një përgjigje negative krejtësisht të gabuar. Për të zgjidhur një problem tek ujësjellësi sepse je faturuar afrofe dhe jo në bazë të frymëve, duhet të sorollatesh jo më me muaj por me vite dhe nuk merr dot shërbimin e kërkuar. Të shkosh për një rast urgjence tek pediatria, duhet “t’i kesh bërë mirë hesapet”, sepse personeli i shërbimit të adreson farmacinë ku do të blesh medikamentin e nevojshëm. Të kesh problem me drejtësinë, duhet të mallkosh vehten që ke ardhur në jetë, dhe kështu edhe për probleme të tjera. Prandaj çdo “republikë e re” që mund të ngrihet sa herë bëhet rrotacioni i pushtetit, për shqiptarët ajo ka qënë dhe do të mbetet për mjaft kohë “e vjetër”, arkaike, anadollake dhe mjaft epitetime të tjera të ngjajshme me këto. Kjo tashmë fatkeqësisht ka marrë vlerat e një aksiome dhe nuk ka nevojë për vërtetim. Prandaj “të dashur” politikanë, në se besoni sado pak në perëndi, se sa për cipë në faqe nuk bëhet fjalë t’u ketë mbetur(asnjëri prej jush dhe asnjëherë nuk skuqet apo zverdhet), mos i bini më në qafë këtij populli fukara, i cili është pa pretendime, kërkon një krodhë bukë më shumë dhe tre herë në ditë ujë nga ai që na i ka falur natyra!!! Popull më fisnik dhe bujar se ky, që për fat të keq administrohet prej jush, nuk mund të gjesh në rajon, por edhe më tutje.

Me shumicë flitet për një “republikë të re” në të cilën pushteti do t’i delegohet popullit dhe vota do të administrohet apo shkojë për atje ku është destinuar etj. etj. Por a mund të shpreheni “më troç” se cilët për 25 vite kanë ngritur republika që janë “vjetëruar” pa nusëruar?!! Kush e mbolli farën e hidhët të vjedhjes, të manipulimit, të grabitjes, të blerjes dhe shitjes së votave?!! Cilët janë ideatorët, urdhëruesit dhe ekzekutuesit e shitblerjes së deputetëve, fenomen i vazhdueshëm që na ka prodhuar  parlamente, presidentë, qeveri?!! Një “republikë e re” nuk mund të realizohet nga ata që kanë bërë, të paktën “zhvirgjërimet” e mësipërme. Edhe bariu apo bujku më pak i informuar, kur kërkon të përmirësojë racën e bagëtive apo farën e të mbjellave, nuk ndërron vendin e vathës apo të shtrungës, nuk ndërron parcelën e tokës, por përmirëson kultivarët (damazë, u thoshte populli kafshëve për rifreskimin e tufës), apo përzgjedh farën më produktive. Prandaj ka ardhur koha, bile është tejkaluar prej vitesh, në Shqipëri, të gjenden politikanë larg racës të shëmtuar të vjedhësve, të grabitësve, të kërcënuesve, të allishverisheve, për mos thëtë të kriminelëve etj.etj.

Politikanë! Po na tmerroni, po na poshtëroni dhe pështirosni pa kurrëfarë feje!

Për 25 vjet kemi dëgjuar prej disa nga ju vetëm klithma, kërcënime, sharje, fyerje... Kemi qarë dhe mbuluar edhe viktima: është deklaruar shifra prej 3000 të tillë si rrjedhojë e politikës së mbrapshtë në vitin 1997; njëzet e gjashtë të tjerë gjetën fundin e jetës krejt pafajësisht në kasaphanën shtetërore në Gërdec, më shumë se 300 kanë përfunduar në fund të detit Adriatik apo Jon po për shkak të keqqeverisjes; 4 vetë u vranë në bulevard nga punonjësit e shtetit dhe me armët e shtetit etj. A nuk janë boll këto shifra për një pëllëmbë vend dhe një grusht popull sikurse jemi ne?!!! Nga “çadra e lirisë” kemi dëgjuar më se një herë klithma dhe thirrje histerike si: nëse nuk jep dorëheqje kryeminsitri dhe nuk krijohet qeveri teknike, vendi do të shkatërrohet; në se nuk jep dorëheqje kryeministri dhe nuk krijohet qeveri teknike, ministri i brendshëm nuk do të hyjë në zyrë pa shkelur mbi trupat e protestuesve, përfshi edhe trupin e kryeministrit të ardhëshëm; ose do të ketë zgjedhje të lira, ose ky vend do të shkatërrohet (ndiqni lajmet e NEWS-24 dt. 18-19 shkurt 2017) dhe plot të tjera si këto. Janë anatemuar dhe mallkuar me shprehjen “Turpi i mbuloftë përjetë!” diplomatë evropianë; janë akuzuar “për pazare” dhe “cënim të sovranitetit” por edhe për veprime dhe qëndrime të njëanëshme përfaqësuesit kryesorë të Evropës dhe SHBA-së etj. etj

Politikanë! Përse ndiqni politika populiste dhe prezantoheni si përfaqësues  të popullit?!! Përse në recitimet tuaja të përditëshme shpreheni sikur flisni në emër të popullit dhe të kauzës së tij?!! Populli ua ka dhënë “racionin” me vota, prandaj betohuni e stërrbetohuni për “racionin” tuaj por jo për popullin në tërësi. Përse artikuloni shprehje që nuk përputhen fare me natyrën tuaj si “Zoti e bekoftë Shqipërinë!” apo “Zoti i bekoftë shqiptarët!”, etj. kur ju jeni shndërruar për popullin në njerëz që shisni interesat e tij, që premtoni prej 25 vitesh dhe nuk mbani fjalë; që keni dhënë shembull disa herë se nuk dëshironi të administroni popullin me dashamirësi por e keni zhvatur atë në të “shtatë” lëkurat (në se i ka); që e keni drobitur shpirtërisht aqë sa edhe në televizor nuk shikoheni më; që nga gojët tuaja villet vetëm vrer dhe pesimizëm. etj. etj.

Në keni perëndi, jeni të lutur: Boll më! Ky popull është i fatkequr dhe nuk ka më lëkurë për t’i rrjepur! Lëreni popullin në rrjedhën e tij dhe mos “i jepni duartë” kur nuk dëshironi “t’i jepni dorën!” Amen!!!

Safet N. Ramolli

Tel. 2 / 434 381; Cel. 067 29 0 067

Mesprilli, 2017

 

 

Comments (1 posted):

Guri Naimit D. on 29/04/2017 13:05:41
avatar
Me kete mbylljen tuaj jam i nderuar Safet Ramolli sa shkruani me siper.
Ne andej nga ana jone themi:
-"Shkofte reja ju degjofte..."z.Ramolli.

Guri Naimit D.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1