Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | NOVELA | ANDREA DHE HELENA

ANDREA DHE HELENA

Font size: Decrease font Enlarge font
image RESMI OSMANI

 

       Për udhëtim u përgatitën ditë me radhë.Përgatitën dhurata për MbretinPobert dhe mbretëreshën Sança. Porositën për vete në Durrës veshje të kostueshme veneciane e raguzane, stoli dhe gjithë ç’duheshin për ta bërë pamjen dhe bukurinë e një gruaje të fisme edhe më të pashme edhe më të bukur, me gjithë shkëlqimin rrëzëllitës dhe magjinë tërheqëae.Helena e dinte se mëndafshi, diamantet, safiri, smeraldet, rubini, ari, nuk e shtojnë bukurinë por i japin asaj shkëlqim dhe dëshmojnë pasuri e pushtet, shkallën që zë në shoqëri ajo që i mban. E dinte, bukuria dhe hijeshija e saj, s’kishin nevojë për të tilla stoli, por atje ku po shkonte, u jepnin vlerë, shpërfillnin njeriun dhe vlerësonin sendet dhe shkëlqimin e rrem , kotësinë e dukjes dhe jo fisnikërinë e ndjenjave dhe virtytin .  

      Nisja u bë nga skela e vogël e kepit të Rodonit. Aty i priste veliera e re “Kruja” që kishin përuruar muain e shkuar. Çifti princor me shpurën e vogël që i përcillte arriti para mesditës. Andrean e përcolli që nga kruja një çetë e kalorësve të gardës, për më tej do ta shoqëronte truproja e vet, kurse Princeshën Helena dy  nga kujdestaret e saj. 

     Detarët ngritën çengelin dhe hapën velat, hodhën urën dhe pasagjerët  u ngjitën në kuvertë.Dita ishte e qetë, shkëlqimtare, kupa e qiellit e kaltër, era për lundrim e mbarë.Velat u frynë, direkët kërcitën anija u trand dhe  u nis në det të hapët. Nga bregu përshëndesnin duke valëvitur shamitë dhe uronin lundrim të mbarë.Anija mori udhën e ujshme për nga jugu duke u larguar gjith  e më shumë nga bregu.Andrea dhe Helena, u ulën nën një strehë të përgatitur për ta  më parë, nën hije, që I mbronte nga rrezet përvëluese të diellit. Që aty hapej pamja  magjepsëse e shkëlqimtare e detit pa anë e fund, që çuditërisht, ndryshe nga dhjetë vite më parë, ishte i qetë, i paqtë e miqësor. Anija e lehtë çante ujrat duke lënë pas një hulli të shkumëzuar. Kishin për të bërë udhë të gjatë: do të zbrisnin nga Adriatiku në Jon për të arritur në brigjet e Siçilisë, nga ngushtica e Mesinës do hynin në detin Tirren dhe pastaj duke u drejtuar nga veriu do të mbërrinin në gjirin e Napolit.

      Bukuria e natës në det ishte e paparë.Hëna e plotë derdhte arin e zbetë të dritës së saj. Qielli i mbushur me yje vezullues. Syprina e gjelbër e ujit të dallgëzuar ngrinte valë të lehta fosforeshente, që e bënin qilimin e ujtë të stolisur me zbetësinë e mugët të ndriçimit yjor. Deti merrte frymë dhe psherëtinte  me gjith gjoksinsin . Peshqit fluturues, në ndjekje të gjahut ngriheshin dhe binin në ujë me vërtik. Të dy sodisnin këto bukuri dhe të përqafuar e pa fjalë, se heshtja nganjëherë flet më shumë, i rrëfenin shoshoqit se sa shumë duheshin. Kishin kohë të mendoheshin. Sillnin ndërmend të shkuarën.Jetonin të tashmen, por dyshonin në të nesërmen.

        E gjitha ishte pështjellim,sillej në mëndje pyetja:”Përse?”.Përse vallë gjithë ai mllef, gjithë ajo mëri që kishte helmuar vitet e shkuar? Për ata të dy, gjërat ishin më të kjarta , të thjeshta dhe njerzore: në lirinë ejetës së tyre, në pranverën e saj, kur çelin lulet e dëshirave më e bukura e të cilave ishte ajo e dashurisë, u kishin dhënë vrull ndjenjave, në një formë më të lartë, më shpirtërore, më të gjallë sesa ajo e jetës reale. Ata i falën njëri –tjetrit një zemër të virgjër të zjarrtë, lanë të shpërthente. pasionin e ndrydhur, me një turr dhe vrull rinor, ndryshe nga jeta e rëndomtë, e llogaritur dhe e peshuar e oborreve mbretërore.Të dy zgjodhën, që ndryshe nga ajo jetë e ngurtë dhe e  ngrirë, hipokrite, dyfaqëshe, e mbyllur në kornizat e rregullave dhe kanuneve të ngurta, të mos i fshehin ndjenjat dhe rrahjet e nxehta të zemrave tyë tyre rinore, pa mohuar ëndërrimet dhe pa mbuluar me velin e pavërtetësisë dhe gënjeshtrës, veten e tyre të vërtetë. U dashuruan, ashtu siç mund të dashurohet vetëm një herë në jetë. A mos është mëkat të duash dhe të të duan? Por gjithë ky vrull, u përplas dhe u coptua përball murit të kështjellës mbretërore. Kjo dashuri u pa si turpërim, e papranueshme, e pafalshme, e dënueshyme, nga ata që I lejojnë vetes gjithëçka, e të tjerëve asgjë. A nuk ishte vetë Helena një e lindur jashtmartese e një aventure rinore të mbretit Robert? Ndofta s’kanë dashuruar kurrë me dashuri të vërtetë, por ja që kanë në dorë jetën dhe fatet e botes. 

       Dhe ja vinte falja, ftesa për pajtim. A thua që zëmërata të ketë kaluar ashtu siç kalon stuhia ,dhe pas saj ndrit dielli,ajri pastrohet, qielli kaltëron? Që zemra e plakur të jetë zbutur dhe gjaku të jetë pastruar nga vreri i zemërimit dhe turpërimit . Që në vorbullën e ngjarjeve të stuhishme të dhjetë viteve, e tyrja të jetë harruar, por ka mbetur si një kujtim i zbehtë që duhet fshirë e hedhur pas krahëve? Ku ta dish!

     Ditën e tretë të lundrimit, kur dielli ishte ngritur në zenith, në horizont u shfaq gjiri i Napolit, konturet e qytetit dhe siluetat e kambanoreve të kishave që synonin qiellin.Kishin mbrritur. Helena ndjehej e emocionuar dhe nuk nginjej me soditjen e atij qyteti ku kish kaluar fëmijëria e lumtur dhe rinia ëndërrimtare e saj. Pas manevrimit të kujdesshëm, duke dredhuar midis galerave dhe anijeve të shumta ,”Kruja” u afrua në bankinën e portit.Kapiteneria kishte dijeni dhe ishte në pritje të mbrritjes së Kont Andreas dhe princeshës Helena, dhe dërguan një lajmës në pallat. Nuk mënoi dhe u duk shambellani i mbretit me shërbenjësit e veshur me livre plot stoli. Shambellani,trupmadh, me paruke të thinjur, fytyrë të pudrosur, me favorite të plota, hundë të spikatur dhe sytë e ftohtë e tinzarë të futur thellë në zgavra, me fjalë të zgjedhura, sjellje të rafinuara e tërë oborrësi, u uroj mirseardhjen, teksa shërbenjësit morën sepetet dhe baulet e mysafirëve.Rruga nga porti për në pallat ishte e shkurtër,njerëzia gjithfarëshe që gëlonte në port, shihnin me kërshëri dhe përcillnin me sy të sapoardhurit, që nga pamja dhe përcjellësit duhet të ishin nga familje mbretërore. Andrea, Helena dhe shpura e tyre e vogël ndiqte shambellanin që i printe drejt pallatit të mbretit.

       Për ta ishte përgatitur një apartament në anën lindore të pallatit. Mbi dritaret binte bollshëm drita diellore aq sa perdet kadife ngjyrë alle, ngjanin si  të përgjakura. Shtrati i madh ishte i qarkuar nga kurtina mëndafshi të kaltër. Mobiljet që ormisnin dhomat ishin nga dru mogani të zi e të kuq dhe të ngallmuara me lule argjendi. Gjithandej pasqyra dhe shandanë argjendi me shumë llambadha. Në qilimat e trashë e të kuq, të fundosej këmba. Luks e begati mbretërore! Helena hapi perdet dhe doli në ballkkon, ngaku dukej  deti dhe në largësi Vezuvi. Asaj iu bashkua dhe Andrea, i hodhi dorën në bel dhe në heshtje po sodisnin pamjen që u hapej para. Për të ishte një botë e panjohur, e ndryshme nga ajo e tija: me male të lartë e qytete me mure të lartë kështjellash. Helena hyri Brenda ,hapi sepetet dhe nisi të verë në dollap veshjet që kishin sjellë me vete. Pastaj pas atij lundimi të gjatë,  banja e ngrohtë, në vaskë mermeri, me ujë të merëm lavande,që ia hoqi lodhjen si me dorë e i solli prehje. Drekën ua shërbyen në dhomë.

     Shambellani i vuri në dijeni se madhëria e tij, mbreti Robert, i priste në mbrëmje.Do të vinte t’i merrte vetë ai.  Pas pritjes do të darkonin së bashku. Ai nënqeshi dhe tha se” ky nder nuk i bëhej kujtdo!”

         32

          Mbreti Robert dhe mbretëresha Sança e pritën çiftin arbror në sallën e armëve, të ndriçuar se të merreshin sytë nga qirinj dhe llambadha. Në ballë binte në sy portreti i mbretit Karl, stema anzhuine me zambakë, armë trofe dhe harta të mbretërisë. Çifti mbretëror ishte ulur në fronat e rëndë të stolisur me kurorat mbretërore. Maxhordomi, hapi kanatat e derës, trokiti tri herë në dysheme me skeptrik  që mbante në dorë  dhe lajmëroi:

         -Konti Andrea Topia dhe kontesha Helena Topia d’Anzhu.

         Shambellani, me çap të ngadaltë e madhështi prej oborrtari u priu. Andrea dhe Helena i shkuan pas. Andreas nuk i shpëtoi që shambellani e quajti Helenën “konteshë” e jo princeshë,një mënyrë e rafinuar, për të rrëfyer se nga ajo martesë kishte zbritur një shkallë më poshtë në sërën e shoqërisë së lartë.

        -Madhëri mbret, madhëri mbretëreshë!-Një përkulje e lehtë e kokës dhe pritje në heshtje.

        -Afrohuni bijt e mi- dhe mbreti e mbretëresha zgjatën duart e djathta, mbushur me unaza ku fekste reflektimi i dritës nga diamantet.

        Andrea dhe Helena bënë ca çape përpara dhe i puthën duart e sovranëve.

        Qëndronin më këmbë, ende s’i kishin grishur të uleshin. Mbreti foli:

        -Helenë, bija ime, kanë kaluar dhjetë vjet pa të parë, më ka pikur malli dhe zemra ime e plakur nuk e duroi dot më ndarjen. Vitet kanë shkuar por ta kanë shtuar bukurinë, ke mbi krye dhe në pamje breroren e dritës dhe  hirit mbretëror.

         Këto thoshte gjuha, të tjera mendja. Atij si shqitej ndodhia e dhjetë viteve të shkuara. Kujtimi i asaj dite, turpërimi dhe poshtërimi në sytë e sovranëve të evropës, i turrej si nje tufë qensh të tërbuar, i kafshonte zemrën dhe ngrinte dallgën e zemërimit.Ajo plagë nuk shërohej.

        -Mbret dhe At, këto vite ndarjeje, edhe pse larg, ke qënë përherë në zemrën dhe mendimet e mia. Më ka munguar pranija juaj, fjala e mençur dhe kujdesi atëror.Më lumturuat me ato që thatë.Kjo është një ditë e gëzuar dhe lus Zotin ,tu japë jetë të gjatë e pleqëri të bardhë. Edhe juve,at, u gjej siç u lashë dhjetë vjet të shkuar, asnjë ndryshim!- itha për t’i bërë qejfin, po mbreti ishte plakur e rënduar, krejt i thinjur, balli brazduar nga rrudha të thella dhe me qeska dhjami nën sy.

       -Ashtu të duket, e jashtmja të mashtron.Jam si molla, e kuqe nga jashtë por e bren krimbi nga Brenda. Zemra ka nisur nga xanxat. Pastaj, kalorësit, po ju rënd që t’i hipë kalit, është bërë për të qarë hallin. Akoma më këmbë? Uluni, eja pranë meje Helenë.

          Mbretin e ngau kolla dhe e kapi gulçi.Kur u qetsua iu kthye Andreas:

         -Kont Andrea Topia. Nuk u kisha përfytyruar kështu si jeni: me këtë shtat atletik dhe pamje kaq të hijshme, që i bën nder racës arbërore. Tashmë që të pashë, i jap të drejtë sime bije.Edhe unë, po të isha vajzë, do tëmë ishte prishur mendja dhe do të isha dashuruar me këtë djalë! Apo jo Sança?- Sança me një buzëqeshje enigmatike miratoj me një ulje të kokës dhe vazhdoi të ledhatonte qenushin e saj që e mbante në gjunjë. - Sa për vetitë e tjera, nipi Luixhi që u ka njohur nga afër, më ka thënë se janë po aq të arrira sa edhe pamja!

       -Madhëri, më nderuat me ato që thatë për personin tim. Ardhja në oborrin tuaj, për tu paraqitur nderimet tona, ka qenë një dëshirë e kahershme, por jo në vullnetin tonë. Tashmë, që bujaria e madhërisë suaj e bëri të mundur, pranoni ju lutem respektin dhe stimën më të lartë për personin tuaj mbretëror dhe shërbimet tona të devotshme  në mbarvajtjen e Mbretërisë sëShqipërisë.

      Mbreti e dëgjoi me kujdes. Kontit të arbrit nuk i mungonte shkathësia e mendjes dhe gojtaria.

      -Sillmini të dy djemtë, dua të njoh Karlin ,që mba emrin e atit tim!- i tha oficerit të shërbimit.Ai u vu në zor desh diç të thoshte, por Andrea foli para tij:

      -Madhëri djemtë i lam në Krujë. Gjykuam se janë ende të parritur dhe nuk i durojnë dot mundimet e detit, por, tashmë që rruga u hap, do të ketë një rast tjetër.

       Mbretëresha Sança, nuk mori pjesë në bisedë. Kqyrte si me keqrdhje thjeshtrën, sytë e saj të ftohtë, ajo perde si e hirtë në fytyrë, njëfar mëshire dhe keqardhje e mezidukshme, e benin të pamundur të kuptoje se ç’mendonte. 

        Më pas ca pyetje të zakonshme: si ishin me shëndet, si u kishte shkuar udhëtimi,si i kishin punët në principatë, a ishin rritur djemtë, kush kujdesej për arsimimin e tyre, si kishin qënë të korrat e vogëlima të tjera për të mbushur kohën.Andrea pyeti për të ungjin dom Dominikun. Mbreti i tha se fort të diturin dhe të nderuarin dom Dominik, që për mendje mprehtësinë dhe përkushtimin në besim sit ë një shenjti, e kishte zgjedhur këshilltar dhe kapelan, i kishte besuar  një mision në selinë apostolike në Dizhon dhe se pritej që këto ditë ai  të kthehej dhe se  mund të takoheshin.

         Pritja e mirseardhjes kishte përfunduar. Shambellani lajmëroj se darka ishte shtruar.

         Ishte një darkë familjare. Mbreti ishte kujdesur qe të kishte më pak sy për të parë e më pak veshë për të dëgjuar: admirali i flotës, fytyrëngushtë hundëkrrut e mjekër  pykë, stolisur gjoksin  me shirita urdhra e dekorata, ministri i oborrit dhe Dukesha e Kalabrisë, trashëgimtarja Xhovana, me ca sy kuriozë e fytyrë të trëndafiltë, çupëlikë që s’i kishte mbushur të trembëdhjetat. Andrea vuri re se vështrimet e tyre ishin ngulur mbi të dhe e shihnin si  të kishte ardhur nga tjetër botë. Mbreti u paraqiti të pranishmëve Kontin Topia, ngjëroi pak verë të bardhë dhe i grishi të pranishmit të shijonin gatesat e pasura të kuzhinës napolitane, rregulluar në enët e argjendta që ndrinin nën flakën e qirinjve. Pastaj iu kthye Andreas:

      - Kont, këto dy vite të qeverisjes suaj, nga mëkëmbësi ynë në mbretërinë tonë të Shqipërisë, na kanë ardhur ankesa për një ndërkryerje, mosbindje e rebelim  të personit tuaj, që kanë ngjallur pakënaqësinë time. Ministri i Oborrit, Markezi Kolombo, ankohet se po shterr burimi që ushqen thesarin- ministri pohoi me krye- nga mospagimi i taksave dhe detyrimeve, vendosja e monopolit të kripës dhe grurit,ka pështjelluar tregëtinë. Admirali shqetësohet se rrethimi i Durrësit me dy porte në veri dhe jug të tij, sido që të vegjël dhe garnizonin e gardës në prapatokë, ngjan me synimin e vjetër për ta pushtuar dhe zotëruar atë. Kantieri i ndërtimit të anijeve në Rodon, shtimi i piraterisë dhe grabitjet në rrugën Egnatia, e plot zullume të tjera. Këto nuk i përgjigjen vasalitetit dhe bindjes ndaj mbretërisë sonë. Sipas traktatit te nënshkruar nga ati juaj I ndjerë dhe princ Luigjit në vitin 1338. Ndonjë spjegim do të ndihmonte që të davaritej kjo mjegull midis dy brigjeve të deteve tona…Mbretit ia nderpreu ligjëratën ajo kolla e keqe dhe gulçi që i vështirësoi frymëmarrjen. U qetësua dhe priti përgjigjen.

      -Madhëri, ju siguroj, se ne i jemi permbajtur dhe i qëndrojmë traktatit dhe vasalitetit, pa na shkuar ndër mend ato që ju na bëtë përsipër. Ju e dini se para pak muajsh, edhe me perkrahjen Tuaj, ne bëm dhe fituam një luftë me serbët, synimi i të cilëve është pushtimi i Durrësit dhe dalja në det.Principata ime e vogël për financimin e kësaj lufte, shtrydhi tërë burimet financiare, njerëzore dhe ekonomike .Përgatitja e kësaj lufte, eshte arsyeja që ne nuk i kemi qendruar atyre detyrimeve që madhëria  juaj përmëndët.Fortifikimet në Rodon dhe Mel, bëhen për ta mbrojtur Durrësin dhe anaijet e lehta e të vogla të flotiljes sonë janë për të ruajtur bregdetin. Ne i qëndrojmë marrveshjes dhe vasalitetit, përndryshe nuk do të ishim këtu.

      Mbreti bëri sikur mbeti i kënaqur nga spjegimi, apo ngaqë nuk i interesonte ta shtynte më tej atë bisedë, ndrroi temë.

     Admirali dhe ministri i oborrit, sollën thashetheme nga oborret evropiane, grindjet midis princave gjermanë, ngjarjet në fushat e luftës të Perandorisë së Shënjtë Romake, sëmundjes së papritur të kushërirës, infantes  dona Klara Elisabeta Marias të Andaluzisë, dhe rrëfyen disa anekdota për ta bërë mbretin që të qeshte, por ai vetëm sa vuri buzën në gaz dhe vijoi të ishte i ngrysur.Dukej se mbretin diçka e mundonte dhe e brente së brendshmi. Gjetk i shkonte mendja.

     Pasi u hëngër ëmbëlsira dhe po bëheshin gati që të ngriheshin, mbreti  u dha dorën t’ia puthnin, u uroi natën e mirë dhe i këshilloi dy të rinjtë që të nesërmen të shëtisnin, të vizitonin bukurit e  Napolit, tregun, të blenin librat e reja të Bokaçios dhe Petrarkës. Të mos linin pa parë  kishën – katedrale të Santa Kiarës me arkitekturë gotike dhe afreske të mrekullueshme të Xhotos dhe manastirin e Santa Maria dela Kroçe ku do të gjenin prehje shpirtërore.

      -Dëfrehuni, si të mundni e sa të mundni, “Si në ditën e fundit të jetës” shtoi me vete ai.- Nesër mbrëma për nderin tuaj do të ketë një darkë me ballo.

      Uruan edhe një herë natën e mirë dhe u ndanë.

      Në mesnatë, gjë e pazakonshme për atë stinë, ja behu stuhija.Qielli u ndez flakë.Rrufetë gjarpërushe çanin errësirën, era vërshëllente si gjarpër, përplaste pas mureve, dyerve e dritareve litarët e shiut.Gjëmimi i bubullimave trandte xhamat e dritareve, ujërat e shiut brambullinin nëpër qyngjet që zbrisnin nga çatia. Shkulmi I freskët i erës dhe shiut u turr në ballkon dhe apartament nga dyert e hapura. Andrea u ngrit dhe mbylli dyert e ballkonit dhe dritaret. Shtrëngata, siç erdhi befas ashtu edhe shkoi. Era rreshti,shiu ende rigonte butë, ndërsa ajëri larë , i pastër e i freskët mbushi hapsirën e dhomës. Kur ra qetësia, nga hatullat e pallatit u dëgjuan ulurimat e kukuvajkave, të kobshme ndjellakeqe, ndërsa errësirën e çau angullima e thekshme e nje qeni që nuk po pushonte.Helenës iu ngjeth trupi.

     -Andrea,ulërimat e kukuvajkave dhe angullimat e atij qeni, janë shenja dhe paralajmërime  që ndjellin vdekje!

      -Bjer e fli. I ka trembur shtrëngata.

       Ndaj të gdhirë, në vëngjillë të ditës së re, Helena brofi ndenjur në shtrat.Trupi i ishte mbuluar me djersë dhe gulçonte e s’nginjej me frymë, dridhej e tëra.Edhe pse zgjuar, nga tronditja ende nuk kuptonte ku ishte dhe çfarë po i ndodhte. Ishte një gjendje e dyzuar midis vetëdijes dhe pavetëdijes, ku llahtari dhe frika e kishin kapluar, i ngjallnin lemeri e tmerr, tek sa mendja nuk kthjellohej.

     U zgjua dhe Andrea.

     Helena e rroku dhe u tulat, si një zogth i trembur në gjoksin e tij të gjerë.Ai ndjente sesi I rrihte me vertik zemra e trembur.

    -E dashur, ç’pate, ndonjë ëndërr e keqe?

    -Ah Andrea, llahtar,tmerr! Ëndërra më çoi në banjë. Perdet që qarkonin vaskën ishin të kuqe, të kuqe të thellë, mbi to binte drita e llambadheve dhe prej tyre rridhte gjaku vishtulloz pikë-pikë, kurse vaska, në vend të ujit ishte mbushur me gjak.Dola e llahtarisur në koridorin e pallatit. Aty u fanepsën si fantazma dy persona veshur me te zeza e mbuluar me kapuçonë. U dukeshin vetëm sytë si thëngjij të ndezur. Në duar mbanin shpata të harkuara që u flakëronin. Desha të merrja vrapin po këmbët ishin rënduar plumb dhe s’lëvizja dot nga vendi. Nga larg vinte një zë urdhërues: vrajeni, vrajeni. Kur ata më kapën nga flokët dhe ngritën shpatat, u zgjova. Ç’të jetë kjo?

       -Një ëndërr e aq.Qetësohu dhe fli. Ti e di që unë s’u besoj ëndërrave.

       -Kam një parandjenjë të keqe e të frikshme. Eja nesër të ikim. Ky oborr është si fole gjarpërinjsh. Asgjëje s’i besoj.Tim eti, jo e jo. E pe Sançën, që s’i qeshi  buza e s’na tha një fjalë. Ç‘farë di ajo që e mundon dhe dëshpëron?

      -Jo, Helenë, nuk do t’ua mbathim nga frika e një ëndrre.  

       Kishte akoma natë dhe ata ranë në gjumë.

        

         33 

         Gjithëçka ishte përgatitur për mbrëmjen e pritjes në pallatin mbretëror. Porosia ishte qe të mos lihej asgjë mangut. Pa harruar fushekzaret Kasnecët me ftesat për oborrtarët, fisnikërinë dhe personalitetet e jetës së qytetit u shpërndanë gjithandej.U shtuan shandanë dhe llambadha që të ndriçohej e bëhej ditë. Ulëset dhe karriget për të ftuarit u vendosën mbështetur mureve. Pak më tej, tryeza të larta e të rrumbullakta, të mbushura me gjithë të mirat dhe verëra të zgjedhura e gota të kristalta. Tryeza mbretërore, froni me baldakin të kurorëzuar, ishte vendosur në krye përballë derës së hyrjes.Në anën perndimore, poshtë dritareve, mbi një pod të ngrutur kishte zënë vend orkestra dhe gaztorët, që do të zbavitnin mbretin dhe këtë shoqëri gazmore. Hapësira e mesit ishte lënë e lirë për vallëzim.

      Të ftuarit kishin ardhur dhe salla gumzhinte nga bisedat. Priteshin çifti arbror dhe ai mbretëror.

      Shefi i ceremonive dhe festimeve, i hoqi udhën Andreas dhe Helenës, që ishin paksa të vonuar. Maxhordomi lajmëroi mbritjen e tyre. Salla e mbushur plot, kthyen kryet dhe u shtangën nga ajo pamje që u shfaq tek dera. Burrave u mbetën sytë te Helena dhe grave te Andrea. Helena ishte veshur, nisur e stolisur si një zonjë aristokrate krutane,ngjante si një lule plot ngjyra kuqezi, kurse Andrea me veshjen e burrave malsorë të arbrit: turqe të bardha , puthutur pas kofshëve, me gajtanë e qëndisma të zeza, ngjeshur në mes me brez të kuq, xhoke të zezë, jelek kadife ngjyrë vjollcë dhe mbi krye plisin e bardhë . Ishte si një lastar u harlusur. Ngjante si të kishin dalë nga një galeri arti. Bukuri të tillë femrore dhe të tillë hijeshi burrërore, në atë oborr, s’kishin  parë ndonjëherë. Burrat ia patën zili Andreas, për shortin e zgjedhur, ndërsa gratë i dhanë të drejtë Helenës për zgjedhjen që kushte bërë. E kush ishte ajo femër që nuk do të donte ta kishte te vetin atë burrë?

      Ulëset e Kont Andreas dhe princeshës Helena ishin pranë fronit të mbretit dhe mbretëreshës që ende nuk  e kishin nderuar festën e mirseardhjes me praninë e tyre. Pritej të vinin nga çasti në çast.    

     Helena rroku me një shikim gjindjen. Kishte në atë sallë princër, kontër, markezë e baronë, me paruke të pudrosura dhe veshje të ndritura, tejet elegant, me vështrim fodull, mospërfillës, koka që ëndërronin të kurorëzoheshin, të tjerë që u serviloseshin gjer në pështirosje, bukuroshe me nam, koketa e kurtizane, gjuetare të shtreteve të burrave të pasur e të pushtetshëm, gjithëfar bukurish të perënduara që mundoheshin të dukeshin magjepsëse dhe të tjera në lulëzim. Në sallën e ndriçar si ditë, dukej se kishte ardhur stina e pranverës njerëzore e në livadhin e saj, kishin buisur e çelur shumllojshmëria e bukurisë femrore dhe e madhështisë burrërore.Por nuk mungonin as barërat helmuese dhe ato me gjemba. Vijnë rrotull, përshëndeten,  bëjnë sikur gëzohen e  duhen, por të gjithë urrehen, buzëqeshin për të  maskuar ngërdheshjen, fjalosin me ëmbëlsi por nën gjuhë  kanë helmin, duken të gëzuara por i bren nakari dhe zilia. Nën veshjet e pasura dhe vezullimin e stolive, fshihet varfëria e shpirtit. Gratë me dekoltetë e hapura, supet dhe shpatullat e zbuluara me reflekse qelibari, me aromën e parfumeve molisëse, rrëfejnë hiret femërore dhe lakmojnë burrat e shoqeve dhe burrat gratë e shokëve. Një buzëqeshje, një shikim gjithë lakmi, një shtrëngim dore apo një goditje e lehtë si padashje me brryl, janë grishje dhe premtim për  një romancë të pritshme, për të mbushur kotësinë dhe limontinë e jetës së velur nga të mirat. Helena frymoi thellë. Atje në principatën e saj, midis maleve, kishte shpëtuar nga këto vese e sëmundje të kësaj shoqërie sundimtarësh të sëmurë nga lakmia. Nuk kërkonte shumë nga jeta. I mjaftonte dashuria e saj që e kishte emrin Andrea.Edhe pas dhjetë vjetësh duheshin  si ditën e parë që u panë. Ajo I shtrëngoi krahun për ta ndjerë që e kishte pranë dhe se ai ishte vetëm i saj.

      Buçitën trompetat që drodhën ajrin. Kryeshambellani, trokiti fort tri herë me skeptër mbi pllakat e mermerta dhe  me zë të fortë kumtoi lajmin:

     -Madhëria e tij, mbreti Robert, shkëlqesia e saj mbretëresha Sançia e Aragonës, dukesha e Kalbrisë Xhovana d’Anzhu! 

       Gjindja u ngritën më këmbë dhe në heshtje, me përkulje të thellë, nderuan hyrjen e mbretit. Qëndruan ashtu derisa Madhëria e tij me një lëvizje të dorës bëri shenjë që të uleshin.    

      Mbreti, me fytyrë të ngurtë e të ftohtë ku s’lëvuzte asnjë muskul, si i detyruar të bënte një detyrim, u tha Andreas dhe helenës:

     -Besoj se jeni zbavitur, në qytetin tonë, që i ka me shumicë bukuritë, që admirohen nga sikush që vjen për herë të parë.... vazhdimi ketu

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1