Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | ESE | VRASJA E PETRO SOTËS NËN DRITËN E DOKUMENTAVE TË REJA ARKIVORE

VRASJA E PETRO SOTËS NËN DRITËN E DOKUMENTAVE TË REJA ARKIVORE

image Nuri Plaku

 

 

    Petro Sota është një nga dëshmorët fierak më të njohur të LANCL pasi me këtë emër u pagëzua njëri nga batalionet partizane i formuar pak kohë pas rënies së tij. Në vitin 1972 ky emër ju vu shkollës së mesme industriale të Fierit ndërsa busti i tij është vendosur në një nga sheshet kryesore të qytetit. Rreth figurës dhe aktivitetit të Sotës është folur gjerësisht nëpër konferenca dhe takime përvjetorësh, kushtuar LANCL, jan botuar artikuj nga autorë të ndryshëm në organe të shumta mediatike, kujtime, monografi etj., por te ky shkrim, do flasim për rënien e tij duke u bazuar në disa dokumenta të reja të zbuluara së fundi në A.Q. Sh. Tiranë, të cilat nuk jan ekspozuar ende deri më sot nga asnjë autor tjetër dhe që hedhin dritë të plotë mbi vrasjen e tij më 13 korrik të vitit 1943.

  Petrua u lind në fshatin Habilaj të rrethit të Lushnjes më 10 korrik 1915 në një familje bujqish. I ati, Zoi emigroi për pak kohë në Francë dhe mbas kthimit punoi shofer kamioni në Fier dhe aty solli edhe familjen. Në Fier Petrua mbaroi shkollën plotore mashkullore dhe u punësua pas të atit si ndihmës shofer. Ndërkohë morën një sipërfaqe toke në Portëz dhe rifilluan aktivitetin bujqësor duke ndërtuar në këtë fshat edhe një shtëpi të dytë banimi. Për pak vjet Petrua punoi në kantierin e vajgurit në Kuçovë duke ushtruar profesionin e traktoristit në pastrimin e puseve të naftës . Në vitin 1936 u rikthye sërish në Fier dhe punoi shofer autobuzi dhe taksist me veturë.

   Pas pushtimit të vendit Petrua u angazhua me forcat e lëvizjes antifashiste të qytetit dhe u shfaq mjaft aktiv duke kryer kryesisht një nga detyrat më të rëndësishme të prapavijës: transportin e materialeve luftarake dhe prapagandistike për nevojat e luftës. Krahas Petros me lëvizjen ishin angazhuar edhe dy vëllesërit e tij, Mihali me Mitin dhe shtëpia e tyre ishte bërë bazë e luftës.

    Në verën e vitit 1943 lëvizja antifashiste në qytetin e Fierit mori zhvillim të ndjeshëm e cila u shfaq kryesisht me krijimin e formacioneve luftarake dhe shtimin e radhëve të tyre me luftëtar të rinj. Krahas angazhimit të forcave partizane dhe përpjestimit të lëvizjes antifashiste, nga radhët e forcave të armatosura qeveritare ushtarakët filluan të arratisen në masë, ndërsa djemtë e moshës së rekrutimit nuk paraqiteshin për kryerjen e detyrës. Strukturat fashiste përpiqeshin ta frenonin lëvizjen çlirimtare duke përdorur terror ndaj çdo elementi aktiv të saj.

    Më 16 mars 1943 qeveria kuislinge me një telegram tepër urgjent, njoftonte gjithë prefekturat e vendit se me urdhër të posaçëm të Ministrisë Brendshme, këtej e tutje, ruajtja e rendit publik u besohej autoriteteve ushtarake. Po këtë ditë, Ministria e Brendshme nxori urdhërin për dorëzimin e ushtarëve të arratisur të cilët fshiheshin nga populli dhe u jepej afat deri në fund të muajit maj. Pas kësaj urdhërese u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Ndalim qërkullimi nëpër qytete fillonte nga ora 15 mbasdite deri më 6 të mëngjezit.

    Por edhe me këto masa të rrepta ushtarake, situata vazhdoi të agravohej. Gjatë muajit maj, terrori dhe propaganda për dorëzimin e të arratisurve u intensifikua më tej. Më 14 maj Komanda urdhëroi mbledhjen e kryepleqve të lagjeve të Fierit dhe ju kërkoi të apelonin në popull për dorëzimin e të arratisurve. Afati i dorëzimit të tyre u shty deri në fund të qershorit. Në vazhdim, teksa tensioni rritej në masë, rezultati ishte thuajse zero.  Ndërkohë, gjithnjë sipas këtyre dokumentave, më 14 qershor 1943, Ministria urdhëroi ndryshimin e orarit të ndalim qarkullimit. Tashmë, ndalimi fillonte në orën 6 të mëngjezit e mbaronte në orën 21 të darkës. Më 18 qershor, Kryetari Bashkisë Fier, Arshi Shehu, urdhëroi në mënyrë urgjente policinë bashkiake të bënte shpalljen publike të urdhërit ministror me shkrim dhe kasnec. Kjo gjendje shtetrrethimi vazdoi të ishte në fuqi edhe gjatë muajit korrik kur u vra dëshmori Petro Sota.

    Në muajin maj të vitit 1943 në Fier u emërua Zv. Prefekt Zef Pepaj. Fierin e kësaj periudhe Papaj e cilëson si “pikën kulminante të terrorit në Shqipëri,” pasi këtu, Komanda e Ushtrisë Italiane kishte marrë nën sqetull kriminelin e tmerrshëm Isa Toska të cilit i kishte vën në dispozicion edhe një autoblindë dhe i kishte ndërtuar në fshatin e tij të lindjes në Luar një shtëpi - kala. Krahas Isa Toskës Komanda Italiane përdorte edhe  një kompani milicie të përbër vetëm nga shqiptarë e që komandohej nga 2 - 3 oficerë të pa moralshëm saqë kishin arritur edhe në përdhunime femrash në Myzeqe. Po në këtë repart komanda mbante një rreshter nga fshatrat e Kavajës me emrin Thanas, i cili ishte një Isa Toskë i dytë. Ishte pikërisht ky rreshter në krye të patrullës  së milicisë e cila vrau Petro Sotën. 

   Më 13 korrik, ditën e martë, Petrua sipas kartelës së dëshmorit që ndodhet në dosjen e tij në Muzeun Historik të Fierit, “u vra kur ishte duke kryer një detyrë të partisë.”

        Për analizën e vdekjes së Petros jan bërë tre raporte; raporti zyrtar i forcave të ruajtjes së rendit, hartuar nga Zv. Komandanti i postës xhandarmërisë kapter Tefik Aliu, raporti mjekoligjor hartuar nga mjeku i bashkisë Llambi Gjergo dhe raporti jurudik hartuar nga trupi gjykues i Gjykatës Paqit Fier. Përpos këtyre po shfrytëzojmë edhe shënimet e ish zëvendës prefektit të Fierit Zef Pepaj të botuara në librin e tij me kujtime titulluar, “Jeta ime.”

   Raporti i hartuar nga xhandarmëria e Fierit i dërgohet Komandës Xhandarmërisë Tiranë dhe titullohet:“Mbi vrasjen vdekur të Petro Zoi Sotës banues në këtë qytet.”Sipas këtij raporti, më 13 korrik 1943, ditën e martë, ora 17 Petrua po kalonte hipur në biçikletë në rrugën e Semanit (sot Br. XI. S. sh. im.) në drejtim të perëndimit. Përball ndërtesës së Post – Telegrafës, në trotuar ndodhej me shërbim një patrullë e Komandës Milicisë Shqiptare, Fier e cila i ka thirrur “Ndal!” Petrua i është përgjigjur “E mor, çdo?” dhe nuk ka qendruar. Patrulla ka qelluar në ajër por Petrua sërish nuk ka qendruar dhe ka ikur duke u kthyer djathtas në rrugën e tregut, “ka dal përmes pazarit të bereqetit në drejtim të lindjes, me një vrap këmbësor mesatar, ka arritur deri tek qoshja e fabrikës miellit nga ana e sipërme e pazarit. Këtu është pa dhe riqellue prapë po nga ajo patrullë, mbasi ju ka dal përpara nga ana tjetër, tue u vra. Shkaku i vrasjes, duhet të jetë nga mosbindja për qendrim në thirrjen “ndal” të patrullës simbas ligjit në fuqi. Mbasi ka dhan shpirt i ndjeri Petro i jan marr atij në ato çaste 46 napolona letra shqiptare nga nëntogeri i  Komandës Krahinarisë për detyrë dhe një orë nga  një rreshter i Milicisë fashiste Shqiptare t’ardhun edhe këta në vend të ngjarjes për tja dorëzuar ato familjes së të ndjerit Petro. Zav. Komandant i Postës kapter Tefik Ali.”  

      Po këtë ditë, më13 korrik ndihmës gjyqari paqtues i Fierit Athanas Leka së bashku me sekretarin e kësaj gjykate, Myzafer Bako, hartojnë raportin e vrasjes dhe mbas dy ditësh, më dt. 15, ja  dërgojn atë Ministrisë Drejtësisë dhe për njoftim Prokurorisë Mbretërore Berat.

    Sipas këtij raporti, nëpunësat e gjykatës, në orën 18 kan qenë në zyrë kur kan dëgjuar të zbrazen 15 – 20 pushkë në qendër të tregut Fier. Mbas tyre në gjykatë ka ardhur një xhandar dhe ka lajmëruar se arma e Milicisë së Forcave Shqiptare ka pushkatuar dhe ka lënë të vdekur shoferin Petro Sota, “... mbasi panë qarkullimin e tij të dyshimtë mbi biçikletë të cilin sado që e lajmëruan të qendronte edhe zbrazën shumë pushkë, nuk mundën ta ndalonin e ta kapnin dhe kështu e lan të vdekur.” Kur punonjësit e gjykatores shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, kan gjetur atje një numër xhandarësh, karabinier e milicë të cilët rrinin rreth kufmës së mbytur në gjak. Në raport përmendet se personat e ndeshur në këtë kohë rreth kufomës jan pyetur prej tyre, por ata kan deklaruar se nuk e kan parë zhvillimin e kësaj ngjarjeje dhe dijeni mbi këtë çështje kishin vetëm oficerat. Ndërkohë punonjësit e gjykatores kan lajmëruar mjekun e bashkisë Llambi Gjergo për të bërë ekspertizën mjekoligjore i cili, “kur erdhi, mbasi u betua ma përpara rregullisht filloi bashkë me mua ekzaminimin e kufomës.” 

    Në tekstin e këtij raporti krahas vdekjes së Petros përmendet edhe sjellja shtazarake e komandantit të patrullës Athanas Kavaja. “Para se të mbaronim kontrollimin e trupit të të vramit, - thuhet në raport, - ka ardhur një brigadier i milicisë së Forcave Shqiptare, Thanas Kavaja i cili ka dhunuar kufomën. Do të të shtyp edhe tashti që je i vdekur o kodosh, - i thoshte, - dhe e shkelte kufomën me shkelmat e tij në vende të ndryshme të trupit. Dhe mbasi në këtë kohë u bë një alarm i madh nga sjellja e brigadierit kundra kufomës, duke qenë të pambrojtur shkuam në zyrën tonë duke i dhënë fund këtij procesi i cili nënshkruhet prej nesh, mjekut dhe kapterit të gjindarmërisë.”

    Po këtë ditë edhe mjeku i Bashkisë Llambi Gjergo, harton raportin e tij mjeko ligjor, në të cilin thuhet: “Së bashku me trupin gjykues vizitova të vrarin Petro Sota nga Portëza por banues këtu në Fier dhe nga ekzaminimi konstatova një plagë hyrje plumbi tre gishtrinj poshtë sisës së djathtë e shkaktuar prej arme dhe plumbi ka mbetur brenda dhe mbasi ka prekur organet me rëndësi jetike, vdekja i erdhi imediate.”

Krahas forcave të rendit në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe zv. Prefekti Zef Pepaj.

“Unë, sapo më lajmëruan për vrasjen,- shkruan Pepaj, - mora me vete Ndihmës Komandantin e Rrethit Xhandarmërisë, aspirantin trim skrapali, Abas Sevranin dhe shkuam në vendin e vrasjes. Aty ishte edhe rreshter Thanasi me dy-tre milicë.

- Pse e vratë more Zoti rreshter?- Ju drejtova unë atij.

- Po dyshuam se ka letra nga prindërit për tua çuar partizanëve, Zoti Nënprefekt, - mu përgjegj. – Patrulla i thirri të ndalte biçikletën, ai nuk ndaloi. 

- Po ku i keni letrat more zoti rreshter? – i tha aspiranti. Thanasi ju përgjegj se ja kishte dorëzuar  komandantit Italian. Populli i tmerruar rrinte rreth e qark të vrarit, e aty ishte edhe polici i bashkisë Pilo Sota që e kishte kushëri të vrarin dhe unë ju drejtova atij. –merrni ndonjë karrocë  dhe çojeni të vrarin në familjen e tij. Rreshter Thanasi me milicët u larguan pa kundërshtim.”

    Më pas, në shënimet e tij Pepaj shkruan se ka vajtur në komandën italiane dhe ka pyetur gjeneralin “për këtë vrasje të shëmtuar duke i thënë edhe për letrat që na tha Thanasi.” Gjenerali ka pohuar se letrat e dhëna nga Thanasi ishin vërtet të prindërve për partizanët. “Ngjarjen e shëmtuar e të dhimbshme, - vazhdon Pepaj, - ja raportova qeverisë por asnjë përgjigje nuk erdhi. Komanda italiane e mbajti gjoja në arrest Thanasin për nja 10 ditë. Në të vërtetë e mbajti për ta ruajtur nga ndonjë atentat i sigurt që do ti bëhej. Me kapitullimin e Italisë Fashiste mora vesh se rreshter Thanasin e arrestuan dhe e vranë.”

   Vrasja e Petro Sotës krijoi një dhimbje të thellë në popullin fierak. Ai e përcolli birin e vet për në vorrezat e kishës duke i bërë të gjitha ritet e duhura të kohës. E motra kujton se kortezhin e tij e shoqëroi edhe fanfara e qytetit të Fierit me ndrejtues Vasil Aleksin. Në rregjistrin e vdekjeve të kishës së Shën Gjergjit At. Polizoi do shënonte vrasjen e Petros nga milicët dhe kryerjen e riteve të varrimit nga tre priftërinj.

Nuri Plaku

Drejtor i Muzeut Historik Fier  

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1