Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | NOVELA | ANDREA DHE HELENA

ANDREA DHE HELENA

Font size: Decrease font Enlarge font
image Resmi Osmani

Resmi Osmani 

Novelë

ANDREA  DHE  HELENA

Vazhdimi

           11

          Vend i panjohur,  të tjerë njerëz, të tjera zakone, tjetër jetë. Kjo ishte Arbëria,  ku e hodhi dora e fatit. E ndante  një rrip det nga vendi  i saj, por që për të s’kish dëgjuar të flitej asnjëherë. Si do që e donin,Zamfina dhe vashat e rrethonin me kujdes e dhimbsuri, që i admironin bukurinë dhe hijeshinë, pa Andrean, ndjehej fillikate dhe e huaj.  

          -Lulja ime, nusja ime e vogël,- i tha Andrea-pregatitu për udhëtim të gjatë. Do t’i biem vendit afër e ngjat, të njohësh principatën, të kqyrësh me sytë e tu Arbërinë, zonjë e së cilës ti do të jesh!

           Dhe ata morën udhët, fushave, luginave, shtigjeve, maleve me borë, me një tokicë trima përcjellës, si dy të rinj të panjohur. Panë fushat e gjera pjellore që zverdhnin nga ari i grynjërave dhe të lashtave të arrira, të qëndisura nga e kuqja e paparunave, që prisnin drapërin, luadhet e gjera me gjelbërim harlisës mbushur nga tufat e bagëtisë,luginat e lumenjve të harbuar e ujëkulluar të zhytur në tymtajën e mjegullës mëngjezore, admiruan ujvarat e potershme e të përshkënditura  nga ari diellor, u flladitën në burimet e kulluara si loti,çanë shtigjeve të thepisur dhe pyjeve të dendur, u ngjitën majave të frikshme ku fluturonte shqiponja, soditën purpurin që paralajmëronte  lindjen e diellit mbi majëmalet dhe kuqëlimin e perëndimit, muzgun e ëndërrt,qiellin e netëve yjestolisur.Bujtën në stanet alpine nën kupën e qiellit, në kullat e gurta,me vasha si zana e djem azgana, të pritur me bujari. Thjesht, pa oborrësi e shtirje hipokrite: bukë, kripë e zemër! Se shtëpia është e zotit dhe e mikut. Shijuan begatitë e tokës  arbërore: mishin e qingjit në fërlek, mjaltin nga hojet e zgjojeve, djathin e njomë të staneve, pemët e sapo këputura nga degët. Dhe ngado buiste dashuria e tyre, si flladi, si drita e diellit,hënës dhe yjeve. Ajo ishte në këngën e zogjve, në ngjyrën dhe aromën e luleve, në buzëqeshjen dashamirëse të njerëzve, si një bekim nga Zoti. 

          Dashuria e kishte emërin Andrea dhe Helena.

         Helena u bind: Arbëria ishte e bukur, Arbëria ishte e begatë dhe ajo për të do të ishte atdheu i ri.

        Viti i parë pas martese rrodhi si një ëndërr. Helena jetonte or e çast në dashurinë e saj, që ishte një ndijesi drithëruese që i mbushte zemër e shpirt, i dukej si një pezulli endjeje në një mjegullim të trëndafiltë, tingëllimi i saj kishte muzikalitetin e zërit të  Andreas, drita e saj buronte nga sytë e Andreas, ishte dora e tij që e tërhiqte lëndinave parajsore të ëndrrave gjatë neteve që ajo prehej në krahët e tij. Ajo buzëqeshja ngazëllyese e një ndjesie dëshiruese e tërhiqte me një forcë të vetvetishme.Fjalët e tij kishin tingëllimin e argjendit, shikimi i tij butësinë e syve të pëllumbit, prekja e gishtave të tij ishte drithëruese,me freski flladi, shtrëngimi në gjoksin e gjerë një bashkim zemrash nga i cili nuk do të donte të shkëputej kurrë. ”Andrea, Andrea, Andrea…” mërmëriste ajo. Burri i saj, fatlumi i saj, dashuria e saj, që i erdhi si dhuratë qiellore. Ajo e donte, e donte deri në përgjërim, dashuria për të veç sa vinte shtohej, ishte frymëmarrja, rrahje e zemrës, balsam lumturues, pjesë e gëzimeve të përditshme, bukuri e jetës.

       Kur u kthyen në Krujë nga rrugëtimi,të rrahur nga flladi e të përshkënditur nga dielli, fytyrat i kishin të bronzuara, në sy e pamje rrezatonte gëzimi për jetën dhe dashuria. Dom Dominiku, i përshpirtshëm si shenjtor, i mençur e këshilltar urtak, fjalëmbël, i dashur si at, i tha të vëllait,Tanushit, se sëra e nuses, nga gjaku mbretëror frëng dhe nderi i të birit, trashëgimtar i principatës së Arbrit, e donin një dhuratë gëzimi. Martesa rebele, me rrëmbimin e nuses, nuk duhej të bëhej pengesë, ngaqë ndër arbrorët s’ishte e pangjarë por zakon kreshnikësh. Tanushi s’ia bëri fjalën dy. Zgjodhi si dhuratë për të birin dhe nusen e fisme, njerën nga kalatë e afërta, atë të Petrelës, ku ata do të jetonin të qetë e të sigurtë.Thirri noterin dhe bashkë me Niketën, nënshkruan akt-dhurimin. Në një hapësirë trekëndore,Kruja rrëzë mali, Preza dhe Petrela si të vëna me dorë, si tri lule mbi kodra, kishin nën sy udhët, luginat dhe hyrje-daljet e fushës, bregdetit dhe fillimin e ngjitjeve për shtigjet malore. Ato kuvendonin dhe jepnin e merrnin me gjuhën e flakëve të zjarreve sogjetarë.  

     Sa kishte hyrë vjeshta e parë. Andrea,kaluar mbi atin e kuqërremtë dhe Helena mbi kalin e bardhë, ishin vendosur në qendër të çetës së  kalorësve të gardës,që po i përcillte për në Petrelë, la fushën dhe hyri në udhën e ngushtë të luginës që ecte buzë lumit. Vjeshta  i kishte begatuar dhe darovitur bashtinat në të dy anët e kodrave: me rrushin që nxinte në pjergullat, mollët që kuqëlonin në degë, dardhat dhe ftonjtë me të verdhën e artë, arrat dhe gështenjat.Në luadhet dhe çeltirat kullosnin tufat e bagëtive. Ca mbi to grumbujt e vegjël të shtëpive të fshatrave, çatitë e të cilave kuqëlonin nga tjegullat. Më lart në të dy krahët, lisnajat dhe dushkajat, në gjethet e të cilave hukama e vjeshtës sapo kish nisur të linte gjurmën e zbehtësisë së saj. Lugina ishte e zhytur në pahun e dritës, si në një pluhurizë të artë. Qielli me kthjiellsi të qelqtë, pa një re, kaltëronte i bruzët si një buzëqeshje fëmije.Lugina merrte përpjetë për në lindje dhe në horizont shfaqeshin majëmalet. Helena s’nginjej së sodituri bukurinë e pamjeve që hapeshin para saj. Andrea shihte dritë në sytë e saj, gëzim në pamje dhe  mahnitje për çka ajo vegonte në këtë udhëtim drejt së panjohurës, që po e shpinte në shtëpinë e saj të re.

       Në të djathtë të rrugës, u shfaq si befasi për sytë kodra me qytezën e bardhë të Petrelës që gjelbëronte nga ullinjtë. Kalaja në perëndim, si e kapur me kthetra buzë shkëmbenjve, përngjasonte me një shpend të bardhë që ishte ndalur në turr të fluturimit në zgrip të humnerës .Çeta e kalorësve mori djathtas dhe ngau në rrugën e kithët të shtruar me kalldrëm që i çonte në kala. Aty i prisnin. Pregatitjet kishin përfunduar. Kujdestarët dhe shërbenjësit u kishin dhënë dorën e fundit punëve,çdo gjë me rregull e në vëndin e vet,ndrinte nga pastërtia . Qyteza kishte hapur portat dhe zemrat e banorëve, që me tufa lulesh në duar ishin sëritur në të qy krahët e udhës së kalldrëmtë. Më së shumti gra të parisë, vasha  të reja veshur me ngjyra të ndezura dhe fëmijë çamarokë, por edhe pjestarë të pleqësisë,që mbaheshin rëndë dhe se jepnin veten nga kërshëria kur u gjendën para  bukurisë rrëzëllenjëse të princeshës së huaj, nuses së Andreas,  që tani do të ishte zonjë e tyre. Turma e priti me brohori, i hodhën para këmbëve lule, grurë dhe elb, e stërpikën udhën me ujë burimi. Kambanat e kishës kumbuan si për festë dhe jehona e tyre e gëzuar u përhap luginës. U mbetën sytë te gjithëçka e saj: ishte si të kishte zbritur nga retë një yll, si të kishte dalë nga burimet një shtojzavalle, si të kishte mbirë e çelur befas një trëndafil i bardhë. Lum e lum për këtë nuse! Por ama edhe djali ynë! Si një lis i ri i bleruar. Ajo kishte ditur se çfarë kishte zgjedhur.Kush do të ishte ajo vashë që nuk do të kishte dashur ta kishte të vetin? Andrea dhe Helena, u zbritën kuajve dhe  të zënë për dore, të buzëqeshur bënë përpara duke përshëndetur me krye dhe dorë majtas e djathtas, dhe kthyer urimet e shumta për lumturi, shëndet e mbarësi që nuk rreshtnin nga gjithë anët.

         Vila e sapo ndërtuar  për ta rrëzë murit të kalasë, me pamje nga jugu dhe Jug-perëndimi ishte e bukur.Në kat të parë ishin dhomat e shërbimit, e ngrenies, ndenjies dhe pritjes së miqve. Veranda e bollshme me kollonata mermeri e qemerë linte të shihej lugina me fshatrat e vegjël dhe në të majtë shpatet e malit mbushur me pyje lisi. Rruga që përshkonte gryka dhe qafa malesh, të shpinte deri në Skampinin buzë lumit. Në perëndim shpalohej hapësira deri larg në horizont, atje ku qielli puthej me detin. Një shkallë e brendshme , me bazamakë e parmakë dru-gështenje të ngjiste në kat të dytë në odat e gjumit e në tarracë. Prej andej dukej vargu i maleve të thepisur që arrinin deri në Ohër në kufijtë e Muzakajve dhe Gropajve. Vila ermironte rrëshirë pishe dhe gëlqere. Në ormisjen e saj s’ishte kursyer asgjë, gjithçka e sjellë nga Venediku, që ajo të ishte e denjë për një çift princor. 

       -Lulja ime,të pëlqeu dhurata e tim eti dhe shtëpia e re?

       -Shokun e mirë dhe në majë të gurit!-I përmendi ajo të thënën e tij dhe i hodhi krahët në qafë.-Ky guri ynë veç e ka emrin “Guri i bardhë”.

        Helenës i pëlqeu dhurata e të vjehrrit.Tashmë ata kishin feudin e tyre që do t’ u siguronte gjith ç’u duhej.

       Darkën ja u shërbyen në verandë.Nata ishte e bukur, e qetë, e mbushur me këngën e zogjve,të Gjonit dhe Qyqes. Andrea ia rrëfeu Helenës legjendën.Asaj I erdhi keq për Qyqen dhe Gjonin.  Qielli mbi krye, ishte i stolisur nga hëna e plotë që shëtiste midis yjeve dhe rigonte pluhurizën e artë që zbuste muzgun mbrëmësor. Frynte fllad i lehtë. Andrea e mori Helenën në gjunjë. Ajo ju var në qafë. 

      -Lulja ime e bukur- i mërmëriti ai,dhe e puthi lehtë ëmbël në gushë, në faqe, në sy e pastaj në buzë. Ajo fërgëlloi si thëllëzë dhe me një barrë naze e pyeti siç e pyeste shumë shpesh:

      -Trimi im, a më dashuron?

      -Ti duhet ta dish, moj lulja ime e bukur, moj nusja ime e vogël!

      -Dua të ma thuash me gojë tënde, nuk lodhem asnjëherë së dëgjuari!

      -Shumë, shumë, shumë!

      -Sa shumë? Sa qielli, sa toka, sa yjet, sa dielli,sa lulet e lëndinave…Thuama, apo të dukem ndopak budallaçkë?

   Ai ia vulosi gojën me një të puthur të gjatë dhe i tha:

   -Sa të gjitha ato bashkë dhe të tjera që ti s’i the! 

        Ajo ia mori dorën dhe ia vuri mbi barkun e saj. Ishte shtatzënë.Shtatzënia e kishte ndryshuar: I kishte rënë në fytyrë një dritë lumturie,kishte nisur paksa të rëndohej e të mbushej në bel, e kishte kapur një plogështi e rëndesë që ia bënte të matura lëvizjet. Tashmë ajo e ndjente që ishte nënë, rriste në bark foshnjen, dukej pak si e mënjanuar dhe sikur përkujdesej vetëm për atë që po rritej brenda barkut të saj. Andrea vinte re se ishte pak larg kujdesit të saj, i dukej vetja si i zhvendosur nga ai mister jete që e kishin ngjizur të dy. I gëzohej, por ishte Helena, gruaja, nëna që po e rrit dhe që do ta lindë foshnjën, trashëgimtarin e tyre, ndaj ajo duhej rrethuar me shumë kujdes e dashuri. Dom Dominiku, kur ju bë e ditur dhe u gjend pranë të dyve, me një gëzim që nuk e fshehte, u tha:

   -  Bijtë e mi, gëzohuni e lumturohuni, faljuni dhe lutjuni tënzoti, se shtatzënia është dhuratë nga zoti, një shënjtëri, zoti zgjodhi një grua për të sjellë në jetë shpëtimtarin tonë. Shën Maria është mishërim i gjallë i kësaj shënjtërie, simbol i  amësisë që përtërin jetën.….

    -E dëgjon frytin e dashurisë sonë ngjizur brenda meje? Po troket. U rrit dhe na lajmëron se po vjen.

    -Vogëlushja do na lindë një vogëlushe, po aq të bukur sa është edhe vetë, që kur të rritet të çakërdisë trimat e Arbërisë!

      -Jo i dashur. Ai është djalë. Do të vijë i pashëm dhe trim si i ati, që të trashëgojë e sundojë principatën e Arbërisë.

        Fjalët e saj ishin profetike.

        12

         Niketa Topia, pas martesës së Andreas, dhe dhurimit atij nga i ati i feudit të Petrelës e ndjeu veten si të braktisur, të lënë pasdore.Tata Tanushi,mixha dom Dominiku, motra Zamfina dhe të tjerët i kishin sytë,vëmendjen dhe kujdesin te Andrea dhe Helena. Ata zinin kryen e vendit dhe të bisedave. Po Niketa? Aha, Niketa! Për të prêt koha.  Ja kishte zili të vëllait gruan e bukur dhe në shpirt iu ngjall nakari që nisi ta brejë  si krimbi drurin. Babai po plakej dhe jeta e tij ishte me sot me nesër. Zakoni i parabirërisë, e bënte Andrean trashëgimtar të principatës. Trashëgimit të tij i jepte krahë edhe të qënit dhëndërr i mbretit Robert të Napolit. Ai do të mbetej si guna e vjetër.Një shërbëtor i atij që e kishte vëlla nga babai. Jeta iu kthye në makth. Rrugët e veta i shihte  të mbyllura, në terr. Gjithandej Andrea, kanakar i babait, krah tij më e bukura ndër gratë,  Helena . Për të edhe pse i kishte ardhur mosha, nuk kujtoheshin që ta martonin, gjoja ngase ishte radha e Zamfinës. Për të mbytur dëshpërimin, ushtrohej me shpatë me oficerët e gardës, sa kapitej dhe lahej në djersë. Merrte shenjë me hark, mundej trup me trup. Kalëronte si i ndërkryer,  sa doriut i dilte shkuma. Gjithë këto s’ia shqitnin mërzinë, që i ishte ngjitur në shpirt si pisllëk, ndaj zgjodhi kupën e verës.  Vera, që në avujt e saj i pështjellonte shpirtin dhe i trubullonte mendjen, u bë shoqe dhe ngushëllim i tij. Për të provuar fatin nisi të hedhë zaret, aq sa përveç pijes, kjo ju bë ves, lozte me shuma të mëdha dhe në të shumtat e rasteve humbiste. Aq të mëdhaja ishin humbjet, sa arkëtari i thesarit vuri më dijeni Tanushin dhe ia kufizoi dhënien e shumave që i kërkonte. Nisi të merrte borxhe nga tregtarët dhe fajdexhinjtë. Si të mos i mjaftonte Kruja, shalonte gjokun, ngjeshte shpatën dhe shkonte në Durrës. Zderhallej nëpër pijetoret sa bëhej dërrasë, hidhte zaret sa mbetej trokë dhe nuk mungonin as rastet e zënkave dhe sherreve që ai s’u thoshte tutje. Gjithësa atij i ndodhte, ia shpinin taze në vesh mëkëmbësit të mbretit Çezare di Falkone. Nuhatja e tij e hollë i thoshte se në familjen e Topiajve diçka po ndodhte. Ishte rasti ta mësonte nga njeriu brenda shtëpisë, ndaj  porositi që Niketën, ta sillnin si të  ftuar të tij në “Vilën e sinjorisë”.

         Kjo ndodhi në të hyrë të pranverës. Ishte e para herë që shiheshin. Mëkëmbësi i mbretit, intrigant e hileqar,që ishte mësuar të hidhte gurin e të fshihte dorën e të mos thoshte edhe kur duhej atë që mendonte e që helmin e mendimit e vishte me fjalë të sheqerosura, kundroi me vëmendje djaloshin, për të ditur deri ku mund të shkonin shpresat e politikës së  tij të hollë romane “Përça e sundo”. Pa që Niketa ishte djalë trupmadh , i fuqishëm e hijshëm si gjithë Topiajt, por syrit të tij të mprehtë nuk i shpëtoi pa vënë re, se në pamjen e tij ende fëmijërore se ç’kishte një brengosje e pasiguri që e bënte të dukej i ndrojtur e i pasigurtë. Në fytyrën e tij mungonte buzëqeshja. I gostitën me verë të kuqe e fruta të thata. Çezare, i veshur me sqimë, me sjellje të fisme prej oborrtari, por me shikim tinzar, e pyeti për shëndetin e të atit, princit të respektuar Tanush Topia.

         -Babai po plaket,e ka rënduar cërma dhe e ka ca të zorshme qeverisjen e principatës, ca më shumë tani që ndjehet më shumë kërcënimi i serbëve të Stefan Dushanit. Sherre e  gërr-mërre, që shpesh përfundojnë edhe me gjakderdhje, kemi  edhe me muzakajt dhe balshajt për sinoret e principatës.

       -Për të ardhur keq. Me pleqërinë, avitet edhe vdekja. Ati juaj jetoftë edhe njëqind vjet, se fjala nuk sjell të keqe, por mund të vdesë edhe nesër! Larg qoftë, nëse ndodh, sipas të drejtës suaj zakonore, kush e trashëgon principatën e Arbrit?

      -Parëbirërinë e ka vëllai, Andrea, atij i takon të jetë trashëgimtari.

      -Në s’gaboj e keni fratellastro[1]. Andrea, rrëmbenjësi i Helenës, që guxoi e bëri të pabërën, turpërimin e mbretit Robert. Të dy, edhe pse bëjnë hije mbi dhe, mbreti nuk i ka falur, as e ka njohur martesën e tyre. Dënimi me vdekje sillet mbi kryet e tyre si ora e së keqes. Për çdo çast ata të dy janë sa të gjallë edhe të vdekur.Trashëgimi i principatës nga Andrea, do të ishte prishje e aleancës dhe një akt lufte ndaj mbretërisë sonë. Bën mirë ta dish këtë të fshehtë: në arkën time të hekurt,ruhen njëmijë monedha ari, që presin të bien në dorën eatij  që do të shuajë jetët e tyre! Meqënse erdhi fjala, namëta,ç’bëhet çifti i lumtur?

      - Babai u ka dhuruar kalanë e Petrelës me rrethinat. Është një feud që u siguron gjithë të mirat. Atje jetojnë. Helena prêt një fëmijë. Andrea shkëputet vetëm kur e thërret tata për ndonjë këshillë. Vjen edhe të stërvisë e komandojë qindshet e ushtarëve të gardës që ka nën komandë.Gatitemi për luftë.

      Çezare shtiu verë në kupat e argjendëta, e cyti të pinte, i tha se ishte verë e vjetër dhe zhbiroi me shikim Niketën, që dukej i tronditur dhe piu me etje nga kupa e verës. Dukej që helmi i fjalëve të tij, dhe shkëlqimi i arit, djaloshit lakmiqar i kishte ardhur i papritur, i kishte pështjelluar qënien dhe gjykimin. I kishte hapur ca shtigje ku dredhia ,pabesia, ligësia dhe lakmia e shpinin në krye të asaj rruge që e bënte të parë dhe sundimtar të principatës. Pasi e la të gëlltiste gjithë sa i tha, Çezare, vijoi ti fliste me zë të zvargur, pa e parë në sy, si t’i fliste ajrit: 

      -Teksa lindjet kanë radhë, vdekja nuk njeh as radhë as moshë. Ajo s’dihet as nga vjen as kur vjen. Çuditërisht, shpesh ajo vë rend në vendosjen e gjërave.Duhet ajo që të ndodhin disa gjëra të domosdoshme pas saj. Po të vdesë i parëlinduri, i dyti bëhet i parë! Ndodh edhe kështu. Rruga  drejt trashëgimit asnjëherë s’duhet parë e mbyllur, por duhet pastruar nga ferrat!

        Edhe pse e thënë në mënyrë pavetore, Niketa e mori kumtin, si një porosi që i jepej atij. Dhe kjo jo nga askushi, por nga mëkëmbësi i mbretit, vassal të të cilit ishin! 

      - Hajd, gëzuar, shëndeti yt! Je i martuar?

      -Ende jo.

      -Mos u ngut. Martesa është politikë. Të bën me aleatë. Mos shih bukurinë, veri synë ndonjë trashëgimtareje të pasur nga derë e madhe princore që të bësh miq të fuqishëm dhe të të sjellë pajë ndonjë qytet apo krahinë.

       Pasi qetësisht dhe gjoja pafajësisht, kishte mbjellë në shpirtin e djaloshit farën e së keqes , i bindur se ajo do të jepte fryte të hidhur, Çezare u ngrit:

       -Fal me shëndet atit tënd fisnik. I thuaj se mbreti Robert, e çmon shumë dhe pritet që me porosi të hirësisë së tij, papës,ta finikërojë me titullin”Kont i Matit dhe Arbërisë”.

       - Mendoji ato që të thashë. Sido që të jetë, sa herë të kesh nevojë për një këshillë apo për një mendim, derën time e ke të hapur.

        Nga ti pres veç lajme të mira!

           13

            Kaluan vite.

            Andrea dhe Helena jetonin në kalanë e Petrelës. Një jetë e mbushur me dashuri, si në ditën e parë që ishin njohur. Dukej se ata jetonin veç për njeri-tjetrin. Kur Andrea largohej për të komanduar gardën, në rastet e sherrnajës me principatat e tjera, Helena kalonte dit e net të ankthshme, në zemër e shpirt kishte një angështi që s’i shqitej. E ku si shkonte mendja dhe parafytyrimi, ligështohej e jetonte gjakngrirë.Ajo jetonte veç për Andrean, nuk e mendonte veten pa të. Ai ishte jeta, gëzimi, shpresa, e tashmja dhe e ardhmja.Kthimi i tij ishte si një ringjallje, si ai shiu që bie mbi tokën e përvëluar nga dielli, ajo lulëzonte e zbukurohej veç për të. 

         Nuk vonuan të vinin dhe fëmijët. I pari, në pranverë të vitit 1301 lindi djali, që e quajtën Karlo, në nderim të gjyshit të Helenës, mbretit zulmëmadh Karl d’Anzhu. Me këtë pagëzim deshën të zbusnin zemërimin e mbretit Robert. I shkruan letër. I jipnin lajmin që ishte bërë gjysh, që kishte një nip në Arbëri. Për të disatën herë, i thoshin se tërmonë e kishin nderuar dhe respektuar,i kërkuan të falur për atë veprim të ngutur të viteve të mëparshëm dhe i luteshin mëshirës së tij mbretërore që t’i falte. Le ta zbuste zemrën e gjyshit dhe ti pajtonte nipi Karlo, në venat e të cilit rridhte gjaku Anzhuin. Përgjigje nuk pati. Heshtje e plotë. Për mbretin Robert, ishte  si ata të mos ekzistonin.

       Pas dy vjetësh lindi djali i dytë. E quajtën Gjergj, në nderim të Shëngjergj luftëtarit.Tanush Tpia u ngazëllye. Dera e Topiajve kishte edhe dy trashëgimtarë të rinj. Ditën e pagëzimit të djalit, në kishën e vogëu të petrelës, liturgjinë e shenjtë e mbajti Axha Dominik. Në gostinë e shtruar me atë rast, Helenën e mbushën me dhurata.

       Përsëri i shkruan sërish një letër mbretit Robert. Asnjë përgjigje. Shurdhëri e plotë. Zemërimi mbretëror që kishte ngurtësuar zemrën e tij, ishte i hekurt. Ishte dëshpëruese.  S’kishte as falje as pajtim.

      Helena po u afrohej të tridhjetave.E bukur si përherë, por tashmë një bukluri e arrirë me hijeshinë e gruas që është bërë nënë, ca më e mbushur në shtat. Mësoi të fliste shqip, sido që me theks pak të huaj, por që ia hijeshonte ligjërimin. E dashur dhe e sjellshme me zonjat e parisë në Krujë e Petrelë,e drejtë në gjykim, bujare me të vegjëlisë, derëhapur për nevojtarë e hallexhinj. E donin dhe e nderonin. Gëzimeve të jetës së saj iu shtuan të dy djemtë. Dashuria kishte dhënë frytet e saj. Ishin su një bekim,ajo  hallkë e gjallë që e lidhte me Andrean, si rrënjë të ngulura në truallin e Arbërisë. Karlo i ngjante shumë të atit, por pak më zeshkan, ishte si t’a kishte nxjerrë nga hundët! Gjergji dukej si i nisur për vajzë: fytyrëbukur, sybruzët, flokë verdhë, kaçurrela, me shtat të hajthëm. Ndryshe nga Kqrlo, i pëlqente ta llastonin dhe miklonin. I donte me përgjërim, lumturohej tek i shihte si rriteshin, drithërohej kur ata sëmureshin, u rrinte mbi krye si të ishte ëngjëll mbrojtës duke iu lutur Shënmërisë dhe shënjtorëve, ndizte qirinj në qelë dhe  blatonte dhurata. Gdhinte netët, shpesh duke derdhur edhe lote dëshpërimi. Por kur gjithçka kalonte,ajo çelej e hapej si qielli pas shtrëmgatës.

      Sido që zonjë dhe nënë e lumtur, e kishte një peng: mëria e zgjatur e mbretit Robert. Edhe pse se shfaqte dhe se jipte veten, e mirrte malli për Napolin, për viset ku ishte rritur dhe kaluar vitet e femijërisë dhe rinisë.Sillte ndërmend oborrin mbretëror, jetën mondane,koketërinë e oborrtareve, pritjet, ballot, thashethemet, qytetin e madh të Napolit, portin cit me anije, kaltërsinë e detit, kthielltësinë e qiellit,Vezuvin, ndriçimin e shkëlqyer të diellit, serenadat dhe tingëllimin e kitarave në netët verore… e këtushmja ishte ndryshe, e të tjera përmasave, pa atë shkëlqimin e rrem e hipokrit, disi më e ashpër, më burrërore,  por më e ndershme dhe e sinqertë. Kjo  ishte jeta që e kishte zgjedhur vetë, si një e drejtë e saj. 

       Helena, sido që u rrek, nuk arriti të bëhej amvisë e mirë që të qeveriste shtëpinë dhetë kujdesej për të shoqin. Andrea qeshte me të dhe bënte hoka kur e shihte që ajo ndërhynte në gatim apo në ormisjen e dhomave të shumta të shtëpisë.Pas lindjes së djemve pajtuan mëndesha vendëse që u kujdesën për rritjen e djemve, Gjellëbërsja, Diella nga Petrela, ishte mjeshtre e vërtetë, shërbenjëset vinin rregull dhe pastërti në gjithë vilën. Ekonomi,Gjoni, blinte dhe sillte gjithë ç’ duheshin. Shtëpia gëlonte nga shërbenjëset.  Helena u rrinte mbi krye.

       Kur Karli mbushi gjashtë vjeç dhe hodhi shtat, Andrea i tha Helenës se duhej te pajtonin një tajë që do t’i mësonte djalit të fliste dhe të shkruante latinisht dhe rregullat e mira të sjelljes në shoqëri. Kërkesën ja bënë dom Dominikut.Ai u kujdes dhe kërkoi mendimin e mëkëmbësit të mbretit. Duhej një mësuese-tajë për Karlin, bir i Andreas dhe Helenës,trashëgimtar i mundshëm i principatës së Arbërisë, nip’ i mbretit Robert D’Anzhu. Ky nuk vonoi dhe i rekomandoi sinjora Rozën, një zonjë veneciane , mësuese e ditur, që kishte shërbyer në disa shtëpi aristokrate e të kamura të Durrësit. Dom Dominiku e takoi vetë sinjora Rozën. Ishte meso grua, thatime e shkathët,me shikim zhbirues, e veshur me shije, mbahej rëndë dhe kishte  sjellje të hijshme. VAZHDON KETU

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1