Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | NOVELA | ANDREA DHE HELENA

ANDREA DHE HELENA

Font size: Decrease font Enlarge font
image Resmi Osmani

Resmi Osmani 

Novelë

ANDREA  DHE  HELENA

Vazhdimi

Pasi u bind në aftësitë e saj, i foli për atë që do të ishte i kujdesuri dhe nxënësi  i saj dhe  për kushtet e punës. Vend qëndrimi i, sipas stinëve dhe rasteve do të ishte Petrela dhe Kruja. Ajo do të ishte pjesë e familjes.Sinjora Roza pyeti gjer e gjatë. Më shumë u hëngrën për pagesën, por më në fund ranë në ujdi. Sinjora Roza kërkoi dy javë kohë që të përgatitej. Lanë datën dhe ditën kur do të vinte karroca që do t’a merrte sinjorën për t’a përcjellë në Petrelë.

       14

       Vilës iu shtua edhe një banore e re. Sinjora Rozës i caktuan një dhomë të bollshme e plot dritë, ajo do të shërbente edhe si klasë për mësimet e Karlos. Helena e priti mirë e me ngrohtësi tajën, e pranoi që të hante në tryezën e familjes , pa e trajtuar si shërbenjëset e tjera .Sinjora Roza, që ishte me përvojë, me sjellje të dashur, qëndrim të afërt me buzagaz e vështrim mëmësor, e afroi dhe e bëri për vete djalin, por kur duhej, ajo merrte pamjen e rreptë të mësueses, që fjala e saj të zinte vend e të mos kishte kundërshtim. Helenës, që e thërriste princeshë dhe e respektonte si të tillë,  iu afrua me kujdes, duke vrejtur përditë e nga pak zakonet, sjelljen dhe shprehitë, me fjalë të ëmbla e mikluese, me biseda të këndshme, i bënte shoqëri në kohën që i mbetej e lirë, shëtisnin bashkë, i lexonte rrëfenjat e Bokaçios dhe poezi nga “Libri i këngëve” të Petrarkës. I mësonte modele të punëdoreve që bëheshin me grep dhe për të kremtet gatuante ëmbëlsira me receta veneciane.Kishte zë të bukur, këndonte dhe luante në kitarë. Donte t’u krijonte bindjen se ajo ishte jo vetëm taja e djalit por edhe një shoqe e princeshës.Kjo ishte dukja, por thellë në shpirt, ajo nuk ia miratonte atë mendjelehtësi me të cilën kishte braktisur martesën e saj mbretërore, që kishte mbuluar me turp mbretin Robert dhe kishte zgjedhur një gjoja princ arbër, që principata e tij ishte sa një shami xhepi dhe që për t’i shpëtuar mërisë së të atit, kishte ardhur të jetonte në këtë majë guri!. Por fatit dhe të thënës nuk u shpëton dot! Për sinjora Rozën, dashuria me shikim të parë ishte cilësi e bukurosheve mendjelehta, për të cilën më pas ato pendoheshin por atëhere ishte von.  Andrean ajo e quante “Imzot”, i sillej me respekt dhe kur ishte rasti e vinte në dijeni të përparimeve të nxënësit të saj.I tha se ai kishte mendje pjellore dhe në të fara e diturisë do të rritej dhe do të jepte fryte.Me shërbenjësit e shumtë të shtëpisë, sillej si zonjë, me qibër e fodullëk, u rrinte larg, jo nga që ato flisnin vetëm shqip, por s’kishte ç’priste prej tyre, ato ishin bija fshatarësh e malësorësh të pagdhendur arbërorë, që s’dinin gjë tjetër veç të bindeshin e t’u shërbenin zotërinjve të tyre.

    Kishte hyrë vjeshta e dytë.Ishte pjekur rrushi në pjergulla,në ullinjtë degëvarur nga ngarkesa, kokrrat e ndritura kishin nisur të laroseshin, kuqëlonin mollët dhe verdhonin ftonjtë në degë.Netët u freskuan,por ditët ishin ende të ngrohta dhe qielli i kthiellët. Djemtë po rriteshin.Sinjora Roza nisi t’i jepte mësimet e para edhe Gjergjit. Helena vuri re se taja, ditët e fundit, pasi ishte kthyer nga Durrësi, dukej e menduar, e paqetë, në sy i dukej një ndruajtje e stepje, ajo që zakonisht ishte fjalëshumë u bë e heshtur dhe nervozohej nga hiçmosgjë. Helena e pyeti se mos ishte e sëmurë dhe nga se i vinte ai shqetësim, por ajo i tha se ishte mirë dhe se kështu i ndodhte në vjeshtë,kjo stinë i sillte trishtim.

     Mbrëmje. Ishin vetëm. Andrea kishte shkuar në kep të Rodonit për të kqyrur punimet që kishin nisur për fortifikimet. Petrelën e mbuloi muzgu ngjyrë vjollcë.Nata ishte pa hënë. Nga pjesa lindore vinin tingëllimat e këmborëve dhe zileve të bagëtive që ktheheshin nga kullota, kënga e këndezëve dhe të lehurat e qenve. Qyteza gatitej të binte në gjumë.  Në vilë u ndezën llambadhat dhe qirinjtë, dukej si një ishull drite në errësirën mbrënësore. Gjellëbërsja  Diella, gatiti darkën: çorbë bollguri me të brendshme qëngji të përvëluar me gjalpë, zogj të fërguar, fërgesë me mëlçi, barishte të egra me vaj ulliri dhe uthull, djathë të njomë, kos dele në qypa të vegjël balte, rrush që i zverdhnin kokrrat si qelibar dhe shegë. Buka e grynjtë e pjekur me çerep i dha aromë gjithë shtëpisë.  Diella i zbrazi mëlmesat në tasa.Për katër veta mjaftonin e tepronin. Para se të shtronte tryezën në dhomën e ngrënies, shkoi të lante duart në sqollin që ishte jashtë në fund të verandës.Kur u kthye, në dalje të magjerisë, ndeshi sinjora Rozën. Vuri re që ajo u trondit  u zbeh dhe se ç’futi me shpejtësi në gji. Diella arriti të shihte shkarazi, por pa qenë e sigurtë, një shishkë me pluhur të bardhë.

        -Deshët gjë sinjora Roza?

        -Djemve po u vjen gjumë.Thashë të mos flenë pa ngrënë. Desha t’u marr nga një tas çorbë.

       -Më thoshje mua t’i gatisja.Qëndro t’i marrësh, po t’i vë në tabaka.

       -Prit se u ftohet. Po shkoj tu vesh teshat e gjumit dhe pastaj po zbres ti marr. Tha dhe ngjiti me ngut shkallët.  

          Diella, përpara se të shtronte tryezën, ndërroi përparsen dhe skufen e bardhë, Helena e kishte merak pastërtinë.  Kur po merrte mëlmesat që ti vinte në sini, vuri re se në bango, anash tasit të çorbës ishte derdhur pak  pluhur i bardhë, ishte i imët si miell. Ç’ne ky miell? E mori me majë të gishtit dhe e provoi në gjuhë. Nuk kishte as erë as shije, por  ia mpiu majën e gjuhës.Ndolli macen.Larushja iu fërkua pas këmbëve duke përqallur në pritje të ushqimit. Diella mori nga tasi dy lugë çorbë dhe me to një kafshatë bukë dhe ia hodhi në enë. Pastaj shtroi tryezën .Helena hyri në dhomën e ngrënies. Aroma e gjalpit i hapi oreksin.

        -Ç’gjëra të mira e të shijshme na ke gatitur moj Diella?-pyeti dhe iu afrua tryezës.-Po Roza pse s’po vjen?

        -Po kujdeset për djemtë që ti verë në gjumë.

        -Mbase vonohet, nuk po e pres se ftohen mëlmesat-tha dhe nisi të hante-Shumë e shijshme çorba, pa dale fërgesa, edhe kjo ta mbash në gojë.Shqiti një kofshë nga zogu i fërguar, edhe mishi shkrinte në gojë.

       Diella shkoi në magjeri që të merrte qelqin me verë, kur, o zot, ç’i panë sytë: macja ishte shtrirë, nga goja i kishte dalë shkumë  e bardhë dhe ishte në grahmat e fundit. Diella u lebetit dhe duke bërtitur u turr në dhomën e ngrënies. Erdhën dhe shërbenjëset e shtëpisë, pa ditur ç’kishte ngjarë që kishte shkaktuar të bërtiturat e Diellës.

        -Princeshë, mos, mos hani, ushqimi është i helmuar!

        Por ishte vonë. Helena kishte marrë aq ushqim të helmuar sa t’i rrezikonte jetën.  Në fillim ajo se besoj. Kush do t’a bënte dhe pse do t’a bënte?.Nuk ndjente shqetësim. U bind kur pa macen. U ul në divanin e dhomës së ndenjies. Në lukth nisën dhimbjet, sefte të lehta, më pas si një grryerje nga kthetrat e një egërsire. Iu morën mendtë, trupi iu ftoh, u zbeh e u bë dyllë, zemra rrihte ngadalë, i vinte për të vjellë, mblodhi gjunjët, u kruspullos dhe u bë një grusht. Diella, Mara dhe të tjerat i rrinin mbi kokë, të drithëruara por pa ditur ç’të bënin.

     -  Ç’më rrini si shushka! Marë, verë ujë për t’u vakur,dergoni Gjonin të sjellë shëronjësin, thërrisni sinjora Rozën se mbase di ndonjë gjë më shumë se ne! Nga garnizoni të nisin një kasnec për te imzot Andrea. Shpejt, shpejt. Princesh është në hjekë, në fill të perit midis jetës dhe vdekjes.  

     Helenës iu mjegullua shikimi, bota i vinte rrotull, shihte turbull, iu trash gjuha, nuk i shqiptonte dot fjalët, ndjente siklet dhe të përziera në lukth. Sollën legenin.E pafuqishme, duke rënkuar me zor volli vrer.Pastaj ra në jerm.

     Sinjora Rozën e kërkuan gjithandej por nuk e gjetën në shtëpi. 

Gjoni rendi për te pyetur te porta e qytezës.Roja i tha se e huaja, me një boçallëk në dorë kishte dalë jashtë. Aty e prisnin dy kalorës, ata e morën dhe u bënë erë në errësirën e natës. Për Gjonin çdo gjë u bë e qartë. Shkoi me ngut te shtëpia e shëronjësit. I tha se princeshën Helena e kishin Helmuar. Pa humbur kohë shëronjësi  mori barërat , pajisjet dhe të dy nganë me ngut për nga vila.

      Diella kishte dëgjuar se në kësi rastesh,ndihmonte shplarja e lukthit, duke pirë me të tepërt ujë të ngrohtë dhe duke e vjellë atë. Kjo duhej përsëritur deri sa i sëmuri të mos kishte ç’të nxirte më.I vuri nënkresa për t’I ngritur kokën, ia vuri nën krye dorën e majtë dhe me të djathtën I dha të pinte ujin e ngrohtë. I hapi gojën  e detyroi të pinte me pahir.Por Helena s’kishte fuqi të villte. Diella ifuti dy gishta dhe i shtypi rrëzën e gjuhës. Nga goja dhe hundët plasi uji përzier me vrer dhe mbeturina ushqimore. Era e tharturës përmbyti dhomën. Këtë veprim Diella e përsëriti disa herë deri sa nga lukthi uji doli i pastër.

        Shëronjësin e trembi pamja prej meiti e fytyrës  së princeshës. I mori dorën. Rrahjet e zemrës ishin të dobëta,i ngriti kapakun esyrit, syri kishte dritë, i vuri dorën në ballë, ishte i ftohtë. Kishte rënë në gjumë letargjik. Dobarem ishte e gjallë. Pa që rreziku për jetë kishte kaluar. E helmuara ishte qetuar por dergjej pa fuqi.

       - Me shplarjen e lukthit e shpëtove jetën e zonjës tënde moj bijë. Është jashtë rrezikut për jetën. Do ti duhet kohë të marrë veten. Tashti po i gatis barërat dhe shurupet që t’i forcohet zemra, ti ushqehet trupi dhe t’i kthehet fuqia-tha dhe nisi nga puna. Nxori barërat, lule basani,  rrënjë sanëze, e të tjera i shtypi në havan pastaj i hodhi në enën me mjaltë hojesh.

      - Do ti jepni nga dy lugë për çdo dy orë. Besoj në mëngjes do të jetë më mirë. Qofshin të shkuara.   

        Andreas lajmi i kobshëm i erdhi i papritur, e goditi si rrufe.Ju mpi trupi, iu prenë gjunjët, iu errësua shikimi.

     -  Më thuaj të drejtën, ka vdekur?

      - Jo ,imzot, kur unë u nisa ishte e gjallë dhe nën kujdes.

        Kalëronin nëpër natë. I shoqëruar nga shpura e tij, e ngau kalin si i shkalluar sa i nxori shkumën.Mendimet i silleshin rreth Helenës. E vegoi të pajetë të shtrirë në tabut.Ngashërimi dhe angështia brenda vetes ja ndrydhën zemrën, i mehën  frymën, në mendje buisnin mendime të dhembshura. I erdhi keq për veten, për djemtë që do të mbeteshin pa nënë, për Helenën që nuk po gëzonte të ritë dhe lumturinë. lshte kjo prapësi ndjellakeqe e fatit,apo dënimi I një krenarie të lënduar që nuk dinte të falte dhe s’njihte mëshirë dhe I ndiqte si një mallkim? Pse,pse? Qau me zemër të ligështuar, pa zë, lotët i  shkuan çurg. Pastaj në një cast kthjellimi nisi t’u lutej me devocion, gjithë shënjtorëve, Shën  Marisë, Zotit që dhuron dhe merr jetën. Rruga iu duk se s’kishte fund. Do të donte të kishte krahë e të fluturonte, ti gjëndej mbi krye të dashurës, nënës së fëmijëve të tij. “Mbahu helenë, bëhu e fortë, mos iu dorëzo të keqes, jeto për mua! Më prit,jam duke ardhur…” U gdhi. Mbërriti në Petrelë kur dielli kishte përflakur majëmalet.

     Egjeti të shtrirë në shtrat,të zbehtë, fytrëhequr, nën sy ishin shfaqur rrathë mavi. Flinte, frymëmarrja e qetë ia ulte e ngrinte gjoksin ritmikisht. “Gjall, gjall,o Zot, të qofsha falë për këtë mrekulli. Diella i afroi stolin. Andrea u ul me kokë përkulur mbi Helenën. Lotët i rrodhën vetiu. Helena i ndjeu kur i ranë mbi fytyrë dhe hapi sytë.

      -  I dashur,erdhe? Oh sa të kam pritur. Vdiqa dhe u ngjalla.Thashë se do të ikja pa të parë!-Zëri ishte i këputur, sytë të shuar, ajo buzëqeshja e zorshme që u ravijëzua mbi fytyrën e ngrirë rrëfente lëngatën, por ishte edhe shenjë e jetës që nisi të gjallonte në qënien e saj të drobitur.

       -  Lulja ime e vogël !

        Andrean e mbyti ngashërimi. Nuk mundi të thoshte fjalë tjetër.E donte çmendurisht, pafundësisht, përjetësisht! Ata do të jetonin gjatë për njëri-tjetrin, për dashurinë e tyre, për të dy djemtë dhe për Arbërinë që ta shihnin zonjë!

      - Kush?-Pyetja iu drejtua Diellës.

      - Sinjora Roza. E bëri dhe u bë fir  nëpër natë. Jashtë portës së  qytetit e prisnin dy kalorës me pelerina të zeza.

      -Kemi mbajtur nepërkën në gji – tha, por e dinte se ajo ishte vetëm dora që kryente vullnetin e tjetërkujt, të nënmbretit dhe ai të porosisë që vinte nga Napoli.

            Maj 2018.

            Vijon.                      

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1