Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ESE | Mè shumè respekt pèr figuren e nderuar te mèsuesit

Mè shumè respekt pèr figuren e nderuar te mèsuesit

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fran Gjoka

 

 

Figura e mësuesit ka qenë figurë mjaft e respektuar në të gjitha periudhat e histories njerzore, prandaj dikur mësuesi ishte një person me shumë autoritet në shoqëri, ishte një figurë e nderuar dhe e respektuar nga mbarë opinioni publik, por sidomos nga masa e rinisë, prindërit dhe nga nxënësit e shkollës. Ndodhte kjo, pasi ai quhej misionar i kulturës dhe diturisë, personi që përhapte dije dhe kulturë në mbarë vendin,Mësuesi pergatiste brezat, njerzit qe do ti dilnin zot fateve të atdheut.Këtë mision mësuesit e kanë përfunduar me sukses në kohë të ndryshme, duke punuar gjithmonë me përkushtim për të realizuar me sukses detyrat dhe misionin e tyre fisnik. Po nëse respektohej nga shoqëria në të kaluarën, mësuesi nuk vlerësohej nga shteti, sepse veç punës mësimore, përgatitjes ditore, aktivitetit me nxënësit, mësuesi i duhej shtetit në fuqi për të përçuar vijën politike të partisë-shtet.Në këtë pikëpamje, mësuesi qe një shërbëtor i sistemit në fuqi, dinjiteti i tij qe i nëpërkëmbur, pasi emërohej, shkarkohej dhe madje edhe kontrollohej nga njerëz inkopetentë pushtetarë dhe partiakë të asaj kohe.

          Unë si një mësues i vjetër dhe me përvojë rreth 40 vjeçare në arsim, e kujtoj mjaft mirë atë kohë të vështirë, kur mësuesi, pasi kishte ecur disa orë rrugë në këmbë, kryente gjashtë orë mësim, madje shpesh edhe me klasa kolektive, shkonte në brigadë ose kolektiv punonjësish për të referuar tema politike ose sociale pa asnjë lloj vlere, përgatiste dhe zhvillonte temat fictive të formave të edukimit në parti dhe kthehej në shtëpi i sfilitur për të kryer përgatitjen ditore për të nesërmen. Ndërsa për detyrime shoqërore apo familjare nuk diskutohej fare dhe as që mendonte njeri se mësuesi i gjorë kishte detyrime të tilla, siç kanë të gjithë njerëzit në shoqëri.Më e keqja është se edhe sot po ndodh pikërisht kështu.Figura e nderuar e mësuesit sot, jo vetëm që nuk vlerësohet, por për më tepër duket se urrehet.Mësuesit sot i duhet të përballojë një stres të jashtëzakonshëm, që i vjen nga të gjitha anët.Ai është objekt kritikash nga shoqëria, ministria, Drejtoritë Rajonale, ZA, Drejtoritë e shkollave, njesitè vendorë dhe bashkitë, prindërit, madje edhe nga vetë nxënësit, të cilët tani e përçmojnë mësuesin duke treguar hapur se nuk janë fare të interesuar për mësim dhe as për edukimin e tyre.Asnjë shoqatë, asnjë institucion, asnjë ligj nuk kemi deri tani që të mbrojë dinjitetin e këtij intelektuali të mjerë, madje edhe të ashtuquajturat sindikata, e kanë braktisur atë.Kush hyn dhe del në dyert e shkollës, kërcënon vetëm mësuesin, e kërcënon drejtori me pushim dhe ndëshkim financiar, e kërcënon inspektori, kontrolluesi, i bën presion psikologjik prindi pse nuk ka vlerësuar nxënësin me note më të lartë, madje edhe vetë nxënësit si pa të keq e kundërshtojnë, e kërcënojnë dhe debatojnë me mësuesin e gjorë, sepse nuk u pëlqen kultura, mësimi dhe edukata që mësuesi u sugjeron atyre në forma të ndryshme. Dhe përsëri heshtja vazhdon.Hesht shteti, hesht shoqëria, hesht drejtoria, hesht prindi, por nuk hesht nxënësi, i cili nuk pyet fare se shkolla është vendi ku mësohet dhe edukohet njeriu, por bën ç’të dojë, madje edhe në orën e mësimit.Ndodh kjo, sepse nuk kemi ligje për të ndëshkuar edhe minimalisht fajtorët pra, nxënësit që bëjnë veprime antipedagogjike, antishoqërore, ndërsa mësuesin një gabim të vogël po të bëjë e “kap” ligji, e denoncon “Fiksi”, e denigron “Stopi”, e pushon dikasteri dhe askush nuk e mbron,si pati, si nuk pati të drejtë.

            Nxënësit sot shkojnë në shkollë për t’u dëfryer, sepse shumica prej tyre nuk mësojnë, nuk lexojnë fare, nuk e dëgjojnë mësuesin, nuk aktivizohen në mësim apo në diskutime mësimore, nuk shkruajnë detyrat që u rekomandon mësuesi, ata janë të prirur pas zhurmës, pas anomalisë, përdorimit të telefonit celular në procesin mësimor, lojërave dhe diskutimeve të pavlera, largohen pa leje për në pabe, ku konsumojnë alkool, duhan, në mos përdorin edhe lëndë narkotike, stimulojnë grindje, ngatërresa, madje edhe deri në perdorimin e armëve të ftohta etj. Shpesh, në këto aktivitete të prapta, ata ndihmohen edhe nga familja dhe shoqëria. E ç’mund të bëjë mësuesi në kushte të tilla? Ai është totalisht i paaftë të veprojë, sepse nuk ka në dorë një rregullore, udhëzim apo ligj që në këto raste të ndëshkohen fajtorët. Në shkollat e mesme dhe të larta ky problem është i zgjidhur, megjithëse pak masa merren, po problemi qëndron tek arsimi parauniversitar, ku nuk mund të marrësh asnjë masë disiplinore.Në këto kushte, gjendja është e vështirë të ndryshojë.Probleme të tilla ka kudo në vendin tonë dhe për çudi as shoqëria jonë nuk e ngre zërin kundër këtyre fenomeneve negative dhe as institucionet shtetërore nuk marrin masa për të parandaluar këto dukuri.Është totalisht e dhimbshme të shohësh një brez të ri që nuk përgatitet për jetën sot kur është momenti i duhur për t’a bërë një gjë të tillë, të shohësh një mësues, intelektual, pjesëtar i kësaj shoqërie të civilizuar në këtë gjendje shoqërore, psikologjike dhe ekonomike, siç është katandisur kjo figurë e nderuar e shoqërisë sonë, vërtetë është e dhimbshme.
Më thonë se profesioni i mësuesit është bërë tepër i bezdisshëm për shumë arsye, sidomos për mësuesit me klasa kolektive në arsimin parauniversitar, të cilët detyrohen të bëjnë 12 orë mësimi dhe të përgatisin edhe 12 orë përgatitje ditore në ditë, një punë e mundimshme për vendosjen e së cilës mbi baza metodike dhe pedagogjike nuk mendon askush.

           Dhe mësuesit, perseri sakrifikojnë, me mundim të madh. Nga ana tjetër, mësuesi detyrohet të hartojë plane, të përgatisë tema shkencore dhe sociale, të hartojë projekte ekstra, të redaktojë tekstet shkollore, të hartojë skenare për aktivitete të ndryshme, të plotësojë relacione informative, të përgatisë informacione për prindërit, të ndjekë kurse të detyrueshme dhe të blejë kredite profesionale me paratë e rrogës së tij të vogël.Besoj, nga sa thashë më sipër, nuk mund të gjesh institucion më të ngarkuar dhe më të vështirë dhe për më tepër as reforma nuk po i  prek këto çështje, megjithëse thuhet se mësuesi do të shkarkohet nga çështjet burokratike, megjithatë po tregohet e kundërta. Për këtë arsye, sot sheh mësues të lodhur, të stresuar, të dërrmuar, për të cilët askush nuk po interesohet.Këtë vit shkollor u miratua udhëzimi për të mos përdorur celularin gjatë kohës së punës në shkollë dhe u bë shumë mirë.Po nëse nuk duhet të përdorë mësuesi për asnjë lloj arsye telefonin, sepse për të mund të merret edhe masë ekstreme disiplinore, si do të veprohet me nxënësit, sidomos në arsimin parauniversitar, që e përdorin masivisht, madje edhe brenda orës së mësimit dhe mësuesi nuk ka asnjë bazë ligjore për të marrë masa ndaj këtij fenomeni shumë të përhapur në shkollat tona.Madje edhe kur u xhiruan nga nxënësit disa mësues dhe u transmetuan në disa emisione investigative, mësuesi u penalizua, ndërsa për nxënësin qe perdori telefonin në orën e mësimit nuk u more asnjë masë. Mendoj se ashtu siç mund të ndëshkohet mësuesi, duhet të merren masa edhe ndaj nxënësit, pasi ai është një mjet që dëmton rëndë normalitetin e orës së mësimit.Si pjesë e kësaj shoqërie, edhe mësuesit meritojnë vëmendje më të madhe jo vetëm në përmirësimin e pozitës sociale dhe shoqërore, por edhe në trajtimin ekonomik.Kam shumë shokë dhe miq mësues dhe të gjithë ankohen, të gjithë kanë marrë kredi nëpër banka të ndryshme për të jetuar, overdraftët e tyre nëpër banka janë zero, madje edhe shperblimet janë dhënë në menyrë selective, por masa e madhe e mësuesve tanë nuk janë mësuar me salltanete, ata janë njerëz të thjeshtë qe jetojnë vetëm me punë, me vështirësi. Akoma në shoqërinë tonë shqiptare nuk u vu re një ecuri positive persa i takon figures së mësuesit në vazhdim të reformave të nisura nga njëra forcë politike, apo nga tjetra, sipas rotacionit politik, por po ndodh ajo më e keqja që secila forcë politike që vjen në pushtet prish dhe shkatërron arritjet e forcës tjetër dhe fillon nga fillimi gjë që dëmton jashtëzakonisht shumë vendin dhe arsimin, për të cilin po flasim.Nisi reforma arsimore që prej 25 vjetësh demokraci dhe gjithmonë mësuesi mbetet “fajtori”, ai kthehet në një robot apo instrument i “lojës”, me të cilin luan politika, pa i dhënë forcë aftësive të tyre dhe shkon fyerja deri aty sa bëhet testim kombëtar, sikur reformat të kishin ngecur vetëm tek faktori mësues, duke mos marrë fare parasysh vitet e tyre plot sakrifica, lodhjen, mundimin, “lojrat” e politikës dhe dëmet që u ka sjellë ajo atyre, vihet të testohet si mësuesi që dje mbaroi shkollën dhe mësuesi që ka kaluar të tre kualifikimet dhe që sot i ka flokët e bardhë dhe është në prag të pensionit. Unë mendoj që testimi duhet të bëhet vetëm për një moshë të caktuar, siç janë ata që kanë 5 – 10 vjet punë në arsim.Madje formal më duket edhe portal “Mësues për Shqipërinë”, pasi kemi mësues qe kanë përfunduar studimet rreth katër vjet të shkuara qe enden rrugëve pa shpresë për punë.Gjithashtu unë ngulmoj që mësuesit të gjithë pa përjashtim duhet të testohen vetëm për përdorimin e gjuhës së folur dhe të shkruar letrare.I ngrita këta probleme me qëllim që reforma arsimore që është nisur dhe po vazhdon, t’i ketë parasysh, pse jo, mund të propozohet edhe një ligj që rregullon marrëdhëniet e ndërsjellta prindër – mësues - nxënës, ku fajtori të ndëshkohet, ndryshe anomalitë nuk mund të eliminohen dhe puna mësimore dhe edukative në shkollat tona do të jetë e mangët. Kërkohet të merren masa edhe në trajtimin financiar të mësuesve, përshtatjen e kushteve të rrugëtimit dhe mësimit në parametra optimale, vlerësimin e punës dhe përpjekjeve të tyre me stimuj moralë dhe materialë që puna të kryhet në nivelin e duhur.Nuk është e mjaftueshme të flasim vetëm dy herë në vit për këta misionarë të dijes në rang institucional, vetëm në shtator kur fillon viti i ri shkollor dhe me 7 Mars, ku i mbushim me lëvdata dhe fjalë të mira, po të marrim masa që të ndryshojmë jetën e tyre me qëllim që kjo shtresë e shoqërisë sonë të jetë në nivelin e detyrave që shtron sot koha.Pra, edhe kur kanë festën e tyre mësuesit nuk gëzojnë.Në këto kushte, nëse nuk ndryshohet shpejt pozita e tij shoqërore, problemet në shkollat tona mund të përshkallëzohen dhe gjendja të përkeqësohet akoma më shumë.Nesër do të jetë vonë…Ketu kujtoj me vjen ndermend poezia e njohur e poetit Llazar Siliqi :”                                                                   Edhe kur krytë do na mbulojnë thinjat, ndërmend do të sjellim një emër nderues, emrin e dashur,emrin e bukur, emrin e thjeshtë, por të madh,Mësues...

                                                                   

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1