Navigate archive
first first August, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | ESE | NJË LETËR QË MË SOLLI MALL DHE SE MBAJ DOT

NJË LETËR QË MË SOLLI MALL DHE SE MBAJ DOT

image Nostalgji për kohë e njerëz

Nostalgji për kohë e njerëz

NJË LETËR QË MË SOLLI MALL DHE SE MBAJ DOT


Më vijnë shumë letra valëve të internetit, letra që më sjellin shëndet e gëzim, letra që ma ndezin mallin e dua të vrapoj ta shuaj burimesh e lëndinash të vendit tim, Dibrës që e dua.
Kësaj radhe më erdhi një letër nga shoku im, nga miku im, nga Luan Kaba me të cilin na ka lidhur, midis të tjerash e mbi të tjerat, profesioni; ai telekronist i Radio-Televizionit Shqiptar dhe unë gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Vite të shkuara, viteve shtatëdhjetë. Mundohem të kujtoj rrugëtimet në këmbë me Luanin në kërkim të njerëzve të punës, “njerëz mbi male” siç i kam pas vënë titullin një reportazhi.
Një fotografi (që po e përcjell, foto ku është edhe Fredi, redaktor i RTSH) më ngacmon kujtime në ngjitjen maleve të jashtëzakonshme për nga bukuria dhe begatia, maleve të Kalasë së Dodës, udhëtimit nëpër Radomirë, luginës që merr kryevend tek “Shpellasi” ku thonë se uji ka marrë ngjyrë kur në bjeshkën e Ponairit hodhën bojë për të parë ku humbet e ku del uji për ta prerë “berrin e varur në çengel” për kurrizi, Shqipërinë, njëqind vjet të shkuara . Më kujton liqenin e Preshit e pak më sipër burimin ku kam mbushur grushtet njëri pas tjetrit për të shuar etjen e ngjitjes në këmbë. Më kujton Sorokolin e pamjen që zbret në njërin krah nga Përroi i Lushe e nga krahu tjetër në Fushën e Korabit. E tej e tej në veri, bjeshkë pas bjeshke, “Kthesën e Koke” ku misionaret e Evropës u detyruar para pushkëve të rrotullohen rreth vetes në detyrimin “Të lënë kokën apo tu lënë tokën shekullore fisit trim të Kokeve”.
Eh more Luan Kaba, djali i mikut tim të viteve të rinisë, mjeshtrit të bujqësisë dibrane, Sabri Kabës, kujtimet e të cilit më vijnë e më zënë supin e pesë viteve kur ishim bashkëmësues në shkollën e mesme bujqësore “Nazmi Rushiti”.
Nuk mund të lë anash një rrjedhë gjaku gjenetik. Fëmijët e Luanit kanë gjak nga kushëriri i parë i babait tim, Azem Poçi, njeriu që nuk ia gjeje shokun në vend për punëtor e zemër flori.
Faleminderit Luan Kaba. Letrën tënde plot ndjenjë e dashuri nuk mund ta mbyll “zarfeve kompjuterikë. Po e përcjell me mall për të shuan paksa mallin e një ikanaku larg e larg vendlindjes, Dibrës tonë.
Shënim: Po të përcjell edhe një fotografi, të tre, midis teje e Sami Bulkut, diku në një lokal të vogël në pritje të kafes...

I RILINDUR BASHKË ME “RILINDËSIT E KOHËS SONË”
Përshëndetje Abdurahim Ashiku!
Lexova librin tënd të fundit ”Rrëfimet e komshiut”. 
Edhe pse me këmbët e mia nuk kam shkelur rrugëve të karvanëve të mërgimtarëve, ikanakët, siç i quan, me kokën pas Fushës së Korabit (O e mjera unë...), a Lëndinës së Lotëve, nga përshkrimet me aq ndjenjë, bëre që të më dukej vetja se po përplasem dallgëve të Adriatikut bashkë me Eduardin e të përlotem për djalin e tij dyvjeçar që e përpiu deti i trazuar i 28 marsit 1997.
Bëre të ndjehem se po dridhem nga acari në kapërcim të maleve të Gramozit, Konicës e Pindit bashkë me komshiun tënd e me të burgosurin në “Ahuret e Avgjisë”, të më dukej se po sfilitem sporteleve të burokratëve komunar, zyrave të O.A.E.DH-it për një “Kartë kazerme” bashkë me atë “Vorioepirotin nga Luma”.
Me rrëfimet më çove e më gëzove atje ku “Gjaku nuk bëhet ujë”, mes arvanitasve të Thivas, në Kaskavelin e autorit të “Gjuhës së Perëndive” Aristidh Kolën e madh, më prezantove me Kiço Bllanin shokun e vjetër të klasës në shkollën e mesme... 
Vërtet më bëre të trishtohem për rininë e humbur të Valbonës, të ligështohem për fatin e “Gjeneralit akull” por edhe për atë zogun shtegtar tek tavolina 15.
Më bëre të përbuz edhe afendikonjtë nursëzë , avokatët e ftohtë gjakpirës, ikonat mashtruese por më bëre edhe më shumë të ngazëllehem me mjekun Panajotis, gazetaren Magda, pronarin Spiro që Shpëtimin nuk e thërrisnin Jorgo por me emrin e nënës-Shpëtim.
Siç me ndjenjë, rrokshëm e përshkruan, edhe unë do të desha të isha dëshmitar në “Gjyqin e Shqipes” e të përshëndesja me gjithë zemër mësueset Stela e Denada.
Por do të desha të shihja edhe kur i përmalluar takohesh me Gurjonin, mjaltin e mjaltit. Pse jo edhe të filmoja me kamerën time, si gati 30 vjet më parë në Sorokol, liqenet e Lurës a Kacnisë. Është një galeri e vërtetë personazhesh realë, që frymojnë, mbijetojnë, gjallojnë por edhe lulëzojnë në atë klimë. Me një gjuhë të thjeshtë, origjinale, të pastër, me emrat e vet, ata i ke përjetësuar në histori, në një nga faqetë e trishtueshme të saj, në ata të tranzicionit alla shqiptar, që na bën të ndjehemi ngushtësisht keq.
I nderuar Abdurahim Ashiku! 
Me a pa dëshirë, me a pa sakrifica, me apo pa peng të lënë pas, kapërceve mes “Gurëve që lëvizin”...dhe vërtet të shoh të rilindur, bashkë me “Rilindësit e kohës sonë”.
Edhe njëherë dua shumë të të uroj shëndet e jetë, për të vazhduar “qilizmën”, se me siguri ke edhe të tjera, e të tjera për të na thënë.
Urime nga Luan Kaba

* Luan Kaba, ish telekronist, drejtor i Arkivit të Shtetit-Peshkopi

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1