Navigate archive
first first August, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | ESE | POET AGIM BAJRAMI, MISIONAR I FJALËS SË BUKUR.

POET AGIM BAJRAMI, MISIONAR I FJALËS SË BUKUR.

image Kadri Tarelli

Kadri Tarelli shkruan: 

 

POET AGIM BAJRAMI, MISIONAR I FJALËS SË BUKUR.

Ai festoi 60-vjetorin e tij

Në javën e fundit të Korrikut 2019, pikërisht më 22 të këtij muaji, shkrimtarë, poetë, artistë, anëtarë të klubit të shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit, miq, shokë dhe familjarë të poetit Agim Bajrami, festuan bashkërisht 60-vjetorin dhe përurimin e librit të fundit me poezi, të titulluar “Vonë”. Nderuan takimin edhe përfaqësues të Bashkisë së Durrësit dhe miq nga Tirana. Duke u nisur nga përmasat, ky kuvend festiv përbën një ngjarje të bukur në jetën artistike të qytetit bregdetar.

Reportazhi le të publikohet në faqet e shtypi. Unë dua të them pak fjalë për veprën e tij të fundit “Vonë”, që sapo ka dalë në qarkullim, duke i thënë lexuesit, se nëpër reshta dhe fletë, do të ndjejë kënaqësi fjale dhe urtësi mendimi. I them këto, pasi në të tilla takime, që unë i quaj “kuvende artistësh dhe shkrimtarësh”, fjalim-mbajtësit, kur nuk kanë ç’të thonë, i kushtohen jetës dhe cikërrimave të saj. Por kur heroi i ditës ka një seri botimesh, nëntë libra dhe me dhjetëra çmime të para, të marra këtu dhe në të gjitha trevat shqiptare, atëherë vogëlsitë jetësore zbehen përballë veprës. Ndaj vëmendja godet këtu, tek vlera artistike, mesazhi dhe ndjesia që përftohet. Këtë po bëj edhe unë në këto pak radhë: 

Para katër vjetësh, pikërisht më 06. Korrik 2015, publikova një shkrim kushtuar librit të titulluar: “KOHËN E NDALI DASHURIA”. Esse kushtuar librit “Kohë që s`dashuron”, të poetit. Agim Bajrami., duke filluar me këto vargje: 

……………………………

“Dhe sot më dalin mangut vitet.

Sa herë i mbledh, diçka mungon.

Një pjesë, ma vodhën hipokritët

Një pjesë, kjo kohë që s`dashuron”……….

Edhe sot në këtë 60-përvjetor, po të pyes i nderuar poet: Vërtet u bërë 60-vjeç? Sepse këto vargje besoj se nuk e kanë humbur freskinë dhe kumtin njerëzor, shoqëror, njëherazi edhe filozofik, mbi jetën, moshën, poezinë, politikën, atdheun, shoqërinë dhe kohën që s’dashuron, por na trishton, na vjedh, na godet, na shpon, na harbon dhe na mundon, duke na hedhur shpesh në krahët e mërzitjes, pikëllimit dhe zymtësisë. Mos vallë ne kemi harruar të dashurojmë? Nuk e besoj. Kjo është një pyetje që më shpon dhe që nuk guxoj t’i bëj vetes, aq më pak të tjerëve, sepse poet Agimi vazhdon të shkruajë poezi, me ndjenja të holla, të shoqëruara me muzikën e vargut të thurur bukur.

Mjaftojnë vetëm këto pak vargje magjike, kushtuar hyjnores dashuri, që i shtyn poetët në frymëzim, por që i mban gjallë shpirtrat e ndjeshëm, deri në frymën e fundit.

………..

Se vitet dihen, bëjnë të tyren

Dhe unë me ta nuk bëj dot garë.

Por emrin tënd e mbaj të kyçur,

Përbrenda gjoksit, si sirtar. Poezia “Gjer atëherë”

……………………

S’ ka gjë se jemi thinjur

Dhe zverdhur porsi ftoj

Ky kopshti ynë i ëndërrt

Bleron sërish njësoj………..Poezia; “Dashurohemi përsëri”

Edhe unë, i frymëzuar nga këto vargje, po shtoj dy fjalët nga të miat: 

I menduar, i trishtuar, trazoj prushin nën hi,

S’ më vjen keq se u plaka, më vjen keq që s’jam i ri!………. 

            Kritikët dhe studiuesit, kur flasin për poetët, në shumicën e herëve i quajnë spontanë dhe të krisur, nisur nga problematika e shtruar të sofrën e poezisë. Edhe unë i këtij mendimi jam, sepse edhe poeti ynë Agimi aty ndalet, nga çasti, nga e veçanta, madje edhe nga më e thjeshta dukuri, qoftë edhe një gjethe peme, apo dru i tharë. Ai merr vetëm goditjen frymëzuese, pavarësisht se ai jeton me kohën dhe problemet e saj, duke u bërë kritik, do të thosha pak më i ashpër: “kritik vrastar” dhe poet rebel, me vargje të hidhura pelin. 

Po ndalem tek poezia: ”Zënka”, të cilën unë po e quaj më të mirën, jo thjesht për gjetjen dhe realitetin tonë të përditshëm, që poeti e ngre në art fjale, por për thjeshtësinë e fjalës, muzikën dhe kumtin njerëzor e shoqëror shqiptar: Kudo zihemi dhe grindemi. Ç’po ndodh me ne? Kjo pyetje dhe psherëtimë, që del nga shpirti i trazuar i poetit, e thënë kaq qetë, na shtyn t’i bëjmë vetes pyetjen tjetër: Pse jemi katandisur kështu? Dhe a ka zgjidhje?. Ja disa vargje

Zihen dy pleq në lulishten e zhveshur,

Për një “dopio pesë”.

Zihen dy lypsa për një kanoçe të qelbur,

Që në mëngjes…….. Poezia “Zënka” 

Në këtë hulli shqetësimesh, po ndalem tek një tjetër temë, kushtuar ngjarjeve të shkuara historike. Ndoshta titulli duket pak si i venitur dhe zverdhur nga koha, por që vargjet duket sikur gjallojnë edhe sot për mjedisin tonë, që, pa apo me dashje, nuk shkëputemi dot, madje marrëzisht po përsërisim historinë. 

…………

Me një mëri të tretur,

Në tërë qenien e vet,

Dovleti kishte vdekur,

Ai desh t’i jepte jetë…….. Poezia: Varja në litar e Haxhi Qamilit

Megjithëse unë e kam quajtur Agimin, poet të dashurisë, ai nuk reshtet të thurë vargje për atdheun. Ai ndryshe nga shumë nga të tjerët, bie fjala rilindësit tanë, për të vazhduar edhe tek poetët më pas, të cilët bashkë me ne i ngremë hymne dhe hyjnizojmë heroizëm, lavdi dhe madhështi, ai kap thikën nga tehu: pikërisht maja e saj, që të ngulet në mishin tënd. Është një zë dhe piskamë ulëritëse, për atë ç’ ka shohim sot. Gjykoni vargjet:

……………………………………….

Atdheu mund të vritet në qindra mënyra, 

Duke ngritur rreth nesh vazhdimisht një tërmet, 

Por ne as na skuqet dhe as na zverdhet fytyra,

Dhe kjo është e tmerrshme, vërtet!….Poezia: “Disa mënyra për të vrarë atdheun!”

Qëmtova vetëm disa poezi, vetëm për të ngacmuar dëshirën e leximit të këndshëm. I mbetet lexuesit të gjykojë mbi vlerat, mesazhet dhe ndjesitë që ndjellin poezitë e këtij autori shqiptar, tashmë në rreshtin e parë, me më të mirët e kohës.

Unë i uroj jetë, shëndet dhe krijimtari të bukur! Mes miqve dhe shokëve, duke ngritur dolli, të festojë edhe shumë përvjetorë të tjerë. 

 

Kadri Tarelli

Durrës më: 22, të mes verës, 2019

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1