Navigate archive
first first May, 2013 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | OPINIONE | Vepra e Visar Zhitit

Vepra e Visar Zhitit

NË VËND TË HYRJES - Duke filluar që nga dit’e par’e vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri e në vazhdim, si çdo çfaqje tjetër e jetës shoqërore që u vu nën një kontroll i cili dora dorës erdhi edhe u bë gjithënjë e më i rreptë, kështu edhe letërsia si edhe të gjitha botimet e ardhëshme erdhën dhe iu nënështruan një site politike partiake nga më të imëtat !  Nga që pikësynimi i këtij shkrimi nuk është t’i analizoj fazat nëpër të cilat u shtri kjo metodë që u tregua tamam policore ku, për një poezí apo tregim autori u persekutua apo u dënua nga burgim e deri në pushkatim ose varje, por një kënvështrimi nuk ia ndaloj dot përparësín’e të paraqiturit : është fjala lidhur me dy qëndrime që mbaheshin ndaj autorëve të gabimeve, ku njerit as i zihej në gojë gabimi, kurse tjetri … dënohej skajshëm si fajtor !  Konkretisht, veprat e Enver Hoxhës që filluan e ndiqnin njera tjetrën, sa vinin e bëheshin kundrathënëse ndërmjet tyre, (duke filluar nga qëndrimet ndaj aleatëve tanë më të ngusht’e të dashur fillimisht e në vazhdim po ata të kthyer në armiq të betuar kundra vëndit tonë), aq sa erdhi puna dhe në mbledhje kolektivash na thuhej : Sapo të shkoni në shtëpi do t’i nxini me stilolaps emrat e Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos si edhe gjithë tradhëtarëve në udhëheqjen e ushtrisë sonë në çdo faqe që të gjënden dhe do të blini botimin e ardhshëm të korrigjuar të kësaj vepre … . Pra heronjt’e popullit të faqeve t’asaj vepre ktheheshin në tradhëtarë sa hap e mbyll sytë kurse autori i veprës, Enver Hoxha, jo që nuk guxohej të përgojohej lidhur me pohimet diametralisht të kundërta të tija por, përkundrazi … falënderohej se si i zbulonte dhe i dënonte tradhëtarët derisa thuajse të gjith’ata q’e patën rastin t’a ndihmonin, t’a mbështesnin edhe me rrezikimin e jetës së tyre, i zhduku herë me kurthe, (gjatë periudhës luftës), e herë me gjyqe-farsa në vazhdim ! 

Nuk ndodhte kjo me Visar Zhitin si edhe me gjithë vargun e shkrimtarëve dhe artistëve të cilët dënoheshin pa mëshirë vetëm se ekspertët letrarë supozohej se gjenin pozicionime kundrare-volucionare në shkrimet e tyre (?) e në vazhdim hetuesit, mbështetur në ato pohime … hartonin akt – akuzat ndaj të vendosurve në shënjestër ! Po … i marrim me radhë krahasimet.

VLERËSIME TË HUAJSH SI DHE VENDASISH – Për të gjith’ata q’e dijnë se si qé vlerësuar Visar Zhiti në agun e Shekullit të Ri, pa dyshim që vlerësimi i tij ka përbërë për né krenarí të themeltë.  Por edhe për ata q’e mësojnë vetëm sot, prap se prap edhe ata mbushen me krenarí të ligjëshme kur mësojnë se me ardhjen e Shekullit të Ri në Romë, pikërisht në qytetin–djep të Kulturës Klasike Latine, në sheshin e famshëm Navona i cili pa as më të voglën mëdyshje është krenaría e Romës Baroke ku i derdhën talentet e tyre skulptorët si edhe arkitektët nga më të famëshmit e të gjitha kohëve si Gian Lorenzo Bernini, (me shatërvanin e katër lumenjëve Danubi, Gange-i, Nili si edhe Rio della Plata, lumenjt’e katër këndeve të botës), e gjithashtu Francesco Borromini dhe Girolamo Rainaldi, (vepër e të cilëve është kisha e Sant’Agnese in Agone e vendosur përballë shatërvanit të famshëm), qé vendosur një pllakatë madhështore me vargjet e kujt ? Me vargjet e poetit shqiptar Visar Zhitit !  Vetëm ky fakt padyshim që na bën krenarë.  Po duke e zgjeruar këndvështrimin e duke pohuar që me atë rast në Piazza Termini të Romës ishte vendosur po një pllakatë madhështore me vargjet e kujt ?  E atij mendimtari që ka qenë themeluesi i konceptit Weltliteratur, (letërsí botërore), dhe nga ana tjetër pati një ndikim themelor edhe me mendimin e tij filozofik rreth spekullimeve të Hegel-it, e që rrezaton me emrin Johann Wolfgang Göethe !  I njajti nderim si Göethe-s e gjithashtu Visar Zhitit !   

Natyrshëm lind pyetja :  Ky nderim që iu bë këtij poeti shqiptar, a pati ndonjë vazhdim ?  Fakti që u paraqit më lart i ngjarë në kapërcyellin e shekullit të kaluar me atë që përjetojmë është vetëm “A-ja” e një vazhde.  Pa u zgjatur, nuk ka se si mos të vihet në dukje se në njerën nga të përdi-tëshmet italiane nga më me emër, e pikërisht në Corriere della Sera, me datën 21 Dhjetor 2012, kritiku letrar Sebastiano Grasso i kushton poetit dhe shkrimtarit Visar Zhiti analizën me titull “Poeti gladiator në luftë me Tiranën” duke i dhënë cilësorët muzikant, (në fushën e letërsisë – shënim M.K.), Kalorës i Varrit të Shënjtë, artist, ushtar, zemër parandijuese, Poeti Engjëll edhe pohimin … pa dyshim, Visar Zhiti është absolutisht ndër poetët më të mëdhenj europianë !”

Kurse kolegu i tij, Davide Brullo, në mes tjerave në artikullin e tij në revistën “La Voce” shprehet për Visarin më 29 Janar 2013 si vijon :  “… Visar Zhiti nxjerr përshkëndijime drite që nga errësira … artisti që i hedh dritë çnjerëzimit njerëzor e pra roje në pragun e natës së njerëzimit … artist i kalibrit të Varlam Shallamovit !” Përgjatë kësaj vazhde natyrshëm lind pyetja : Ç’nuk do të jepnin shkrimtarët e rrymës realizmit socialist e gjithashtu edhe historianët e periudhës së diktaturës që veprat e tyre, të shkruara sipas mësimeve të nënës partí, të mund t’i zhduknin, (gjë q’e kanë bërë me të gjitha mundësit’e tyre e për këtë kemi prova konkrete), e t’i rishkruanin sipas kamuflazhit demokratik, gjë që deri në një farë mase vazhdimisht po e realizojnë. 

Nisur nga sa u radhit më sipër vërtet që është një kënaqësí e posaçme të mund të shprehemi lirshëm, e zezë mbi të bardhë, se sa m’e njohur që të bëhet vepra e Visar Zhitit në Perëndim, aq m’i fuqishëm do të bëhet vlerësimi i saj për vetë vlerat që mbart si edhe horizontet krejtë të panjohur që u hap lexuesve perëndimorë duke e lexuar veprën e madhe të një shkrimtari vëndi të vogël !

T’ua rikujtojmë tashti lexuesve të nderuar se ç’ngjiste në Atdhé përgjatë viteve të asaj s’ashtuquajtur demokrací popullore !  Ishin përzgjedhur nga partia dy anëtarë të Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve, Ramazan Vozga si edhe Pandeli Koçi, të cilët hartuan një akt ekspertimi çvlerësues si edhe akuzues njëkohësisht ndaj veprës Visar Zhitit, të prirur ata nga njera anë nga cmira e tyre për një koleg, e kamufluar kjo cmirë nga servilizmi i tyre ndaj partisë ! Kësisoji, pa u zgjatur fare me hollësira por pa e lënë kuadrin pa e ndriçuar, në dosjen me nr.12102 të Arkivit të Ministrisë Punëve të Brëndëshme, akt ekspertimi ndaj Visar Zhitit formulohet si vijon : “Edhe pas Plenumit të IV-të të K.Q. ai është bartës ideshë të gabuara politike si edhe konceptesh dekadente … ky pseudo-poet mbjell barëra helmues në kopështin e pastër letrar si element armik që është !”  Data 24 Tetor 1979. Pikërisht ky akt ekspertize me frymë skajshëm lufte klasash, i mbështetur në cmirë si edhe një dashakeqësí rivaliteti skajor, tipik i të paaftëve, (mbase edhe rezultat i mungesës personalitetit të tyre, për të mos pranuar t’a bënin një akt-akuze të kësaj natyre, duke u bërë vegla të së tjerëve), i paraprin zyrtarisht veprimit të organeve të sigurimit ! 

Sa për t’i sqaruar lexuesit rreth kushteve të kampeve-burgje ku pregatiteshin t’a degdisnin Visar Zhitin ekspertët letrarë, kolegë të tij, mjafton t’a citojmë letrën që i dërgon qeverisë drejtori i minierës së Qafë Barit ku ai shpreh kërkesën ndaj qeverisë që të instalohet një kamp të burgosurish atje sepse minatorët civilë, me gjithë shpirtin e tyre revolucionar, në kushtet e asaj miniere, nuk arrinin t’a shfrytëzonin atë !  E nëpër ata kampe-burgje-pune të detyruar si Spaçi dhe Qafë Bari e kaloi një pjesë të rinisë tij edhe Visar Zhiti me shokët e tij sepse njëra prej akuzave të akt-ekspertimit për Visar Zhitin ishte edhe : “… Visar Zhiti e konsideron vëndin tonë një dhomë të errët vetmíje që duhet braktisur me forcë … e pra ky bën aluzion të drejtpërdrejtë për veprime kundrarevolucionare !”

KRAHASIME MENDËSÍSHË – Jam i detyruar t’a përsëris edhe një herë se sa e madhe është kënaqësía e ime që sot, mbas shkërmoqjes së diktaturës, (tek ne fatkeqësisht diktatura nuk u përmbys por së paku u shkërmoq), dhe pa hyrë fare në konsiderata karakteri politik, ia kam arritur ditës që të shpreh mendimet e mija krejtë lirshëm dhe jo vetëm kaq por … t’a kërkoj edhe miratimin e lexuesit i cili, duke miratuar pikëpamjet e mija, jo vetëm ai por as unë, (qoft’edhe në mungesë), nuk dënohemi për agjitacion e propagandë !  Kjo themelorja.  Por edhe jo më pak i rëndësíshëm është fakti që në një terren praktik jo vetëm që e kemi mundësinë, nga njera anë t’i qëmtojmë të vërtetat, (pikërisht ato të vërteta që si shkrimtarët e realizmit socialist e gjithashtu edhe historianët e asaj plejade i dinin, nga arkivat ku e kishin autorizimin të futeshin, por nuk i zinin në gojë), dhe duke i shfrytëzuar ato dokumenta ne sot, nga ana tjetër, me zë të lartë të nxjerrim përfundime duke i krahasuar dy mendësi, atë të periudhës së diktaturës si edhe atë të sotmen : e para, letërsia e rrymës së Realizmit Socialist, e ndrydhur dhe e pasinqertë, kurse kjo e sotmja e çiltër dhe e ndíer ! Ky pikërisht edhe muri q’e ndan veprën e Visar Zhitit nga ato të Realizmit Socialist ! 

Pikërisht tashti i erdhi radha një sqarimi.  Simpoziumi që do të zhvillohet në New York,  organizuar dhe drejtuar nga Shtëpia e Lirisë Shqiptaro – Amerikane me 18 Shkurt të këtij viti, si emërtim të punimeve të tij do t’a mbajë titullin “GJYQI I NEW-YORK-ut”.  Atje nuk është se do të zhvillohet një gjyq karakteri juridik, jo, në asnjë mënyrë, por ai simpozium e ka si pikësynim të hidhet dritë rreth shkaqeve, si edhe akuzave që iu drejtuan ndonjë vargu tek, tuk, të shkruar nga poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti përgjatë diktaturës e të përdorur nga hetuesit e sigurimit famëkeq për t’a dënuar me 10 vite burg autorin e atyre vargjeve.  Kjo nga njera anë. Nga ana tjetër, në vazhdim të hidhet dritë se si ky poet edhe shkrimtar i madh me po ato ndjenja që ushqente edhe kur ishte i burgosur, me një shpirt artisti të rrallë si edhe me një humanizëm të skajshëm shkruan edhe sot, mbas daljes nga burgu, për atë periudhë që krejtësisht padrejtësisht ia nxiu një pjesë të viteve të rinisë tij !  Artisti nuk del dot nga vetja dhe mbasi del nga burgu e mbasi shkërmoqet edhe diktatura, duke i kujtuar rrethimet me tela me gjëmba ai shkruan : “… S’po ngopesha duke parë telat me gjëmba të rrethimit, ishin si një solemnitet memec me tejdukshmërí të pabesueshme …” ! E në vazhdim, ky artist i fjalës si edhe i ndjenjave, shprehet së rishmi lidhur me telat me gjëmba se si i dukeshin ata gjatë dimrit me dëborë : “ Edhe telat me gjëmba guxonin të zbukuroheshin, lule të bardha bajamesh, dhe nuk kishe se si mos të ndjeheshe i fismë ashtu rob mes tyre !”

Këtij shpirti poetik si edhe skajshëm njerëzor, nuk kam se si mos t’ia ve në dukje edhe një këndvështrim të denjë vetëm për një Baba Rexheb të vogël i cili vetëm di të dashurojë edhe të falë !  Visar Zhiti, edhe mbas vitesh të gjatë pune dërrmuese në ato miniera që, mes gurësh bloje gjigandë e të ashpër ia bluan kockat si edhe ndjenjat por nuk ia mposhtën dot shpirtin prej artisti, tek i shikon hekurat e frëngjisë burgut shkruan sot : “ … Kaq bukur këndoi bilbili / Tek hekurat e frëngjisë sime / /Sa edhe hekurat m’u bënë / Degë të gjelbra qershije /…

Duke i kundruar tashti dy tiparet diametralisht të kundërt me Visar Zhitin, të atyre dy anëtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve që, me indoktrinimin e tyre komunist, këtë njeri me shpirt artisti dhe me ndjenja skajshëm njerëzore e emërtojnë pseudo-poet si edhe e akuzojnë veprën e tij si reaksjonare, krejt natyrshëm më vijnë në mëndje dy përkufizime personalitetesh të mëdhenj si Baba Rexhebi e gjithashtu Presidenti Ronald Reagan, të cilët respektivisht kanë pohuar, i pari lidhur me çfytyrimin e njerëzimit :  “Egoizmi, i cili në shekuj i ka mbruajtur si edhe u ka dhënë shtat tiranëve si edhe diktatorëve e më pas gjithë fatkëqinjëve që nuk duan njeri veç vetes së tyre, po nuk u zhduk, nuk sundon dot dashurija si edhe mirësija e ndërsjellë !” 

Ndërsa kur u pyet Presidenti Reagan cila shtysa për në komunizëm, ai u përgjigj me gjashtë fjalë, vërtet vetëm gjashtë por … monumentale :  “Cmira e turmave të të paaftëve !”

Një logjik’e shëndoshë, mbi hullín’ e një koherence po të tillë, na shtyn të shtrohet pyetja : Ç’e dallon Visar Zhitin nga Ramazan Vozga si edhe Pandeli Koçi ?! Paaftësia si edhe egoizmi i të patalen-tuarve anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të ballafaquar me të talentuarin si edhe të paisur edhe me shpirt poetik, Visar Zhitin. Po nga ana tjetër terrenin e veprimit kush ua shtronte akuzuesve ? Politika e partisë e mbështetur mbi luftën e klasave. 

Mbështetur tashti nga sa pamë qartë në vazhdim se si Visar Zhiti nuk del dot nga vetja e tij dhe mendësía e tij e paraburgosjes, e periudhës burgut si edhe kur i krijohen kushtet të hedhë në letër, mbas shkërmoqjes së diktaturës, kujtimet e tija, ndjek një drejtëz horizontale paralele me boshtin e abshisave dhe me kahje gjithmonë pozitive !  E krahasojmë tashti këtë engjëll poet,(siç e cilëson kritiku italian Sebastiano Grasso), i cili nuk del dot nga vetvetja, me ish Presidentin Ramiz Alia i cili jo që del nga vetvetja por në librin e tij me titull Jeta e ime, botim i vitit 2010, në faqe 133 shkruan :  “Tashmë që ka kaluar ½ shekulli mund të shtrohet pyetja : A mund të ecej në një rrugë tjetër më frytdhënëse ? A mund ndiqej një politikë e jashtme që t’i siguronte vëndit aleatë të qëndrueshëm që do t’ia hapnin Shqipërisë rrugën drejtë PERËNDIMIT ? ” Dhe mua më mundon e vazhdon të më mundojë krahasimi i mendësive mes dy botëve : asaj të Visar Zhitit, nga njera anë dhe asaj të Ramiz Alisë !  I pari, shrimtari me karakter dhe realisti, edhe kur ka dalë nga trysnía e burgut, mbas torturash çnjerëzore ku njeri hetues e torturonte dhe i thoshte “… unë nuk të lé të na përmbysësh”, ndërsa hetuesi tjetër i çirrej “… ne nuk presim t’a bësh fajin, por do të të dënojmë që të mos e bësh atë …!” E këta hetues ku mbështeteshin ? Në fjalën integrale të SEKRETARIT përgjegjës për KULTURËN, IDEOLOGJINË DHE PROPAGANDËN pranë K.Q. të Partisë Ramiz Alia, i cili, kur u dënuan si armiq Todi Lubonja si edhe Fadil Paçrami, qe shprehur në paradreken e 27 Qershorit të viti 1973 : “ … Unë e siguroj Plenumin e K.Q. se do të jemi më vigjilentë e do të luftojmë më mirë të zbatohen direktivat e shokut Enver si edhe të Partisë kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste, sepse ato përbëjnë një rrezik për fatet e revolucionit dhe diktaturës së proletariatit !” Ja, këta qëndrimet e Ramiz Alisë në vitin 1973 e si pasojë edhe dënimi i Visar Zhitit më 1979-ën e si pasojë ju, të nderuar lexues, bëni bilancin si edhe nxirrini përfundimet e duhura duke krahasuar respektivisht se si shprehen Ramiz Alia si edhe Visar Zhiti mbas shkërmoqjes së diktaturës !

Që lexuesve potencialë të veprave të Visar Zhitit mos t’ua shuaj kërshërinë e leximit të veprave madhore të tijat, nuk do të ndalem e të komentoj situata ose ndodhí konkrete, (veç ndonjë rrethane apo situate të posaçme), por do t’a vazhdoj ecjen përgjatë hullísë të shtruar prej shkrimtarit artist ku autori na udhëheq nëpër shtigje të ngatërruar të mbidhéshëm si edhe të nënëdhéshëm !

Dëshmit’e Visar Zhitit hedhin dritë mbi një mendësí të tërë e cila u kishte shplarë trutë nga njera anë injorantëve, (pavarësisht se ndërmjet tyre edhe me diploma universitare), falë paditurisë tyre, kurse një kategorie të madhe të shkolluarish falë … servilizmit të tyre të skajshëm !  Sa i takon kategorisë parë, nuk mundem t’a anashkaloj thënjen tamam lapidare të atij që konsiderohet filozofi kinez më i madh i të gjitha kohëve, (551- 479 p.K.), KONFUC-it i cili në veprën e tij ku trajton tri tematika themelore “Refleksione mbi jetën e mirë, rreth qeverisjes së mirë si edhe vetes tënde”, ka një kalim tamam monumental të cilin ai e shpreh si vijon :

                       “NË NATYRË ÇDO GJË ËSHTË DIÇKA, KURSE  INJORANTI  NUK  ËSHTË  ASGJË !” 

Sa i takon kategorisë tjetër, intelektualëve të mirëfilltë, do t’i hedhim dritë një figure syresh, atë që Visar Zhiti e quan Dr.Fausti i burg-ut ose më saktë : Inxhenier Ismail Farka si edhe paradoksi i policëve !  Ky inxhenier kishte një farë “personaliteti” ndaj policëve sepse e kishte të drejtën të mbante një farë qëndrimi mospërfillës ndaj tyre. Kjo për faktin se ai ishte i vetmi person i burgut që kur ndonjera nga makineritë suedeze të hapjes tuneleve pësonin difekt, sapo njoftohej inxhenier Farka, shkonte në vënd dhe mbas njëfarë kohe … makineria e riparuar prej tij rifillonte punën. Nga që nuk ngjiste kështu në minierat e shfrytëzuara nga minatorë të lirë, (jo të burgosur), filluan të vinin dëndur e më dëndur inxhenierë minierash të ndryshëme, së bashku me mekanikët e tyre, të konsultoheshin me inxhenierin e burgosur.  Mirëpo bënte vakí që ata mbas konsultimit me “Dr.Faustin e Qafë Barit”, prap nuk arrinin t’a vinin në punë makinerinë e hapjes tuneleve në minierën e tyre dhe … ktheheshin në Qafë Bari të konsultoheshin së rishmi me inxhenier Farkën. E pikërisht këtu edhe paradoksi i policëve të Qafë Bar-it që e bënin përgjegjës inxhenierin e “burgosur” … pse “ata civilë” ishin aq të paaftë !(?) Dhe nuk ka se si të mos shtrohet pyetja, hiç retorike, a ka se si t’a kuptojnë lexuesit perëndimorë këtë mendësí paradoksale ?!

Për të mos e lënë pa i hedhur dritë akoma më bindëse edhe kategorisë së dytë të trú-shplarëve, pra të shkolluarve dhe qëndrimeve të tyre sa servile dje si edhe po aq neveritëse sot, mbasi e trajtuam qëndrimin e Ramiz Alísë përgjatë punimeve të Plenumit të IV-të të K.Q. të Partisë në 1973-shin, si edhe si shprehet ai në 2010-ën, marrim si shëmbull edhe momentin shumë kuptimplotë të trajtuar nga Visar Zhiti kur mbas arrestimit të tij vajti e ëma tek i kushëriri i saj Dritëro Agolli, (Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve si edhe anëtar i K.Q.të P.P.Sh.-së), që të kërkonte t’a ndihmonte Visarin, ai i tha : “… Nuk fusin kot njeri në burg, ai nuk i kishte të mirë shokët … vjershat ia kam lexuar po ato janë si t’i duash, janë të mira, të këqija …”.  Me pak fjalë ai desh të thoshte : “… mos na shtyj t’i humbasim takëmet, rahatllëqet si edhe privilegjet që kemi …!” Nuk kishte zatén si të shprehej ndryshe ai i cili në Plenumin e IV-të të K.Q. e kishte cilësuar shokun e tij Fadil Paçramin : “… deviator i djathtë dhe element antipartí”, dhe në vazhdim shtonte ndaj tij … “duke iu shmangur edukimit komunist të masave …” (shënim-M.K.).

Nuk do të merresha fare as me Ramiz Alinë ose gjithashtu as me Dritëro Agollin por, nga që njeri kur boton në 2010-ën librin rreth jetës së tij na treguaka se mund të kishim zgjedhur një rrugë e cila të na afronte me Perëndimin, e tjetri në intervistat sot në 2013-ën na tregon se kish edhe vepra të tijat që hiqeshin nga libraritë, (si vepra në kundërshtim me vijën e mëmës parti), pikësynimi im është t’ia bëj të qartë lexuesit, i cili nuk i ka ditur këta fakte, t’a bëjë vetë krahasimin mes ç’ka shkruar Visar Zhiti dje e që i kushtuan emërtimet pseudo-shkrimtar si edhe element armik duke ia hapur dyert’ e  burgjeve si edhe vuajtjet e ferrit, e çfarë shkruan ai sot e doemos si e sa shkruajnë sot dy elementët tipikë që drejtonin letërsin’edhe artin … dje, kur direktivat e tyre gjatë Plenumit të IV-të ishin pashaporta e Visarit për në FERR ! Prandaj nuk kam si mos t’a them me zë të lartë sot se si kategoria e ish zëdhënësave të partisë dikur, sot po bëjnë ç’mos e po i mbledhin veprat e tyre të dikurëshme dhe po i ribotojnë duke pas shtuar në to retushime demokratike, ndërsa Visar Zhiti në veprën e tij, e zezë mbi të bardhë, SOT boton lista emërore shkrimtarësh si Fadil Paçrami, Mehmet Myftiu e Todi Lubonja me shokë, (të cilët në vazhdim jo vetëm u arrestuan por dhe u dënuan si armiq të popullit dhe partisë-shënim M.K.), dhe i trajton me një humanizëm i cili i shkon tamam një Baba Rexhebi të vogël ! Ja pra, ky ndryshimi themelor q’e shquan Visarin si artist prej tyre, pa lé si njeri !

Diametralisht i kundërt me Visarin paraqitet Dritëro Agolli i cili në Plenumin e IV-të shprehet : “… Shkrimtarët dhe artistët duhet të krijojnë vepra të frymëzuara nga jeta, puna dhe lufta e popullit tonë për ndërtimin e socializmit”, ndërsa sot në intervistat e tija thotë qart’edhe shquar tamam me një ton ex catedra: “… Historia e letërsisë sonë nuk duhet rishkruar por, të futen në të edhe veprat e atyre që qenë lënë jashtë …”. Pra, ai pranon tashti që të futen mes veprave të tija si edhe të shokëve të tij veprat e Patër Gjergjit, të Mjedës, të Koliqit, të Astrit Delvinës, etj. etj., d.m.th. të bashkohen veprat e djegura dikur prej Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në turrën e druve të inkuizicionit komunist, me veprat e Realizmit Socialist !(???) E pranojmë për një çast një kompromis të kësaj natyre.  Mirëpo si do t’i vinte halli faktit që në veprat e shquara të Realizmit Socialist njeri zëdhënës i partisë e ka bërë Patër Gjergjin fashist si edhe tradhëtar, (në një kohë që dekoratën më të lartë që i akordoi shteti fashist italian, Patër Gjergji nuk e pranoi, duke u shprehur :  KJO DEKORATË NUK ÂSHT PËR MUE !  Kurse tjetri zëdhënës po i partisë, përrallis e fantazon se veprat e Patër Gjergjit nuk kanë asgjë të përbashkët me vepra artistike por … s’janë gjë tjetër veçse bejte !(?) Edhe unë shtoj se si sot pikërisht spekullohet mbi një nyje shumë delikate lidhur me ata që ishin nga njera anë shkrimtarë por edhe drejtues të Letërsisë së Realizmit Socialist ku, në njerin aspekt as hidhet dritë mbi servilizmin e tyre ndaj “partisë dhe shokut Enver”, si shkrimtarë, pa lé t’u hidhet dritë fjalimeve si edhe diskutimeve të tyre në forumet madhore ku ata drejtonin pa lé edhe në plenumet e K.Q.të P.P.Sh.-së !  

Dhe për t’a ballafaquar së rishmi realizmin me këmbë në tokë si edhe humanizmin e Visar Zhitit me pohimet e Dritëro Agollit në intervistën e fundit të tijë, ku ky pohon se kishte vepra të tijat që me urdhër nga lart ishin hequr nga libraritë, lexuesi të bëjë vetë krahasimet mes … dy të persekutuarve nga pushteti diktatorial !  Prandaj nuk shmangem dot së pohuari se si Vepra e Visar Zhitit ndan tamam si me thikë atë letërsi të Realizmit Socialist që nuk ishte tjetër gjë veçse LEKSJONE E PROPAGAND’E KUQE, nga letërsija artistike e mbas shkërmoqjes së diktaturës ku në mënyrë të mirëfilltë  dy veprat e Visar Zhitit zenë vënd kyç si romane historike me personazhe edhe ngjarje të mirëfillta ! 

Prandaj, në ndarjen nga ai Realizëm Socialist letërsia e të cilit në masë mbisunduese nuk ishte gjë tjetër veçse EDUKIM KOMUNIST I MASAVE, si edhe busulla e letërsisë dhe arteve, do të nënvizoj tre pohime madhore të Visar Zhitit :

   I- Letërsia e kohës së diktaturës hymnizonte diktatorin si edhe partinë me gjithë bëmat e tyre që  “… arritën të krijonin një Atdhé me disiplinë burgu dhe qetësí varrezash … shtet që nuk fliste kurrë për mirëqenjen bashkëkohore por për të ardhmen e cila nuk vinte kurrë, si edhe për ideale të zbrazëta …” në një kohë që realiteti ishin tallonat ! 

II- Ç’ishte letërsia e Realizmit Socialist ? “… Ishte si një fuçí me ujë të turbulltë, ka aty një dorë sheqer të tretur, janë ca vlera por, që t’i përfitoje ato, duhej t’a pije gjithë atë fuçí neveritëse të Realizmit Socialist … donte stomak të fortë ...!” Këtu nuk mund të mos ndalem e t’i dal përpara një pjese të lexuesve të cilët mund të nxitohen edhe të shprehen … “po ky Visar Zhiti me 2 e ½ radhe, ose me 37 fjalë, e jepka përcaktimin se ç’na paska qenë një rrym’e tërë letrare që veproi për 47 vite me radhë në Shqipëri !?” Pikërisht këtij pohimi pyetës do t’i përgjigjem nëpërmjet gojës së Andrey Sinyavski-t, i cili në veprën e tij “GJYQI FILLON” shprehet lidhur me Realizmin Socialist në Bashkimin Sovjetik : “Realizmi Socialist është : - GJYSËM ART, JO SHUMË SOCIALIST DHE ASPAK REALIST !” Pra ky disident rus, (ku diskutohet në se është ky m’i madhi disident rus apo Solzhenicin-i), e ka përcaktuar jo aq gjatë sa Visari por me gjysëm radhe dhe me jo më shumë se 8 (tetë) fjalë, se ç’ka qenë ai Realizëm Socialist i cili veproi për më shumë se 80 vite në B.S. ! 

III- Pyetjes më se të rëndomtë e cila qarkullonte mes të burgosurve: DO TË KETË FALJE KËTË VIT ? Ja se me ç’logjikë dhe livel filozofik i përgjigjet Visar Zhiti : “Kurrë !  Mund të falen hajdutët, vrasësit e kriminelët, por nuk falen dot të pafajëshmit. Ne, si të tillë, duhet të zhdukemi sepse … e provojmë fajësín’e tyre …!”  Unë personalisht veprën e Visar Zhitit do t’a konsideroja, në dallim nga të tjerat të së njajtës gjiní, një akt akuze mbështetur i gjithi në fakte, personazhe realë si edhe përfundime logjike, paraqitur këto edhe me një livel skajshëm artistik të denjë për secilin prej çmimeve nga më madhorët që jepen për letërsinë dhe artet në botë !

Prandaj të nderuar lexues, në këtë paraqitje krejtë fluturimthi, jam munduar t’ua ngjall kureshtjen duke bërë krahasime me si udhëhiqej gjatë diktaturës dhe ç’qëndrim mbahet sot nga ish drejtuesit e Realizmit Socialist, por pa ju a shuar në asnjë mënyrë kërshërin’e leximit të vetë veprave të Visar Zhitit të cilat un’i quaj: KUFIRI NDARËS MES PROPAGANDËS SË REALIZMIT SOCIALIST ME LETËRSÍN’E VËRTETË ARTISTIKE !                

* Nga ky shkrim autori ka nxjerrë boshtin e pikave rreth të cilave diskutoi në simpoziumin e  

   New York-ut të emërtuar GJYQI I NEW YORK-ut.                      

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
4.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1