Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | NOVELA | ANDREA DHE HELENA

ANDREA DHE HELENA

Font size: Decrease font Enlarge font
image RESMI OSMANI

RESMI OSMANI                                                                        Novelë

                                          ANDREA DHE HELENA-10

VAZHDIMI KETU

- Madhëri, vepruam siç na porositët. Ishte një ditë plot mbresa.

     Mbreti i bëri një shenjë kryeshambellanit dhe  festa filloi.

      U dëgjuan tingujt fluror të flautit, cicërima   e violinës,drithmat e dajreve, tringëllimat e cimbaleve, të qeshurat e mandolinave, ritmi i tamburëve, psherëtimat e kontrabasit, që të shkrira në harmoninë e një melodie të vetme ftonin në vallzim. Ishte një kadril me ritmin e lehtë të një marshi kavaleresk, gëzimin e fitores, harenë dhe dëshirën për ta jetuar çastin . Mjeshtri i valleve doli në krye. Çiftet u rreshtuan më dysh, veç damat e veç kavalierët dhe me hapa të lehtë dhe elegante, të zënë përdore, bënë përpara. “Këmbeni damat” dhe damat u këmbyen, pastaj”Kavalierët u përkulen damave” dhe kavalierët tërë sqimë  u pekulën dhe përshëndetën damat, pas lëvizjeve të hijshme,”Damat përshëndesin kavalierët” dhe damat duke mbajtur me një dorë fustanet u përulën para kavalerëve të buzëqeahur”Damat dhe kavalierët në një rresht” u formua një kollonë, vallzuesit hodhën duart në supin e atij- asaj  që kishin para dhe duke u tundur prapa- para dhe majtas- djathtas i ranë rrotull sallës së vallzimit. Muzika heshti. Vallzuesit nuk u kthyen në vende, por grupe-grupe u mblodhën rreth tryezave për të shijuar gatesat: byreçka,ëmbëlsira, salçiçe e proshutë, qofte të vogla pikante,ullinj të kripur, toptha mocarele, arra e bajame të qëruara, ndërsa shërbenjësit me livre të shkëlqyera, me tabaka të ngritura në lartësinë e kokës shpërndanin gotat me verë të bardhë e të kuqe.

     Te tryeza e Andreas dhe Helenës, njëri pas tjetrit shkuan  kushërinj, të afërt e të largët të princeshës Helena dhe pjestarë të fisnikërisë krahinore dhe u paraqitën nderimet e tyre dhe i ftuan që të dëfrejnë. Ata u ngritën dhe u përzienë me luzmën e festuesve. Në tryezën ku u ndalën për të ngjëruar e shijuar gatesat, u afrua kurtizania e famshme Luiza D’Alberobelo,e nisur dhe stolisur, një bukuri femrore e lakmueshme nga burrat, me një barrë naze e sy

 Lakmues, në fytyrë i lodronte buzëqeshja çapkëne. Pa ia hequr vështrimin joshës Andreas, i tha Helenës:

         -Princeshë, ma huan për një natë kontin?Të nesërmen do ta kthej ashtu siç ma dhe,  dhe ja dha të qeshurit.

        -Mund t’ia bësh kërkesën kontit. I takon atij të zgjedhë dhe të vendosë!

         -Bëj shaka. Por është aq i ëmbël e tërheqës sa çdo femër do t’a dëshironte. Më kujton fjalët e asj këngës: ”Je kaq’ i mirë, sa në dritare rri shpesh, dhe të më vish të pres”më pas psherëtiu dhe shtoi:-Të duash, por cilin? Kjo është dilema e jetës.Ti e zgjidhe: dashuri me shikim të parë, si në romancat kalorsiake. Ke qënë me fat për zgjedhjen tënde.

         U afrua konti dhe kontesha Ursini. Konti, kavalier i thekur, me ca fjalë të zgjedhura i lavdëroi Helenës bukurinë dhe hijeshinë dhe i tha Andreas:

        -Kont, nën ç’yll ke lindur që gëzove miradinë dhe hiret e Venusit dhe të Kupidit? 

          Rreth Andreas,u avitën si fluturat ndaj dritës bukuroshet e reja ,ndërsa ndaj Helenës ,si bletët rreth lules, të rinj sqimatarë që flisnin secili për hesap të vet aq sa të dy nuk po merrnin vesh përse flitej.Andrea u ndje në zor nga gjith ajo vëmendje vardisje dhe fjalët e zgjedhura, të thëna me dykuptime. Nga ky siklet i nxori muzika. Ishte melodia e tarantelës së njohur napolitane. Ritmi i tamburinos dhe i dajreve, piskama e mandolinave dhe flautit, kumbimi i kitarave, e ndezën atmosferën dhe bënin që gjithkush të lëvizte vetiu e si i paduruar për të hyrë në valle.

         Në rrethin e vallzuesve hynë edhe Andrea me Helenën.Andrea nuk e kishte kërcyer ndonjëherë atë valle, kurse Helena e kishte në gjak.

        - Do të më pëlqente ta sodisja si shikues, nga jashtë e jo si kërcimtar, këtë valle që duhet të jetë kaq gazmore.Druaj se me ngathtësinë time,s’do të bëj figurë të mirë.   

         -Mos u druaj - i tha ajo,- gjithë e gjithë tri hapa janë, me ritëm të vrullshëm, sa për rrotullimet, formimin e rrathëve dhe rreshtave në grup, bëj si të tjerët! Ke për t’ia dalë, forca!

      Dhe ai ia doli, i shkrirë me grupin e vallzuesve, u përfshi nga ritmi i shpejtë , gazmor e marramendës që i ngjalli ngazëllim dhe ia hoqi atë drojtjen që ndiente si i huaj në këtë mjedis kaq të ndryshëm nga ai i mbrëmjeve arbrore.Ku vallet e trimave ishin burrërore dhe të grave me shumë fisnikëri e hijeshi. Kur mbaroi vallja, ishte i djersitur, me frymëmarrje të shpeshtë, etjen e shoi me një kupë verë të bardhë dhe u kthye tek vendi i tij.

         Dukesha e Kalabrisë Xhovana d’Anzhu, i tha Helenës se ishte e porositur nga gjyshi-mbret t’i thoshte se ai  ishte tërhequr në apartamentet e tij se e kishte kapur nje dhimbje koke e padurueshme dhe se i vinte keq për largimin e parakohshëm. Salla e mbrëmjes, pa hijen e rëndë dhe vështrimin prej skifteri të mbretit, u ndje më e çlirët dhe e lehtësuar.Të nxitur nga pijet, dëshira për dëfrim, muzika dhe bukuria e femrave, që ishin aq tërheqëse ,filloi zdërhallja, të qeshurat, bisedat kokë më kokë,nojmat, vështrimet ndjellëse, ca marveshje të heshtura dhe premtuese që kuptimin e tyre e dinin veç ata. Përjashta shkrepën fishekzaret, që e bënë qiellin e Napolit të dukej sikur po binin yjet shumëngjyrësh nga qielli. Le ta dinte kushdo: mbreti festonte pajtimin me të bijën dhe dhëndrin arbëror.

     Më pas u erdhi radha këngëtarëve që rrëfyen talentin e tyre me romancat dhe madrigalet sentimentale, dhe pas tyre gaztorëve me anekdota dhe monologë qesh e ngjesh. Mbrëmjes i erdhi mbarimi. Të pranishmit nisën të largohen në çifte apo vetëm ashtu siç kishin ardhur, pa harruar t’u linin shëndetin dhe uronin natën e mirë kontit Andrea dhe princeshës Helena. Edhe ata dolën, shkuan në apartamentin e tyre. Sa për t’u freskuar qëndruan në ballkon. Nga deti vinte puhiza e freskët, e  njelmët me aromën e leshterikëve. Andrea i hodhi së shoqes dorën mbi sup. Soditën qiellin e kthiellët ngjyrë plumbi stolisur me mirjadat e yjeve. Ishte bukur t’i sodisje dhe të kërkoje atje yllin tënd. Thoshin se pas vdekjes shpirti ngjitej në një yll! Qetësinë e natës, herë pas here e prishnin ulurimat e kukuvajkave ndjellakeqe nën hatullat e pallatit dhe ajo angullima e thekshme e atij qeni që s’dihej nga vinte.

      Ca nga lodhja e ditës, ca nga pija, i zuri gjumi, ashtu të përqafuar me njeri-tjetrin.

      

    

     34

      Kapiteni Ferrante i rojeve të pallatit, doli nga kabineti i mbretit i tronditur,iu desh kohë të qënësohej e të kthiellonte gjykimin, por ai ishte ushtar, detyra ia kërkonte të bindej , të zbatonte urdhërin dhe jo ta gjykonte  atë. Në ndërkohë duhej përgatitur, heshtazi , pa zhurmë, në fshehtësi. Askush nuk duhet ta dinte. Zgjodhi katër nga rrogtarët zviceranë, të fuqishëm, pamjevrazhdë, të ashpër, nga ata që s’u qeshte buza kurrë, i porositi të ishin gati për një mision ndaj të gdhirë. Në manastirin e afërt, dërgoi e mori thuajse forcërisht një frat, pa i thënë përse e pa i spjeguar asgjë.Fratin që dridhej dhe herëpashere bënte kryqin, ua la nën kqyrje rojeve të fjetinës. U kujdes që në oborrin e jashtëm të pallatit, gjithëçka të ishte gati. Koha rridhte ngadalë, nata e makthshme, e mugët zvarrisej si ëndërr e keqe drejt perëndimit për t’i lënë vend vagullimit të lindjes.Kënduan gjelat e mbram,që lajmëronin ditën që po vinte. Kapiteni Ferrante, bestyt, e dinte që kjo ishte koha kur fantazmat ,shpirtërat e munduar dhe lugetërit, që kishin dalë nga skutat, varrezat dhe katakombet,të frikur nga drita e muzgut, ktheheshin në banesat e tyre. Kjo ishte koha as natë as ditë, kur punët e zeza që pillte nata e llahtarisur e mbarsur me ligësi, i përcilleshin ditës që po lindëte. U priu ushtarëve nëpër korridoret  e pallatit  qetsia e kobshme, e shurdhër  prishej vetëm nga hapat e tyre të rënda. Prapa i pasonin prokurori i mbretit dhe frati domenikan i tronditur, që tashmë e dinte se ku shkonte dhe përse shkonte.

     Trokitja në derë ishte e fortë.Andrea I përgjumur e dëgjoi turbull, si një jehonë që vinte nga larg, por kur trokitja u përsërit, ai u ngrit shesh në krevat dhe pyeti;

        -Kush troket?

        -Prokurori i mbretit. Hapeni kont, ndryshe do të detyrohemi ta hapim forcërisht!

        Andrea shkoi dhe e hapi derën. S’u besoj syve. Pamja që iu shfaq ishte tronditëse: prokurori i mbretit, kapiteni i rojeve, katër ushtarë trupmëdhenj të armatosur dhe një prift me rraso të zezë, ngjeshur në brez me litar. Pa pritur dhe pa pyetur hynë në koridor, njëri nga rojet siguroi derën, dhe pastaj në dhomën e gjumit.Helena u zgjua, pa kuptuar se ç’po bëhej. Kur pa të huajt, vetiu mbuloi me çarçaf gjoksin  e zbuluar.

      -Zotri, çfarë po bëhet? Me ç’të drejtë msyni apartamentin tonë? Çfarë kërkoni prej nesh?!

         Prokurori i mbretit, pa iu dridhur qerpiku, me një qëndrim të ngrirë e solemn, me zë të plotë dhe fjalë të theksuara shkoqur,si të deklamonte një mësim të mësuar permendësh, tha:

      - Kont Andrea Topia, princesha Helena d’Anzhu, jemi këtu me urdhërin e madherisë së tij mbretit Robert, për të zbatuar vullnetin e tij, dënimin tuaj me vdekje, të dhënë para dhjetë vjetësh, për fyerje të personit të tij august, kur ju princeshë, refuzuat martesen me princin Filip de Kurtenay, që ishte zgjedhje e atit tuaj dhe morët arratinë dhe u lidhët me martesë të paligjshme me Andrea Topinë! Jeni të lutur të visheni dhe të na lejoni pa kundërshtime të bëjmë detyrën tonë!

       Po ndodhte ajo që e kishin parandjerë, por që s’e kishin besuar. U veshën. Rojet u përdrodhën krahët dhe ua lidhën prapashpine .

     -Në vendin tim, kësaj i thonë prerje në besë e mikut dhe i pabesi që prêt mikun hyn në gjak .Kjo pabesi, kur mikpritësi është një mbret, s’ka si bëhet më zi dhe mjerim, për atë popull që mbretërohet prej tij!

    U afrua prifti.Bëri kryqin për të dy.

   -Bijt e mi, tok me mua, faluni e lutuni për shpirtin tuaj! Dhe nisi të mërmeriste lutjen e të vdekurve.

    Helena bëri një hapara dhe u ngjit në ije të Andreas.

    -At, -tha ajo-mos prit të falemi e lutemi- ai që po na i merr jetët tona nuk është krijuesi që na i dha , por një baba, që krenaria  e sqima, e bën mizor e gjakatar. Lutja ime është: U rrënoftë e u bëftë gur mbi gur mbretëria e tij,  pallatet e tij u pushtofshin nga fantazmat, në gërmadhat e tyre të ulërijnë kukuvajkat. U shofshin dhe u shkretofshin trashëgimtarët e këtij froni të ngritur mbi gjak e urrejtje. Zot, dëgjoje lutjen time! Tha këto dhe u kthye nga Andrea:

      - I dashur, i tillë ishte fati ynë: Bashkë në jetë, në dashuri  dhe në vdekje. Një e të pandarë. Të vdesësh bashkë me dashurinë, nga zoti, në përfundim të jetës, kur nisesh drejt pafundësisë, është si të kesh rilindur shumë herë, përgjatë vijimësisë, ku i ke zgjatur fillin jetës me trashëgimin që lë pas. Ne po ikim parakohe, jo me vullnetin e krijuesit, por nga një mbrapështi mizore. Vdesim por e dimë që fëmijët tanë do të jetojnë dhe do të hakmerren!

      Nga dritaret dukej se po zbardhte dita. Prokurori tha se duhet të nguteshin.

            -Dëshirat tuaja të fundit?

            -Të na varrosin si të krishterë, pranë e pranë, që shpirtrat tanë të ngjiten tok në amshim-kjo ishte dëshira e Andreas.

            -Në gurvarret tona të shkruhet: Konti i Arbrit Andrea Tanush Topia, kontesha e Arbrit Helena Topia, jetuan dhe vdiqën të dashuruar!-ishte dëshira e Helenës.

           -Bëni detyrën,- urdhëroi prokurori kapitenin e rojeve. Ata i vunë përpara të dënuarit  për në oborrin e prasëm të pallatit.  

          Aty, prapa kërcunjve të kokprerjes, mbi të cilët ishin dy sëpata me presë të gjatë e të mprehtë, i prisnin dy xhelatët veshur me të zeza e të maskuar. Kishin të zbuluar vetëm sytë. E zezë veshja, më e zezë vepra! Prapa tyre ishin dy qivure mbi katafalkë.

        Prifti u bëri të dënuarve vajimin e shenjtë dhe me  zë të drithëruar nisi lutjet për të vdekurit: Jepua, o Zot, robve të tu Andrea dhe Helena, pushimin e pasosur në mbretërin e qiellit! E u ndrittë drita e pambaruar! Pushofshin në paqe. Ashtu u bëftë.Amen!

        Kur deshën t’u lidhin sytë, andrea i refuzoi: “Duam ta shohim vdekjen nw sy” u tha ai.

                                                                    *   *    *

      Ndaj të gdhirë, nga porta lindore e pallatit, në fshehtësi e me heshtje të plotë, me një karrocë me kuaj të zinj, dolën dy qivure  që i shpinin për t’i varrosur në një varrezë murgjish të harruar, të manastirit Santa Maria dela Kroçe. Në varre pa emër, vetëm me nga një kryq druri. ku askush të mos vinte një lule, apo të ndizte një qiri për ndriçimin e shpirtit të tyre.

     Kohë më von, dy xhelatët, thane se: ”Koka më të bukura”, ata s’kishin prerë ndonjëherë.

     

       EPILOG   

       Lajmi kobmadh fluturoi me erën dhe mbriti në Arbëri. Krujën, malet dhe fushat i mbuloi zija. Tingëlluan përzishëm kambanat e të gjitha kishave dhe u mbajtën mesha për prehjen e shpirtrave të tyre. Andrea dhe Helena që ishin stolia e principatës, bujaria, drejtësia , siguria dhe mençuria, nuk jetonin më dhe trupat e tyre nuk gjenin prehje, larg në dhe të huaj. Karli dhe Gjergji kishin mbetur bonjakë, pa ngrohtësinë dhe dashurinë e mëmës dhe të atit.

    Mbretëria e Napolit kishte rënë në gjak me arbërinë.

    Dom Dominiku, kur mësoi zezonën e të nipit,u kthye nga Dizhoni drejt e në Krujë.Vendosi në krye të trashëgimit atëror Karlin dhe vetë mori përsipër detyrën e kujdestarit dhe të këshilltarit.

     Karl Topia, princ i arbrit,”Kont i Madh i Shqipërisë” përtëriu principatën  e trashëgimit atëror, e zgjeroi e fuqizoi, arriti të pushtojë dhe zotrojë edhe Durrësin. Ai ishte krenar për pjesën e gjakut mbretëror nga e ëma dhe i shtoi stemës së topiajve, Luanit me shpatë, edhe një zambak të anzhuinëve.

    Pas vdekjes së tij, trashëgimin e mori i vëllai Gjergji, që vdiq shpejt, dhe pas tij e bija e Karlit, Helena që u vendos në Krujë, e pas saj Niketë Topia. Me të Principata e Topiajve u mbajt deri në pushtimin e Krujës nga turqit më 1415 dhe më pas u përtëri nën Gjergj Kastriot Skënderbeun, që e quante veten edhe pasardhes të Topiajve.

      Fund.

     Tiranë shkurt-gusht 2018.  

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1